back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 23 Maj, 2024

Zonjat e PD-së…!! – nga Ermal Ngjelina

Gazeta

Ermal Ngjelina
Ermal Ngjelina

Zonjat e PD-së…!!

nga Ermal Ngjelina

Të shkruash një listë me emra është punë shumë e lehtë, madje nuk duhet quajtur punë. Por të shkruash një listë me emra ku cilësitë e kandidatit, nëse renditen njëra pas tjetrës, mbushin topin njё kilometër të gjatë të letrës së Fax-it, puna është kolosale dhe konsumuese e jashtëzakonshme e energjisë. Kësaj vështirësie shtoi edhe sqimën dhe bëje vetë llogarinë dhe nxirr koston.
Në këtë proces shumë të vështirë kaloi PD, dhe nuk kam aspak parasysh kandidatët meshkuj, por Zonjat!
Përfshirja në listë e Zonjave është pjesë jo vetëm e ritualit që mbart kjo parti përfaqësuese e trashëgimisë shqiptare që prej 1912, por është imponim që i bën PD-së, tregu prodhues i politikës dhe tregu prodhues i ekspertëve/teknokratëve.
Në Shqipëri ka një sekret që e dinë të gjithë; tregu i prodhimit të politikanëve dhe teknokratëve preferon PD-në.
Dhe kur ke status preferencial nga prodhuesi, është sqima ajo që bën diferencën mes pretendentëve.
Korentet që u përplasën janë makineri që nuk kanë empati. Por ato që do tё votohen nga shqiptarët, nuk janë thjesht femra, por realisht Zonja. Por edhe ato vetё janë të kufizuara në atë që munden të mbështesin.
Korrentet politike pa empati, e dinë mirë dhe u detyruan që të pranojnë se; kandidatet në listë janë simbol i femrës së plotësuar. Që i ka kaluar të gjitha fazat e jetës. Që sjell me vete aksionet e investimit në kohë të mbiemrit të saj. Trashëgiminë politike nga stërgjyshi dhe prindrit. Të sajët dhe të bashkëshortit. Sjell realizimn e vet në familje. Me fëmijët dhe bashkëshortin. Sjell suksesin personal në profesion/teknokrat. Sjell edhe eksperiencen personale dhe suksesin personal në politikё; thikat e shumta pas shpine, tipar i përjetshëm i politikës. Thikat pas shpine të domosdoshme, mënyra e vetme për t’u maturuar në politikë, por edhe në jetë. Dhe nëse unë di Çupi, Tabaku, Pampuri, Vokshi, Doda, secili prej votuesve e di vetë, cila është Zonja që meriton të marrë votën e tij në zonën ku ai jeton.
Zonjat janë të mbijetuera në politikë dhe të realizuara në jetë. Ato nuk janë aty për të marrë dhe kanë shumë për të dhënë. Ne do të përfitojmë shumë prej tyre, ashtu siç përfituan fillimisht familjarët dhe pastaj klientët në profesionet respektive. Këtë status, duke pëjashtuar thikat pas shpine, e gëzojnë edhe prurjet e reja që janë personazhe politikë në rang lokal.
Janë të shumtë sipërfaqësorët që mendojnë se femrat e patën të lehtë dhe se përzgjedhja e tyre ishte edhe puna më e kotё që u bë me listën e kandidatëve. E kundërta është e vërtetë! Mjafton të shikosh kush ngeli jashtë për të kuptuar se të vështirë e kanë pasur këto që janë.
Aty mungon Voltana Ademi. Kjo zonjë në gjysmën e dytë të 2019, mbajti e vetme fillikat, në kufijtë e jetimes, peshën e presionit të qeverisë mbi opozitën. Në atë periudhë monstra që kontrollonte çdo pushtet dhe institucion, që kishte për axhendë shfarosjen e kundërshtarit politik, vuri në shënjestër pikërisht këtë Zonjë. Ishte e vetmja që kishte mbetur pas u ekzekutuar politikisht. Dhe mos harro, politika kështu funksionon, pikërisht në ato momente Zonja duhet të ketë marrë dhe numrin më të madh të thikave pas shpine.
Aty mungon Fatbardha Kadiu që profesionalisht pa frikë e vendos në krye të bankës qëndrore dhe e di që e ke në punë si për stabilitetin e çmimeve edhe për stabilitetin financiar. Që politikisht jo vetëm sjell aksione familjar, por i shtoi ato me guximin për të sulmuar në parlament, institucionet informale që pengojnë tregjet dhe ekonominë, deklarata të cilat ti ndoshta do pyesje gruan përpara se t’i nxirrje nga goja.
Aty mungon Eliana Hoxha, Zonja buldozer i komunikimit publik në kushtet e minimumit të investimit mediatik. Një emër horror për komunizmin dhe promovuesit/përfaqësuesit e komunizmit si kryeministri dhe gjasme kryebashkiaku i Tiranës.
Të treja që përmenda dhe shumë të tjera që secili di vetë, janë emra që i shkatojnë çrregullim psiqik/ Derangement Syndrome, kryeministrit aktual.
Përfaqësimi në politikë i Zonjave është natyrshmëri sidomos për të djathtën, dhe ligji, në konceptin teknik, është në plan të dytë. Vini re çfarë ndodhi në Dardani, ku Zonjat e Dardane (gjysma tjetër që tha sot Basha) nuk përfillën aspak ligjin gjinor por ju referuan peshës specifike të secilës në tregun politik, pra votës.
Prania e zonjave në PD është natyrshmëri. Ajo buron në Kodet e trashëguara të rregullimit të jetës nga embrioni/familja deri në komunitetet e mëdha. Rilindja shqiptare u bazua në këto kode dhe rezultat i saj ishte edhe senatorja/ parlamentarja e parë në botë; Marigoja që qepi flamurin e Pavarësisë. Bazuar po në Kodet e traditës dhe për faj të luftës së parë botërore, jemi vendi dytë në botë që sanksionoi me kushtetutë të drejtën natyrore të femrës për të votuar. Vende që sot konsiderohen symbol i demokracisë e kanë miratuar më vonë këtë ligj. Shprehja “Smoke is the torch” – e Ed Bernays dhe Zigmund Freud u përdor për qëllime tregtare në një protestё politike ku vota ishte pjesë e listës së kërkesave.
Ulu në kafe. Qëndroi larg televizorit. Gjej një kanal ku jep intervistë Grida Duma. Do kuptosh që miliarderi Donald J. Trump, “konsumator i eksportit Slloven”, kishte të drejtë kur ankohej për meksikanët. Vendos bast që edhe për shqiptarët do ankohej. Sepse edhe ne shqiptarët, më të mirat i mbajmë për vete!
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.