back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Vepra më e re me poezi “Dritë e Përjetësuar” – me autor Isak Ahmetin

Gazeta

Isak Ahmeti "Dritë e Përjetësuar" - Poezi
Isak Ahmeti “Dritë e Përjetësuar” – Poezi

Vepra më e re me poezi “Dritë e Përjetësuar”

me autor Isak Ahmetin

Sapo ka dalë nga shtypi vepra më e re me poezi,
me volumin 95 faqe, e autorit Isak Ahmeti “Dritë e Përjetësuar”,
nën redaktimin e Anton Nikë Berishës,
SHB “Faik Konica”, Prishtinë, 2019.
 
Libri në fjalë është strukturuar në katër cikle:
I. Më i larti,
II. “Drita e Përjetësuar”,
III. Koha dhe
IV. Kuptimi Shpirtëror i Krijimit.
 
Prof. Isak Ahmeti
Prof. Isak Ahmeti

Ky libër, që është i veçantë, së pari është publikuar në internet (2018), ndërsa tash edhe si libër falë inkurajimit që pata nga shumë miq të fushës së letrave shqipe: si Anton Nikë Berisha, Mons. Lush Gjergji, Mazllum Saneja, Ndue Ukaj, Sarë Gjergji, etj. Libri përmban përsiatje poetike-filozofike: poezi, psalme dhe urata që burimin e kanë tek shpirti im, në kërkim të së Vërtetës, te Bibla dhe te filozofia shënagustiniane. Këto krijesa poetike nuk janë vetëm poezi, përsiatje poetike – filozofike për Krijuesin, por edhe adhurim dhe himn për Zotin, që e ka krijuar botën e mrekullueshme dhe njeriun në përfytyrimin e tij të hyjnueshëm.

Këto poezi, sipas vlerësimit të Mazllum Saneja, shkrimtar dhe përkthyes i njohur në letrat shqipe, vijnë si një mësim i përvuajtërisë për të mësuar fuqinë dhe guximin e pakrahasueshëm të botës që na duket si një mister i vuajtjeve dhe sfilitjeve tona në Kalvarin e jetës. Mbasi i lexoi në dsh dhe si botim elektronik, Mons. Lush Gjergji më shkroi: Damari yt, i dashuri Isak, shprehet edhe në këto poezi dhe urata, të bukura, në stilin e Shën Nënë Terezes!
Libri: “Dritë e përjetësuar” hapet me një Parathënie mjaft të gjerë dhe përmbajtësore të Prof. Dr. Anton Nikë Berisha, ku, ndër të tjera, shkruan:
Përmbledhja me poezi e Isak Ahmetit “Dritë e përjetësuar” përligj vazhdimin e traditës së pasur të poezisë sonë të përshpirtshme, që zë fill me psalmet dhe poezinë e përshpirtshme të botuar në veprën e parë në gjuhën shqipe “Meshari” (1555), të botuar nga Gjon Bdek Buzuku.
Në tekstet e 60 poezive të librit, Isak Ahmeti gërsheton lloje të ndryshme të Shkrimit të Shenjtë-Biblës dhe literaturës teologjike si psalmeve, himneve, lavdeve, litanive, lutjeve etj. Pra ai nuk përfill dhe nuk mbështetet vetëm në një lloj përkatës, por në secilin tekst të poezive të tij vërehen përbërës të llojeve të përmendura. Qëllimi i autorit nuk ishte t’i jepte përparësi një lloji, po përmes mënyrave të ndryshme të të shprehurit të dëshmonte rëndësinë e besimit në Hyjin dhe nevojën e njësimit me dashurinë e tij. Kështu, në njërën nga poezitë janë më të pranishme, fjala vjen, përbërësit e psalmeve, në ndonjë tjetër të lavdeve, të himneve ose të lutjeve si forma të rëndësishme të dëshmisë së besimit në Hyjin.
Teksti i poezive të përfshira në këtë libër dëshmon se poeti e ndjen brenda vetes Hyjin dhe dashurinë e tij, e gjakon atë si dëshmi dhe si mundësi të pasurisë shpirtërore dhe si të tillë e shpreh përmes tekstit, vargjeve.
Në këto poezi s’kemi strukturë të ndërliqshme poetike, shprehje figurative dhe tablo të pasura, të ngarkuara me kuptimësi të shumta. Autori qëllimisht e përfton një tekst që mundëson një shqiptim dhe një komunikim të pandërmjemë, që nuk të lë mundësinë e dyshimit, po synon qartësinë dhe ndikimin sa më të madh në marrësin. Pra, ai përqëndrohet të dëshmojë se si ai e ndien Hyjin dhe dashurinë e tij dhe çfarë rëndësie ka kjo në jetën e njeriut.
Tekstet e poezive të librit “Dritë e përjetësuar” përbëjnë një mozaik, ku pjesët e plotësojnë njëra-tjetrën në forma të ndryshme dhe si të tilla bëjnë një tërësi. Përmes tyre shprehet rëndësia e besimit në Hyjin dhe nevoja që ky besim të jetë sa më i mirëfilltë dhe i palëkundshëm.
Ndonjëherë poeti i përsërit shprehjet dhe frazat me qëllim që të forcohen mendimet, të qartësohen qëndrimet e tij ndaj dukurive që i bën objekt vështrimi. Sipas poetit çdo gjë që Hyji krijoi e krijoi në mënyrë të përsosur: natyrën, njeriun, kohën, dijen, bukurinë, çdo gjë.
Hyji e krijoi edhe Fjalën, edhe Fjalën poetike, përbërësin më të rëndësishëm të poezisë e të poetit. Me anën e saj shprehen mendimet, përftohet e bukura, që është e pandashme nga dashuria dhe komunikimi mes njerëzve. Dëshmi e kësaj janë dhe poezitë që poeti i harton për Hyjin dhe dashurinë e tij. Përmes këngës poeti synon të lartësohet drejt Hyjit, të njësohet me të.
 
Fjala jote Zot/ deri në fund të kohëve
 
Je libër i gjallë/ që lexohet/ përjetësisht
(Koha flet për ty)
 
*
E krijove Fjalën/ mrekullinë e mrekullive
Fjala/ shkëlqim i përjetshëm
(E krijove Fjalën)
 
Pra, me anën e poezisë, të vargjeve kushtuar Hyjit, poeti synon të pasurohet dhe fisnikërohet shpirtërisht, të njësohet me hyjnoren:
 
Le të ngjitem sipër/ nëpër përpjetat e zemrës/ te prushi i bukurisë/ së Fjalës sate
 
Le të këndoj/ Këngën e ngjitjes/ atje lart/ ku do banojmë përjetësisht/ pranë teje
(Le të ngjitem sipër).
 
Hyji është edhe Dritë që dritë u dhuron njerëzve, kafshëve, bimëve; është dritë e përjetësuar për të cilën ka nevojë edhe poeti (unë – Dritë dua)… Ai e kërkon këtë dritë për arsye se: Derisa të kemi dritë, besoni në dritë / që të bëheni bijtë e dritës(Gjn 12, 36).
 
Poeti gjakon ta ketë shpirtin e ndriçuar me dritën e Hyjit për arsye se, siç është thënë, duhet të jetojë në rrafshin shpirtëror; brenda tij është një botë sa e pasur aq dhe e pafund.
 
Je dritë që vezullon/ Të futet në shpirt
(Dritë që vezullon)
 
*
Zot/ Dritë e së Vërtetës
(Dritë e së Vërtetës).
 
*
Në gjakim të dritës sate/ për të zhbërë terrin tim
(Nuk e di)
 
Këto poezi të Isak Ahmetit të afrojnë dhe të njësojnë me besimin në Hyjin dhe si të tilla padyshim do të kenë lexuesin e tyre.
 
Për botuesin: Nazmi Rrahmani
Redaktor: Anton Nikë Berisha
ISBN 978-9951-06-735-5

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.