back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 10 Tetor, 2024

Tre fituesit e Konkursit “Poezia Shqipe 2014”

Gazeta

Fituesja e "Poezia Shqipe 2014" Elona Culiq
Fituesja e “Poezia Shqipe 2014” Elona Culiq 

Kush asht Elona Çuliq

Elona Çuliq, (1986 – Shkodër) Ka studiue fillimisht për piano në shkollën artistike “Prenk Jakova” e ma vonë për gjuhë frënge në shkollën e gjuhëve t’hueja “Shejnaze Juka”. Studimet e nalta dhe ato të nivelit Master, i ka krye për Psikologji pranë U.T. Çdo gja të bukur që ia rrok syni e shpirti ajo mundohet me e artikulue n’poezi, gja që e ban fort me dashni. Elona ka marrë pjesë në nji konkurs poezie në vitin 2012, në Klubin poetik “Zahiri”, në Kosovë, (edicioni i dytë për poezinë ma të mirë në internet), ku poezia e saj me titull “Të pres, edhe pse nuk du t’vish”, asht pagzue me çmimin e 3-të. Ajo asht mishërim i artistit të ri, që sundon mediat sociale dhe suksesin/ shquemjen e merr po prejt aty. (e vërtetë!) Ka botue jo vetëm shkrimet po edhe perkthimet si në shtypin e përditshëm, po mjaft edhe në atë online. Pasionet e saj mbeten të shumta si shetitjet në natyrë, organizimet letrare, bicikleta, fotografia, piktura, etje…

Në kët konkurs, ku konkuruan 54 autorë, ajo u shfaq autoritare dhe asht fituesja e padiskutueshme e tij… duke i dhanë kështu vedit jo vetëm triumfin, po edhe mundsinë e botimit të librit të saj të parë në dygjuhë…
Elona Culiq, asht Fituesja e këtij edicioni poetik me 184 pikë!
Urime Elonës!

Elona Culiq... dhe pasionet e saj
Elona Culiq… dhe pasionet e saj

Elona Culiq Autori me Nr. 001

Fituese e konkursit “Poezia shqipe 2014” me 184 pikë

Kisha dashtë

Kisha dashtë me mujtë me shkrue
për rrugën tande
që asht gropue
dikund në nji damar
e pulson si nji stinë
e brymun me shi t’ngiem
me pragje pa kurrfarë kumtesh.
Kisha dashtë me shkrue
për zanin që ushton brenda rrënojave
tu’i ngreh si mure gjethesh
ku i plotë e krejt i bzashëm
randon shiu i mbramshëm.
Por ti kotesh mbrenda meje
bashkë me poezinë tande,
e më len vetëm
me bardhinë e fletës
që më sfidon me plotninë e saj.
Sikur të disha çka me shkrue,
do e përmbytja plotninë e fletës
me t’çukitunën e parë të lapsit,
e do të mjaftonte nji fjalë
dhe njolla e zezë e dyshimit
do të shpërbahej në bardhí
tue damkosë edhe atë
me strofa t’randa si guri.

 

Ndërmendem me harrue

Qenia dridhet përmbi lëkurë
humbet në gojët e trotuarëve
që kafshojnë shollat e andrrave
dhe i këpusin gjymtyrët
bashkë me belbëzimet e gjetheve
pa kujtesë qiejsh.
Përgjumjet zgjohen
në vonesat e pritjes që humbet stacionet
dhe sytë fshihen mbas gjyslykëve t’mjegullës
tu diktue fatet e përmbytun
me llumin e kafes gjerbun
bashkë me agun hijerand t’sodit.
Kështu lind ndërmendja jote
nga nji bark i randë loti
që këputet në grykën e zanoreve
me buzë t’shembuna.
Kështu lindi edhe unë
në dridhjen e zanit tand,
nga gojët ku janë blue qiej
me sy t’vdekshëm.
Oh, ardhja jote rrin pezull n’kohë
e ditët përlyhen me grimca nate
vetëm me lá vetminë
që ia ka ndye duert.
Kurse malli jot asht i njelmët,
mistik si nji libër
me kopertina epitafesh
që mban n’kambë kryqet e mëkateve rrezatuem n’fytyrë.
Menatë
kur qiejt rrëzohen e gjymtohen
në terrin e syve tuej,
kur përkdheljet këputen 
e duert gozhdohen nëpër brymë
si ngjyrime shtigjesh,
kur toka flet përçart e zgjon hijet,
unë ndërmendem,
ndërmendem me harrue!

Elona Culiq - Gote e dehun..
Elona Culiq – Gote e dehun..

Shenjt i kurrzbritun

Heshtja asht nji shenjt
i kurrzbritun,
që na kûn veten
si nji përgjigje e mësueme përmendsh.
Sepse rruga asht veçse
nji orë mësimi e mungueme,
nji libër me perde muresh prej plumbi,
nji kolonë e vetme
ku mbahet shpirti,
sytë e fryma
jeme,
jote,
e atij që ma s’asht,
a ndonji tjetri që as e nesërmja
s’ka me e prue.
Pra, jeta asht veç nji turrë drush
që djegë për s’gjalli andrrat
me shpresën se hini
ka me i mësue amshimin.
Mes andrrës dhe heshtjes
gjallojnë duert,
që lindin me kumtin e lutjes
pa altar.
Ti je duert e fjala jeme,
qiri pa altar, që pret agoninë e qiellit
me zgjue kujtesat e kangëve
që kanë me lumnue sytë
e me na mësue nji vedi tjetër
qendisun me pe ajri.

Poetja Ledia Dushi
Poetja Ledia Dushi

Kush asht Ledia Dushi

Ledia Dushi (1978 – Shkodër) asht poete dhe gazetare shqiptare.
Ajo asht mjaft e njoftun për poezinë e saj të shkrueme në gegnisht dhe vlerësohet si nji ndër poetët ma të shquem të mbas viteve ’90 në Shqipëri.
Veç kësaj, ajo asht gjithashtu nji eseiste dhe prozatore. Ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi shqipe, dhe punon si gazetare.
Ajo ishte vetëm nantëmbëdhjetë vjeçe kur boton librin e parë poetik, “Ave Maria bahet lot…” (1997), e cili i solli asaj njohjen dhe Çmimin Kombëtar për poezinë ma të mirë të vitit, Penda e Argjendtë (1998), akorduar nga Ministria e Kulturës. Përmbledhja e dytë, “Seancë Dimnash” (1999), përsëriti thelbin poetik të maparshëm, strukturue rreth nji gjendjeje krejt të veçantë lidhun me fëmijërinë, dashurinë, dëshirën, përjetësi… kurse në vitin 2009, ajo botoi librin “Me mujt me fjet’… me kthimin e shpendve”
Ledia Dushi asht fituese e çmimit të Dytë me 158 pikë

Ledia Dushi Poezi
Ledia Dushi – Poezi

Ledia Dushi Autori me Nr. 017

Fituese e Vendit te Dytë me 158 pikë

***
ka me kenë mars
e bari ka me shndritë
ndër fije t’lidhuna shiu
deri t’kryhet vezullimi
ka me u ba natë
për me dalë kryepështjellun
n’mjegull shtjellë humbimi
ballit me i lëshue andrra
përpos shtrojes s’mbrame
me u këputë pendazhgulun
n’ndoj shtroje flijimi…
prej uji asgja s’vjen
heshtja na i heqë sytë
e nuk na len me pa
si rrëshqitet n’bar
kur don me kalue n’mars
e shtegu për atje
të ndih për kah Qielli
t’ligë t’plas përtokë
tue t’shti djegën
veç për ndoj Njeri

 

***
t’gjithë jemi tue vdekë
nën kët’ qiell t’pakët
e nëse çohemi ia mbërrijmë
me i vu vetë yjet retë
e me i pikue ndër pemë
siç duem me t’gjitha ngjyrat
e frymat me ujkata pa mundim
i nxjerrim krejt mushkënish
e heshtim kur lulet vinë me ra
e s’dimë me thanë “asht gëzim”
por Dielli, Dielli asht
nën kët’ qiell t’pakët
i zogjve përreth ujnash
që s’ia di andrrimin
drue veç çka lypin
kurrë s’kanë me e pa

 

***
mjeseve mundesh me ba sende me driten
me iu ruejt me ba sy e sy e sy pёr me e gjuejt
mos me marrё frymё mjeseve tue kёrkue gjumin gjithkah
mjeseve mundesh me i shtri nji kah nji lutjet gojёlangёta t’mbramjes
t’Zotave t’ngulun t’zhgrehun n’vaj pёr Lutjen n’kambё
pёr tana herёt qё s’i je dhanё qiellit t’territ tue ia zhgulё pemёt
mjeseve mundesh edhe mos me u lutё ma mbas diellit qё t’ban pёr lojё
e t’prish pёr gjumё tue pa ara e ara e ara t’lame n’ar me drapna e drapna e drapna t’zhdukun

Ervis Dimo
Ervis Dimo 

Kush ështe Ervis Dimo

Ervis Dimo (Fier – 1990), është djalosh nga Myzeqeja, i cili i përket gjeneratës së rinisë së lindur pas viteve ’90, pra atij brezit që nuk e njohu diktaturën egër, por riminishencat pasuese të saj. Të shkruarit për të, ka qenë nji nga pasionet më të hershme, i shtyrë sa nga ambienti familjar, por i nxitur edhe nga aktivitetet serioze që i kanë karakterizuar zhvillimet letrare të viteve të fundit. Mund të thuhet se Poezia mbetet Muza e tij inspiruese, edhe pse gjithnji e më shpesh po i drejtohet edhe prozës…
Ai është student i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, po njiherit edhe studiues dhe njohës i mirë i gjuhëve angleze, italiane dhe franceze, si edhe mjaft i dhënë mbas leximit të letërsisë artistike, pikturës dhe udhëtimeve…
Në konkursin e Poezisë Shqipe 2014, me plot meritë Ervis Dimo është klasifikuar si Fitues i vendit të Tretë me 143
I urojmë Ervis Dimos suksese të tjera në të përpjetën e Artit…

Konkurs i Poezisë Shqipe 2014
Konkurs i Poezisë Shqipe 2014

Ervis Dimo (Autori me nr. 019)

Fitues i Vendit të Tretë me 143 pikë

Unë jam mërkur

Do të jetojmë në Mërkur.
Do të hamë, pijmë mërkur.
E të mërkurave, ti do të jesh
një gjatësi më e vogël se tani,
ndoshta një breshkë që jeton
në shishkën time të parfumit.
Do të jesh krahë të përthyer,
me kënde përqafimi që ndryshojnë.
Unë, kurrsesi s’mund të jem aty,
sepse jam një kërthi gome,
në viscerat e një balene këngëtare,
megjithatë, aty më ke…
Përballë një telajo që djersin errësirë,
aty jam, duke të kundruar.
Do të të dua në Mërkur,
në një shtëpi afër zjarrit
bashkë me kandrrat që flatrojnë
një alfabet gulçimesh.
Ti në një ëndërrim tëndin,
me tunika mbledhur rrëmujthi,
mbjellë në mishin tënd,
do të shijosh se si unë bëhem
metal,
e shenjtorët që kanë lindur
në gjuhën tënde, presin
vërshimin e besimit se unë ekzistoj.
Flamingo të dylltë
lajmërojnë ardhjen tënde,
sepse këmbët e tyre djegin pakëz,
e atëherë e di se ti je Venus.
Je gati ti,
një natë kandrash valltare,
por do të zgjohesh vetëm e prekshme.
Do të këmbejmë zërat,
unë me retë të shpërndara
në qiellin e trupit tënd.
Re të padukshme, meqë
nuk mund të zbardhen më shumë sesa ti.
Pastaj, me dy karrota rritur
në shijen që më jep,
do të ushqej një perëndim,
me ngjyrë,
kështu që padukshmëria jote
në fund, të pikojë mërkur.

Nervus Simulacrum Leonis

Ty të përshkon një fije graviteti i përhimtë.
Në fusha ku veson grurë,
ndehet e gjallë aroma jote.
Ti je gjurma e frutit qe fshehëm.
Ti je palca erëmirë e së gjithës,
thonjtë e kruspullt që ëmbëlsojnë dhimbjet.
Të mbaj në honin e hirnosur,
si lëkura e disa peshqve,
përkundur-përkundur padukshëm,
si themelet e djepit tim mbi tokën tënde.
Buzë saj llangërojnë me shpoti lumenjtë,
që burojnë nga unë,
ku pagëzohen pulëbardhat e tua,
me krakërima të çartura.

Dëgjoj vetëm krik-krak thërrimesh
që ngrihen peshë nga era deri te sytë e mi,
sepse je një grup cingërimash boshe pa qendër.
Je brinjët e një kundrimit tim,
që merr frymë sepse ti je,
që turfullon ethshëm si në ethet e epshit tim
të lakuar, të shkrirë,
të derdhur në ty, mbi ty,
në motivet përqafuese të lëkurës tënde,
e cila lë gjurmë ravijëzuese valësh dëshire,
shpërthyer në stërkala që djersisin kuptimin
deri në surealizëm kur takohem me sy si ata,
në kalldrëmet e gërvishtura dhëmbëve të tu,
të lëkurës së buzëve të mia.

Ti je duar që zhveshin,
momenti që përkon me ndjeshmërinë e thekur
në hapësirën ku ngrin gjaku prej vetmisë pa ty,
atëherë kur arnon çatia e duarve të mia
shikime të përmbytyra në vdekjen tonë.

Ti je një substancë e gjitha për ne,
sikurse jam unë.
Je ti, jam unë…
një nxitim që përshkon mespërmes për tek unë,
për te ti,
që ngadalësohet në savana të sinqerta frike.

Tek ti burgoset lëkura ime, e mbrapshtë,
që vret pritjen për ty,
që vret të tashmen e çdo kujtim,
që pret e çjerr për të dalë me paturpësi,
duke më kujtuar se ti më vesh gjithë kockat
me mishin e jetës time,
i cili mardhet pa tringëllimën që dëgjohet
teksa përplasen shpirtrat tanë,
…i cili ngjallon me aromën tënde,
që e thyej në mijëra grimca kur mungon,
ta tres në gjakun tim,
e të ushqej mishin tim me të,
për të të ndjerë në zukamën e çdo nervi.

Tambora

Sikur ta dije ti, se
në kët’ kafkë bamboo
e qafë tufani,
më rritet një zemër e dytë,
me fijëza elektrike rrufesh
prej Mont Blanc,
nga putrat e një Zeusi çubardh,
me kërcitje të athëta këmbësh,
vizatuar me gjak të bardhë,
të mpiksur deri në porcelan.
Sikur ta dije ti, se
jam magjistar,
me një zemër parafine,
veshur me Pluton.
Im at më stisi një
gojë lakuriqe, e një
tavan qiellzor ku
gjuha këmbënyjëtuar m’endet e dehur,
si piramidë gjumashe përpëlitëse.
Sikur ta dije ti, se
kam një lëmsh të gjelbër truri,
sa herë që ime gjyshe,
tendos fijen dhe ëmbëlson
një notë sol.
Sikur ta dije ti, se
prej barkushe ulliri,
më kullojnë veshët,
me mushtin e tejdukshëm thithës
…se, ato zgavra i përpin
nata me gjuhë puthëse,
që zgjatet si vemje-muskul, bërë valë,
valë e kripur që lag me rrak-a-tak,
violat-në-kafaz, të ëmbla,
gjumëflakëse.
…se kur troket ajo,
do të kuptosh kështu,
se e përqafoj… bashkë me ty.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.