back to top
15.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Virgjëresha me hënë mbi sup – nga Elida Rusta

Gazeta

Elida Rusta
Elida Rusta
Nji rrëfim poetik magjeps, nji gjuhë e latueme ndjesish të thella,
nji melodi që rrjedh mbrenda teje, që të mbush me imazhe, me njerëz, me vete, me botë…
Nji krijesë eterike që mbas 30 vitesh, kthen në qytetin e vogël,
kthen të shkolla, te klasa, të shokët e maturës, te banga, te kujtimet
me nji spektër ngjyrash, a thue se ke përballë nji pikturë.
Kanë rrjedhë aq shumë vite, kohna e njerëz, po poezia e këtij rrëfimi, tregimi, persiatje
a çka të doni vnojani emnin, asht përtej asaj çka ti ke besue…
Asht magji e trazueme fjale dhe ndjesish!
jozef radi,
.
Elida Rusta, gushte 2019
Elida Rusta, gushte 2019

Virgjëresha me hënë mbi sup

nga Elida Rusta

Kështu bënte nxehtë edhe në verën e vitit 1989…
Bota ka qenë më e keqe atë vit. Mure deri në hënë, muratorë me shumicë. Mbijetesa ishte në rrezik. Asnjë burrë me erë të mirë nuk kalonte nëpër qytet. Erë djerse, e parada bythçarëse të ushtarëve fitues të luftës së fundit.
Mund të pije për shëndetin e Titos pa kurrfarë aludimesh. Banorët e qytetit nuk adhuronin asnjë Zot, aq më pak hënën e yjet. Kohë qensh që shurdhonin cicërimat.
Të krijohej përshtypja se dhuna ishte e lejueshme.
Një e vdekur sillej natën nëpër të ftohtin e qytetit, jo për t’i zhveshur palltot qytetarëve në kërkim të “Mantelit” si te Gogoli, por për t’iu kallur datën djemve “cuba” me tërë vogëlsinë e tyre mjerane.
Më therin edhe sot dhimbjet e saj. E shihja përditë atë mjerim dhe nuk flisja dot. Ishte si të afroje në buzë drurin me prush.
Tamara, vajza e shitësit të vajgurit, më sjell ndërmend emocione të qashtra fëmijërie. Vajzë imazhesh. E mbaj mend në dy-tre prova teatrale, mbaj mend gjithashtu zhurimën e tre-katër të përvëluarve pas saj. Më dhimbseshin, por mirë ua ka bërë pse i purifikoi me zjarr, i bëri shpirtra më të bukur, ua hoqi baltën e zemrës. Ishte aq e bardhë sa nuk dukej netëve zi sterrë. Vajza me flokë si bar zemre, qe hijeshia e fundit e atij vendi. E vetmja kategori estetike në atë shëmtim ku errësira shpërndahej falas. Bënte shumë kujdes të vlerësonte tjetrin, për t’i nxjerrë në pah bukurinë e fisnikërinë, as vulgare, as nepstare. Lufta e saj ishte e pastër, e egër, luftë me qytetin. Qyteti nuk i donte bukuritë, merrte pjesë në vrasjen me gurë të banorëve të vet, pa brejtje ndërgjegjeje. Erërat kanë qenë të marra, të pashpirta, aleancë të humburish.. Ashtu shndërrohemi të gjithë, si fëmijë që nuk kthen në shtëpi pas shkolle, por ndjek flutura mbi bar. Vetëm Tamara shkëlqente nëpër të, sa për t’u gjetur, sa për të humbur rishtaz.
Ajo i mjaftonte me bukuri një kontinenti.
Virgjëresha me hënë në sup, endej ballkonit me dritë të katit të pestë, rrëzoheshin djemtë si qimet nën brisk në pritje të diellit mbi Shkëlzen. U rrit popullsia në Gjyriq, por flutura krijon toksina që i mban grabitqarët larg vetes. Ish koha kur po të shihnin se ecwn drejt, të gjuanin me gurë.
E çmendura e qytetit, (kështu e quanin) akuzohej se ishte kapur me mish e me thonj, mbas një djali.
Hajdutja e bukur e zemrave me quka në faqe e qeshje në shpirt, puthej fshehurazi me sytë e vet.
Djali që donte nuk e shpëtoi dot nga qyteti, nuk kishte armë, aq më pak kurajë.
Kurrë më parë një qenie si ajo nuk kish trokitur në zemrën e tij ushtarake. Shtriga e ëmbël që në vend të librave në çantën e shkollës fuste gurë, tashmë dukej si e marrë peng rrobash e teprinash tjera, as flutur, as krimb. Nuk merrej me sulmuesit, zgjidhte mbrojtjen, rrëzimin e tyre. I mjaftonte zjarri lëndinave të shpirtit.
E çmendura e kuarcit, njeriu më prej vërteti që njoh, me fustanin e kuq të modës së kaluar, grua kristali, dihati gjatë nga ndjekja e lodhshme e ujqërve. Sërish i ka hije nishani nën gushë, sërish për lulet dhe shiun ka dobësi. E kam këtu në veturë. Po shkojmë bashkë në takimin e tridhjetë të maturës.
Mban aromë lëndinë.
-El!
-Pse të pëlqen të dyshosh? – më shkundi nga mendimet.
-Nuk më ka dalë kurrë nga zemra.
Po dëgjoja një gjuhë tjetër, larg asaj që na dëgjojnë veshët. Flet e më duket se grimca ajri i mblidhen në shpirt, sytë i shkëlqejnë si liqene me bulëza shampanje…
Dashuria qenka një lloj pushkatimi i ëmbël.
-Po qeshë?
-E di!
-Jam mirë deri në mendje, aty ndryshon puna.
Tani është e rritur. Po ndërton një monument me eshtra zogjsh e grimca zemre, atë që nuk e ndërtoi dot kur ishte fëmijë. E bukur e mistike si libër hindu me piktura, pret si lulet nën dëborë për të shpërthyer në vjeshtë. Në shtrat shkon se e merr malli për puthje të gjata.
Te Tamara rri liria në mënyrë të habitshme. Jeta ka marrë udhën e vet. Ikja e saj nga qyteti i ngurtë pa kisha ishte e pranueshme, por e vonë. Ikje e një fëmijë të revoltuar që nuk i mjaftonte një pellg ujë për t’u krehur. Qytetit i ra zia, u tremb. Asgjë nuk ishte e sigurtë.
Tamara, ka bërë shkollë, fëmijë e libra, e rritur me forcë, u bë e talentuar vetëm për të tërhequr vemendjen e tij. Sot i ka të dyja, talentin dhe atë.
I doli kohë për të ringjallur një këlysh dashurie të humbur, e tani e ka në gji si ujk plak.
Ishte për kështjellë, po dhe aty ka burgje.
Arritëm…
Kunia e paska mbyllur dyqanin e qumështit, festa lokale ka dhe pak ditë për të ardhur. Thonë se shitësi i vajgurit kaloi një sëmundje të rëndë përtej Oqeanit.
Tamarës, që të robëron me hijeshi edhe sot, pas kaq vitesh i tregoj për kilogramët e tepërt.
-Rri urtë moj vajzë!
Dashurisë i duhet magji, njeriun që do e do, nuk e peshon.
Mua më duhet të bëj një kurs: “Si ta dua ferrin”, ose të paktën si të mësoj të jetoj në të.
.
Bajram Curri, gusht 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.