Tradhëtia Intelektuale…
nga Prend Buzhala (Çaste shkrimi IV, 70)
1.
Nuk e di se ku e kishte hidhërimin e tij poeti i shquar anglez William Blake, kur ka thënë: “Është më e lehtë ta falësh një armik se sa ta falësh një mik.” Dhe, nuk është e habitshme, pse, në këso rastesh, intelektuali i tradhtuar apo miku i tradhtuar në besimin e tij, e ndien veten mizorisht fajtor pikërisht Pse ka besuar! Drama e përjetimit të kësaj situate, si në ato të tragjedive shekspiriane, sigurisht, nuk është e lehtë për t’u përballuar.
Te drama Juda Makabe e At Gj. Fishtës lexojmë: “Nji tradhti, nji namë, nji dhunë,
Për t’u kja me gjak e lot!
Shka t’a baka nieri i jot,
Nuk t’a baka vetë anmiku…”
Dhe një Hamlet përballet me dyshimet e tij sfilitëse, por vendos që ta godasë vetë krimin, tradhtinë… dhe jo të hidhet në anën e të ligës…. Dhe cili prej nesh e ka përjetuar, së paku, njëherë në jetë, këtë situatë? Nuk është e rastit, prandaj, pse tradhtia është temë e fortë për trajtime jo vetëm letrare, por edhe në fusha të tjera të intelektit krijues. Dramaturgët e dinë që pazari me etikën njerëzore, u ngjet vlerave të tregut: “Tradhtia është si diamantet, nuk ka asgjë në botë që tregtari i vogël nuk arrin të bëjë me anë të saj.” – thotë dramaturgu, humoristi dhe gazetari anglez Douglas Jerrold.
2.
Sokrati i dikurshëm, kur pranoi që më mirë ishte të shkonte drejt vdekjes, duke pirë gotën e helmit për fajet e paqena, se sa të jetonte me servilizmin e pështirosur që do ta njolloste ndër shekuj veprën e tij; na e jep edhe profilin e intelektualit me etikën e fortë të urtësisë, na e jep edhe sot shembullin e një kulture të etikës dhe moralit kundër Tradhëtisë Morale dhe Tradhëtisë Intelektuale dhe Nderimin e Paguar me Jetë ndaj Ligjit, qoftë ai edhe i padrejtë. Dhe kjo etikë kulture politike, ka vlerë sidomos kur ka trokitur a troket në ndërgjegjen politike dje e sot… dhe gjithsesi do të trokasë edhe nesër… me pyetjen torturuese biblike: “Hej, kah je nisur, ku po shkon?! Quo vadis, quo vadis, quo vadis” Pyetja e tillë i drejtohet njeriut (shenjtor, intelektual, etj) që tradhton misionin e tij jetësor e shpirtëror. I ndodh, sepse në vend të kësaj etike, Njeriu i Tillë e vendos pabesinë, interesin primitiv, servilizmin mizor (e këtë të tillin intelektual shohim me profilin e profesurës në Universitet, në institucione, në parlament apo në qeveri)… Dhe po qe se ti nuk e dënon krimin, të ligën, padrejtësinë, të pavërtetën dhe injorancën, por i rehabiliton ato, i ndjek ato pas, ke bërë Krim të Dyfishtë. Çfarë është raporti i intelektualit me veprën e tij jetësore? Si e poshtëron veprën e tij një intelektual, më saktësisht, si e tradhton atë? Është Ironi Tragjike e Intelektualit sot, i cili dje, i njohur si intelektual i qëndrimit kritik ndaj fenomeneve shoqërore, i njohur për mendimin e lirshëm e të lirë krijues, botëkrijues e njerikrijues; sot bie poshtë: duke përdorë po ato metoda që vetë i ka kritikuar, duke ndjekë atë rrugë devijimi që vetë e ka sulmuar…
3.
Dhe, shihe ti njëherë: Intelektuali që ka mbajtur qëndrim kritik ndaj çdo gjëje e gjithçkaje deri dje, sot bëhet krejtësisht indiferent, madje mbështetës dhe përkrahës i një oligarkie politike e antidemokratike. Mund ta shohësh këtë intelektual të profilit Të Lartë, me aureolat e djeshme të lavdisë e me turpin e sotëm të indiferencës, duke e tradhtuar misionin e tij intelektual. Duke u Përbetuar Dje dhe duke Vepruar Dje për vlerat europerëndimore, për qytetërim shqiptar vlerash të përbotshme, për ngritje të vlerave humaniste, shkencore, artistike dhe intelektuale; nuk është e habitshme pse sot, duke e shndërruar Intelektin e Tij në Diamant Vlerash të pazarit, për të bërë alkimi politike (krimi është virtyt, hajnia është patriotizëm, korrupsioni është shtetndërtim)… dhe, madje, duke hequr dhe maskën europerëndimore e duke u shitur herë haxhi politik në Mekë, herë ideolog i dy identiteteve shqiptare, herë rehabilitues i krimit me maskën parlamentare…
Mallkimin e djeshëm komunist që binte mbi intelektualët e pafajshëm e qëndrestarë; sot ky mallkim i intelekualit servil, dyfytyrësh, mashtrues dhe batakçi, bie mbi njerëzit e sinqertë, parimorë dhe “radikalë”.
Radikalë!?
E po, kishte të drejtë ai pedagogu brazilian me famë botërore, Paulo Freire, që thoshte:
“Personi më radikal është ai që hyn në brendinë e realitetit me bindjen se mund ta transformojë atë. Ky individ nuk ka frikë të përballet, të dëgjojë, apo ta shohë botën të zbuluar, lakuriq. Ky person nuk ka frikë të takohet e t’i njohë njerëzit apo të hyjë në dialog me ta. Ky person nuk e konsideron veten pronar të historisë ose të të gjithë njerëzve, ose liberator (çlirimtar) të të shtypurve; por ai angazhohet vetë në histori, për të luftuar në anën e tyre.”
Uh, sa pronari i historisë, i pronave dhe i lirisë na u shfaq pasluftës!
Për Fat, Kosova i ka dhe njerëzit e saj që kanë Guxim Intelektual dhe dinë t’i thonë të keqes Jo!
(9 dhjetor 2014)