back to top
21.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Tragjedija e jonë nga Lazër Radi (1937)

Gazeta

Lazër Radi
Lazër Radi 1942

Tragjedija e jonë nga Lazër Radi (1937)

Larg… larg ndër do bjeshkë t’thepisuna u ndigjue nji krizmë pushke…
Nji hyllë u shkim… Ra nji fli dashunije që s’njofti se çka asht lumtunija… Kjo tragjedi, tash pak ditë, u ul prej maleve e bjeshkëve të thepisuna…
“As qyqe për ne s’këndon… Na rrahën, na munduen e na kjem të detyruem mos me thanë të vërtetën” – thote Ceni, – që ishte thirrë si dëshmitar i kësaj skene tragjike. “Tash, mbasi jam para gjyqit, qe, po jua diftoj t’vërtetën” – Flitte dishmitari tue e mbajtë njenën dorë mbi Kuran e tjetrën nalt; si të donte me i nënvizue fjalët që i thonte. Flitte pa droje, e sytë e zjarrtë i vrumulliste kah gjykatësi…
Ndërkaq malësorja e re, e bukur dhe pak e zbetë si dritë kandili, malsorja e re që ishte shkaku i kësaj vrasjeje… vërente e ndigjonte ne heshtje… Demiri i lidhun me hekura të randë, i qetë, e ndoshta edhe i kënaqun për sodisfaksionin e vet, shikonte në nji mënyrë diskrete herë dishmitarin e herë malsoren e re…
I shkreti! A thue përsëri dëshiron me kenë i lumtun? A thue përsëri dëshiron me kenë i përkdhelun e i dashunuem? A thue andrron me i bashkue buzët e veta të trasha me buzët e malsores së re, me ato buzë të kuqe si qershi?… Mos ndoshta ndërgjegja asht kah e mundon? Nuk e di, veçse, posa mbaroi zotni dishmitari, gjaksori u çue dhe mohoi gjithçka… Mohoi çdo relacion me malsoren e re “me at grue të ndytë…” Ah! Tash ishte e poshtme dhe e ndytë… Po, u këputën krejtësisht vargojtë e dashunis e bashkë me të edhe shpresa për me kenë i lirë…
Paradoks. Vrasje për dashuni! Kjo smundje e keqe paska çerdhe edhe ndër malet t’ona virgjin? Po, bile nji “Po” e zezë! Demiri pse dashuronte malsoren e bukur shkoi dhe i vrau të shoqin. Çudi! Vrau nji njeri! Shujti nji hyll. Sadisti! Derdhi gjak vetëm për me krye dëshirën e vet shtazore. Derdhi gjak, pse dëshira e tij kje ma e madhe se gjykimi… Tashti para drejtësisë mohon… Mohon gjithçka… Dorën e përgjakun e ven mbi Kuran… Flet… Mbrohet… Por… tepër vonë… gjaku u derdh… Nji trup u ba akull… Tragjedi!
Burimi asht epshi i pafrejshëm… Dëshira gjithmonë duhet kontrollue prej arsyes së pastër.
(Shtypi, e premte 1 tetor 1937)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.