back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Disa opinione mbi poeten Luljeta Leshanaku dhe disa Poezi prej saj

Gazeta

Luljeta Lleshanaku
Luljeta Lleshanaku
“Por Lleshanaku është edhe origjinale…
Këmbëngulja e tiranit për të mos lejuar asnjë centimetër “privaci”,
sjell pasojën e paparashikuar prej tij, atë të lindjes së domosdoshme
të shkrimit të poezive të fuqishme që i rezistojnë kohës,
të cilat ruajnë në vetvete diçka të pasundueshme, pikërisht saktësinë.”
(Sean O’Brienn, The Guardian).
 
“Përmbledhja e parë e poetes Luljeta Lleshanaku e botuar në Britani është një zbulim.
Poezitë janë të pazakonta dhe kumbuese në këto përkthime,
të mbushura me objekte dhe shpirtra, të transformuara në diçka flatruese,
të ngjashme me metaforat e Shagallit…
Gjuha këtu, si në prozën e Gogolit, është një mënyrë për të krijuar një jetë të re
dhe një destinacion të ri, që të shpie përpara dhe jashtë kësaj bote gjysëm misterioze dhe ciklike.”
(Sasha Dugdale, Poetry Nation Review).
 
“Hapësira në poezitë e saj është si pika zero që mund të shohë vetëm jashtë vetes,
në të gjitha drejtimet njëkohësisht. Por poetja sheh brenda përtej paradoksit,
dhe në vend të gjykimit, ajo gjen pranimin… Një shprehje e zakonshme në këto poezi,
mund të zbulojë një konkluzion abstrakt krejt ë paparashikueshëm…”
(Nga fjala e jurisë në dhënien e çmimit ndërkombëtar “Kristal Vilenice 2009” në Slloveni).
 
“Ajo është një krijuese e talentuar e krahasimit…
Ky mjet shfaqet shumë unik tek Lleshanaku. Është me rëndësi të theksojmë që ekziston rreziku,
që ky mjet, mund të kthehet në zakon, por në përgjithësi krahasimet e Lleshanakut
veprojnë më tepër si një akt skicimi, duke përcaktuar koordinata të saktë
në një territor, që për në, për fat, mbetet i panjohur…”
(W. N. Herbert, Poetry London).
Poetja Luljeta Lleshanaku
Poetja Luljeta Lleshanaku

Disa opinione mbi poeten Luljeta Leshanaku

dhe disa Poezi prej saj

Gjëja që më pëlqente tek ai

 
Ishte mënyra se si i afrua shtratit të parën herë,
gati me përtesë, pa i hedhur sytë jashtë
ku mesdita e korrikut ngrinte leqe të pambukta shprese.
Fikjen e llambës me një prekje të vetme.
Dhe thyerjen e ҫarҫafit me atë siguri
sikur e bënte prej njëmijë vjetësh
 
Si një anije e madhe që po kthehej në port
me ngarkesën e saj të fundit; e gatshme për skrab.
E ҫ’rëndësi ka se ҫ’ndodhej në hangar
thasë kafeje, porcelan apo ethe tropikale!
.

Metamorfozë

Vera po afron
me një mall dëshperues për jetën
duke qenë akoma gjallë. Një tjetër mundësi po të jepet
për t’iu afruar…
Për t’iu afruar kujt, cilës gjë?
nuk e gjen dot fjalën e saktë.
 
Kur ishe fëmijë, vizatoje një katror
me një oxhak që nxirrte tym të kaltër, dhe e quaje shtëpi;
një lëmsh të verdhë, diell; një rreth të kuq me bisht e quaje mollë,
dhe një moll të shtypur,
zemër.
 
Gjithҫka ishte fare e thjeshtë.
Objektet mbetën po ato;
u shtuan veҫ fjalët, emërtimet
si nofkat intime që u vëmë rrugëve dhe qosheve
të qytetit ku jetojmë prej vitesh,
pa mundur ta bëjmë tonin.
 
Dhe më pas, kur nuk ka më shpresë
i abstragojmë sërish, i kthejmë ashtu siҫ ishin,
në gjendjen fillestare:
një shtëpi që nxjerr tym të kaltër, një lëmsh verbues portokalli,
një moll dhe një zemër.
 
Kur e humbim mundësinë për t’i pasur,
i kthejmë në art,
duke lënë së paku një predikim,
për brezin që vjen pas.
.

Ata po nxitojnë të vdesin

Ata po vdesin njëri mbas tjetrit;
të hedhësh dhè mbi ta, u bë krejt e zakonshme
si t’i hedhësh kripën gjellës.
 
Janë të gjithë në një brezi, të afërmit e mi
ose më mirë të një epoke,
e fëmijët e epokës janë si qentë e lidhur me një slitë,
në kërkim të arit:
duhet të vrapojnë, ose të rrëzohen njëherazi.
 
Epokat s’janë matematikë
por, krëhëra, krëhërara që rrafshojnë ҫdo rebelim floku,
epokat lënë pas vetëm silueta:
të zeza, gri, të bardha arktike.
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.