Anton Pashku – I panjohuri ynë: njeriu i hukamës e heçamës nga Halil Matoshi

Anton Pashku (1937-1995)

Anton Pashku (1937-1995)

Anton Pashku (8 Janar 1937 – 31 Tetor 1995)

I panjohuri ynë: njeriu i hukamës e heçamës

nga Halil Matoshi

Për Anton Pashkun 1937-1995
klasik i letërsisë (moderne) shqiptare në Kosovë.
Më i veçanti për nga kodi letrar në Qarkun Letrar të Prishtinës – siç e cilëson Sabri Hamiti.
-Germë-kod dhe klithmë-kod në letrat shqipe këndej Bjeshkëve të Namuna.
Ndonëse ai shkoi pa e gjetur shtegun e daljes përtej,
daljes së etnisë nga rrethi i mbyllur në dramën “Gof”,
por ai “e vizatoi” një mënyrë të daljes nga fytnat e ujqve… shpëtimin estetik.

Thonë se kishte qejf të thoshte për veten se është “shkrimtar i Rilindjes” dhe thonë po ashtu se “mësohet” në të gjitha nivelet e shkollës shqipe.
Prandaj, fëmijët e brezit të Rock and Rollit dhe Coca-Colas e marrin për shkrimtar tamam të “Rilindjes”, (në kontekstin historik të saj), që ka vdekur tash njëqind vjet më parë, ngat Ndre Mjedës!
Anton Pashku me veprën e vet ndërtoi mekanizmin shpirtëror të mbrojtjes së qytetërimit nga barbaria si dhe të vlerave identifikuese të kosovarëve. Për më shumë, Pashku është disidenti i heshtun “par exellence”, i panjohur për turmat, ai theu muret dhe normat e real-socializmit në arte dhe letërsi në Kosovë.
Te romani “Oh” Pashku shquhet për “utopiinë negative” à la George Orwel “1984”, porse Sabri Hamiti e cilëson si vepër të përmbyllur artistike për triumfin e inteligjencës. Pse fjala?
Pse shkrimi?
Që të bëhemi ndijor, të ndjejmë dhimtat e palcës, të shohim – ta njohim tjetrin dhe me njohje të mbrohemi.
Pse vdekja?
Për shkak të zanafillës dhe kthimit të sërishëm “udhës fushore”, për kthim kah toka, esenca e vendlindjes, në “shtëpinë e qenies” – në gjuhë, pra në letërsi.
Kam ecur gjatë pas tij, si ndonjë spiun që përgjon hapat dhe shushurimën e erës, për ta krijuar imazhin se si ta përshkruaja Anton Pashkun, po të më pyeste dikush dikur, se cili ishte kodi i tij jetësor dhe krijues.
Një pelerinë bojëqielli të ngrysur, si korubë, sa të grekëve antikë po aq të përcjellësve të trenave të komunizmit; një xhemper të leshtë të zi futë dhe jakat e bardha të këmishës të nxjerra kërcënueshëm përmbi të, si dy piramida të përmbysura, i japin diçka nga hija e një detari ilir apo të një ushtari të hajthëm të Skënderbeut, nga ato betejat e mbrama të tij, i sfilitur dhe blozhë nga brejtësit, e herë-herë kishte pamjen e një të frikësuari, që e ndjekin, për më tepër të një murgu të ekskomunikuem, sikur sapo i ka thyer tabelat morale të inkuizicionit.
Po, Pashku ishte njeriu i thyerjeve të mëdha.
Pas shkuarjes, rrugicave të Prishtinës mbeti një xixë eternale cigareje në muzg dhe pantallonat e mbushura me re (Majakovski); një palë kundra të vjetra si të punëtorëve në Kantieret e Gdanjskit (ose si të atyre të KNI “Ramiz Sadiku”) dhe një pantomimë ecjeje të ministrit të drejtësisë, apo edhe të një refugjati dyzash, një pehatje sokratike ose si e një vrasësi gjakftohtë (e shihni, i duket vetëm kapaku i kresë me do leshra të kreshpëruara, të irnosura nga zbardhëllima e viteve – leshra jashtëkohorë); dhe sërish fjollë, fjollat e tymit të asaj cigareje, të harruara përtej kohës, që duket se nuk ia shkëput dot as më gërshërë, as s’ia shprish dot as më kërhanë.
A keni pa tek preftojnë tesha pa njeri “gjân e gat” nëpër qarshi!?
Pa zhurmë (kishte një hap muzikal), pa bujë, nuk e njihte mburravecërinë, nuk azdisej (ishte shpirt i shqetësuar, një njeri-brengë).
Pakkush e njeh edhe kur del n’log edhe kur mshelet në kullën e tij, ai fuste dorën në xhep dhe kur haste ndonjë gjetcë (monedhë e mbetur nga kohërat e shkueme) ia kishte ëndja të pinte ndoj raki rrushi.
Nuk ishte yll estrade, as politikan, prandaj kuleta e tij mund të kishte sall ndoj gjetcë!
Prandaj pas tij nuk vraponin turmat. Nuk rrinte në tubë. Ishte vetmitar, si një shëmbëllim i Lasgush Poradecit, rrethuar me pulëbardha skej një liqeni, në vitet kur nuk ia donte me krerët, por as nuk protestonte si plebej;
Ose, qe një Moxart i braktisur, i përjashtuar nga oborri, ose sikur t’i ketë kërkuar dikush hak, ndonjë rekuiem, peng a rreng!?
Ç’Moxart i çmendur nga tingujt dehës të mbëltimit të gjuhës së dheut, gjuhës së tingujve të natyrës, që ne s’i kapim dot.
Në fund tingujt shurdhërohen, mbesin sall germat. Fjala.
Apo para saj ishte frika dhe klithma: OH!?
Kjo klithmë si para një rrëmeti nuk ka dalë nga gojë e tij. Ai ishte shurdhmemec, sepse sapo ishte ngritur lart. Njeri i vdekur tashmë që preferon pikturën si gjuhë më të cilën do të komunikojë me familjen e madhe letrare dhe me mega fisin e tij, njerëzimin.
Fjala e gdhendur hjeshëm është piktura dhe skulptura e tij, muzika. Fjalë e rrallë e për mall, shqip dhe gegçe.
Fjalë-sakrament.
Shenjë. Identitet dhe identifikim më të ngjashmën, europianën.
Ringjitje e copave të kristalta të një suveniri antik që sapo dikush e ka gjuajtur me breshanë, për të mos e lënë të zhbëhet.
Për me kujtue…
Vjetët do të ikin, të çmendura e unë do të ec pas asaj shenje a kodi të mistershëm, që paralajmëron shkëlqim.

E ka pi një gotë me Pashkun…
Me muaj ditë e prisja Maestron, atë mjeshtrin sakral të kambanave.
Më pat thënë se del përnjëherësh në disa mejhane të kasabasë më të madhe në Fushën e Mëllenjave, në disa kohë dhe më tha pastaj se ka dhe nuk ka x-tregime dhe y-drama në dorëshkrim.
Më tha një herë ta prisja në të njëjtën kohë në kafehanen “Stara Srbija”, në kafen e Zallit (kafja e shqiptarëve), në “Skënderbeu” dhe në “Kohë”.
Filozofi Ferid Muhiqi e kishte botuar një shkrim tek revista “Zëri” dhe honorarin e autorit na bëri amanetgji t’ia jepnim atij, Anton Pashkut.
Por nuk e gjëja në “Kohë”.
Pastaj një ditë, ashtu siç isha duke ecur pas tij, paturpësisht i fërshëlleva, s’çau kryet.
I dola përpara, deshta të shkarravitem përdhe tek këmbët e tij, ose t’ia nxjerr gjuhën e ta tall, si një lolo…
Mirëpo vendosa të jem i mirësjellshëm. Ia thash emrin e mbiemrin, ai sall tundte kryet dhe thoshte “po, po…!”
I përplasja këmbët përtokë, i bëja be se unë nuk isha ndonjë spiun, as një dashakeq, por thjesht lexuesi i tij, por e kisha një peng për ta larë, ai hiç se hiç, s’më jepte të njofshëm, si i thonë fjalës.
U futa në një kafene pas tij, ai pa folur porositi dy raki rrushi dhe u ul.
U ula dhe unë karshi tij.
Më dukej vërtet i tejkohshëm.
U përpoqa t’ia nxirja ndonjë fjalë si me darë – bëmë dikur ca muhabete letrash – por goxha varfnisht!
Dhe sa me u betue: e kam pi një gotë me Pashkun te “Pini” nën kurriz të Dardanisë!
Ia dhashë paret e honorarit të filozofit dhe poetit boshnjak Muhiq dhe ika, duke e lënë atë si në faqet e një libri të trashë historie, që s’ke tutje durim ta lexosh.
Sidoqoftë, çdo ditë e prisja në të tri kohët, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen që të vinte në x-kafenenë. Por ai s’erdhi më.

U shitue nga shtiza e pagabueshme e Mister Vdekjes!
Një ditë të një viti zezone, Maestron e goditi shtiza e pagabueshme e një shigjetari të saktë, që s’ka shoq, në këto anë, Mister Vdekja dhe vetëm një e qindta e sekondës ishte fatale për Maestron e gjallë. Sa s’kish vdekur.
Ky shënim është shkruar në të njëjtën kohë kur ai as nuk ka vdekur, as nuk rron, është në mezokohë.
Para se të vdiste dhe njëqind vjet pas vdekjes.
Edhe pak kohë ai mbushë njëqind vjet.
Dhe natyrisht se ka me vdekë.
“Vetëm vdekja është e pakontestueshme, historinë e shkruan fituesi”. (Danilo Kish.)
Vdekja kurrë s’gabon, saktësia e saj është njëqind për qind. Ani pse me hijeshi shkrimi, ai përpiqej ta gabonte, ta ngazëllente, ta merrte më të mirë…
Mosvdekja nuk ekziston, sepse nuk e njohim. Pashkët janë shenjë. Ringjallja është fjalë. Ekziston vetëm çasti. Sekonda (mezokoha) dhe 1/100ta e saj.
Kur të më teket të rikthehem në shtëpinë e shkrimtarit me e pa, ai tashmë do të jetë në një kozmogoni tjetër.
Ai s’ka vdekur fare, ndoshta vetëm është shtirur.
Komuna nuk e ka evidentuar në gjendjen civile aktin e vdekjes (dhënien e frymës) pos një datëlindje dhe ditëvdekjeje, në Librin e të Vdekurve.
Po kush ishim ne atëbotë? Njerëz në ikje. Pa komunë dhe pa “gjendje civile”. Strehoheshim në letërsi.
Si i panjohur që ishte, populli rrudhi krahët, “s’e njohim” – thanë gjindja.
Ndoshta një emër i tillë është trill, ka të bëjë me biblikën e jo me njerëz realë të kësobotshëm.
Anton Pashku mund të mos ketë ekzistuar fare.
Dhe njeriu i panjohur as që vdes.

Romani "OH" - Anton Pashku 2

Romani “OH” – Anton Pashku 2

Ai ngriti Katedralën prej letre dhe vau n’qiell…
Pashku dëshmon se ishim këtu dhe u frikësuam shumë nga shprishja dhe shkruajtëm ankthet tona, për t’u mbrojtur nga zhbërja, për me lanë ndoj shenj në kohë.
Fërkemë në Katedrale letre, që mbesin edhe pas mbushjes me ujë të remtë, edhe pas çdo murrlani që frynë me duhi…
Mbiemrin që ia lanë trashëgim të parët është po ashtu shenjë: ringjallje!
Pashku qëmoti është një azilant në atdheun e tij. Banon poetikisht njeriu në dimensionin heideggerian të shtëpisë së qenies – në gjuhë.
Në mes-tokës-dhe-qiellit.
I lumi ai për vete – thanë ata që mbetën në zezonë, sepse vdekja për ta ishte një qetim në shtrojerë.
Ishte koha kur më lehtë vdisej se sa jetohej.
Do të takohet më tanë ata të cilëve thash se u get.
Në atë dimension ka me e pritë edhe vetë Godoja i Becketit. Lë të pres edhe ai horr më në fund dikë, u ropëm duke e pritë tash e sa vite.
Turma nuk mërzitet.
Tashmë e kishim marrë botën në sy.
Po ikim.
Ai shkoi.
Prapa tij mbet i vazhdë e ndritur si bishti i një ylli që sapo u shua.
Strehimore fjale. Katedrale letre.
Për të pafuqishmit. Për ata që s’kanë zë.
Kambanë për ata që s’kanë sy.
Në rreth. Kujt ia mbanë me dalë përtej?
Hëëëmmm, ndoshta na e mbanë por s’e kemi gjetë shtegun.
A keni dëgjuar të këtë thënë Anton Pashku: “Mbi ato gërmadha është një kambanë!?”
Dhe bie, dang-ding, ding-dang, për ata që u janë mekë sytë.
Ai e ngriti Katedralën p’ej letre dhe shkoi.
I panjohuri ynë.
Ndërsa ne nuk ia ngritëm qoftë ni bust a shtatore përskaj rrugës nga ish-pallati i Shtypit kah kafe “Koha” e deri në Dardani… Sepse është kohë brutaliteti. Kohë heronjsh.
“I mjerë është një komb që ka nevojë për heronj!” – thoshte Bertolt Brechti.

Pashku identifikonte fashizmin në komunizëm…
Brezit të ri të lexuesve ua rekomandoj leximin e dramës “Gof” e cila asht inskenue e luejt disa herë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Së fundi është luajtur në regji të Xhevat Qorrajt, si dhe romanin “Oh”, i cili e përafron mitin me realitetin, duke projektue utopinë negative, si shenjë dhe alarm se “ditë të shtira kanë me ardhë për Rex Illyrocorum”, sikur Oso Kuka që këqyrte shpatullën e dashit me ia dëftue të ardhmen – “anën e keqe të fatit” ose fatumin, domosdoshmërinë e fatit.
Vepra e Pashkut është univers shenjash të gjëllimit të qenies, në kontinuitet që nga antika, në një hapësirë barbare (vrimë), ndonëse i përkiste qytetërimit perëndimor.
Ta zëmë, Pashku tek drama “Gof”, në dukje të parë e lokalizon tekstin letrar në 7 prillin e ’39-ës, mirëpo kjo dramë i thyen konditat kohore, pra është dramë e qorrsokakut universal, dramë e ngujimit në kohë dhe hapësirë, dramë e gozhdimit në kryq.
Pashku e bën shenjë të gjithëkohshme zërin e çjerrë dhe vezullimin e rremw të tiranisë.
Tirania së këndejmi është lojë dhe e cila vendos shkëlqimin e saj mbi gjërat në zi, si propagandë dhe rregull për nënshtrim.
Anton Pashku s’flet, vetëm bredh nëpër mendime, pastaj shkruan.
Ai do ta botonte tregimet e tij dhe dramat nën regjimin komunist të Jugosllavisë, porse nuk e ambientonte asnjëherë veprën e tij në këtë regjim.
Ai shkruante rëndom për Shqipërinë gjatë pushtimit italian si parabolë e pushtimit jugosllav të Kosovës, por pa e përmendur fashizmin, pos që njëherë e përmend datën 7 prill 1939, pa patetikë patriotike, të thuash krejt ftohtë…
Këtë dramë Pashku e ka shkruar nën socializëm, por mos kërkoni gjurmë të dokshme të tij, mos e kërkoni aty, nuk e gjeni dot, ai është gjetkë, në një regjim tjetër dhe mendësi tjetër. Kur kujtohemi se do ta gjejmë në kafe “Koha” ai është në kamp refugjatësh apo në çmendinë, kur kujtojmë se do e rinisë garën me tiraninë ai s’është më, ka ndërruar dimension, pushon në ndonjë milenium tjetër. Kur e përfytyrojmë në studion e tij, ai pret i strehuar në ndonjë yllësi të panjohur për ne, atje është dhe pret të pushojë hukama e heçamës…
Autor i madh për të cilin studjuesi i letërsisë Basri Qapriçi shprehet: “Duhet veçuar dimensionin filigranues që i jep Pashku gjuhës së shkrimit letrar shqip.”
Vepra e Pashkut zë kulmet e letërsisë shqipe.
Po ashtu sikur shumica e artistëve rebelë, Pashku është mospërfillës ndaj konditave të regjimit politik, por dhe ai i lënë, pothuajse i papërfillur nga hierarkia shoqërore e kohës. Si për inat, e bën garën me heshtje, një garë të papërmbyllur ende…
Ishte kjo një garë e mistershme.
Disidencën e tij artistike e shprehte përmes tregimit të pastër modernist, natyrisht duke e ironizuar monizmin si mendësi, apo kompleksin komunist të njëshit: një sekretar partie, një gazetë, një libër, një TV…

Shkrimtari Anton Pashku

Shkrimtari Anton Pashku

Pak mbi Anton Pashkun

Anton Pashku asht le me tetë kallnuer 1937 në Grazhdanik (afër Prizrenit) dhe asht dekë n’Prishtinë më 31 tetor 1995. Autor i dy dramave (tragjedi moderne) qysh i cilëson vetë ai: “Gof” e “Sinkopa”, Romanit “Oh” dhe tregimeve antologjike “Nën qarr po rrinte vasha”, “Floçka”, “Kulla”, “Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë”, “Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit”, “Kënaqësitë e Megalopolisit”, “Anija e dehur”, etj.
Marrë http://www.dialogplus.ch

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook