back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Xhevat Korça, Fundi i një Korifeu nga Prenjo Imeraj

Gazeta

Xhevat Korça (1893-1949)
Xhevat Korça (1893-1949)

Xhevat Korça, Fundi i një Korifeu

nga Prenjo Imeraj

Burgu kështjellë famëkeq i Burrelit, do të mbetet në historinë e kombit shqiptar si një njollë e zezë, ku u burgosën, vuajtën tmerret e torturave çnjerëzore, vdiqën dhe u groposën pa varre, mjaft nga bijtë më të mirë, nacionalistët më besnikë, antikomunistët më të vendosur dhe intelektualët më të formuar nëpër universitetet më të njohura të Europës dhe më tej. Aty hoqën të zitë e ullirit, krahas Xhevat Korçës edhe Koço Tasit, Vissarion Xhuvani, Mihal Zallari, Sokrat Dodbiba, Gjergj Kokoshi, Salih Vuçiterni, Sami Bitincka, Nino Kurti, Aleksandër Çurçia, At Pjetër Mëshkalla, Dom Shtjefën Kurti, Gjon Shllaku, Tefik Mborja, Hysni Alimerko, Tahir Hoxha, Leonidha Kume, Qemal Vrioni, e shumë e shumë të tjerë.
Zoti Tomorr Dosti, ish i burgosur politik në burgun e Burrelit, me banim në Tiranë tregon: “Ishim duke ecur nëpër “pajtoz”, në orarin e shetitjes, së bashku me Engjëll Çobën e ndjerë. Na afrohet një nga të burgosurit dhe na thotë se, Xhevat Korça kishte shpallur grevën e urisë. Na ra si bombë! Kur Engjëlli e mblodhi veten foli: -Po hupim nji nacionalist të madh. Xhevati kur e thotë fjalën s’e kthen mbrapsht!

Dr. Prenjo Imeraj
Dr. Prenjo Imeraj

Po kush ishte ky burrë, për të cilin po shqetsoheshin gjithë të burgosurit politikë, ndërsa drejtoria e burgut, duke e marrë si lojë, fillimisht heshti?
Ishte Profesor Xhevat Korça, i lindur në Korçë më 10 janar 1893. Pas mësimeve fillore në qytetin e lindjes, vijoi gjimnazin me emër të Janinës. I mbrujtur me ndjenja atdhedashurie u aktivizua me armë në dorë në çetat liridashëse të Themistokli Gërmenjit dhe Spiro Bellkamenit, në luftë kundër pushtuesve turq dhe çetave shoviniste të andartëve grekë, të cilët kryenin herë pas here krime çnjerëzore ndaj banorëve të trevave shqiptare. Pjesëmarrja në ato çeta do t’i kushtonte Xhevat Korçës dënimin me vdekje si prej turqve edhe prej grekëve. Pas shpalljes së Pavarësisë, në sajë të interesimit të Themistokli Germenjit mbështetur edhe prej Bajram Currit, së toku me disa djem të tjerë, u dërguan nga qeveria shqiptare e atëherëshme për studime në Vjenë, ku Xhevati u rregjistrua në Fakultetin e Shkencave Historike. Rezultati përfundimtar i atyre studimeve ishte i shkallës më të lartë. Gjatë atyre studimeve Xhevat Korça nuk u nda nga aktiviteti patriotik.
Më 15 dhjetor 1918, Xhevati së bashku me studentët e tjerë shqiptarë Jani Basho, Remzi Baçi, Nush Bushati, Raqi Buda, Fuad Asllani, Gjovalin Gjadri dhe Luigj Kakariqi, i dërguan presidentit amerikan Wilson një lutje, për të marrë në dorë të drejtat e kombit shqiptar.
Në vitin 1922, Xhevat Korça ngarkohet nga qeveria shqiptare në Shkodër për të themeluar gjimnazin shtetnor laik të atij qyteti, duke aktivizuar në atë gjimnaz midis të tjerëve edhe profesorët: Anton Paluca, Kostaq Cipo, Kolë Margjini, Gabriel Meksi, Gjergj Kokoshi dhe Simon Rrota.
Si përkrahës i qeverisë së Fan Nolit, pas ardhjes së Ahmet Zogut në fuqi, Xhevat Korça me gjithë familje, u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe të emigrojë në Beograd. Duke gjetur aty përkrahjen shkencore të prof. Henrik Bariqit, që ishte albanolog i shquar, ku fillimisht u caktua lektor i gjuhës shqipe në kursin-seminar të atij profesori. Në vitin 1925, u bë lektor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ndërsa në vitin 1927-28 mbajti kursin “Gjuha Shqipe për fillestarë”.
Mbas tre vjetësh qëndrimi në Beograd, u bë e pamundur të qendronte më tej aty, pasi Zogu pat dërguar dy herë njerëz për t’i bërë atentat. U vendos familjarisht si emigrant në Vjenë, ku vazhdoi punën këmbëngulëse e të palodhur në përkthimin e dokumentave të Arkivit të Shtetit austriak që hidhnin dritë mbi historinë tonë kombëtare, gjë për të cilën punoi plot dhjetë vite me radhë. (Dokumentat e përkthyera nën titullin “Acta et Diplomata Austro-Hungarie, ndodhen në Arkivin e Shtetit në Tiranë në fondin – Xhevat Korça).
Pas atentatit që Azis Çami dhe Ndok Gjeloshi i bënë Zogut në Vjenë, Xhevat Korça bëri ç’ishte e mundur që ata të mos gjykoheshin në Vjenën konservative dhe monarkike ku ata do të dënoheshin më rëndë, por me miqt’e tij bënë të pamundurën që gjykimi të bëhej në ndonjerin prej qyteteve industrialë me shpresën se opinioni qytetar republikan e demokrat do t’u shërbente të akuzuarve si mbrojtje që të dënoheshin jo me ashpërsin’e menduar. Në këtë kohë bëri bujë të madhe gjesti trimëror i Xhevat Korçës, i cili pa ju dridhur qerpiku, ftoi në duel një avokat austriak. Gazetari në fjalë jo vetëm që Xhevat Korçën e kishte quajtur agjent provokator, por edhe shqiptarët e ikur nga Shqipëria në artikullin e tij i cilësonte si të shitur tek Jugosllavia. Dueli nuk u realizua, sepse avokati i trembur i kërkoi falje publike Profesor Xhevat Korçës, madje në të njejtën gazetë dhe me të njejtën gjatësi shkrimi sikurse edhe ai i pari. Gjatë atyre ditëve ankthi, ndërsa e shoqia e trimit qante duke i thënë se, po e linte rrugëve të Europës me fëmijë të vogël, ai i përgjigjej: “Nuk ka asnjë vlerë jeta jonë po lamë që të na nëpërkëmbin ne si shqiptarë!”
Për shkak të jetës shumë të shtrenjtuar në Austri, gjatë krizës së viteve ’30, Xhevati familiarisht u vendos në Fiume (Rjeka) të Italisë. Megjithëse Zogu në ato vite ofroi një amnisti për kundërshtarët e tij të dikurshëm, Xhevati qëndroi deri në fund konseguent dhe, nuk ra ndesh me parimet e tij liberale e demokratike.
Kur radio italiane komunikonte pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939, gazetarët italianë që shkuan për ta intervistuar në banesë si emigrant politik antizogist, e gjetën Xhevat Korçën duke qarë me ngashërime për humbjen e lirisë. Duke ruajtur etikën morale u drejtohet gazetarëve me urtësi: “Ju lutem na lini në hallin tonë dhe largohuni nga banesa ime. Ju na e pushtuat vëndin!” Po atë ditë Xhevat Korça kapërxeu urën që ndante Fiumen italiane me qytetin jugosllav Sushak, ku çensura fashiste nuk arrinte për të kontrolluar shërbimet postare dhe i telegrafoi Mbretit Zog, kundërshtarit politik të hershëm, që të hapte kufijtë për t’i lejuar patriotët e ikur të kthehshin e t’a mbronin bashkarisht atdheun. (Këto dy dëshmi janë të dokumentuara nga dëshmitarja Zonja Lejla Bumçi në Gjyqin Special të viti 1945, me kryetar Koçi Xoxen dhe prokuror Bedri Spahiun).

Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special

Në vitin 1940, ai do të pranojë emërimin si anëtar i Këshillit të Shtetit së bashku me Riza Danin, Sejfi Vllamasin, Omer Nishanin, Fuad Asllanin, Dhimitër Beratin, etj.; që në fakt nuk kishte as edhe një funksion juridik, por vetëm teknik. Gjatë nji mbrëmjeje që kishte organizuar Mëkëmbësia me intelektualë shqiptarë, Xhevat Korçës i afrohet Ndihmës Mëkëmbësi i Mbretit, Lorusso Attoma dhe i thotë:
-Profesor, nga ju presim tashti, si kundërshtar i regjimit të Mbretit Zog që kini qenë, të na shkruani për fashizmin dhe për të mirat që po i sjell ai Shqipërisë.
Situata u bë e nderë dhe, askush nuk pipëtinte në grupin ku ata ndodheshin, pasi të gjithë e njihnin Xhevatin, që e thoshte haptas atë çka mendonte. Kur ai foli, tha:
-Zoti Attoma, duhet ta dini se që më 7 prill 1939 penës s’ime i është thyer maja!
Intelektualët, midis të cilëve ishte edhe Omer Nishani, heshtën. Për çudinë e të gjithëve ky njeri, që pas luftës u bë president i Shqipërisë komuniste, dy ditë më vonë do të shkruante në gazetën “Tomori” një artikull të gjatë që përfundonte me këto fjalë:
Kur miku i tij Mustafa Kruja u emërua kryeministër në vitin 1942, Xhevat Korça pranoi postin e Ministrit të arësimit, por me dy kushte:
1-Gjuha italishte të hiqej si gjuhë e detyruar prej shkollave fillore të Shqipërisë dhe Kosovës.
2-Të lirohen prej kampit të internimit të Ventotenes në Itali, të gjithë arsimtarët shqiptarë të internuar si kundra-italianë.
Kuptohet që pas gjithë këtyre ngjarjeve dhe për faktin tjetër që, dikur Xhevat Korça kishte qenë anëtar i KONARE-s, fashistët italianë të mos kishin besim tek ai. Gjenerali Dalmazzo, K/Komandanti i forcave italiane në Shqipëri, kishte lëshuar një qarkore tepër sekrete për ta gjurmuar në çdo lëvizje si person me tendenca komuniste gjë që nuk qëndronte fare, pasi veprimtaria e Xhevat Korçës ishte vetëm atdhetare shqiptare.
Patrioti Beso Gega i qé lutur Xhevat Korçës ta ndihmonte për të liruar nga burgu fashist të bijën Liri Gega, duke i thënë se ajo ishte vetëm kundra-italiane dhe jo komuniste. Xhevati ndërhyri tek ministri i Brendshëm Mark Gjomarkaj si edhe tek kryeministri Mustafa Kruja, i cili e njihte mirë Beso Gegën si patriot, për të nxjerrë Liri Gegën prej burgut. Kryeministri hezitoi shumë pasi e dinte veprimtarinë terroriste komuniste të Liri Gegës, por megjithatë e liroi. Për ironi të fatit vite më vonë, kur u bënë bashkë në burgun e Ri në Tiranë, Beso Gega tërë seriozitet i drejtohet Xhevat Korçës: “Ti mirë e ke që je në burg. Ti tradhëtove jo vetëm detyrën tënde kur ma lirove vajzën nga burgu, por duhej edhe mua të më kishe arrestuar në vend, kur ndërhyra për të!” Xhevati vetëm se u habit nga ato fjalë, pasi ai nuk e dinte se komunstja Liri Gega, e kishte mohuar babain e saj!!
Gjatë veprimtarisë së tij si ministër, Xhevat Korça bëri ç’kishte në dorë së bashku me kolegët e tij për themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare që, nën drejtimin e Mustafa Krujës, mblodhi figurat më të shquara si Ernest Koliqi, Xhevat Korça, Anton Paluca, Aleksandër Xhuvani, Lazër Shantoja, Karl Gurakuqi, Anton Harapi, Dhimitër Beratti, etj. Qëllimi i atij Instituti ishte krijimi i një bërthame akademike për t’i shërbyer shkencës së albanologjisë dhe më vonë edhe themelimit të një universiteti shqiptar. Ishte vendim i kësaj Kryesie Instituti që përmendëm më lart, caktimi si Gjuhë e Njësuar Normative Shqipe e folura e qytetit të Elbasanit, gjë e cila u ligjërua sapo Mustafa Kruja u bë Kryeministër dhe Xhevat Korça ministër i Arësimit ku, me qarkoren, (Nr. 61 – datë 20 Shkurt 1942), drejtuar të gjitha shkollave të mesme të Shqipërisë e të nënshkruar nga vetë ministri i Arsimit Xhevat Korça, njoftoheshin drejtorit’e atyre shkollave rreth Gjuhës Normative Shqipe dhe urdhëroheshin të përdoreshin si tekste zyrtare Sintaksa edhe ai i Gjuhës Shqipe me autor At Justin Rrotën. E nuk mund të mos zihet në gojë edhe se si, përgjat diktaturës, nuk u zu kurrë në gojë fakti se jo pak, por tridhjetë vite para atij që u quajt Kongresi i Drejtshkrimit, (20 – 25 Nëntor 1972), në shkollat e Shqipërisë mësohej Gjuha e njehsuar Normative Shqipe!

Instituti i Studimeve Shqiptare
Instituti i Studimeve Shqiptare

Vrasja e Qazim Koculit në Vlorë e shtyti Mustafa Krujën dhe Xhevat Korçën të japin dorëheqjen në shenjë proteste, pasi mendohej që italianët kishin gisht në vrasje, pse Qazim Koculi kish qenë komandant ushtarak i kryengritësve në Luftën e Vlorës më 1920.
Ardhja e regjimit komunist në Shqipëri në nëntorin e vitit 1944 e gjeti Xhevat Korçën jashtë politikës, në shtëpinë e vet në Tiranë. E arrestuan bashkë me djalin e tij të madh Gencin, pasi ky i fundit ishte inkuadruar në batalionin nacionalist “Besnik Çano” dhe kishte luftuar në Kosovë kundër çetnikëve dhe partizanëve jugosllavë.
Në prill të vitit 1945, Xhevat Korça doli përpara gjyqit special të kryesuar nga Koçi Xoxe dhe me prokuror Bedri Spahiun. Qëndrimi i tij ishte më se dinjitoz. E akuzuan si tradhtar dhe të  shitur tek Italia fashiste. Xhevati me bindje iu drejtua trupit gjykues:
-Po të gjeni qoftë edhe një rrjesht të vetëm të shkruar, apo një fjalë të thënë pro fashizmit nga ana e ime, do ta pranoj pa as edhe një kundërshtí dënimin më të rëndë që do të vendosni.
-Ke shpërdoruar fondet e F.A.P.I.-t, (fondet e Ministrisë së asaj kohe), ulëriti prokurori!
Kur Xhevat Korça paraqiti dokumenta se, nga ai fond u dha nga një rrogë shtesë gjithë arsimtarëve pa përjashtim, si në Shqipëri edhe në Kosovë, prokurori komunist u ndie përsëri:
-E ke bërë për t’i afruar arsimtarët me fashizmin!
Xhevat Korça me zë të lartë iu drejtua Prokurorit:
-Paskeni konsideratë të lartë për mësuesit shqiptarë, meqë mendokeni se me një rrogë u korruptuakan dhe ndërruakan idealet e tyre!
Për Xhevat Korçën trupi gjykues komunist vendosi dënimin me vdekje (ishte dënimi i katërt me vdekje se përveç turqve dhe grekëve e patën dënuar edhe austriakët). Në fakt, më vonë dënimi kapital iu kthye me burgim të përjetshëm dhe e futën në burgun kështjellë të Burrelit, të cilin e përballoi me trimëri e qëndrueshmëri të pa shoqe si edhe dinjitet të lartë.
Tregonte dikur një bashkëvuajtës, Tomor Aliko: Në vitin 1949, Xhevat Korça ndodhej i shtruar në spitalin e burgut së bashku me një farë Teme Shehu. Një oficer i lartë i Sigurimit që shkoi për inspektim, u thotë të burgosurve me ironi:
-Ku jini o baballarë të Kombit…
Xhevat Korça hazër xhevap i a ktheu:
-Le t’ua lemë historianëve për të gjykuar!
Si drejtues i lartë në Ministrinë e Punëve të Brëndëshme ai dha urdhër dhe Xhevat Korçën e nxorrën menjëherë nga spitali edhe e kthyen në burg.
Xhevati vërtet vuante vetë, por më shumë vuante për bashkvuajtësit e tjerë të burgut. Përpara syve të tij, për çdo ditë parakalonin të vdekur, që varrmihësit gardianë me një batanie i groposnin tek qershia famëkeqe e burgut të shfarosjes të Burrelit. Ishin djem e pleq fatkëqinj që nuk i duronin dot torturat dhe kushtet e tmerrshme të atij burgu kobsjellës…
Të burgosurit në burgun e Ri të Tiranës kanë pasë dëshmuar për një bisedë interesante të zhvilluar në qeli midis Mehmet Shehut dhe Xhevatit, mbas Gjyqit Special, gjatë së cilës u dukën qartë jo vetëm guximi e burrëria e Xhevat Korçës, por edhe inteligjenca dhe kultura e tij në krahasim me atë drejtues famëkeq të hierarkisë komuniste. Si Ministër i Punëve të Brendëshme, vetë Mehmet Shehu vizitoi burgun e Ri. Kur u fut në kaushin ku ndodhej edhe Xhevati, të cilin e njohu, i drejtohet me keto fjalë:
-E more Xhevat Korça, u binde më në fund se ne luftuam për kauzën e drejtë, kurse ju e kishit gabim?
Xhevati replikoi diçka për këtë çështje e pastaj diskutimi u pleks duke iu drejtuar njëri tjetrit, Memeti me Xhevat, kurse ky i fundit me Zoti Ministër. Në vazhdim fillojnë e diskutojnë marksizmin teorik. Mehmeti ulet në krevatin portativ të të burgosurit dhe në vazhdim, i habitur nga përgatitja teorike e Xhevat Korçës në fushën e fillozofisë materialiste, fillon e i drejtohet me profesor. Pas kësaj edhe Xhevati fillon e i drejtohet ministrit në emër, Mehmet. Jo vetëm të burgosurit e kaushit, por edhe shoqëruesit e Ministrit nuk pipëtinin por, ndiqnin me kureshtje debatin. Pas një çasti diskutimit shtyhet në fushën e zbatimit të Revolucionit të Tetorit në Bashkimin Sovjetik. Mehmet Shehu dëgjon me vëmëndje si diskuton Xhevat Korça dhe pas pak i drejtohet duke e pyetur:
-Po ti profesor, si e njihke kaq mirë Revolucionin e Tetorit? Ai shtangu kur Xhevat Korça iu përgjigj “…E ke lexuar ti Mehmet librin “Dhjetë Ditë q’e Tronditën Botën” të John Reed-it? E pra dije se unë e kam përkthyer”. Atëherë Mehmet Shehu kthehet dhe i thotë “…Duke e njohur kaq mirë teorinë komuniste si u gabove e nuk u bëre me ne? Atëbotë i kthehet Xhevat Korça dhe i thotë: “Pikërisht pse e njoh kaq mirë si teorinë edhe zbatimin në Rusi të kësaj teorije, u bëra antikomunist i vendosur!”
Situata u tensionua menjëherë. Mehmet Shehu u zverdh në fytyrë, u ngrit vrik në këmbë, i hodhi Xhevat Korçës një shikim tërë urrejtje dhe u largua pa e përshëndetur.
Jeta e burgjeve ishte e tmerrshme. Aty mungonin edhe sendet më elementare për një jetesë minimale të atyre njerëzve të mjerë. Por burgu tashmë famëkeq i Burrelit shquhej si i veçantë mes të gjithëve. Xhevat Korça me kurajon që e karakterizonte i drejtohet një ditë drejtorit të burgut lidhur me mungesën e plotë të të drejtave të burgosurve sa i takon përkujdesjes shëndetësore, duke e paralajmëruar se në qoftë se nuk merren masa për t’i përmirësuar ato, ai do t’i jepte fund jetës së tij me grevë urie. Por drejtori injorant dhe indiferent i burgut, i mori ato fjalë si lojë dhe, nuk u dha fare rëndësi.
Qëlloi që pas dy ditësh u paraqitën tek dera e burgut bashkëshortja e Xhevatit me njërin nga djemtë. Patën sjellë edhe pak ushqime për njeriun e tyre të dashur, aq sa me fukarallëkun e tyre mundnin t’i ruanin për t’i çuar në burg. Ata nuk e dinin se ai ishte futur në grevë urie. Me këtë rast, hafijet e burgut e njoftuan drejtorin, i cili vetëm në atë çast e mësoi se, Xhevat Korça kishte filluar grevën e urisë. I alarmuar shkon në kaushin ku ndodhej Xhevat Korça dhe i bën presion të burgosurit, i cili jo vetëm nuk lëkundet në vendimin e tij, por i kthehet drejtorit: “Unë kam bërë e kam thënë se do t’ju kundërvihem me grevën e urisë, e vetmja armë që kam, dhe nuk heq dorë nga ajo. Po lermëni t’i takoj për herë të fundit gruan dhe djalin.” Drejtori i bindur se do ta thyente, nuk pranon, dhe i thotë të mendohej deri të nesërmen. Duke e shikuar drejtorin me mospërfillje Xhevat Korça i thotë: “Ju nuk dini as ç’është burrëria e gjithashtu nuk e kuptoni se çdo të thotë fjalë e dhënë. Po paçi faqen e zezë!”
Drejtori priti deri të nesërmen me shpresë se i burgosuri do ta kthente mendjen. Por kur hafijet e tij i thanë se Xhevat Korça nuk pranon ta ndryshojë vendimin e marrë, nga njëra anë u nxorri familjarëve haber se nuk do kishte takim nga që ishte marrë një masë disiplinore kundër Xhevat Korçës, ndërsa nga ana tjetër njoftoi menjëherë drejtorinë e përgjithëshme të burgjeve për këtë rast të pa precedent. Dy ditë më vonë Kadri Hazbiu sosi në Burrel dhe të burgosurin e pabindur e shoqërojnë në drejtori. Dëshmija që vazhdon është dhënë nga Avokat Xhevdet Kapshtica si edhe nga zoti Reis Hasho, të dy bashkëvuajtës në të njejtin kaush me Xh. Korçën. Fillimisht Kadri Hazbiu kishte filluar ta marrë me të mire Xhevat Korçën duke i bërë edhe premtime, po kur u bind se i burgosuri qëndronte i palëkundur në vendimin e tij, filloi nga presionet dhe kërcënimet. Xhevat Korça e dëgjoi i heshtur deri në fund dhe në vazhdim foli tërë vendosmëri: “Dëgjo këtu more Kadri Hazbiu!! Ti e ke kot që mundohesh të më thyesh me presione. Unë, me vendimin që kam marrë, nuk jam më në mes të gjallëve e si pasojë as që ekziston për mua as ti e as Enver Hoxha! E di se si më duket mua tani Enver Hoxha? I vooogël” (dhe aviti gishtin tregues gadi sa nuk e cikte gishtin e madh të dorës) e i thotë se “kaq të vogël e shikoj unë tashti E. Hoxhën! Po kij mëndjen se pikërisht ty ai ka për t’a hequr kokën nga trupi!”
Të burgosurit e kaushit filluan të shqetsohen çdo ditë e më tepër për jetën e bashkëvuajtësit të tyre. Ai as hante dhe as pinte. Organet filluan të dobësohen, fuqitë dalëngadalë po i shteroheshin, por mendia gjithmonë e kthjellët. Filluan t’i afroheshin me radhë, e t’i luteshin për ta ndërprerë grevën e urisë, për hir të jetës, të familjes, por edhe të tyre, që tani ishin si vëllezër në vuajtje e mendime. Xhevat Korça vetëm heshtëte, duke vazhduar në qëndrimin e tij promethean. Miqtë më në fund i drejtohen Patër Mëshkallës, një klerik shumë i nderuar dhe me kulturë të gjërë, për të cilin dihej se Profesor Xhevat Korça kishte shumë konsideratë. Duke filluar nga dita e pestë e urisë, Patër Mëshkalla nuk flinte natën, por i rrinte tek koka mikut të tij. Dukej dhe ndihej se ai dhe Avokat Xhevdet Kapshtica ishin më të shqetësuarit për jetën e Xhevatit. Ditën Patër Mëshkalla ecte nëpër kaush me duar të kryqëzuara dhe lutej për jetën e mikut të tij derisa më në fund vendosi: U afrua me ngadalë tek qoshja e Xhevatit, u ul në gjunjë e duke i a lëmuar kokën i lutet me përgjërim: “Xhevat, të lutem mos ia shit shpirtin shejtanit tue dekë në grevë ûje. Kishte me kênë nji mëkat!” Xhevat Korça me zë të zvargur po bindës përgjigjet: “Padre, të kam ditur mik, i cili nuk do që të turpërohem. Si m’i thua këto fjalë tashti që po më lenë forcat fizike, do të më lerë llogjika e si pasojë edhe vullneti, e ti më fton të bëhem lojë e këtyre rojeve të burgut të tallen e të thonë se unë nuk e mbajta dot fjalën?” Patër Mëshkalla u prek thellë, e përqafoi Xhevat Korçën e të dy të përlotur u ndanë nga njëri tjetri!

Padër Pjetër Meshkalla
Padër Pjetër Meshkalla (1901-1988)

Në atë burg ishte edhe Gjergj Kokoshi, një ish koleg dhe i njohur i vjetër i Xhevat Korçës, por fillimisht me idera të dyshimta e komuniste. Duke filluar nga dita e parë kur e sollën Gjergj Kokoshin në Burgun e Burrelit, Xhevat Korça nuk i kishte folur asnjë herë Gjergjit. Arsyeja ishte thjeshtë politike. Kur gjatë viteve të luftës ai kishte qenë profesor në gjimnazin e Tiranës, kishte nxitur shumicën e nxënësve të dilnin partizanë në mal në luftë kundër okupatorit. Për Profesor Xhevat Korçën, Profesor Gjergj Kokoshi kishte ndikuar në triumfin e komunizmit në Shqipëri e bile fillimisht, duke qenë edhe në postin e Ministrit të Arsimit në qeverinë e Enver Hoxhës, e prandaj as i fliste me gojë.
Të gjithë ishin të preokupuar për këtë fakt sepse asnjërit nuk i vinte mirë, që dy intelektualë të njohur, tani bashkëvuajtës në të njëjtin burg, të mos i flisnin njërit tjetrit. Avokat Xhevdet Kapshtica pat ndërhyrë një herë tek Xhevati për t’i folur Gjergj Kokoshit dhe përgjigja e Profesor Xhevat Korçës kishte qenë e prerë: “…Nuk e kuptoj fare rëndësinë që i jepni faktit nëse i flas unë Gjergjit apo jo. Unë e kuptoj se me sa duket, Gjergji e ka kuptuar gabimin e tij në radhitje të tijën nga ana e së ashtuquajturës Nacional-Çlirimtares, po ç’rëndësi ka ky pozicionim i tij sot? Ai e nxiste rininë të mbushte radhët e çetave partizane asokohe dhe me mish e me shpirt u predikonte një të ardhme, të cilën sot, ai vetë Gjergji, e kuptoi se ishte e gabuar! Po kujt i shërben ky kthjellim i vonuar i tij? E keqja u bë dhe pendimi i Gjergj Kokoshit nuk i vlen më askujt e aq më pak historisë!…”
Në ditët e fundit të jetës së Xhevat Korçës, i nxitur nga të burgosurit e tjerë, Gjergj Kokoshi pranoi të shkonte e t’i fliste Xhevat Korçës e kështu t’a bindëte të hiqte dorë nga greva e urisë. Gjergji pranoi dhe u drejtua me hap të ngadalshëm për nga qoshja ku prehej i dobësuar Xhevat Korça. Gjithë të burgosurit e tjerë po ndiqnin me vemendje te madhe lëvizjet e profesor Gjergj Kokoshit. Kureshtja ishte e madhe se si dhe çfarë do t’i thoshte profesor Xhevat Korçës në çastet e fundit të jetës së tij Gjergj Kokoshi për t’ia mbushur mendjen të hiqte dorë nga greva e urisë? Pasi qendroi pak çaste në këmbë, duke kundruar me dhembje kolegun e tij, u përkul dhe i foli miqësisht duke ia zgjatur dorën. Dora i ngeli e shtrirë për disa çaste. Më në fund Xhevat Korça vendosi dhe ia dha dorën. Ata që e ndiqnin skenën menduan se më në fund Gj. Kokoshi do të ishte shkaku që ta bindëte Xh. Korçën të hiqte dorë nga greva e urisë. Mirëpo Gjergj Kokoshi vazhdoi: “Ti Xhevat po e mbyll jetën me kapak florini. Edhe un kisha dashtë me e pasë ket guxim si edhe ti, por fatkeqsisht nuk e kam at burrni. Prandej qindro i fortë e mos u lëkund në vendimin tand!”

Mergim Korça
I biri i Xhevat Korces – Mergim Korça

Ia shtrëngoi për të fundit herë dorën dhe u largua.
Të gjithë të burgosurit e kaushit e përjetuan jo vetëm me dhimbje por edhe me krenari fjalën e Gjergj Kokoshit, që ishte njëkohësisht jo vetëm vlerësim për karakterin e Xhevat Korçës, por edhe një lloj pendese dhe faljeje, sado që tepër e vonuar, ndaj atij njeriu të paepur.
Xhevat Korçës më në fund i shteruan forcat. Pak ditë më vonë nga kjo ndodhi, ai e dha frymën e fundit mbështetur në gjoksin e Avokat Xhevdet Kapshticës. Kështu pushoi së rrahuri zemra e Profesorit dhe Nacionalistit të shquar, njëkohësisht antikomunistit të vendosur Profesor Xhevat Korçës. Ishte një rast i paprecedent. Kurrë ndonjëherë më parë nuk pat ndodhur që ndonjë i burgosur politik të vdiste me greve urie. Atje në burgun kështjellë komunist të Burrelit, Xhevat Korça i ngriti vetes një monument pavdekësie.
Për ironin e fatit, vite më vonë, Mehmet Shehu do vritej apo “vetëvritej” pa lavdi. Kadri Hazbiut shokët e tij komunistë do t’ia prisnin gjuhën dhe pastaj kokën, kurse përmendorja e Enver Hoxhës, pas vdekjes, do të tërhiqej zvarrë rrugëve të Tiranës, si shprehje e urrejtjes ndaj njeriut më të urryer të Kombit Shqiptar.
Prandaj Profesor Xhevat Korça e meriton plotësisht të quhet: Korifé i Nacionalizmit të Ndritur Shqiptar.
New York/ Dielli-arkiv/
Marrë nga http://gazetadielli.com/xhevat-korca-fundi-i-nje-korifeu

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.