Tregime të dala prej përjetimesh dramatike – Lekë Tasi mbi Librin “Në sirtar” të Muç Xhepës

0
11
Muç Xhepa dhe Lekë Tasi
Muç Xhepa dhe Lekë Tasi

Muçi Xhepa - Në Sirtar - Tregime

Tregime të dala prej përjetimesh dramatike

nga Lekë Tasi

Libri i Muç Xhepës me tregime nga koha e diktaturës dhe pjesërisht nga tranzicioni është shkruar me stil bashkëkohor. Në përvetësimin e këtij stili duhet të kenë kontribuar studimet universitare për anglisht, leximet nga letërsia e sotme si dhe praktika e komunikimit gjatë karierës diplomatike. Ai ka qenë Sekretar i Dytë i Ambasadës Shqiptare në Uashington, po dha dorëheqien për shkaqe parimore në 25 korrik 1997, si duket ngaqë besonte përnjimend në mundësinë e një të djathte reale në Shqipëri. Ndoshta edhe për këtë bindje në mundësinë e demokracisë te ne pas gjysmëshekulli komunizëm, libri i tij paraqet interes. Në faqet e tij lexuesi mund të gjejë sot, kur mbushen tri dekada prej asaj faze, jetën e shoqërisë shqiptare para dhe mbas shembjes së komunizmit, me rritje respektivisht të shpresës dhe pastaj të zhgënjimit. Por ai do shohë edhe situata të habitshme, p.sh. personalitete perëndimore që pengohen akoma nga një polic krahinor, megjithëse sistemi ka ndryshuar. Madje moderniteti i stilit herë-herë konsiston në këtë, që mbasi regjistrohen këto kontradikta, autori i paraqet në një mënyrë joanalitike, por sëbashku, si i pari ai që u ka kapur rrengun, duke medituar paralelisht tani dhe në të shkuarën, si me një “flashback” filmi. Ai përshkruan kësisoj me ngjyrën e vendit absurdin e botës që sjell jeta në këtë cep të planetit. Por merita kryesore e librit, e ndërthurur me të mësipërmet, është pasqyrimi i anëve njerëzore, kurajë-dobësi, dhe kjo bën pjesë detyrimisht në kohën kur nuk vagullonte akoma shpresa për ndryshim. Ndonëse popullata ishte nën kontroll të rreptë, dhe ekonomia duke shteruar, jo rrallë vërtetoheshin përplasje, me përfundime shpesh tragjike. Libri ka plot ndodhi të panjohura, natyrisht të fshehura ndaj dhe të vlershme, por që ilustrojnë aftësinë për të rezistuar edhe të njeriut tonë, sadoqë përballë tij ka pasur trashësinë halldupe të pushtetit. Veçanërisht kategoria studentore, (ku bëri pjesë autori fillimisht, për të vazhduar mësuesinë në fshatra të largëta), e lehtësojnë tablonë nga ngjyra tërësisht e errët. Presioni i regjimit, me prepotencën dhe imoralitetin e kuadrit të lartë, hipokrizinë e veglave dhe frikën për bukën e gojës të familjeve, gjen tek ata shkollarë të njomë rrugën e zgjidhjes që afron. Siç jepet në shumë detaje të bukura të librit, ata ishin bërë me kohë kontigjent i botës së lirë nëpërmjet muzikës, filmave, mendësisë, po edhe modeleve të veshjes aty ku mundeshin. Dhe, sado i madh të jetë presioni, gjallëria e rinisë është e pandalshme, sepse ishte masive. Por për këtë duhet që disa ta paguajnë shtrenjtw. Kështu, para se të mendohej e të luhej gjesti teatral i fundit të 1990-ës me takime gjoja të hapura drejt një ujdie të shtirur, plot djem me emër dhe mbiemër në libër, por anonimë për opinionin që njeh vetëm heronjtë e porositur, kishin mbaruar keq ngaqë s’patën duruar poshtërimin në nderin familjar, ose ngaqë nuk i kishin rezistuar dot joshjes rinore. Libri i tregon me hollësi këto raste që të prekin në zemër.
Kush i mban të gjalla në kujtesë rastet më kuptimplote për të nënvizuar jo vetëm guximin, por edhe dobësinë, me episode fort të dhimbshme, veçanërisht aty ku bashkohen bukuria e brishtë e vajzave të pambrojtura me paburrërinë e kuadrove, ose ku amullia dhe zemërplasja i çon djemtë të ndërmarrin nisma të çmendura për të përmbysur karkasën e hekurt të pushtetit. Ç’është më e rëndësishmja, autori vërteton me një ndodhi personale strategjinë demoniake të sigurimit që fabrikonte me plan fajtorë (rasti i sigurimsit që shënon fshehurazi targa të kupolës në librin e tij), ose po aq e ndyrë është ngjarja, kur trupi mësimor, koka e tij, bëhet paburrërisht mbështetës i këtyre praktikave.
Rastet e rezistencës morale, po edhe fizike, të cilat shkojnë deri në heroizëm, kanë pjesën e tyre në libër. Po ashtu edhe dobësia e deri te poshtërsia. Kjo larmi karakteresh ngacmon interesin e lexuesit, një larmi që pajiset te shkrimi me dhimbsuri prej hollësive të detajeve, të panumurta, që na sjellin në kujtesë mjerimin material e moral që kemi jetuar. Pasqyrimi i të dyja anëve nuk është thjesht besnikëri ndaj reales, por një kujdes artistik dhe analitik për të dhënë lidhjet shkakore mes faktorit të mbrapshtë, sunduesve, që e mendonin të përjetshëm regjimin, dhe atij pasiv të të sunduarve, me fitil plasës vetëm ndonjë të ri që nuk duronte dot më… Frika e masës që ua shtonte sigurinë arrogante padronëve, do t’ua zmadhonte rrezikun guximtarëve kundërshtues dhe njerëzve krenarë; cilido lexues, i çfarëdo kohe, do ta shijojë me vuajtje këtë pasqyrim të kushteve shtrënguese që demoralizojnë masën, dhe u shtojnë rrezikun kundërshtarëve nga anash e jo vetëm nga Sigurimi ballas tyre.
Megjithëse ky është botim i parë i tij, autori ka ditur t’i japë këto veti dhe dobësi njerëzore me ngjarje reale dhe pa i zgjatur me letrarizma të tepërta. Ai shkruan ashtu si flet, por jo pa bërë komente e përgjithësime, të shkurtra por të goditura, ku përdoren gjasime dhe analogjira me komunizmin botëror, si sistem antinjerëzor kudo, përdorues metodik i mashtrimit dhe i krimit, po edhe për coptimin e njeriut-kundërshtar i tij, i varur nga buka e gojës, po edhe i zhytur në paqartësi të pafajshme ose verbëri të fajshme. Me anën e kompozicionit modern që përmendëm më lart dhe që bashkon realen me kujtimet, autori bën lidhje të tashmen me të kaluarën, eksperiencat personale me ngjarje ndërkombëtare, emra të famshëm që tranzicioni dhe kariera e tij i ka sjellë rastin t’i njohë. Kjo përzjerje e elementëve të largëta por me një nyje përbashkësie me atë që përjeton, i ka dhënë dorë autorit të shkruajë me një prozë të llojit që hiqet aktualisht, e cila përveç futjes së lexuesit në një kontekst të gjerë, me jehona nga çdo anë, arrin të na prekë artistikisht që do të thotë emocionalisht, aty ku shoqërohen gjëra të dhimbshme, histori fatkeqe tashmë të pariparueshme, me një “hit” muzikor shumë të njohur, që ta bën pengun edhe më therës. Jo rrallë ai arrin të na impresionojë edhe me cilësime shumë të gjetura nga natyra, p.sh. kur referon faktin që krimet kryheshin me porosi gojore, sepse i trembeshin dokumentit të shkruar, dhe shton “Punë hienash”.
Muç Xhepa dhe Lekë Tasi
Muç Xhepa dhe Lekë Tasi
Përshkrimi-ambjentimi. Ditët e errëta të komunizmit, episodet e një jete shkollore të varfër ku rinia pëson presion ideologjik qesharak nga përmbajtja, por me kërcënime direkte personale, trembja prej tyre dhe njëherazi kontakti me profesionistë me dinjitet e të patrembur (sfida e atij patriotit të përndjekur që nderon festën e vet dhe përbuz haptaz atë të regjimit, “hakmarrja” e të deklasuarit zotni që i çon derrat te K.P. “për mbledhje”, ose tregimi mes lotësh i hedhjes vetvrasëse nga tarraca të djalit që ishte dënuar për mbrojtjen e të motrës), janë një shkollë paralele me atë të shpifurën për këtë rini, dhe autori ka insistuar për ta bërë të njohur faktin që ky dualitet ka ekzistuar edhe te ne. Megjithë varfërinë nga ana tjetër, dhe preokupimin për hallet e ditës, prirja moderne e autorit, që është ajo e moshës, dhe syri i hapur drejt botës, kulturës, modës, muzikës, gjen shprehje te tregimet e tij si një komponent dominues, sepse brenda një treshe apo katërshe studentësh, liria ishte e plotë, shakaja, tallja shpërthyese i jep tonin, pavarësisht se e frenuar disi kur ndonjë “kostumgri”, siç i karakterizon autori sigurimsat, ulet dy tavolina më tej dhe u ngul sytë. I admirueshëm pasazhi vijues për nga lirizmi tragjik me elemente po aq të përditshme sa edhe sublime: “Duke pritur i ulur në parvazin e dyqanit ‘Pionieri’, në krye të rrugicës që të çon te shtëpia jonë, të shembur nga ‘Çlirimtarët’ për të ndërtuar një pallat për veten e tyre, po prisja Pëllumbin, të posadalë nga psikiatria (fjala për të riun e mbaruar ngaqë dashuroi një vajzë të huaj). Barnat që i kishin dhënë e kishin dëmtuar rëndë. S’mund të ecte pa u mbështetur. Biçikleta dhe Pëllumbi ishin bërë një dhe të pandarë. Dielli në perëndim e sipër përzier me tymin e furrënaltës së Hekurnikelit e kishte kthyer qiellin në bronx, altarin ku gjykimi i Perëndisë pritej të binte mbi mëkatarët”.
Komentet e Muçit janë të përqendruara në pak fjalë, por tipari më efikas i tyre, që u jep nerv, është ndonjë epitet ose një metonimi, që u ngre qimet përpjetë atyre që e përjetuan atë gjendje, për shembëll “…zgjodha Shmilin, fshatin që i kishte dhënë strehë Neronit” (pa pasur nevojë të sqarojë më tej), sepse kjo mënyrë shpreh edhe realitete historike të përjetshme për çdo kohë e vend. Përderisa “dykëmbëshi” që sundon botën e mban të paprekur për çdo rast egërsirën brenda tij, sidomos mashtrimin dhe masakrën, atëhere s’ka vend për shpresë, vetëm rasti mungon që ato të veprojnë edhe në të ardhmen, madje dhe nga i qytetëruari, sa kohë që ai do të ketë përballë atë që i përdor ato si kulturë, pale atë tjetrin që i ka kod me vetëdije. Njërin prej tregimeve autori e fillon me fjalinë, “Përbindëshi posa kishte ngrënë numurin dy”. Ç’nevojë ke të thuash, Ishte viti 1982, kur fjalia e mësipërme i ka të mbledhura bashkë ngjarjen, komentin dhe jehonën të asaj që ndodhi dikur dhe që ti ia ndien ende dridhjen në lëkurë.
Subjektet e tregimeve, përherë intensive në vetvete, dhe me faza ekstreme, gati-gati irreale edhe për përjetonjësit e mbijetuar, janë në shumicën e tyre histori të rinjsh që ëndërruan, guxuan të veprojnë dhe dështuan, shumica tragjikisht prej një aparati dhune pa asnjë lloj dhembshuri njerëzore! Ai mekanizëm do t’ua mohonte detyrimisht shpresën, thjesht për të mbijetuar vetë. Kjo përbën tipiken. Një logjikë e hekurt negative, ngaqë për ta, për komunistët, lëshimi më i vogël sjell me vete lëshimin e shkallëzuar që çon drejt rrënimit sistemin. E tëra bëhet e kuptueshme kur sjellim ndërmend përbërjen e kuadrove partiake, me tipar kryesor, të zgjedhur dhe të kultivuar ashtu, zilinë ndaj çdokujt që ka diçka që atyre u mungon: fis, bukuri, simpati në masa etj. Dhe meqë episodet, për vetë moshën e treguesit kur ngjarjet zhvilloheshin, trajtojnë temën rinore, ata, kuadrot, priren të shkatrrojnë ç’u binte në dorë, të sigurt se kjo i shërben dhe i pëlqen atyre lart. Shkelja sidomos e dashurisë mes të rinjve me kushte sociale qoftë lehtas të ndryshme, arrin të prodhojë drama që e frymëzojnë hidhur autorin, i cili ka veti kryesore: të mos harrojë. Është kjo ide fikse që i jep atij dorë të përshkruajë jo vetëm egërsinë e organeve, por dhe ligësinë, shpesh të dhuruar falas, të veglave që u shërbenin. Shpërndarja e ligësisë, natyrale dhe e prirur të rrallohet në botë nën veprimin e mirëqenies, në sistemin tonë inkurajohej që të përqendrohej. Autori shton kontrastin edhe me ndihmën e mjedisit tejet të varfër e të ndotur, në të cilin do të kalojë ditët rinia studenteske, vetvetiu e bukur, ëndërruese, e pambrojtur, por edhe me ndonjë damar ligësie që e penetron tek-tuk prej rivaliteteve. Aty e gjen të hapurën sistemi që të depërtojë. Një vend i dënuar prej sistemit, ky është sfondi i këtyre tregimeve, dhe në plan të parë spikat forca e krisur djaloshare, që guxon ende ta sfidojë. Dhe kontrastin e çon në kulm për nga stili, kur me prekje delikate, të një lirike të admirueshme, na jep idilin e “pamundur” mes dy të rinjve që thamë më sipër. Ata i bashkonte dashuria dhe bukuria, dhe do t’i ndante fatalisht pushteti. Preteksti ishte “shtetësia a huaj”, por arsyeja e vërtetë dhe reale është smira që s’di të falë. Ndarja rezultoi e trishtë për vajzën, dhe tragjike për djalin, i cili përfundon në qeli dhe pastaj në psikiatri e torturë, për të mos u bërë më njeri…
Lidhja direkte e autorit me aktualitetin, në Shqipëri dje, dhe në SHBA sot, kapja e elementit bashkëkohor te librat që zgjedh të lexojë, përzgjedhja e lajmeve që i vijnë, që e përçon pasionalisht shpesh edhe te paragjykimi, dhe aq më shumë te personat që njeh dhe i ndjek në çaste të njëpasnjëshme, duke i vlerësuar për shkak të distancës edhe me atë pasion që e kishim të gjithë para tri dekadave, bardhezi. Mendojmë se mjedisi perëndimor me më shumë vizion, do të veprojë në të ardhmen tek autori, me një gjykim që do t’i lejojë në tregimet e pritshme që i urojmë të shkruajë, të bëjë vlerësime më të gjera, duke mbajtur dashurinë e tij për vlerat, por edhe duke zbutur paragjykimet për persona të panjohur drejtpërdrejt, pra duke mos ndjekur opinionet e dëgjuara, qoftë prej njerëzish të shquar, pa i verifikuar në gjyqin e kohës që ecën.
.
Shkëputur nga libri me tregime “Në sirtar” i autorit Muç Xhepa.
 

 

Related Images:

Artikulli paraprakO Kapiten! Kapiteni Im! – nga Walt Whitman – kushtuar Abraham Lincoln
Artikulli tjetërUnë Besoj… – nga Adriatik R. Dosti
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.