Falsiteti i figurës në ekranin televiziv në epokën totalitare – nga Albana Lifschin

Albana Lifschin

Albana Lifschin

Falsiteti i figurës në ekranin televiziv në epokën totalitare

nga Albana Lifschin

Në mesazhin që më vjen nga një mik në Europë, midis të tjerash, lexoj:
“Vajza ime ka diplomën me temën e fotografisë në epokën totalitare,
censurën, fotografia-propagandë, etj. Do t’i interesonte të fliste konkretisht
se si përzgjidhej fotografia, në ç’principe, çfarë preferohej…
Thjesht një ilustrim konkret se si përdorej fotografia në makinën e propogandës.”
.
Kjo letër më çoi në ato vite kur punoja në televizion, kur ne vuanim nga censura jo vetëm e fjalës, por edhe e figurës. Figura ishte parësorja, sepse ajo flet pa pasur nevojë për koment. Si për fotografitë e ekspozuara në organet e shtypit ashtu edhe për sekuencat filmike në televizion ndiqeshin të njëjtat kritere. Ato duheshin zgjedhur e përzgjedhur e t’i përgjigjeshin orientimeve që na vinin nga lart. Ne, të televizionit, nuk filmuam kurrë një pamje ku në sfond të dukeshin mure që u kishte rënë suvaja, apo kazane plehrash pranë shtëpive apo kudo qofshin, që shprehnin papastërti por edhe varfëri. Shtëpitë tona në ekranin televiziv ishin gjithnjë model, me mobilje të mira, kolltuqe e divane, aq sa zgjohesh kureshtja e teleshikuesit që na pyeste: Në shtëpine e kujt keni filmuar kështu?
Fëmijët shqiptarë edhe po të ishin në moshë të njomë kur u ndrroheshin dhëmbët, kurrë nuk dolën në fotografi të publikuara nga shtypi apo televizioni pa dhëmbë. A ka absurditet më të madh kur përgjegjësja e redaksisë së fëmijëve në televizion thirret në Drejtorinë e Përgjithshme të Radiotelevizionit dhe kritikohet ashpër se përse në një koncert fëmijësh të kopështit X në Durrës, dy fëmijë kanë dalë “pa dhëmbë, si pleq”. Pse nuk gjetët dot fëmijë të tjerë ju? Kush qe ai gomar kameraman që ka filmuar atje? Po regjisorja, i kishte sytë në ballë? Po ti qw e kontrollove emisionin, si e lejove një gjë të tillë? Fëmijët tanë duhet të dalin të shëndetshem, të bukur, e jo pa dhëmbë!!
.

Radio Televizioni Shqiptar

Radio Televizioni Shqiptar

Grupi i xhirimit kur shkonte në kopshtet e fëmijëve për të përgatitur një program televiziv, e rregullonte vetë ambjentin ku do filmonte. Përmbyste tre dhoma për të ndrequr një, duke ekspozuar gjërat më të bukura e zgjedhur fëmijët më të shëndetshëm, të veshurit më mirë dhe sigurisht ata që nuk kishin asnjë “cen” në biografi! E tmershme! Po të bëhej ndonjë gabim i tillë, patjetër kur transmetohej programi, dikush nga teleshikuesit, diku do ta njihte “biografikeqin” e do të sinjalizonte menjëherë! “Syrit vigjilent” nuk i shpëtonte asgjë. Kur kalonin pakujdesira, redaktorët merrnim vërejtje e incidenti bëhej publik në radhët e gazetarëve, që “këto gjëra të mos ndodhnin më!”. Ky rast vlen edhe për gazetën, i njëjti parim ndiqej. Fotot duhet të ishin të pastra, tregohej kujdes se mos hynte ndonjë gjë e papëlqyer në sfond, pasi armiku i shihte këto dhe e shfrytëzonte për propagandën e tij kundër nesh. (U bë hataja se kamera kishte zënë në sfond një gomar i shoqëruar me të zotin tek ura e Lanës në qendër të Tiranës! Si mund të ecte një gomar, në bulevarin e madh. I zoti dhe fotografi duhej të qe gomar e shkuar gomarit!).
Por më e keqja ishte kur në sfond kamera televizive jepte ndonjë fotografi të ndonjë figure të rënë nga piedestali, qoftë edhe kur kjo vinte nga Kinostudio.
Më kujtohet një redaktore e filmit artistik në Televizionin Shtetëror (Sh.M.) pat kaluar për ritransmetim një film të Kinostudios, ku në një sekuencë pas kurrizit të protagonistit dukej e varur në mur fotografia e Mehmet Shehut që sapo qe shpallur armik i popullit. U bë hataja! Si ka kaluar në dhomën e kontrollit kjo fotografi? Si është e mundur?
Redaktorja e filmit u pushua nga puna për mungesë vigjilence! Mirëpo kishin rënë kaq shumë zyrtarë të lartë nga postet dhe kaq shumë të tjerë ishin dënuar, sa s’mbeti film apo dokumentar pa u cunguar që të mos na dilnin në ekran “armiqtë e popullit.”
.
https://flasshqip.ca/kulture/arte-media/3687-falsiteti-i-figures-ne-ekranin-televiziv-ne-epoken-totalitare?
.

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook