back to top
25.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Trakti i Laura Keçit dhe dëshmia e saj në hetuesi – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Laura Keçi në rininë e hershme
Laura Keçi në rininë e hershme

Trakti i Laura Keçit dhe dëshmia e saj në hetuesi

nga Kastriot Dervishi

Laura Gjeto Keçi, ka lindur në Shkodër më 28.09.1957, dhe ishte nxënëse në shkollën e mesme “Jordan Misja”. Kur u arrestua dhe u dënua ishte në moshën 16-vjeçare.
E revoltuar nga trajtimi që i bëhej babait të saj si dhe nga ajo që po shihte në shkollën e mbërthyer nga nismat “revolucionare”, më 09.12.1972, hodhi në sallën e mbledhjeve të këshillit pedagogjik dy parulla me tekst të njëjtë, të nënshkruar nga “Zani i popullit” me këtë përmbajtje:
“Shokë arsimtarë!
Ju lajmërojmë se këto metoda që po përdorni ju për rritjen e kësaj rinie s’janë asgjë tjetër veç mësimeve për të ndjekur rrugën e servilizmit, të poshtërisë e të një mizerjeje!”
.
Trakti i shkruar nga Laura Keçi  dhe pjesë nga dëshmia e saj në hetuesi
Trakti i shkruar nga Laura Keçi
dhe pjesë nga dëshmia e saj në hetuesi
Disa muaj më vonë, ajo u arrestua më 08.10.1973, pas një truku të përdorur ndaj saj nga një person, të cilit i kishte shprehur dëshirën për t’u arratisur jashtë vendit. Ky njeri e kërcënoi të vetëdenoncohej në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër, sepse përndryshe këtë veprim do ta bënte ai. Laura kështu veproi. Bën një deklaratë vetëdenocuese (për traktin dhe tendencën e arratisjes), por aspak tërheqëse e penduese nga ajo çfarë kishte bërë. Këtë e tregon edhe teksti i depozituar. Personi shtytës e ndjek nga prapa për t’u siguruar që po vetëdenoncohej apo jo. Pasi është siguruar për këtë, ka takuar sekretarin e Komitetit të PPSH-së së Shkodrës dhe i ka treguar gjithçka. Të njëjtën ditë edhe ai lëshon deklaratën rënduese kundër saj në DPB Shkodër. Deklaroi se e kish bërë këtë veprim në këmbim të një vendi pune.
Në deklaratën e vetëdenoncimit, Laura thotë: “Jam shumë e mërzitur nga kjo botë dhe çdo gjë më është mërzitur. Unë them se ky pushtet nuk më pëlqen për sa të më jetë jeta, këtë e them dhe kam për ta thënë gjithmonë!”. Edhe gjatë kohës që ishte paraburgosur ajo u dëgjua të fliste kundër E. Hoxhës dhe M. Shehut, duke u bërë thirrje të paraburgosurve të revoltoheshin kundër regjimit. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë. Gjykata vërente se nuk kishte mbajtur qëndrim të mirë as në hetuesi, gjatë së cilës u pyet nga hetuesi Shyqyri Çoku.
Midis të tjerash, në vendimin e gjykatës thuhej: “Rinia e shkollë “Jordan Misja”, sikurse e gjithë rinia e vendit tonë është rini revolucionare, e cila ka ndërmarrë shumë aksione me karakter politik dhe edukativ. Megjithatë, e pandehura, duke qenë e pakënaqur për trajtimin që i bëhet të atit të saj, si person i dënuar për krime kundër shtetit, shpif dhe shtrembëron realitetin e vendit tonë; urrejtja kundër pushtetit popullor e ka shtyrë të pandehurën deri atje sa të fyej edhe udhëheqësit e partisë e të shtetit, të cilët janë njerëzit më të dashur të popullit tonë, sepse e drejtojnë atë me vendosmëri në rrugën e ndërtimit të jetës së lumtur, socializmit dhe komunizmit”.
Me vendimin nr. 335, datë 27.12.1973, Gjykata Popullore Shkodër, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 4 vjet heqje lirie. Laura u lirua më 01.09.1977, nga Reparti nr. 318 Kosovë, pasi kish vuajtur 3 vjet, 10 muaj, 23 ditë burgim.
Laura Keçi u nda nga jeta në SHBA ku jetonte me familjen, më 10.05.2020.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.