back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Tragjedia në tragjedi rrëfim nga Lek Pervizi

Gazeta

Lek Pervizi - autor i librit "Rrathët e Ferrit"
Lek Pervizi – autor i librit “Rrathët e Ferrit” (pikt. Leonard Pervizi)
Libri “Në rrathët e Ferrit”
asht nji dëshmi e masakrave dhe e padrejtësive të pësueme
nga të burgosunit e të internuemit politikë shqiptarë,
në burgjet e kampet e diktaturës komuniste.
Autori tregon eksperiencën e përjetueme të së keqes
që kishte shkatërrue jetë e talente intelektualësh,
dhe familje të tana të nderueme.
Pse? Për çfarë parimi? Për çfarë qëllimi?
Enigma mbetet…
Lek Pervizi - “Luftim me përbindeshin” gdhendje në shqopë
Lek Pervizi – “Luftim me përbindeshin” gdhendje në shqopë

Tragjedia në tragjedi

rrëfim nga Lek Pervizi

Dielli po perëndonte dhe mbramja ishte gati me ia lanë radhën natës.
Isha mbështetë mbi krevat me pushue pak. Tashma si pensionist, nuk kisha ndonji punë me krye. Papritun jashtë u ndigjuen disa britma fëmijësh. Aureli, djali im i vogël, hyni mbrendë duke vrapue i ndjekun nga tre fëmijë të moshës së vet. Ata ishin të inatosun dhe e shanin Aurelin me fjalët ma fyese, po sapo më panë mue që dola te dera e shpisë u stepën bukur larg, përtej urës prej dërrase mbi kanalin para shtëpisë, dhe nisën të flasin:
-Aureli na ka thye me llastiqe xhamat e shtëpisë – bërtisnin njizanit ato fëmijë. Do t’ia tregojmë ne qejfin.
Ishin fëmijët e nji mekaniku të cilin e njifsha prej kohësh.
-Ç’kërkoni – iu thashë? – Lejeni rehat Aurelin, dhe kthehuni në shtëpinë t’uej – dhe bashkë me djalin u ktheva në shtëpi.
-Aurel, ç’ka do me thanë kjo ngatërresë? Mos ia ke thye ti vërtet xhamat atyne djemve?
-Po jo o babi, të betohem nuk kam ba asgja. Xhamat e asaj dritareje janë thye para nji mueji. Janë ata vetë që i kanë thye tue u gjuejtë me gurë me shokët e tyne. Nuk e di pse kërkojnë t’më akuzojnë mua tashti, që unë as kam mbajtë, e as mbaj llastiqe kurrë.
Ndërkaq katër fëmijë të tjerë ma të rritun, diku rreth 15 vjeç, u ishin bashkue atyne dhe rrinin grumbull në rrugën para banesës sonë. I njifsha të gjithë, ishin bij komunistash. U a njifsha baballarët, më të cilët kisha punue dhe e kisha kalue pa ndonji problem. Edhe pse pensionist, ato vazhdonin të silleshin mirë me mue, duke me respektue për aftësitë e mia profesionale. Grupi nuk lëvizte nga vendi bile u shtuen edhe nja katër-pesë djem të tjerë dhe seç flisnin mes tyne. Kisha përshtypjen se e kishin caktue at takim para banesës sonë për nji qëllim… bile dikush i kishte organizue. Pak ma vonë u kthye nga puna Doriani, djali i dytë, i cili u çudit kur i pa atë grup djemsh njaty para shtëpisë, afër urës. E urdhnova të futej në shtëpi e të mos dilte, e mos t’u thoshte asnji fjalë. Djem të tjerë iu bashkuen atyne dhe tashma u ba njifarë turme. Ishin diku nja pesëmbëdhjetë vetë. Vendosa me iu folë mbasi ata pretendonin se Aureli u kishte thye xhamat. Po pse me e ba problem? Të gjithë e dinin se unë merresha edhe me punë xhamash. Mjaftonte të më kishin thanë dhe unë do t’ua kisha rregullue dritaren. M’u krijue përshtypja e nji rreziku të mundshëm. Dhe mendova se duhej me pasë kujdes me ksi horrash.
-Ndigjoni djema, unë e njoh mirë babën tuej. Kam punue me të si shok pune për gati 20 vjet. E kemi kalue mirë si në punë ashtu në shoqni, dhe baba juaej asht mekanik i zoti. E sa për xhamat, pse me e ba problem? Mjafton t’më kishit thanë dhe unë do i kisha rregullue. Kështu ndreqën punët midis nesh, e nuk asht nevoja me krijue ngatrresa! – u përpoqa unë me e zbutë pak gjendjen.
Nuk mora asnji përgjigje prej tyne. Veçse pashë që fjalët e mija kishin ndikue. Kur ja, të ardhunit e ri, ma të rritun, filluen me shfaqë nji sjellje agresive. E kuptova që ishte nji provokim i qëllimshëm. Filluen të shajnë.
-Armik i popullit! Agjent i imperializmit amerikan! Titist! Reaksionar! Carist dhe të tjera marrina.
N’at kohë erdhi edhe djali im i madh, Leonardi.
-Ç’po ndodh këtu? – tha ai i shqetesuem.
Siç veprova me Dorianin, i thashë edhe Leos të hynte në shtëpi e të mos dilte prej andej.
-Me këta merrem unë… – i thashë.
Kur hodha sytë nga pallatet përballë, pashë se në dritare kishin dalë mjaft nga banuesit me ba sehir. Pse? Sigurisht dukej se diçka ishte e kurdisun ndaj nesh. Dramë a tragjedi? Duhej me ruejtë gjakftohësinë deri në fund.
Ndigjoni këtu djem! Ta merrni vesh njiherë e mirë, se ne, megjithëse jemi të dënuem politikë si t’interrnuem, ne kemi të drejtën e mbrojtjes nga Shteti. Ne nuk e kemi zgjedhë vetë me ardhë e me banue e punue këtu, përkrah baballarëve, nanave, vllazënve e motrave t’ueja. Në varemi nga Ministria e Mbrendshme, dhe ajo na ka sjellë këtu në Pluk.
-E po, ti din të flasësh, sepse ke ba shkollë në Itali – foli ma i rrituni ndër ta – por partia na ka mësuar që të jemi vigjilentë me ju dhe mos të biem në rrjetin e merimagave të fjalëve të sheqerosuna të armiqve tanë.
-Pa shiko, pa shiko. Ti mos je i biri i brigadierit Myrto? Nana dhe motrat e tua a nuk punojnë vallë me gruen time? Ti e di se sa mirë e çojnë me të. Pastaj janë afro 30 vjet që njihemi me famijen tande, pa pasë asnji mosmarrëveshje. Ua thashë edhe shokve të tu, se ne varemi nga Ministria e Mbrendshme, vetëm asaj i japim llogari. Nëqoftëse ti ke gja për t’u ankue për ne, mbasi e mban veten vigjilent, kape operativin e zonës, kapiten Bardhin dhe shko e i thuej se na njeh ma mirë.
.
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)

E ndjeja se isha i detyruem me ju dhanë të tilla sqarime, sepse e kuptova se ky ishte nji provokim i ndytë i krijuem kasten, e me pasoja të këqija, e në rastin konkret ndaj meje. Ishte koha kur situata politike në vend kishte fillue me marrë nji kthesë të keqe për regjimin komunist. Tash ne ishim të ekspozuem nji rreziku të ri: goditjes së fundit të bishtit të përbindëshit që po ngordhte. Këta të rinj patjetër ishin të nxitun prej ndonji komunisti fanatik, me peshë në parti. Tashma dritaret e pallateve përreth ishin përplot me spektatorë për filmin që do të zhvillohej para syve të tyne. Isha ba gati me përballue nji sulm të tyne, i mbrojtun nga ura, ku mund të kalonte vetëm njeni prej tyne. E pashë se qëllimi i tyne ishte me sulmue dhe me i vu zjarrin banesës sonë. Duhej me u tregue i vendosun, por edhe i matun. Grupit iu shtuen edhe do djem të tjerë, edhe ata ashtu me kërcënime.

-Ç’kujtoni ju, se ne do t’ju lemë të merrni pushtetin pa u derdhë gjaku? Kurrë! Ju jeni armiqtë e popullit e të partisë! Partia jonë është e fortë dhe do të ua thejë kokën me grushtin e saj të hekurt!
-Namiku ka të drejtë, – ndërhynë nja dy të tjerë – duhet t’i heqim qafë këta agjentët e imperializmit amerikan e të revizionismit titist.
U detyrova me ndërhye.
-E mora vesh. Thirreni oficerin operativ, kapiten Bardhin, që përgjigjet për ne, dhe tregojini atij për sa paskeni vendosë të bani. Shkoni dhe informojeni për këtë punë. Po kini kujdes, mos asht ky nji provokim i gabuem i juej, dhe pasojat do të bien mbi ju dhe shokët tuej. Ti aty, a s’je i biri i traktoristit Sako? Ka tridhjetë vjet që njihemi e punoj bashkë me tët atë. Mos vallë asht ai që të ka mësue me u sjellë me kaq arrogancë? Do ta pyes atë dhe ti e di mire se do të më përgjigjet negativisht.
Djaloshi e uli kokën, dhe ra në heshtje.
Nuk po kuptoja nga ishte sebeptue kjo punë. Dyshoja, por nuk i dihej. Mund t’ishte edhe nji akt i vetë këtyne vagabondave. Por tashma ishin shumë. Mbramja po binte ngadalë dhe dritaret e pallateve u ndriçuen, po asnjeni nuk po tërhiqej nga e vetja. Si duket ata prisnin që të mbaronte filmi i programuem. Si do të ishte fundi. Edhe drita elektrike mbi shtyllën para shtëpisë sonë u ndez. Grueja ime Beba, po vinte. I bana shenjë që të mos ndërhynte. Ajo më pyeti se ç’donin gjithë ata çuna aty. I thashë të futet brenda e të mos fliste.
Asnjeni prej tyne të mos lëvizte.
Njeni prej të rinjve e ngriti zanin:
-Ja Beba, kjo armikja e popullit dhe e partisë. Princesha Beba. Hahhahaha! Mbesa e Kral Nikollës të Malit të Zi! Ha, ha, ha, ç’princeshë!
-Po, po, prandaj ajo asht shoqja ma e ngushtë e dy motrave të tua, me të cilat punon prej disa vjetësh! Pa pyeti ato se kush asht Beba. Dëgjoni tashti: po qe se ju keni ardhë për xhamat e thyem, kam dhanë fjalën që do t’i rregulloj nesër, e po patët ndonji arsye tjetër, kthehuni të prindët dhe te familjet tueja.
Asnjenit prej tyne nuk ia mbajti me ba nji hap drejt meje. Ata prisnin njashtu të palëvizun, tue hedhë ndonji fjalë fyese. Banesa jonë ishte pak si e izolueme. Nga nji anë rruga që na ndante nga pallatet. Nga veriu, 100 metra larg kalonte rruga e makinave. Nga ajo rrugë po vinte me vrap nji djalë duke uluritë e sha, dhe duke gjuejtë me gurë drejt meje, që për fat asnji s’më goditi. Ishte Çimi, nji vagabond i njoftun që mbahej edhe si kapobandë i të rinjve të Plukut. Ai njihej si djal i dalun doret, rrugaç e i çakërdisun nga trutë. Kur u gjet midis grupit, vazhdoi të shante, por ma i përbajtun, sa me thanë. Unë ia njihja mirë familjen, lushnjarë ortodoksë. Nji familje e qetë. I ati dhe xhaxhai ishin komunistë, kurse e ama e motrat punonin edhe ato ne nji brigatë me Bebën, dhe shkonin mirë. Vetë Çimi, më përshëndeste sa herë me shihte, dhe tregohej dashamirës me fëmijët e mi.
-Pa ndigjo ti Çimi. Ti tregohesh aq i njerzishëm kur me takon rrugës e më përshëndet. Sillesh mirë me fëmijët e mi. Dhe e di se sa mirë e çoj me babën dhe axhën tand, që njihemi prej 30 vjetësh. Si guxon ti të më gjuejsh me gurë, nji njeri që njerzit e tu edhe ti vetë e respektoni dhe asht ndër familjet e para bashkë me tandën, që kanë ardhë me banue e me punue në Pluk? Kush ta ka mbushë mendjen me u sjellë kaq harbutshe? Nuk e kam pritë prej teje këtë sjellje. Të të vijë turp!!
Ai nuk u përgjigj.
Nga pallatet gjithë shikimet ishin përqëndrue n’at skenë me të paprituna. Shfaqja vazhdonte. Dramë a tragjedi. Drita e dobët e llampës së rrugës, para banesës sonë, i jepte skenës nji pamje të denjë për penelin e Rembrandit. Ra nata. Për çudi asnjeni nuk kaloi asaj rruge at natë. Dukej se njerëzit ishin të lajmëruem se diçka do të ndodhte aty e kurdisun kundra familjes sonë. Çimi ndërroi disa fjalë me shokët e vet, dhe befasisht nisi të vrapojë drejt sektorit. E gjithë banda vrapoi mbas kryetarit të saj dhe sa hap e mbyll sytë u zhdukën, si me shkop magjik.
Unë mbeta i çuditun me atë ndryshim të papritun të bandës. Shfaqja kishte marrë fund. Dritaret e pallateve u mbyllën dhe u përplasën si me inat. Unë u bashkova me të mijtë në guzhinë, të gjithë ishim ende të shqetësuem për atë çka ndodhi e që mund të kishte kalue edhe në nji tragjedi.
Grueja ime, Beba e kishte kuptue menjiherë rrezikun që peshonte mbi ne at mbramje. Dhe në mendjen e saj ishte e vendosun me i ba ballë me sa të mundej me djemtë.
Dy duer për nji kokë – thuhet.
Papritun rreziku kishte kalue, dhe sigurisht kishte ndikue edhe gjakftohësia ime përballë asaj turme rrugaçësh të shtymë. Nuk u isha trembë kopesë së qenve…
E ndërsa ne këmbenim mendimet tona, dëgjuem zanin e kojshijës mbas banesës sonë.
-Beba! Beba…! Dil në dritare se kam diçka për të thënë.
Mbas disa minutave Beba u kthye gjithë vajë. Ç’kishte ndodhë vallë?
Përmes lotëve ajo nisi të na tregonte:
-Kanë vra vëllanë e Faik Gjyshes, i shkreti djalë! Kojshija më tha, se e kishte therë Çimi me thikë. Pastaj të tjerët e kishin mbytë me tulla…
E gjithë ajo që ishte përgatitë për ne ose për mue personalisht, si duket kishte shkue me u zbatue te ai djalë i ri. Tragjedia që po i përgatitej familjes sonë, shkoi dhe u realizua te nji familje tjetër, nji familje e urtë, edhe pse e afërt me partinë.
I ati i të vramit mbante pushkë dhe ishte roja e depos së armëve. Krejt sektori kishte mbetë i tronditun.
Ç’po ndodhte? Ç’ishte ky shpërthim kriminaliteti? Viktima ishte e njoftun si nji i ri i urtë, i qetë dhe zemërmirë. Po gjithkush e kuptonte se ajo tragjedi kishte ndodhë nga mosrealizimi i tragjedisë së parë ndaj nesh. Tuj mos mundë me krye misionin e tyne kriminal kundra nesh, kishin shkue dhe i kishin ra më qafë, e kishin shfry mbi shokun e tyne moshatar pa asnji shkak. Njashtu kot. Si të ishte nji lojë e fatit.
Drejt me thanë, edhe pse po jetonim ditë plot shpresë, ishim tejet të shqetësuem. Rrëzimi i parashikueshëm i diktaturës komuniste i kishte shty disa individë të organizuem prej Partisë dhe Sigurimit, të kryenin raprezalje kundër shtresës kundërshtare si e jona.
Nji situatë e tensionueme anarkie kishte fillue me u përhapë me shpejtësi gjithandej. Populli po e kuptonte se sistemit të terriorit absurd, që kishte sundue për 46 vjet i kishte ardhë fundi. Flitej se po ta merrnim ne fuqinë në dorë do të hakmerreshim ndaj tyne. Athere pse mos të na hiqnin qafe qysh tani, të parët?
Ajo natë kaloi pa ngjarje të tjera.
Të nesërmën në mëngjes, ndërsa isha i vetëm në shtëpi e po përgatitsha kafen, dikush më thirri nga rruga. Ishte Hyseni, nji mekanik me të cilin mbaja nji miqsi formale. Ai ishte komunist, e kështu kishte zanë nji punë të mirë, po njeri i drejtë. Kishte respekt e konsideratë për ne, sepse nji axha i tij oficer, kishte shërbye me babën tim, me gradën toger, pra kishte simpati për të, si nji nga oficerët ma të ngritun të ushtrisë dhe figurë e shqueme e patriotizmit shqiptar. Më priti i buzëqeshun dhe më foli:
-Të lumtë Lekë! Ti e more vesh se ajo që e gjeti vëllanë e Faikut ishte përgatitë për ty. Ke ditur të kontrollosh situatën në sajë të gjakftohtësisë sate dhe të shpirtit tënd fisnik. Ti arrite t’i çarmatosësh me fjalën tënde, atë grup vagabondash e keqbërësish të organizuar. Patjetër e ke kuptue se nga të vinte ajo goditje. Ti e kupton se unë nuk mund të them më tepër. Por mos u shqetëso, sepse pas kësaj ngjarje tragjike, çështja është mbyllur. Atij që kupton, fjalë pak.
Lamtumirë mik!
Ishte më të vërtetë nji lamtumirë, sepse mbas asaj dite ne nuk u pamë ma.
Mbasi ai u largue, unë rrija i mendueshëm. Komunistët, si duket tashma ishin pendue që s’na kishin shfarosë ma përpara, qysh kur e morën pushtetin para 46 viteve.
Gjithë sa ju kallzova ma sipër ishte nji tragjedi që ishte mendue të zhvillohej si tragjedi. Vetëm se fati e kishte dashtë që të mos ndodhte në familjen time…
.
Studiuesi Lek Pervizi
Studiuesi Lek Pervizi

Lek Pervizi në pak rreshta

Lek Pervizi lindi në Shqipni më 1929, në nji familje fisnike. Ai e ka jetue fëmininë dhe rininë në Itali, ku ka vazhdue shkollat, tue arritë nji formim të mirë kulturor.
Nën diktaturën komuniste, ai pësoi 46 vjet persekutim, me burgje e kampe internimi, viktimë e pafajshme. Piktor, poet e shkrimtar ai e kishte të ndalueme çdo shprehje të lirë.
Më 1990, fiton lirinë dhe vendoset në Belgjikë, ku ka edhe mundësinë të ushtrojë aftësitë e tija krijuese. Dëshmitar i mirëfilltë i realitetit makabër të nji diktature nga ma të egrat dhe çnjerëzoret. Njeri që ka pasë forcën mos me u mposhtë e me u dorëzue në kushte të pamundshme, e tash, me nji vullnet e urtësi që ia jep mosha e shtyme për me lanë pas kujtimet dhe mësimet e tij, që i kushtohen lirisë, aq e dashtun dhe aq të shtrejtë, e vetëm ata që kanë vuejtë për të, dinë ta çmojnë!
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.