back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Figura e Anton Mazrekut – në themele të sportit Shqiptar nga Skifter Këlliçi

Gazeta

Anton Mazreku (1908-1969)
Anton Mazreku (1908-1969)

Figura e Anton Mazrekut – në themele të sportit Shqiptar*

nga Skifter Këlliçi

 Anton Mazreku, në faqet e pashkruara të një ditari
Fakte nga jeta e futbollistit, komentatorit dhe njohësit të shkëlqyer
të historisë së sportit shqiptar Anton Mazreku.
Përse kjo heshtje kaq e gjatë për këtë figurë të shquar të sportit shqiptar?
Vërtet një harresë?! Nëpërmjet copëzave të kujtimeve të mia
do të përpiqem të hedh edhe njëherë dritë mbi këtë figurë të paharruar
jo vetëm të mikrofonit dhe penës sportive,
por edhe të gazetarisë sonë edhe në fushën shoqërore e letrare.
.
Anton Mazreku i jep Kupen e kampionatit te vitit 1946 Loro Boriçiit te Vllaznise
Anton Mazreku i jep Kupen e kampionatit te vitit 1946 Loro Boriçiit te Vllaznise

6 tetor 1946 – Për hërë të parë dëgjova zërin e Mazrekut

Ende nuk i kam mbushur nëntë vjetët. Si çdo fëmijë, jam i dhënë edhe unë pas futbollit. Dhe kështu bashkë me vëllanë tim binjak, Luanin dhe bashkëmoshatarë të tjerë, dua të shkoj në stadiumin “Qemal Stafa” dhe të shoh ndeshjen e parë të Ballkaniadës Shqipëri-Jugosllavi. Por siç ndodh me kalamajtë, nga një gabim prindët më dënojnë të mbetem në shtëpi e bashkë me mua dhe im vëlla. Detyrohemi ta ndjekim ndeshjen nga Radio-Tirana. Eshtë hera e parë…
Mbetem i mahnitur nga golat e shpejtë të Mirashit dhe Telitit. Por mbetem gjithashtu i mahnitur nga zëri i atij që përshkruan këta gola. (Më pas do të mësoj se ai është Anton Mazreku.) Në pjesën e dytë një shi i rrëmbyeshëm derdhet mbi Tiranë e doemos, mbi stadium. Jugosllavët shënojne tre gola dhe fitojnë. Unë dhe vëllai dëshpërohemi, ashtu si dhe fëmijët që kthehen të qullosur nga stadiumi. Megjithatë, mua nuk më ndahet nga mendja tingëllimi i zërit të veçantë të Anton Mazrekut.
 
13 tetor 1946 – Ndeshja vendimtare e Ballkaniadës
Zhvillohet ndeshja vendimtare e Ballkaniadës Shqipëri-Rumani. Tanëve që të shpallen kampionë, u duhet vetëm fitorja. E vështirë, por jo e pamundur. Këtë radhë bashkë me shumë kalamaj të mëhallës ndodhem më së fundi në stadium. Dhe shoh golin historik të Telitit. Pastaj Loro Boriçin me kurorën e dafinave në kokë dhe në duar kupën e kampionëve të Ballkanit që e meritojnë futbollistët tanë, që përshëndet shikuesit në tribunë. Unë përpiqem të shquaj Mazrekun në kabinë, por është tepër e vështirë. Atëhere, le tribunën anësore, hidhem në tribunën kryesore dhe midis turmave, përmes qelqeve të kabinës, mezi arrij të shquaj tiparet e një burri që flet para mikrofonit… Ka flokë të drejtë, ballë të gjerë, hundë pakëz të harkuar. Ky është Anton Mazreku.
 
Qershor, 1948 – Shkrimet e para të Mazrekut
Kam nisur të lexoj çdo javë gazetën “Sporti”. Më lënë mbrësë të thellë shkrimet e Anton Mazrekut, sidomos për ndeshjet “Tirana”- “Budapesti” (3-1), Shqipëri-Rumani (1-0) dhe Shqipëri-Jugosllavi (0-0). Mbetem i mahnitur nga shprehjet e tij: “…grumbull fanelash kuqezi brenda zonës së rreptësisë kundërshtare”, “…dirigjenti Boriçi jep sinjalin e sulmit…” e sa e sa shprehje të goditura si këto që Mazreku i përdor në komentet në Radio dhe në gazetën “Sporti”. Thuajse çdo ditë në kalamajtë e mëhallës luajmë futboll në… rrugë. Diku në cep të saj ndodhet një kamion i prishur dhe i braktisur. Një ditë unë nuk luaj, por hipi mbi kabinën e kamionit dhe nis të… komentoj ndeshjen duke imituar Anton Mazrekun. Kalamajtë zbaviten. Ndonjë kalimtar aty pari ndalet dhe më vështron i habitur dhe tund kokën. “Me siguri ky çun do që të bëhet komentator sportiv” mund të thotë me vete. Në të vërtetë ashtu është.
 
Pranverë, 1950 – Mazreku, futbollist para syve të mi
Ndodhem në Fushën e Shallvares, që më pas do të prishej për t’u ndertuar blloku i madh i pallateve të banimit me të njëjtin emër. Dhe ja, pas një ndeshjeje midis skuadrave të të rinjve, një i njohur, më i madh se unë, me thotë: “E e sheh atë burrin që po godet topin me këmbë? Ai është Anton Mazreku!”
Ja më së fundi çasti i shumëpritur. Ndodhem përballë tij. Ndiej se po më merret fryma. është po ai që kam parë në kabinë, thuajse katër vjet më parë. Por pak më i thinjur. Nis të përshkruaj gjoja një ndeshje futbolli sikur të jem si ai atje në kabinë. Mazreku vë buzën në gaz dhe me përqafon. “Nuk është çudi që një ditë të bëhesh dhe ti komentator futbolli” më thotë pastaj duke më rrahur shpatullat.
 
Maj, 1958 – Mazreku mbush 50 vjeç
Lexoj në gazetën “Sporti” një artikull kushtuar Anton Mazrekut, që ka mbushur 50 vjet. Sa do të doja ta uroja dhe unë që sapo jam bërë 20 vjeç. Jam ende student i vitit të tretë të fakultetit gjuhë- letërsi të Universitetit të Tiranës. Kam katër vjet që shkruaj në faqet e “Sportit” dhe të “Zërit të Rinisë”. Jo vetëm kaq, por kam nisur të jem edhe folës në Radio-Tirana. Pa harruar kurrë dëshirën e flaktë për t’u bërë si Anton Mazreku, fotografinë e të cilit e shoh të botuar te “Sporti” me mikrofon përpara duke komentuar një ndeshje futbolli. E, megjithatë, dita për ta takuar e për t’u bërë mik me të është ende e largët.
 
Shtator, 1958 – Pranë tij, gazetar në Radio-Tirana
Kam mbaruar studimet universitare dhe jam emëruar gazetar në Radio Tirana. Në të njëjtën kohë vazhdoj të jem edhe folës i emisioneve kulturore. E ndiej që ka ardhur çasti im. Ndaj një të dielë marr një nga magnetofonet e Radios, shkoj në stadiumin “Dinamo”, (sot “Selman Stermasi”), futem në një nga dhomat me pamje nga fusha dhe nis të regjistroj zërin tim “në komentin” e një ndeshje miqësore që zhvillohet midis “Partizanit” dhe “Tiranës”.
Të nesërmen “komentin tim” e dëgjojnë drejtuesit e redaksisë së informacionit të Radios. “Nuk dukesh keq, – më thonë, – por fjalën e fundit duhet ta thotë Anton Mazreku. Ai është mjeshtër i kësaj pune!”
Dhe ja… pas nëntë vjetësh ndodhem përsëri përballë Anton Mazrekut, por këtë radhë gazetar 21-vjeçar. I kujtoj takimin në Shallvare. “Nuk e kam harruar!” – më thotë. Të mos zgjatem: Ndez mikrofonin në zyrën e tij. Bashkë me të në zyrë ndodhet edhe Pandi Allabashi, atë kohë nënkryetar i Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve. Të dy janë të kënaqur. Mazreku më përgëzon: “Ja erdhi dhe dita që ti të bëhesh me të vërtetë komentator!” – më thotë: Ç’është e vërteta, prej një viti zëri i tij nuk dëgjohet më nga stadiumet. Një urdhër absurd nga lart e ndalon atë të jetë komentator. “Ty të kemi nënkryetar të BFSSH-së, nënkryetar të Komitetit Olimpik. Kështu, nuk të ka hije të komentosh në Radio…!” Argumente qesharake. Dhe të mendosh se këto organizma janë fare formale, aq më tepër i dyti, po të marrim parasysh se Shqipëria nuk kishte marrë pjesë deri atëhere në asnjë olimpiadë.
 
Prill, 1960 – Zë fill miqësia me të
Megjithëse jam gazetar i emisioneve kulturore, bëj ç’është e mundur të krijojë “Rubrikën Sportive” që fillon të transmetohet çdo të martë në orën 20.30. Doemos, komentet e futbollit nis t’i bëjë Anton Mazreku. Kështu zë fill miqësia ime me të. E kësisoj, ai më pas do të më zbulojë ndodhi interesante nga jeta e tij. Por jo të gjitha. Një pjesë do të m’i rrëfejë më pas e bija e tij, doktoreshë Adelina. Megjithatë, së shpejti unë dhe Ismet Bellova, do të jemi së bashku me të në kabinën e transmetimit. Nuk di se çfarë faktori bëhet shkas, por disa muaj më pas unë dhe Ismeti vijme në stadium në orën 16.30. kur ndeshja fillon në orën… 16.00 e bashkë me të edhe transmetimi radiofonik. Dhe është fat që në stadium ndodhet Antoni, i cili thirret me urgjencë që të komentojë ndeshjen. Dhe dëgjuesit çmallen me zërin e tij.
 
Maj, 1962 – Mazreku nis serish komentet
Mbledhje në zyrën e drejtorit te Radio Tiranes ku jemi edhe unë bashkë me Ismetin. Eshtë ftuar edhe Antoni. Pas një hyrje të shkurtë drejtori i njofton Mazrekut se ai do të nisë përsëri të komentojë ndeshjet nga mikrofoni. Vlerëson aftësitë e tij dhe as që kujtohet të thotë qoftë një fjalë të mirë për mua dhe Ismetin, thua se nuk jemi ne që prej disa vjetësh kemi mbajtur peshën e komenteve sportive në Radio. Por nuk mund ta bëjë këtë gabim Mazreku: “Unë do të jem bashkë me Ismetitn dhe Skifterin, – thote ai, – Ata vërtet janë të rinj, por të aftë. Do të jemi kështu të tre së bashku”.
 .
Anton Mazreku dhe Skifter Kelliçi ne trasmetimin e pare bashke
Anton Mazreku dhe Skifter Kelliçi ne trasmetimin e pare bashke

13 shtator 1962 – Fotoja e pare me Mazrekun

Megjithatë, në këtë fotografi që shihni ne nuk jemi të tre, por vetëm unë dhe Antoni. Ismeti nuk më kujtohet se ku u ndodh në ato çaste. Eshtë pikerisht data 13 shtator 1962, kur në stadiumin “Qemal Stafa”, “Partizani” ndeshet ne turin e parë të Kupës së Kampioneve të Europës me skuadrën suedeze “Norceping”. Eshtë hera e parë që një skuadër shqiptare merr pjesë në një veprimtari kaq të rëndësishme europiane. Takimin e parë ne Suedi skuadra jonë e ka humbur 1-0. Interesimi për këtë ndeshje është tepër i madh. Ai duhet të fillojë në orën 16.00. Mirëpo treshja e gjyqtarëve çekë e kryesuar nga Paulus, arrin në aeroportin e Rinasit rreth ores 16.00. Alarm në stadium. Gjyqtarët rrasen në një veturë e ndërsa ajo merr me shpejtësi drejt Tiranës, veshin uniformat dhe në orën 16.20 zbresin drejt e në fushë së bashku me të dyja skuadrat.
Në këtë interval jo të shkurtër, kushëriri im, fotoreporter i revistës “Ylli” dhe më pas kineast i njohur, Faruk Basha më nxjerr mua dhe Mazrekun në këtë fotografi, mjerisht e vetmja që kam me të. “Pate fat, – më thotë Antoni pas ndeshjes, – se golin tonë të barazimit të shënuar nga Kraja e përshkrove ti!”. Ishte gëzim për ne qe golat ne portat kundërshtarë t’i përshkruanim të tre. Por kjo ndodhte rrallë sepse rrallë skuadrat tona shënonin shumë gola.
 
Tetor, 1963 – Më flet për jetën e tij sportive
Bashkë me Antonin po bënim një shetitje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. E pyes për jetën e tij sportive. Nis e më flet për vitet në Liceun e Korçës kur filloi të luante futboll jo vetëm me skuadrën e liceistëve, por madje edhe të “Skënderbeut” të famshëm si sulmues i majtë. Më rrëfente se luante në skuadër me Pilo Peristerin, Klani Marianin, Teli Samsurin e të tjerë fubollistë të talentuar korçarë. Ndalet te ndeshja finale e kampionatit kombëtar të vitit 1930 që duhej të zhvillohej në fushën “Shallvare”, ku korçarët për disa mosmarrëveshje nuk u paraqitën dhe tiranasit u shpallën kampionë. Më flet gjithashtu për pasionin e tij për të shkruar për futbollin dhe artin në “Gazetën e Korçës” dhe në gazeta të tjera me pseudonimin “Aku”. Më flet gjithashtu për punën e tij si mësues në Korçë e pastaj për transferimin në Tiranë e pastaj për propozimin e tij në Ministrinë e Arsimit që të krijohej gazeta me emrin “Sporti Shqiptar” që nisi ta drejtonte nga dhjetori i vitit 1935.
 
Maj, 1964 – Intervistë me Anton Mazrekun
Prej vitesh bashkëpunoj për sportin në revistën “Ylli”, kryeredaktor i së cilës shkrimtari i njohur Qamil Buxheli, me ngarkon të bisedoj me Anton Mazrekun për të shkruar një shkrim të gjatë me titull “20 vjet futboll shqiptar”. Ulemi një pasdite në klubin e shkrimtarëve dhe artistëve dhe bëjmë planin e shkrimit. Ca ide i hedh dhe unë në letër, ide të cilat atij i pëlqejnë. Pas disa ditësh ndodhemi përsëri në klub dhe ai më zgjat shkrimin për ta lexuar dhe për të shtuar ato që mendoja unë Mbetem i mahnitur nga leximi i atyre faqeve.
-Profesor, ti patjetër duhet të nisësh të shkruash historinë e futbollit shqiptar, – i them.
-Ke të drejtë, atë do ta bëj një ditë, – me përgjigjet pas një – çasti ngurrimi.
-Ti e ke përjetuar futbollin shqiptar që në kampionatin e parë, – vazhdoj unë duke i kujtuar episodin e ndeshjes midis “Tiranës ” dhe “Skënderbeut” më 1930.
Mazreku vetëm sa buzëqesh pas fjalëve të mia dhe një hije e trishtë shfaqet në sytë e tij. Me pas do kuptoj arsyen e këtij ngurrimi.
Por të kthehemi te shkrimi. Për t’u njohur sadopak me stilin origjinal të Mazrekut, po rendis vetëm një fragment të shkurtër nga ky shkrim, edhe pse i botuar me dy nënshkrime, në maj-qershor 1964… “Bukuresht, 23 tetor 1949. Rumunët vendosin “shtetrrethimin”. Topi si mollë sherri goditet nga Biçaku, rumuni Farmati, nga Parapani, nga rumuni tjetër Apolcan. Por ngul këmbë Boriçi, të cilit i vë veton Petcovski. Debat i gjatë. Topi heq pikën e zezë, i pushtuar në rrjetën e njezetë e më shumë këmbevë, e nuk di nga t’ia mbajë. Po në fund Teliti. (“Si nuk na u nda një herë ky Teliti!” – mendojnë rumunët), shfaqet si fantazmë dhe u tregon të tërëve se nuk ka dhe një rrjetë tjetër. Ajo është prapa portierit Vojnesku. Gol!
.
Anton Mazreku gjatë nji kometimi sportiv
Anton Mazreku gjatë nji kometimi sportiv

Tetor 1965 – Komenti surprizë kur u përmbysën shkallët

Në stadiumin “Qemal Stafa” zhvillohet ndeshja midis “Partizanit” dhe “17 Nëntorit”, një derbi tradicional e si pasojë stadiumi është mbushur “plot e përplot e s’ke ku të hedhësh as kokrrën e mollës”, siç shprehej jo rrallë Antoni në komentet tij.
Në kabinë ndodhem unë dhe ai. Befas nga fillimi i pjesës së dytë tribuna portative përballë tribunës qëndrore anohet e brenda pak sekondash qindra e qindra shikues mbi shkallët e drunjta të saj ndodhen më këmbë mbi çimenton e korridorit të gjatë të kësaj tribune. Zhurma që sjell rrafshimi i shkallëve të drunjta, për shkak të rezonancës, krijon përshtypjen e një tërmeti. Tmerr, frikë, panik…!
Në çati ortek mijëra shikues shembin telat e ndodhen në fushë. Doemos që ka të plagosur, por për fat të mirë asnjë të vdekur. Të dëmtuarit ndihmohen nga vetë futbollistët e dërgohen me makina të rastit, madje dhe me makina të udhëheqësve drejt e në spital. Drejtori i Radio-Tiranës i ndodhur një shkallë poshtë kabinës së transmetimit, më bën shenjë me duar që komenti të ndërpritet. Dhe unë bëj të njëjten gjë. Por Antoni vazhdon komentin, kuptohet jo për ndeshjen, sepse fusha është dyndur nga mijëra shikues të lebetitur. Me fantazinë e tij ai i bën një përshkrim tërë lojës së zhvilluar deri në ato minuta të pjesës së dytë. Kështu kalojnë të paktën 7-8 minuta, derisa ndeshja rifillon.
Pas ndeshjes Mazreku më shpjegon se, po të ishte ndërprere transmetimi i ndeshjes, radiodëgjuesit, sidomos në Tiranë, do të shqetësoheshin, duke gjykuar se diçka e rëndë do të kishte ndodhur në stadium, ku ishin dhe të afërm të tyre. Dhe me të vërtetë ata kuptuan që loja ishte ndërprerë, por jo se shkallët e drunjta të stadiumit ishin shembur dhe se shumë shikues ishin rrezikuar… Dhe kjo për meritë të Anton Mazrekut.
 
Dhjetor, 1965 – Gabimi që bëra
As sot nuk ia fal vetes gabimin që kam bërë. Që nga viti1956, nuk kam lënë numër të gazetes “Sovjetski sport” pa lexuar e sipas rasteve dhe të gazetës italiane “La Gazzeta dello Sport”, por gazetën “Sporti shqiptar” të drejtuar nga Anton Mazreku, (dhjetor 1935 -qershor 1939), nuk e kam lexuar. Kështu marr një autorizim nga drejtoria e Radio-Tiranës, pasi vetëm me autorizime të tilla mund të lexohej shtypi i para Luftës dhe duke shfletuar koleksionin e saj, mbetem i mahnitur. Artikuj, reportazhe, portrete, komente, analiza, informacione nga bota, të shkruara në pjesën dërrmuese nga vete Antoni e të shoqëruara me fotografi me parakalojnë në faqet e kësaj gazete. Por ka dhe fotografi të mbretit Zog edhe artikuj që e himnizojnë…
Por a mund të mënjanohej kjo? Kjo ishte e detyrueshme për çdo gazetë të asaj kohe. Mirëpo në faqet e brendshme të gazetës, Mazreku nuk kursente fjalët më të ashpra për qeveritarët. Po jap vetëm një shembull shumë kuptimplotë: “Fajin kryesor që nuk po përparojmë aq sa duhet në sport dhe në art nuk e kanë këshillat e aq më pak lojtarët tanë. Natyrisht nuk e ka as populli i unjtër. Fajin e kanë klasat e nalta të vendit, e kanë më parë se kushdo, zyrtarët e naltë, ministrat, deputetët, të psurit, universitarët tanë, intelektualët…” (“Sporti Shqiptar”, 17 tetor 1937).
Nuk mjaftojnë vetëm këto. Antoni ka krijuar në këtë gazetë një dritare për amatorët e letërsisë, ku boton në çdo numër një faqe me krijime letrare të autorëve më të mëdhenj të letërsisë klasike frënge dhe italiane.
Njohës i shkëlqyer i frëngjishtes, që e ka studiuar në Liceun e Korçës, si edhe italishtes, ai i përkthen vetë këta autorë.
Por nuk mjaftohej me kaq. Edhe në faqet e shtypit periodik ai boton shkrime tërheqese për probleme të artit, sidomos të kinematografisë, si dhe për probleme shoqerore, duke dëshmuar horizontit e tij të gjerë kulturor.
E, megjithatë, për Antonin, asokohe, kishin nisur të qarkullonin fjalë se ai kishte qenë drejtor gazetë në kohën e Zogut, njeri “i privilegjuar” që kishte ngritur lart lavdinë e regjimit në fuqi, kur ai nuk ishte veçse kryeredaktor, redaktor, daktilografist, korrektor, pra, të gjitha punët i bënte vetë në gazetë dhe siç e pamë, mbante edhe qëndrime kritikë ndaj regjimit.
Atëhere kuptova përse ai nuk donte t’ia hynte një pune kaq të madhe: të shkruante historinë e futbollit shqiptar, të cilën mund ta bënte vetëm ai. Atëhere do ta kishte të pamundur. S’mund të ndodhte ndryshe kur ai shkruante së bashku me mua shkrimin “20 vjet futboll shqiptar”, fillesat e të cilit datonin më 1944, duke injoruar në mënyrë të trashë se ai kishte nisur vite më parë e më 1930 zhvillohej kampionati i parë kombëtar ku si futbollist merrte pjesë dhe ai vetë..
 
Janar, 1966 – Doja të dija sa më shumë për të
Dua të mësoja sa më shumë për Anton Mazrekun. Ndaj një të dielë, pas një ndeshje, kur ndodhemi në zyrat e godinës së re të Radio-Tiranës, shumë larg stadiumit, pasi ka mbaruar regjistrimin e komentit të kampionatit, që e kryeson “17 Nëntori” i Frashërit, Halilit, Kasmit, A. Memes, Bukovikut, Xhackes, Hykës, Kazanxhiut, Ishkës etj., nis e flet për këtë skuadër dhe hidhet te “Tirana”- 6 herë kampione në vitet 1930-1938, të skuadrat e lagjeve të Tiranës që luanin kryesisht në Shallvare. Pastaj ndalet të “Shpresa” e “Rrufeja”, të cilat u bashkuan në një skuadër, emrin e së cilës e pagëzoi ai vetë – “Shprefeja”, për ndeshjet e saj kundër skuadrave fashiste që u kthyen në manifestime të zjarrta kundër pushtuesve… (Vite më pas kur shkruaja bashkë me regjisorin Gëzim Erebara skenarin e filmit “Fushë e blertë, fushë e kuqe”; (1985), për rolin e Anton Mazrekut me flisnin ish-futbollistët e “Shprefesë”, Skënder Begeja dhe Zyber Lisi (Fagu).
Më pas Antoni më rrefeu se si një ditë një oficer gjerman me një shoqërues i vijnë atij në shtëpi dhe i kërkojnë të komentojë në Radio -Tirana ndeshjen e futbollit midis “Tiranës” dhe skuadrës përfaqësuese të ushtrisë gjemane në Shqipëri, “Vermaht Ausvald”, të cilën komanda gjermane kërkon ta transmetojë në gjermanisht dhe në shqip gjermanisht. Por Antoni ato ditë humbet gjurmët e kështu kjo ndeshje nuk transmetohet në gjuhën shqipe.
Skifter Këlliçi – Koha Jonë 01.04.200
.
Anton Mazreku - Fjala dhe Heshtja
Anton Mazreku – Fjala dhe Heshtja

Anton Mazreku, njeri i spikatur i kulturës kombëtare

Anton Mazreku cilësohet si një nga baballarët e gazetarisë sportive shqiptare. Lindi në qytetin e Shkodrës më 8 maj 1908 në një familje intelektuale dhe me tradita patriotike. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme në Austri. Që në moshën 17-vjeçare (1925) botonte shkrimet e para në “Gazeta e Sportit” të Palok Nikës e Musa Koplikut në Shkodër. Më pas ndoqi Liceun e Korçës, ku dhe aktivizohet si futbollist me skuadrën e qytetit, Skënderbeu.
Në vitin 1935, Anton Mazreku është themelues i gazetës “Sporti Shqiptar”, bashkë me Luigj Shala e Aqif Domini. Ndërkohë që vazhdon si drejtor dhe kryeredaktor i kësaj gazete deri në vitin 1939, më 1 shtator të vitit 1938, Antoni transmetoi për herë të parë një ndeshje futbolli në Radio-Tirana, atë midis Sk Tirana 7-0 Iraklis Kavalla e Greqisë, duke u bërë kështu i pari radiokronist i sportit në Shqipëri.
Pas mbarimit të luftës, në vitin 1945, rifillon botimin e gazetës sportive por me një emër tjetër, “Sporti” e më pas “Sporti popullor”.
Anton Mazreku ka qenë kryetar i Federatës Sportive Shqiptare, nënkryetar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, nënkryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe, gjithashtu, përfaqësues i delegacioneve shqiptare në disa organizime ndërkombëtare; Olimpiada e Berlinit në vitin 1936, Lojërat Ballkanike në Tiranë në vitin 1946.
Anton Mazreku vdiq 21 gusht të vitit 1969 në Tiranë.
Çmimi “Anton Mazreku”, krijuar në nder të tij në vitin 1995, nga Tonin Paloka, iu jepet gazetarëve dhe personaliteteve sportive, vendas dhe të huaj, që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për konsolidimin e gazetarisë sportive në Shqipëri.
.
Burimi: http://www.shkodradaily.com/2014/11/anton-mazreku.html
.
* Titulli nga Radiandradi.com

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.