back to top
23.5 C
Tirana
E diel, 14 Prill, 2024

Tallazet harrohen… po dhimbja mbetet – Lek Përvizi rrëfen vetveten në të 95 vit të jetës… dhe një falenderim nga Jozef Radi

Gazeta

Lek Pervizi - Autoportret
Lek Pervizi – Autoportret

Lek Përvizi hyn te personalitetet më të spikatura dhe më të rëndësishme të kulturës dhe historisë shqiptare në kapërcyell të dy shekujve: atij të XX dhe këtij të XXI, pse fati e desh që Ai të linde në prag të Viteve ’30, epokës së artë të kulturës shqiptare, dhe të jetë dëshmitar i gjallë mbs një gjysëm shekulli persekutim të egër, po në prag të Viteve ’30, të një tjetër shekulli ku me dëshpërim do të ndiqte kohën “demokratike” të shpopullimit masiv të shqiptarëve dhe ikjes së tyre nëpër botë.
Në kët fillimmarsi të 2024, Lekë Përvizi festoi 95 vjetorin e lindjes së tij, e ajo çka të bjen në sy mbasi lexova pjesë nga numri i “KuqeZisë” është vullneti i tij i hekurt, mendja e kthjellët, dëshira djaloshare për ta vazhduar i paepur misionin e tij të shkrimeve dhe botimeve me revistën emblematike “Kuq e Zi” si dhe mesazhet optimiste që përcjell, duke mbetur një model i artistit antikonformist, për të cilin e vërteta është e shenjtë dhe e shtrenjtë…
Duke qenë se kam pasur fatin të ndaj mjaft kohë pranë kësaj figure epike, dhe e njoh mjaft mirë krejt veprën dhe kontributet e artistit Lekë Përvizi, mund ta quaj pa droje jo thjesht Piktori i Kampeve, po Njeriu Emblemë i Qëndresës Intelektuale… dhe çdo popull dinjitoz do të mburresh e do ta shenjtëronte në Panteonin e e Vlerave Kombëtare një figurë të tillë!
E lexova me shumë kënaqësi dhe po e përcjell dashamirësisht këtë shkrim të tij, ku Ai si një Patriark na përshëndet të gjithëve nga lartësitë e 95 viteve dhe na dëshmon se mosha për të është thjesht një shifër, mbasi ai nuk merret më me të por vazhdon të kontribuojë në të përpjetën e fatit tonë si një Sizif ndaj edhe ky numër i veçantë i revistës “Kuq e Zi” është një shembull i rrallë.
I uroj nga zemra Lekë Përvizit edhe shumë vite, edhe shumë kontribute në pavdeksinë e tij tashmë të shpallur, si një shpirti që do të mbetet përjetësisht djaloshar!
jozef radi, 29 mars 2024

Lek Pervizi - autor i librit "Rrathët e Ferrit"
Lek Pervizi – autor i librit “Rrathët e Ferrit” (pikt. Leonard Pervizi)
Tallazet harrohen… po dhimbja mbetet
Lek Përvizi rrëfen vetveten në të 95 vit të jetës
Redaksionale e revistës “Kuq e Zi” që ai ende e drejton…

Mueji Mars nisi me 95 vjetorin e ditëlindjes së të nënshkruemit, ende drejtor i revistës “Kuq e Zi”. Një dhuratë e çmueshme e t’Madhit Zot, i qofshim falë…
Kjo jetë e gjatë, nuk asht se ka kalue njashtu fjollë, e gjithsesi normale dhe e bukur. Si shembëll, ajo i ngjan asaj barkës o anijes që niset me detë të qetë vaj, po që papritmas e zanë stuhitë qiellore e tallazore, dhe e vënë në rrezik të përmbyset. Por ja, që qielli e deti rikthehen gjendje normale e të qetë, dhe ajo mbrrin në bregun e shpëtimit… për ku ishin nisë. Stuhitë e tallazet harrohen… dhe jeta vazhdon të lulëzojë përsëri, mes miradinave që njerëzimi i ka krijue edhe për mirëqenie e begatinë tonë…
Ky përshkrim alegorik, i përshtatet fort bukur jetës reale të njeriut, e në mënyrën ma të vërtetë, vetë jetës sonë… e që në kuptimin e vetvetes, sigurisht përfshihet familja, të afërmit e shoqnia.
Eh, të dashtun lexues, alegoria u kthye në ngjarje reale faktike. E ndërsa jeta kishte fillue e mbarë, e me perspektiva të kënaqshme, si për vetveten, familjen edhe shoqninë, na erdh kataklizma, përmbysja. Lufta Botnore, e cila e përfshiu njerëzmin, duke mbjellë armiqësi midis popujve. Bota u nda në të mirë e të këqij. Në Kainë e në Abelë. Në këtë rast, Kaini mori emri Komunizëm revolucionar, e Abeli demokrat paqësor, ku u gjendëm edhe na të përfshimë.
Nuk po merremi me botën, por me vetveten si shqiptare që jemi. Komunizmi në Shqipni mori tiparet e dinozaurve, të përbindashve gllabërues. Dhe i nënshkruemi bashkë me mija të tjerë u përfshinë në kënetat e monstrave me tipare njerëzore e huqe kafshërore.
Kemi tregue mjaft se si shkuen punët në Shqipni. Por meqë asht fjala për të nënshkruemin, edhe ai u katandis si mos ma keq, duke e kalue at lloj jete skëterrore, ndër burgje e kampe internimesh, ku mund ta kishte lanë edhe jetën, si shumë bashkëvuejtës të tjerë që e pësuen dhe e humbën at jetë që Zoti ua kishte falë, por që robi ua grabiti me përdhunë. Ne, vërtet që ia dolëm mbanë njasaj stuhije mortore, po ama lamë mbas nji ushtri të tanë nën dhè me varre e pa varre. Nuk po hyjmë në detaje, se lexuesi i ka fort të kjarta ato situata të rrënqethshme, ku të gjallë e të vdekun ecnin sëbashku alegorisht e dhe përfundimi, (përsëri alegoria) na mbrritëm në brigjet e shpëtimit dhe i shpëtuam stuhisë tallazore. Tash, në moshën thuejse shekullore i them vetes: A jemi, a s’jemi ne?! Si u ba e mundun kaq vjet, dhe me nji trishtim të madh. E thuej si të thuesh, po kjo asht jeta, me të mirat e të kqijat e saj. Shikojmë se shumë prej bashkëvuejtësve, me të cilët ndamë vuejtjet dhe mundimet nuk janë ma… Ia bana kët jetëshkrim vetes, si alegorikisht njashtu edhe faktikisht. Tash le të vazhdojmë me revistën “Kuq e Zi”, me kalue dhe këto vjete që na mbeten, për me përmbushë nji si detyrim që ia kemi ngarkue vetes, me qëllim të rimëkambjes prej shkatërrimit që komunizmi i shkaktoi Shqipnisë dhe krejt shoqnisë së zgjedhur (elitare) sëbashku me popullin.
Me rastin e 95-vjetorit, më erdhën këto mendime, të pëlqyeshme apo të papëlqyeshme. Njerëz jena, e bashkë me të mirat, mbajmë dhe të metat. “Errare humanum est…”, thotë latini, dhe na e mbështesim kët thanje, që pak a shumë na shoqnon si justifikuese i veprimeve tona, ku edhe mund të gabojmë.
E mbyllim kët shënim për t’iu kushtue realitetit ku jetojmë. Për ne, ky realitet, reflektohet në jetën që kemi rifitue në Belgjikë, me liri e demokraci, shoqnue me respektin dhe njohjen e të drejtave themelore të njeriut, që komunizmi nuk i njifte, na i mohonte dhe na shtypte mizorisht, me terror, dhunë e krime të shëmtueta.
Ndërkaq vazhdojmë të merremi me materialet e tjera për revistën “Kuq e Zi”, ku paraqitëm nji si hymje për kët numër të revistës. Dhe gjykuem se duheshin edhe nja dy fjalë për të përndjekunit politikë, që janë strumbullari i revistës “Kuq e Zi”. Përveç faktit se ata e fituen lirinë, mbas shumë vjet vuejtjesh, vjen pyetja: A i fituen vërtet të drejtat e tyne themelore?! Eh, mjerisht, rezulton që jo! Si asht e mundun? Në ç’kuptim, thuhet, a nuk iu mjafton fakti që ata u shpëtuen burgjeve e kampeve të përqëndrimit dhe sot gëzojnë lirinë e pakufizueme, sa që nga qelitë e burgjeve bredhin nëpër botë sipas qejfit?!
Po, kjo asht e vërtetë, por, me nji kleçkë.
E drejta asht se ata, që meritonin të merrnin frenat e shtetit në dorë për drejtimin e vendit, tashmë i lirë e demokrat, u qitën jashtë loje. Mbetën si peshku pa ujë ose në zall. Ishin po ujqërit qimekuq, që e morën shtetin në dorë e duke ndërrue qimen e kuqe në blu o rozë, (por pa ndërrue vesin). “Ju të përndjekunit rrini rehat e mos pretendoni, sepse jemi ne që ju përfaqësojmë, ju veç na jepni votat…!!!”
E kështu ndodhi si ajo që thuhet: vathës iu vu roje ose bari, ujku qimekuq!! Kështu që të përndjekunve, duke ua fërkue paksa shpinën, e marrë me të mirë, s’iu mbeti tjetër veçse të njihen moralisht e t’iu qahet halli për vuejtjet që pësuen.
Ndërsa ujqërit, po ujqër mbetën, paçka se e ndrruan qimen në blu o në rozë. Lene pastaj që përveç anës morale, ata mbetën me gisht në gojë nga ana materiale!! As ua kthyen pronat dhe as i morën dëmshpërblimin e plotë të viteve të burgjeve e kampeve.
Ndërsa nji pjesë e tyne vdiqën pa marrë asgja.
Fati, por e drejtë të thuhet Zoti, i mëshiroj duke i ndihmue ta marrin veten me forcat e tyne, moralisht, siç asht dhe puna jonë me revistën “kuqe Zi”, e mundësinë e shkrimit e të botimit të librave, kushtue asaj jete të humbun, po edhe asaj të fitueme mbas nji gjysme shekulli, shumë të gjatë!
Qoftë lëvdue e nderue i madhi Zot!

Marre nga Revista Kuqezi, nr. 180 (Special)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.