back to top
33.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Qershor, 2024

Vajza e Filxigenave tregim nga Daniel Gazulli

Gazeta

Daniel Gazulli i ri
Daniel Gazulli i ri

Vajza e Filxigenave

tregim nga Daniel Gazulli

Pallati ynë pesëkatësh kishte dy shkallë me nga pesëmbëdhjetë hymje secila. Në shkallën në të majtë banonin familje oficerësh, kurse në shkallën tonë ishin kryesisht nëpunës të fermës, dy familje mësuesish, shoferi i Kryetarit të Komitetit dhe dy familje magjypësh. Ishin te dyja familje krejt të mira, pak të ndruajtun ndaj nesh, po të sjellshëm e të pastër.
Me familjet e oficerëve pothuejse nuk njiheshim, se ata rrinin dy ose tre vjet, mandej i transferonin përsëri.
Na banonim në katin e katërt. Hymja në të majtë të apartamentit tonë, ajo e shkallës përtej, e oficerëve, kishte disa muej që rrinte bosh.
Aty në të hymë të dimnit, morëm vesht se në atë apartament ishte strehue familja e një oficeri që kishte humbë të shoqen vetëm pak muej ma parë. Oficeri kishte dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, si dhe nanën plakë, megjithëse edhe fort plakë nuk duhej të ishte, por dukej që ishte grue e vujetun e ndoshta tregonte ma shumë nga ç’ishte.
Unë nuk i njihja, por e kuptova se ishte nga anët tona, sepse plaka mbante rizë të hollë të bardhë harkate lidhë për ballë me shami të zezë.
Ime shoqe më kishte thanë një ditë se grueja e oficerit, që kishte jetue gjithmonë në fshat e larg të të shoqit, kishte humbë jetën nga që kishte dashtë të dështonte pa ia marrë vesht njeri dhe e kishte provokue ashtu popullorçe. “Përse nuk kishte dashtë t’ia dinte njeri?” – e pyeta jo fort kurreshtar unë time shoqe. “Ashtu e kishte pasë hallin” – m’u përgjegj ajo tue e ba edhe ma të mjegullt misterin e vdekjes së grues së fqinjit të ri.
Gjatë dimnit nuk pata rast të njihesha me oficerin, se ai dilte heret, kthehej vonë, sulej dyqaneve të blinte ndonjë gja, mandej mbyllej në shtëpi me fëmijtë. Vetëm nanën e tij e shikoja herë mbas here në ballkon e me të rrallë edhe e bija, një vajzë e paktë, po me trup të zhdërvjelltë.
Në të hymë të pranëverës lëvizjet në ballkonin e fqinjit u shtuen shumë. Tashti, bashkë me plakën, dilte edhe ajo voglushja, e veshun me rroba të holla, e që i pëlqente të rrinte gjithnjë si në profil, sa herë më shikonre se rrija në ballkon e lexoja ndonjë libër. Me siguri e bante këte që t’i dukej gjiu i bukur, i porsashpërthyem, si bajnë gjithë vajzat e asaj moshe. Duhej të ishte trembëdhjetë a katërmbëdhjetë vjeçe, jo ma shumë, mendoja. Dhe gja e bukur, si shpirt. Ditë për ditë më dukej ma e rritun dhe ma e kandëshme. I pëlqente të hidhte mbas, tasheparë, një cullufë të zezë pis që i binte mbi ballë. Lëvizte nëpër ballkon, herë mbështetej tek muri, herë përkulej mbi parvaz. Ndoshta asht edhe pesëmbëdhjetë vjeçe, thashë një ditë tek e pashë gjithnjë e ma të mbushun e ma truphedhun.
Nuk kaloi shumë kohë dhe ballkoni i fqinjit në të majtë u mbush me lule. Mue më pëlqente të rrija në ballkonin tonë gjatë, sepse kundroja Kodrën e Kështjellës, që kur vinte pranëvera, harlisej me sallgama, aq sa, kur merrje frymë, aroma e sallgamave të mbushte mushknitë.
Por qysh se ballkoni e fqinjit në të majtë u mbush me lule, aroma e sallgamave ndjehej ma pak. Rreth nesh kundërmonte aromë filxigenash. Plot e përplot ishte mbushë ballkoni i fqinjit me filxigena.
Mbasdrekeve e darkava merrej me ta vajza e fqinjit. Se ç’u bante, se ç’u thonte, se dukej vërtet sikur fliste me ta.
Një ditë gjeta një vazo me filxigena edhe në ballkonin tonë. “Po kjo?” – i thashë sime shoqeje. “Ma ka falë Shpresa” – m’u përgjegj ajo. “U ka falë pothuej të gjithëve nga një vazo. Do t’jua falë unë, thotë, se këtu nuk ka filxigena. Mue nuk më pëlqejnë lulet që nuk çelin dhe nuk kanë aromë. Ç’lule asht ajo që nuk çelë lule, thotë. Të rrish me Shpresën, duhet të kesh kohë, se nuk i pushon goja tue folë për lule”.
Pak e nga pak filxigenat filluen të përhapen edhe në pallatet rreth nesh. Tashma pothuej të gjithë Shpresën e thërrisnin “Vajza e filxigenave”.
Gjatë verës Shpresa u zeshk edhe ma, se shkonte përditë në plazh me të vëllanë, një fëmijë i gjallë, që luente gjithë ditën futboll para pallatit e nuk ndjente lodhje.
Kur filloi shkolla, ajo mezi priste të kthehej nga mësimi dhe, ende pa ngranë drekë, dilte në ballkon e shpupuriste me dorë filxigenat tue përhapë aromën e tyne anë e kand. Nuk mbaj mend nëse ndiqte vitin e dytë apo të tretë të gjimnazit.
Pranëverën tjetër ishin mbushë me filxigena pothuej të gjithë ballkonet e pallateve të lagjes sonë. Të gjithëve ua kishte falë Shpresa.
Verës ajo kthehej vonë nga plazhi, gjithnjë e ma vonë, sa e bante marak gjyshen e mirë. Ndoshta deti po i rrëmbente një pjesë të dashunisë për lulet. Sado vonë të kthehej, sado e lodhun të ishte, përsëri ajo, ende pa ba dush, do të dilte një herë në ballkon tek lulet.
Ma vonë, aty në të hymë të vjeshtës së dytë, më kishte rastisë jo rrallë ta shikoja të rrinte nën mimozën në anën tjetër të rrugës, krejt përballë pallatit tonë. Ishte gjithmonë në shoqninë e një djali simpatik, një trup sportiv, që nuk ia dija emnin, por e kisha pa sa herë në plazh tek luente futboll me orë e orë. Se kush më kishte thanë se punonte infermier në spital.

Dashni nën dritë të hanës...
Dashni nën dritë të hanës…

-Shpresa! – e thërriste gjyshja tash e parë me za të ultë, sa vështirë ta dëgjonin atje në anën tjetër të rrugës. Vajza ngrinte kryet, shikonte në drejtim të ballkonit, ia bante me dorë gjyshes “se ja, erdha”, po çuçurimat me atë djalin simpatik e banin përsëri të harrohej.
Një mbramje ime shoqe nuk u durue dhe i thirri me za të naltë:
-Shpresa, po të thërret gjyshja!
Plaka, sa dëgjoi zanin e ashpër të sime shoqeje, hyni menjëherë mbrendë. Edhe Shpresa u nda prej mikut të saj dhe, ma shumë tue u hedhë se sa tue vrapue, u ngjit nalt.
Aty nga fundi i tetorit, porsa hyna në shtëpi, ime shoqe foli me terrsëllimë:
-Ua bani të zezën Shpresa! – foli gjithë mëllef ajo – Mori në qafë të vëllanë e të atin! Asht arratisë me atë horin e Spitalit jashtë shteti!
Unë nuk fola. Nuk them se isha me Shpresën, se e dija ç’rrjedhoja të randa do të kishte familja e saj, por edhe ta gjykoja aq ashpër nuk ma thonte zemra.
Nuk kaluen vetëm tri ditë dhe babën e Shpresës e xhveshën nga oficer dhe ai mori nanën plakë e të birin dhe u kthye përsëri në Sapë.
E kujtoja shpesh atë vajzë, sa herë shikoja filxigena nëpër ballkone, po për fat të keq, gjithnjë e ma të rrallë.

Ballkon me bime borziloku
Ballkon me bime borziloku

***
Të djelën që shkoi, sa kishte kalue nandë e mëngjesit, ra zilja e derës dhe u ngrita me të shpejtë dhe e hapa.
Papritë u gjenda përballë tre të panjohunve: një grue rreth të tridhjetava, ndoshta edhe pak ma shumë, krejt e brishtë, prandaj edhe dukej aq e re, e bukur si andërr, një burrë kund nja dhjetë vjet ma i madh se ajo, pak i randuem në peshë, po mjaft i gjallë, dhe zanë përdore me të, një vajzë e gjatë pesëmbëdhjetë a gjashtëmbëdhjetë vjeçare.
Mbas stepjes së parë, u kujtova t’i ftoja:
-Urdhënoni!
Grueja hyni e para, jo pa ndruejtje, dhe fill mbas saj burri dhe vajza.
Kur po i afrohej derës së dhomës së pritjes, e kapa për krahu dhe i thirra me emocion:
-Ti je Shpresa? Të njoha nga jotë bijë! O Zot, sa ngjani! Kështu, krejt kështu ishe edhe ti kur…
Grueja buzëqeshi gjithë emocion e gati e tronditun.
Kishte dalë ndërkohë te dera edhe ime shoqe dhe ato u përqafuen. Ime shoqe bile edhe qau nga emocionet e kjo bani që edhe vajzës së Shpresës t’i mbusheshin sytë me lot.
Si zumë vend nëpër divane, si shkëmbyem fjalët e para, papritë, Shpresa iu drejtue sime shoqeje:
-A mund të dalim pak në ballkon?
Në ballkon kalohej nëpërmjet dhomës së gjumit, prandaj edhe ime shoqe vrapoi t’i hidhte një sy përpara, mos kishte lanë gja keq e ta ndreqte para se të kalonin aty mysafirët.
Porsa dolëm në ballkon, Shpresa filloi të përkëdhelte me bulëzat e gishtave, lehtë, fare lehtë, filxigenat që mbushnin përvazin e ballkonit. Mandej hodhi shikimin nga e majta. Ballkoni andej ishte krejt i shkretë, me dy vazo të mëdha me lule artificale, çka e bani të prishej në fytyrë e të dukej dhjetë vjet ma e madhe. Unë hodha shikimin tej rrugës ku dikur kishte qenë mimoza ku çuçurisnin ata të dy. Në vend të saj tashti ishte një kioskë me llamarina të ndryshkuna.
Kur u rikthyem në guzhinë, Shpresa filloi të fliste si me vete:
-Kemi ardhë mbramë. Dolëm në mëngjes herët dhe u sollëm përreth pallateve. Vetëm në ballkonin tuej pamë filxigena. Prandaj edhe ju trazuem…
Mbas pak shtoi gjithë gjallëni:
-Ne jetojmë në Philadelfia. Në të gjithë Amerikën, vetëm në Philadelfia ka filxigena, sidomos në lagjën tonë.
Kur ikëm, kisha marrë farë filxigenash në gji…

*filxigeni, bimë dikur shumë e përhapun në Zadrimë, asht një lloj borziloku, me gjethe pak ma të vegjël, po me një aromë aq të fortë, sa ndjehet kudo përreth, edhe mjaft larg.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.