back to top
21.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Tomë Sheldija – beteja “me mbetë njeri”! nga Ilir Seci

Gazeta

Tomë Sheldija
Tomë Sheldija

Tomë Sheldija – beteja “me mbetë njeri”!

nga Ilir Seci

Ju lumtë për shkrimin, dhe komplimente për foton.
Toma ishte prej atyne që kishin realizue misionin ma të vështirë
e fisnik në tmerrin e diktaturës, “me mbetë njeri”!
Fakti që nji person pa asnji pushtet e pa asnji raport me të,
në saje të shpirtit e kulturës, hyn në historinë e nji qyteti dishmon madhështinë e njeriut,
dhe fati i tij, fatkeqsisht na ven edhe përballë me mizerjen e shoqnisë tonë të sotme e të djeshme…
Jozef Martini
E paske përshkrue me aq detaje
sa nji regjizor i mirë mundet me e ba nji film për Tomën…
Bislim Ahmetaj
 
K’ta ishin demokratët shkodranë,
sepse demokracia lind në shpirt e jo me fjalë…
Përgëzime për kët shkrim kaq të bukur e real,
pse si ky zotni shkodran, Shkodra ka pasë shumë…!
Klaudia Gargjola Shllaku
 
Tomën e kam njofte herët.
Njeri me eksperiencë të madhe dhe mjaft optimist.
Humori i tij ishte natyral, duke mos thanë asnjë të pavërtetë dhe
duke mos përmendë kurrë shprehje banale…
Alfons Scutarino Çoba
 
Një përshkrim perfekt i një njeriu kaq komplet dhe fisnik
me nje kulture europiane, si Tom Sheldija.
Respekt pa fund për kët njeri me shpirt fisnik e human,
të një qytetari të denjë e dinjitoz të demokracisë së vërtetë pa shirita komuniste…
Franc Nogaj
 
Sa mirë e ke përshkrue
e sa mirë që je kujtue për kët njeri të veçantë.
Provimet e vërteta aty i kena dhanë!
Klodian Kojashi
 
Me kët shkrim me bëre ta takojë Tomën për gjithë ato minuta që e lexova tekstin
dhe me bëre të kem dëshirë ta takojë prap, në shkrimet tuaja…
Paske qenë me fat mor bac, me pas një mik si Toma e miqtë tjerë si Nika e Ernesti…
dhe je me nder që i kujton e nderon sot këtu!
“I nderuemi të nderon” – thotë nji fjalë popullore këndej nga Dukagjini.
Niq Krasniqi
 
Kam punua me Tomën afër 3 vjet.
Kam kujtimet e njeriut shumë të veçantë.
Kur e lexoja artikullin m’u duk se bisedoja me Tomën
por kur e pashë në foto, mu duk vetja i privilegjuar që kam pasë shoqni me Tomën…
Kol Vushaj
.
Ilir Seci në shoqëri të Xhoisit
Ilir Seci në shoqëri të Xhoisit
Në nandorin e vitit 1991, na studentët e Universitetit të Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, patëm ba nji grevë urie, si protestë sublime ndaj kushteve tepër të mjerueshme në të cilat jetonim në konviktin e djemve, në lagjen Zdrale, Shkodër. Pa dashtë me u zgjatë lidhun me grevën e urisë, due me shkrue për nji mik që fati e pruni me e njoftë bash njato ditë, gjatë asaj greve…
Për Tomë Sheldinë.
Menjiherë sa nisi greva jonë e urisë, nji grup përfaqësuesish të shoqatës së përndjekunve politikë të Shkodrës erdhën fill dhe na mbështetën, duke u solidarizue me ne studentat tanë kohës. Në çdo orë të ditës apo natës ata ishin aty, rasti e pruni me njoftë disa nga burrat ma të mirë që kam njofte najherë në jetë, si Nikë Pavaci, Tomë Sheldija, Ernest Përdoda, burra me disa prej të cilëve u bamë miq, burra për të cilët sot kësaj dite e quej veten njeri me fat që hullia e jetës mi pruni në shteg…

Grevën e Urisë e patëm mbajtë në Auditorin Numër 1, auditor që mbas vitit 1992 e patëm emnue auditori “Atë Pjetër Meshkalla”, në nderim te gjigandit Atë Meshkalla, i cili kje “denoncue” nga komunistat bash aty, në atë auditor, në nji farsë të turpshme ideologjike të cilën Atë Meshkalla e pati zhvleftësue me kurajon e rrallë që e karakterizonte…

Mbasi kishim kalue nja tetë ditë në grevë urie në auditorin Numer 1, tetë ditë moskokëçarje totale nga ana e qeverisë së asaj kohe, mbas nji proteste masive të qytetarëve të Shkodrës në mbështetje të grevës tonë, na vjen lajmi se ma në fund do vijne në takim me ne, dy përfaqësues të qeverisë, ministri i arsimit i asaj kohe Maqo Lakrori si dhe nji perfaqesuesi i komisionit parlamentar per arsimin i quejtun Aqif Pilafi…
E kujtoj si sot, se sa hoka bamë at ditë me mbiemnat e dy përfaqësuesve të qeverisë komuniste, Lakrori dhe Pilafi, mbiemna aspak të përshtatshëm për takim në nji grevë urie… por kët sens humori kishin komunistët, çka mund pritej tjetër prej nji qeverie te dekretueme nga Ramiz Alia!? Se mos ishte hera e parë që Byroja Kriminale tallej me shqiptarët!?
Mbasi i lejuam të vijne në takim me ne, përfaqësuesit e qeverisë dhe parlamentit, Lakrori dhe Pilafi, hynë në auditor, tingëllonte jo si me qenë perfaqësi qeveritare, por si menu lokali vetëshërbimi…
Në auditor ku mbahej greva kishte një podium që shërbente si foltore për pedagogët dhe aty në atë vend kishim nja shtatë a tetë karrige ku uleshin ata që vinin me na vizitue. Në momentin që hyjnë ne auditor Lakrori me Pilafin, dy zotnitë Tomë Sheldija dhe Nikë Pavaci u çuen në kambë me ua lirue vendet… U çuen në kambë me mirësjelljen karakteristike si zotni qytetarë shkodranë që ishin, jo për gja tjetër…
-Shazoten jo në ta, nuk jeni tue u çue ju për Maqo Lakrorin e Abdyl Pilafin! – u thashë unë, – Le të rrinë në kambë ata tash, se boll keni ndejtë ju në kambë 47 vjet për Maqot e Gaqot! Tash ju me ndejtë ulun e Lakrori me Pilafin të nisin me u mësue se si asht me ndejte në kambë!
Dy përfaqësuesit e qeverisë ndejtën në kambë e mbasi ua parashtruem kërkesat tona, ikën…
Prej asaj dite mbetëm miq me Tomën, sa herë e përmendte kët gja kur rrinim bashkë… Dhe në ato vjet që jetova në Shkodër, baheshim shpesh me ndejtë bashkë. Toma ishte nga ata njerëz të cilët gjithmonë ke dëshirë me i takue, nga ata miq për të cilët gjithnji gjan kohë edhe kur nuk ke kohë, sepse me dëshirë len diçka pa ba, e len nji punë pa e krye vetëm e vetëm me ndejtë me tè.
Ishte burrë shumë i ditun, plot kulturë, shumë i lexuem, ndeja me të ishte gjithëherë kënaqësi. Mosha nuk ishte pengesë për Tomën, ishte kaq koherent, gjithnji në korrent me ngjarjet. Me Tomën mund të diskutoje për mesazhet religjioze që msheheshin në pikturat e Van Gogh-ut, nga Toma pata mësue ma se pari se piktori Vincent Van Gogh kishte qenë ne fakt njeri mjaft religjioz. Mund fliste me orë të tana për argumentet morale të Kantit mbi ekzistencën e Zotit, njihte mjaft mirë mendimin filozofik. Por jo vetëm mendimin filozofik, Toma mundej me recitue në anglisht vargjet e poetit Bob Dylan, të kangës, ”Knocking on heaven’s door”, (shqip “Trokitje në derën e parajsës”), gjithnji në rrjedhë edhe me ma të rinjtë. Toma kishte lexue shumë dhe vazhdonte e lexonte shumë, mbas vitit 1991, sa herë që iu dha rasti me shkue në Itali kthehej me valixhet mbushun me libra. Kur mbrriti që me pasë ndikim të disa shoqata të lidhuna me Kishën Katolike në Shkodër, bani çka ishte e mujtun me e hapë nji librari në qendër, të fillimi i rrugicës në Gjuhadol sa kthehesh prej Dugajve të Reja. Aty e gjaje Tomën deri sa e la fuqia…
Toma kishte pasë nji jetë shumë të vështirë, në kohë të diktaturës komuniste, ishte burgose nga regjimi komunist qysh në shkollën e mesme, kjo kishte ndodhë kur Toma bashkë me disa moshatarë të vet, nxanës të shkollës së mesme kishin dalë në protestë për me bllokue karvanin e kamionave serbe që po shkonin në drejtim të Jugosllavisë, mbushun përplot me mallnat e “konfiskueme tregtarëve armiq shkodranë”, nga ana e pushtetit popullor. Toma me diftonte se si shpia e sekretarit të parë të Partisë Komuniste Jugosllave për Malin e Zi, në Podgoricë, ishte mobilue me orenditë e vilave të tregtararëve “armiq” shkodranë, orendi që gjoja ishin “konfiskuar nga populli”.
.
Studentë të Institutit të Shkodrës - Barbullush 1988
Studentë të Institutit të Shkodrës – Barbullush 1988
-Deri edhe pllakat e banjove të vilave të tregtarëve shkodranë i kishin hjekë dhe nisë drejt Malit të Zi! – më diftonte Toma, – nji servilizëm neveritës i komunistëve shqiptarë ndaj Jugosllavisë së Titos. Prandaj na si nxanës të shkollës së mesme u ngritëm me ndalue ato karvane turpi, që po plackisnin pasuninë tonë kombëtare dhe ua nisnin dhuratë jugosllavëve!”
I arrestuen të tanë organizatorët dhe pjesmarrësit e asaj proteste, të tanë përfunduen në burgje, tue u shpallë armiq dhe mbas daljes nga burgu i priti damka e reaksionarit që i ndoqi tanë jetën sa zgjati diktatura. Pavarësisht përgatitjes së madhe intelektuale, formimit perëndimor e kulturës së jashtëzakonshme, ata duhej me e quejtë veten me fat për me gjetë punë në ndërtim si punëtorë krahu. Gjaja që më bante shumë përshtypje te Toma ishte se nuk mbante mllefe, pavarësisht jetës së vështirë, kishte mujtë me mbajtë shpirtin e pastër, kur ndonji mik i joni nësa pijshim kafe bashkë, shprehej se “Duhet me ua ba të bijve të komunistave të dekun atë gja që na e kanë ba ata ne!”, Toma hidhej tue thanë:

-Jo, asht e saktë ajo që ka thanë psikoanalisti amerikano-hungarez, Thomas Szasz, se “Dy gabime nuk e bajnë nji të drejtë!”, (Tëo ërongs don’t make a right.”), na nuk duhet me përseritë atë që banë komunistat, për në daçim me ecë para. Na e kena nji shans me u diftue njerëzve se demokracia asht e vetmja mënyrë në të cilën njerëzit munden me jetue të lirë, me u realizue si qenie me aq sa asht e mujtun me u realizue në këtë planet. Si asht në Perendim…

Jeta e kishte përplasë shumë dhe gjithnji habitesha se si kishte mujtë me e ruejtë atë dozë të fortë optimizmi, njeri aq i palodhun, gjithnji në përpjekje me ba diçka. Edhe te greva jonë erdhi qysh në fillim, rrinte me orë të tana, vinte në çdo kohe e mundohej me na u gjindë afër. Kur them optimist nuk duhet me e ngatërrue optimizmin e tij me optimizëm naiv, jo Toma ishte shumë racional në mendime, qysh në vitin 1991, Toma shprehej me mosbesim për drejtuesit e forcave të reja demokratike që dolën në skenën politike…
-Kanë kenë sekretarë partie e komunista të betuem mor burrë – më thonte sa herë kur banim diskutim, – te demokratët e ka marrë drejtimin njeri që ka ba be për PPSH-në, te republikanët e ka marrë drejtimin njeri që ka ba namin për Sigurimin. Kjofsha i gabuem por prej këtyne unë nuk pres gja të mirë!…Dhe sa herë kujtonte atë që kishte thanë Vaslav Haveli për “komunistët e kthyem në antikomunistë…”
Deri në atë kohë nuk kisha pa ndonjiherë njeri ma jo-opinionist, i pa ndikueshëm nga opinionet, kur dikush na bashkohej në tavoline në kafene e sillte ndonji lajm, Toma fill ia vinte në dyshim:
-A ke kenë vete aty apo me të thanme?!
-Jo për krye të këtij e atijna, ma ka thanë filani që nuk rren, e filanit që nuk rren, ia ka thanë filani që shkon çdo të diele në kishë.”
Aty Toma hidhej:
-Varet për çka shkon në Kishe mor bir. Se do gjind shkojnë në kishte se besojnë me të vertetë e do tjerë shkojnë se kanë kaq shumë mëkate dhe i ka zanë frika…!
Toma ishte besimtari ma model që kam njoftë ndonjiherë, fenë e mban personale e kur baheshin diskutime për probleme religjioni, ishte i hapun, diskutonte dhe asnjiherë nuk e pashë të mbrohej mbas dogmave, kjo gja sa herë i çarmatoste ato persona që mjet kryesor kishin pikërisht dogmat. Për shëmbull qillonte që me na ardhë në tavolinë ndonji person dhe me gazetë në dorë thoshte:
-Shikjone këtë artikull pash besën… Hulusi Hako prap ka shkrue kundër fesë!?”
Dhe Toma ia kthente:
-Ndigjo mor bir, unë ma respekt kam për njikto komunista që vazhdojnë me mbajtë bindjet e veta e mbrojnë idetë e tyne si ma përpara, sesa për njata telat e përdredhun që deri dje sulmonin fenë e sot i gjan në rradhë të parë në kishë!”
Toma kishte cilësinë me t’i thane gjanat copë në sy, ta thote në sy “më pëlqen kjo ose nuk më pëlqen kjo tjetra!”, Toma nuk njihte furça, as e kishte problem se i vinte keq tjetrit kur ia plaste copë në ftyrë. -Ndigjo Ilir, na kena krijue nji kulturë shumë të keqe të mosthanies së vërtetës, a e din sa dam na ban kjo? Sepse tue mos ia thanë tjetrit copë në sy e lamë me vazhdue me gabue e kjo mbasandej na merr në qafë atë e ne bashkë me të, sepse kena me jetue në nji shoqni që përbahet nga njerëz që vazhdojnë me gabue e kush nuk ua ven re. Duhet me fillue me e ndryshue këtë praktike kaq të damshme që e kena.”. Plot njerëzve u vinte keq kur ua plaste copë.
.
Shkodra e viteve Dyzetë
Shkodra e viteve Dyzetë
-Tomë vetëm ti je tu me thanë kështu se kurrkush tjetër nuk më ka thane kështu! – hidheshin disa, e Toma qeshte.
-Unë nuk jam hipokrit e as kam njet me u ba. Ne dashtë të të vijnë mirë ne dashtë të të vijnë keq!”
Shkonte rregullisht nëpër aktivitetet kulturore në Shkodër, promovime librash, ekspozita arti, koncerte, dhe gjithnji jepte mendimin e vet copë…
-Na mbytën mor Ilir – me thonte sa herë, – këta kur ta dhurojnë nji libër, kur ta dërgojnë nji ftesë për ekspozitë ose koncert, sikur të kërkojnë medoemos kompliment?! O më jep kompliment ose mà mirë mos hajde hiç?! U vjen keq kur u thue se libri asht i dobët, kur iu thue se pikturat nuk janë të arrituna apo koncerti duket sikur asht ba për ngut…!
Sa herë vinte në tavolinë e më thoshte copë: “Ilir kët artikull tandin nuk e kam pëlqye!”, por gjithnji duke renditë arsyenat pse nuk qëndronte, asnjiherë kritikë e pa argumentume. Kur diçka i pëlqente të kërkonte vetë derisa të gjente e ulej tanë shend në tavoline “Kjo po me ka pëlqy…!” Kishte nji humor të hollë, shumë inteligjent gjithnji në momentin e duhun…

Toma ishte kundër abortit, nji rast po lexonte nji artikull të nji autorje feministe franceze që mbronte abortin dhe ishte kundër lindjeve të shpeshta: “Sepse lindjet damtojne eshtnat e legenit”, “Po ti shif mor Ilir çfarë emnit i kane vu njiherë ma së parit, “legen”… ku janë kujtue mor burrë!?”

Sa herë e ndigjojshe duke folë e diskutue e mendojshe se sa fatkeqsi ishte që shoqnia shqiptare nuk kishte ma shumë njerëz si Toma, nuk kishim njerëz si Toma por ishim një shoqni e ngulfatun në konformizëm, shoqni aprovuese e të keqes, mos me ia prishe qejfin kujt, “pse me ba armiq kot nasi kot”, mendime që në fund i pëmbyllsha me keqardhje për Tomën. Me keqardhje për Tomën sepse shoqnia shqiptare ku ai jetonte nuk i meritonte njerezit si Toma… Ai sa here më kujtonte vuejtjet e Diogjenit në Athinen e Lashtë… Kur Toma ulej në tavolinë për kafe, nxirrte qesen e duhanit të lirë, duhanit që e pinte me llullë dhe kurrë nuk pranonte me marrë cigare të shtrenjta me filtër që ia zgjatshin, “Nuk due me u mësue keq mor bir!”… Me vinte keq për at njeri të rrallë që fati e kishte qitë me lindë në kohën dhe vendin jo të duhun për të, anipse kurrë nuk e ndjeva të ankohej për fatin e vet. Sa herë e kqyrsha me veti mendoja sa dramë asht me qenë përpara kohës tande, me ditë me u orientue ne mjegullën e paqartësisë kolektive, me pasë mendime të kjarta në kohna turbullinash shoqnore.
Mbas vitit 2001, sa herë që kthehesha nga Amerika, gjeja kohën me e takue te libraria që mbante hapun në krye të rrugicës së Gjuhadolit… nuk e lejsha pa u takue me Mikun e rrallë me të cilin ndeja prej disa orësh kalonte si me kenë dekika…
6 dhjetor 2018
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.