back to top
12.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

“Titanic sub” humbi për të njëjtat arsye e në të njëjtin vend si “Titaniku” – nga Avis Gjyshja

Gazeta

Imazhi i "Titan Submarine"
Imazhi i “Titan Submarine”
“Titanic sub” humbi për të njëjtat arsye e në të njëjtin vend si “Titaniku”

nga Avis Gjyshja

Herët, mëngjezin e së enjtes së 22 Qershorit, dikush telefonoi dhe la një mesazh në messengerin tim ku thoshte se ishte një redaktor i departamentit të lajmeve në RTSH dhe donte një intervistë në “skype” lidhur me nëndetësen “Titanic sub” e cila ishte shpallur e humbur gjatë një tentative për t’u ulur në rajonin e mbetjeve të Titanikut.
As më njihte dhe as e njihja dhe më bëri përshtypje jo të mirë mënyra paksa urdhërore se si po e kërkonte atë intervistë, plus që pse duhej të vinin deri tek unë në anën tjetër të botës kur edhe shokët e mij në Shqipëri mund të përgjigjeshin njëlloj për të njëjtat pyetje si edhe unë.
Pa u menduar gjatë ju shkrova mbrapsh dhe ju thashë se nuk e njihja mirë rastin dhe kështu që nuk mund t’i përgjigjesha pozitivisht kërkesës së tyre.
Po atë ditë autoritetet deklaruan dhe katastrofën e nëndetëses Titan.
Çuditërisht ndjeva gëzim dhe lehtësim. Të paktën viktimat e incidentit nuk po vuanin më kurse ata që bënin biznes me “varrin e Titanikut” duhet të kishin marrë një mësim të mirë.
Që në fillim, kur lajmi për humbjen e nëndetëses, pushtoi mediat e vendit ku jetoj, duke i ditur thellësitë ku gjendej “Titaniku” unë e dija se pavarësisht zhurmës rreth kërkimeve, orëve të rezervës së oksigjenit etj mbijetesa kishte zero përqind mundësi. Isha aq i bindur sa besoja se edhe ekipet e shpëtimit, që të detyruara nga presioni ndërkombëtar dhe procedurat rreth ngjarjes, bënin sikur kërkonin, por kishin zero % shpresë gjithashtu.

 "Titan Submarine" para nisjes
“Titan Submarine” para nisjes

***
Të gjithë ne e kemi nga një vend që quhet shtëpi e që na tërheq pareshtur. E imja, është vëndi ku kam lindur dhe që gjëndet në anën tjetër të botës – një arsye kjo që më bën të fluturoj shpesh. Dhe duke fluturuar me linja të ndryshme mua më ka ndodhur që të kaloj edhe mbi ujrat poshtë të cilave dergjet “Titaniku”. “Titaniku”, u fundos pas përplasjes me një ajsberg, diku rreth 370 milje detare në jug të brigjeve të Newfoundland, në Atlantikun e Veriut. Kjo ndodhi më 15 Prill 1912 dhe unë e di atë vend, ashtu siç di edhe vendin, ku jo shumë larg tij, gjendet edhe nëndetësja “Thresher”.
Për “Thresherin” mësova vonë kurse për “Titanikun” kisha dëgjuar që fëmijë,
Por të parin përjetim serioz mbi katastrofën e tij e kam ndjerë vonë në Pasha Limanin e kohës së nëndetëseve. Dhe kjo ndodhi kur RTSH e asaj kohe çfaqi filmin “A Night to Remember”, një film britanik me temë katastrofën e “Titanikut”.
Ishte veç një film, por gjatë skenave kulmore të tij unë mbyllja sytë ose dilja nga salla e televizorit – aq i thellë qe tek unë përjetimi i asaj ngjarje të kobshme të detit.
Natyrisht që më vonë jam ndeshur edhe me shumë materiale të tjera rreth asaj tragjedie, kam lexuar libra e artikuj dhe bile kam shkuar edhe deri në Halifaks të Kanadasë për të parë vend varrimin e një pjese të viktimave të “Titanikut”.
Për mua, midis gjërave të paharruara rreth historisë së asaj tragjedie, është edhe filmi “Titaniku” i James Cameron, i cili përveç të tjerave mbahet mend edhe për rolet e Leonardo Di Caprios e të Kate Winslet si dhe për kollonën zanore me këngën “My Heart Will Go On” të kënduar nga Celine Dion. Por unë e dua atë film dhe për faktin se James Cameron është edhe vetë një zhytës i shkëlqyer dhe me shumë eksperiencë i thellësive shumë të mëdha.
Unë nuk kam lundruar kurrë mbi rrënojat e Titanikut, por greminën 3810 metra të thellë poshtë asaj faqeje të zymtë oqeani të cilën e kam parë vetëm që nga lartësitë e avionit, e përfytyroj thellësisht të trishtuar dhe të mbështjellë me një ndjenjë të vagëllt frike që më vjen ca nga thellësia e madhe dhe ca nga fantazmat e imagjinuara të shpirtërave të viktimave që më duket sikur enden pa ngushëllim në errësirën e përjetëshme e të akullt të Abyss. Kujtoj dhe James Cameron kur thoshte se atje poshtë, në atë vend të kobshëm e krejtësisht të shkëputur nga bota reale, atij i qe dukur vetja si qenia njerëzore më e vetmuar e planetit.
Dhe gjërat që ai pa atje, qenë aq të rënda, sa duke mos i mbajtur dot brenda vetes ai i ndau me të tjerët duke bërë filmin “Titaniku”.
Unë kisha kohë që kishja dëgjuar që kompania “OceanGate” bënte biznes duke organizuar vizita tmerrsisht të shtrejta e shumë të rrezikshme në vend prehjen e Titanikut dhe nuk e fsheh të them se qeshë ndjerë keq e i kisha urryer ata njerëz që kërkonin të bënin para në mënyra të tilla. Dhe megjithëse kisha kërkuar shumë përmes internetit, informacioni që kisha mundur të gjej, lidhur me mjetet e tyre nënujore, kishte qenë i pakët dhe i paplotë.
Tani ne e dimë se “Titanic sub”, ishte projektuar për t’u zhytur në zonën e thellësive Abyss, zona nënujore që përmbledh thellësitë nga 3000 deri 6000 metro. Poshtë Abyss në thellësi më të mëdha se 6000, metra është Hadal, zonë e cila bashkë me Abyss janë shumë pak të njohura dhe konsiderohen si mbretëri të vdekjes e të errësirës së përjetëshme. Ata që ja u vunë këta emra atyre thellësive e dinin mirë se çfarë donin të thonin. Abyss do të thotë pus pa fund kurse Hadal ka si rrënjë emrin e Hadit, perëndisë së vdekjes dhe të nëntokës në mitologjinë greke.

Pesë Personat që humbën jetën në Titanic Sub"
Pesë Personat që humbën jetën në Titanic Sub”

Dhe e vetmja gjë që unë mund të them tani, është se, nga ato pak informacione teknike që kisha rreth “Titanic sub”, parandjeja ime ka qenë e keqe. Parandjeja nuk është fakt dhe as provë, por mua “Titanic sub” më qe dukur si një gjë e paarrirë teknikisht dhe për më keq edhe një produkt i nxituar i pangopësisë për para.
Që në lajmin e parë unë menjëherë mendova se kish ndodhur implosion, që i thënë ndryshe do të thotë shkatërrim i nëndetëses nga presioni i jashtëm. Që të dështojnë njëherësh të gjitha sistemet e pavarura njëri nga tjetri, ai i komunikimit, ai i navigimit dhe ai i gjurmimit do të thotë se kish ndodhur shkatërrimi i nëndetëses. Pyetja e vetme, përgjigjigjen e së cilës unë besoj se e fshehën për qëllime taktike, ishte se ku ishte regjistrimi akustik i zhurmës së shkatërrimit. Vetëm të enjten, kur flitej se njerëzve atje poshtë po ju mbaronte oksigjeni, një zëdhënës i marinës së SHBA i tha CBS News se ata kishin kapur një anomali akustike që përputhej në kohë me momentin kur nëndetësja humbi kontaktin me sipërfaqen. Megjithatë shtypi thotë se informacioni i ishte përcjellë në mënyrë të fshehtë ekipit të Rojes Bregdetare të SHBA, i cili nuk e publikoi, por e përdori atë për të ngushtuar rrezen e zonës së kërkimit së nëndetëses së humbur.
Për ata që nuk e dinë, unë dua të shtoj, se nisur nga përmasat dhe forma e deklaruar e nëndetëses, sipërfaqja e jashtëme e trupit të fortë të saj ishte rreth 60 metra katrorë dhe në thellësinë 3500 metra ku dhe u shkatërrua gjatë zbritjes, presioni i jashtëm është 358 kg/cm2, gjë kjo që të jep mundësinë të llogaritësh forcën katastrofike shtypëse totale për gjithë nëndetësen prej 2.148.000.000 kg. Kompania thotë se nëndetësja ishte e llogaritur të përballonte shtypje të tilla, por fakti tregoi se kjo ka qenë e pavërtetë.
Duket si një ironi e tmerrshme e fatit që nëndetësja “Titanic sub” humbi për të njëjtat arsye e në të njëjtin vend me “Titanikun”. Dhe të dyja katastrofat erdhën se nuk u respektuan paralajmërimet. Shumë kohë para katastrofës, njerëz me reputacion nga komuniteti i zhytjeve të thella, nisur nga informacione të sigurta teknike i kishin shkruar një letër kompanisë “OceanGate” ku thuhej se “ju po ndiqni një rrugë që shkon drejt katastrofës”.
Media gjithë këto ditë ka thënë se: “Titanic sub” nuk ishte as e çertifikuar, ndërsa kompanija “OceanGate” po mbrohet duke thënë se kjo nuk ka qenë një kërkesë e detyrueshme ligjore për projektimin dhe ndërtimin e mjeteve të tilla. Ndërkohë shoqata të ndryshme nga gjithë bota po kërkojnë ndalimin e përdorimit të vend ngjarjeve të tilla historike si ky i mbetjeve të Titanikut, për qëllime përfitimi.
Personalisht do e prisja me gëzim një ndalim të tillë. Sepse si njeri me lidhje me detin dhe nënujin, më dhëmb kur prishet qetësia e shenjtë e fund deteve.

Marrë nga muri i FB Avis Gjyshja, 24 qershor 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.