back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Sot asht nji ditë e tmerrshme! Gje-ze-ko

Gazeta

Gje-ze-ko 2013
Gje-ze-ko 2013

Sot asht nji ditë e tmerrshme! Gjezeko  

Sot asht nji prej atyne ditve në të cilen njeriu merr vesht se ka sëmundjen e keqe, e të pashërueshme. Sot asht dita që nguli në shpirtin e nji kombit të mirnjohun, metastazat e së keqes. Si sot, para shtatë dekadash e keqja erdh nëpërmjet gjarpnijve të orientit sllav dhe hodhi rranjë në nji shpi kryeqytetase, në nji ditë krejt banale vjeshte. Ishte nji ditë plot shi dhe mjegull, si nji laborator avujsh kimikë, ku mbramja nxorri jashtë në terr nji krijesë mostruoze. Sot, në fund të kësaj dite të dhunueme, frankenshtajnët e saj shkuen nëpër bordele me përhapë tërbimin e rradhës. Në kët ditë, kur e keqja i vendosi maskën e mumjes qytetnimit të nji kombit, ky vend numëronte nji milion njerëz. Nën tmerrin e saj u mbështjellën ndër pelena të përgjakshëm edhe dy milion të tjerë… kështu u banë tre milion, si gjymtyrë të nji shpendi të pakre që hedh hijen e vet në qiell…
Sot, të sapolindunit morën në shqisën e parë të ndigjimit nji ulerimë, në vend të zemërrrahjes… Në vend të dhuratës së natyrës, sejcili qysh në lindje u pajis me nji metastazë të këtij monstri dhe e paracaktoj egzistencën dhe rrathin e fatit me kët vdekje brenda vedit. Jeta tek këta njerëz rriti brenda qelizën e kundra – evolucionit dhe e keqja u ba nji shpatë horizontale për krenat që rriteshin ma nalt.
Sot kjo e keqe tuj nisë përhapjen e të pashërueshmes, shkatrroi kështjellën e imunitetit të këtij kombi, të ngritun në rreth katër dekada Rilindje drejt në qiell, tuj e rrëzu përtokë. Gjatë egzistencës së saj, përbindshja hapi kanalet e vdekjes dhe detyroi kët popull të pambrojtun, me e mbushe me lott e urisë shpirtnore dhe fizike. Shumë njerëz u shfytyruen në psikozën e çmendunisë dhe shumë të tjerë në përkushtimin e skllavit… Asnji nuk i pshtoi penelit të përgjakun, dhe gjithkush mori nji rrethpremje të re, qysh në lindje, me shpatën e mprehtë të situatës. Njeriu i ri, i lindun bashkë me të si nji imazh i shprishun i së keqes së madhe…
Sot asht nji ditë e frikshme, sepse gjithkush kujton se e mbulon me nji gjethe fikut gjymtyrën e tretë që përbindshi ka lanë te sejcili prej nesh. Në kët ditë të frikshme u programuen me lindë njerëz që nuk kishin me dashtë kurrë, dhe kush arriti me çelë sadopak dashni për tjetrin, ai u ba titan i qiellës dhe i tokës!

Shtëpia e themelimit të Partisë Komuniste
Shtëpia e themelimit të Partisë Komuniste

Në kët ditë në epruvetën e asaj shpie tiranase u ngjiz nji virus i frikshëm, nji manipulim i natyrës njerzore, nji kryqëzim i çakallit oriental me lumpenin shqiptar tuj nxjerrë prej dheut diktatorin e urryem që reflektoi çmendurinë e vedit në trunin e krejt kombit.
Dhjetra breza fëmijësh i kënduan asaj me zemër të mekun, në vend që të lodronin nën tingujt e gëzueshëm të Mozartit dhe të Beatles. Mija shkrimtarë e artistë shkëmbyen me përbindshin e së keqës, gjakun e tyne dhe helmin, në nji ushqim të ndërsjellë, dhe mija të vramë i mbushin ende sot gropat e terrorit të kuq të saj.
Në kët ditë përpara shtatë dekadash lindi nji ditë e vdekun! Nji ditë që i ngjante nji foshnje të hedhun në koshin e plehnave të kohës, e mbështjellë me terr, pa asnji fjongo me ngjyra…
Sot asht nji ditë në të cilën dashnia, si ajo njerzore dhe ajo hyjnore s’morën pjesë në lindjen dhe farkëtimin e kësaj embleme, në skaj të secilës qe shkrue:
-Mjerë ata që kanë me lindë nën këtë shej!
Në kët ditë lindi nji monstër që mbajti ndër bodrume foshnjen e nji kombi të qytetnuem, tuj e përdhunu me nji sadizëm kriminal dhe ditën kur ajo iku i la të gjithë të përçudnuem, me deformimin e saj, me hije në mushkëni, të cilën njerëzit e mbajnë nji jetë të tanë me vedi. Krejt politikanët, akademikët e shkencës dhe artit e mohojnë atë, ashtu si vezët e inkubatorit që janë ba pula dhe harrojnë se e kanë akullin e njerkës në kocka. E harrojnë, megjithse ata ecin si ajo, flasin me gjuhën e saj, spërdridhen si ajo, skizofrenojnë si ajo, nuk janë as mish as peshk, krejt si ajo.

Mugosha - Hoxha - Popoviç PKSH
Mugosha – Hoxha – Popoviç PKSH

Sot asht nji ditë që e mbyti demokracinë shqiptare qysh foshnje, sot asht ajo ditë që mbushi burgjet dhe rrugët n’perëndim me këqbamsa dhe prostituta. Kjo ditë i asht vu çdo shqiptari n’qafë si hajmali për me e mbrojtë prej se mirës!!!
…Sot asht nji prej atyne ditve, me të cilat Zoti kishte me ba “sevapin” ma të madh sikur ta kishte fshi prej kalendarit të botës dhe të kishte kalu në datën 9…
Sot asht dita ma vrastare në jetën e vendlindjes time… asht nji nga ditët e vetme në të cilën kisha me dhanë gjithçka veç me hypë në “makinën e kohës” dhe me u kthye mbrapa në kohna… veç me e vra të keqen e 8 nandorit të vitit 1941, në at shpi tiranase me qerpiç! Sepse po ta kisha ba kët gja atëhere… në këtë vend kishin më lindë dhe me u rritë gjeni të jetës së përditshme, njerëz normalë e të dashuruem me jetën, njashtu siç asht i mbushun Perëndimi i qytetnuem.
Kjo ditë asht e ngulun në fletën e bardhë të shpirtit shqiptar dhe askush s’e mori guximin as forcën me e zhgulë nji herë e mirë prej aty, me e hjedhë në koshin e plehnave të historise dhe me nisë nji lindje e re…
Ky vend asht lehonë dhe askush s’e din se kur ka me mbetë shtatzanë me të mirën. Njerzit vazhdojnë në vetpastrim që po zgjat nji jetë të tanë e të pafund…
Pse sot asht nji ditë e tmerrshme!
gjezeko 2013 (marrë nga Muri i FB)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.