10.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Sikur të mos kish qenë 7 prilli?! Eugjen Merlika (2010)

on

|

views

and

comments

Eugjen Merlika
Eugjen Merlika

Sikur të mos kish qenë 7 prilli?! Eugjen Merlika (2010)

Italia nuk i ka kërkuar kurrë falje Shqipërisë për pushtimin. E as ka treguar përballë shqiptarëve një vrasje ndërgjegjeje për agresionin e rëndë. Por ndoshta, tek ai agresion, u përcaktua fati i një populli për vitet që do të vinin…
Sikur për një çast të kthehemi mbrapa të përfytyrojmë ecurinë e ngjarjeve duke hamendësuar se 7 prilli 1939, të ishte një ditë e zakonshme, pa asnjë ngjarje të shënuar, cila do të ishte tabloja e sotme e Shqipërisë?
Duke pasur parasysh mirë konceptin se historia nuk shkruhet me sikur dhe nëse, le t’i nënshtrohemi një sforcimi të imagjinatës dhe të logjikës historike mbi ngjarje të pandodhura, por potencialisht të mundshme, sikur Shqipëria e mbretit Zog të vazhdonte normalisht ecjen e saj pa traumën e 7 prillit.
Shqipëria e asaj kohe ishte një vend me shumë probleme, por dhe me shumë perspektiva. Politikisht ajo ishte një mbretëri e drejtuar nga një klasë politike, në pjesën e saj më të madhe, e formuar në perandorinë turke. Si e tillë ajo pasqyronte të gjitha kufizimet e mundshme, por e drejtuar nga një person në lartësinë e detyrës, nuk ngrinte mure në mbrojtje të identitetit të saj dhe ishte e hapur ndaj modernizimit dhe liberalizimit të ideve. Si pasojë e ashpërsisë së luftës politike të viteve ’20, një pjesë e mirë e klasës politike të asaj kohe jetonte në mërgim, në vende të ndryshme, ku kishte vajtur mbas dështimit të eksperimentit majtist të qeverisë së Nolit. Mbreti Zog kishte shpallur një amnisti, nga e cila përfituan mjaft të mërguar për t’u kthyer. Me kalimin e kohës, i gjithë ai kontingjent njerëzish të politikës do të ishte në vendin e tij, në shërbim të një dialektike normale, që do të kontribuonte në demokratizimin e plotë të jetës së vendit.
Sistemi i partive do të funksiononte normalisht, duke pasqyruar rrymat e ndryshme të mendimit politik, por ai nuk paraqiste rrezikun e degjenerimit ekstremist, mbasi institucioni i mbretërisë garantonte drejtpeshimin dhe tendencat fashiste e komuniste nuk gjenin terren lulëzimi. Për vetë formimin shpirtëror të shqiptarëve, të lidhur fort me disa koncepte si atdheu, besa, familja, respekti ndaj pronës, besimit fetar dhe autoritetit, qoftë fisnor e qoftë shtetëror, idetë komuniste do të mbeteshin pronë e pak të rinjve, ndikimi i të cilëve do të ishte i papërfillshëm në shoqërinë shqiptare…
Ky kuadër politik do të bënte të mundur evolucionin e vendit drejt modeleve perëndimore të demokracisë dhe njëkohësisht do të garantonte ripërtëritjen e pandërprerë të sistemit e të klasës së tij drejtuese. Kjo presupozonte një funksionim normal të institucioneve të shtetit, që duke kaluar nga amullia e viteve të para të pavarësisë e të luftës së parë botërore, kishin bërë një hop cilësor të madh në vitet e fundit të mbretërisë. Struktura e shtetit ishte ndërtuar dhe funksiononte, sigurisht jo në formë të përsosur, por në raport me stadin e zhvillimit të vendit, ishte e qëndrueshme dhe efikase. Me kohë ajo do të pësonte ndryshimet e duhura në përputhje me kërkesat e kohës, do të ripërtërihej me kuadro të rinj e të përgatitur në universitetet perëndimore, që do të garantonin modernizimin e vazhdueshëm, cilësinë dhe qëndrueshmërinë e një aparati administrativ që nuk do të ishte instrument në varësi të politikës por shërbyes i përhershëm i shoqërisë, i shtetit, i kombit. Jo vetëm lidhja me tokën mëmë, por edhe stimujt materialë që shteti i asaj kohe vinte në dispozicion të të diplomuarve jashtë bënin që shumica dërrmuese e tyre të kthehej e të shërbente në atdhe, duke rritur kështu numrin e intelektualëve, aq të domosdoshëm në një vend që kishte probleme serioze të analfabetizmit.
Në këtë mënyrë viti dymijë do ta gjente Shqipërinë politikisht një shtet normal e me autoritet, me zyrtarë të aftë profesionalisht, të shpërblyer në atë masë sa të mos ua kishin zilinë kolegëve të vendeve të zhvilluara, të ndershëm e të përkushtuar ndaj detyrës, tepër larg modeleve të ngjashëm të këtij vendi sot.
E gjithë kjo superstrukturë shtetërore, që në tërësinë e saj do të përfshinte jo vetëm administratën publike, por dhe institucionet e drejtësisë, të rendit, të arsimit, të mbrojtjes, të shëndetësisë, të marrëdhënieve me botën, që në kohën e mbretërisë kishte krijuar zanafillën e saj, në Shqipërinë pa revolucion e përmbysje me dhunë do të vazhdonte ecjen e përsosjen mbi parime meritash e cilësie. Ajo do të ishte shprehje e një shoqërie të hapur, në garë me shoqëri të tjera fqinje apo me të largëta, do të merrte e do të bënte të sajën përvojën e të tjerëve, pa u kushtëzuar nga delire “madhështie” apo komplekse përulësie.
Kjo shoqëri do të kishte dhe bazën e saj ekonomike, themeli mbi të cilin do të ngrihej perspektiva e zhvillimit. Shqipëria e dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX ishte një vend i prapambetur ekonomikisht. Perandoria turke, në pesë shekuj sundimi nuk bëri investime prodhuese me karakter industrial në këtë vend, por stimuloi tregtinë pa kufizime. Me kapitalet e pakta, të fituara nga ky aktivitet, filluan të lindin punishtet e vogla. Një zhvillim të mirë kishte në shoqërinë e asaj kohe dhe zejtaria. Mbretëria i dha një hov të madh ndërtimit të fabrikave të para të materialeve të ndërtimit apo të industrisë së lehtë dhe ushqimore.
Strategjia ekonomike e qeverive të mbretërisë synonte shfrytëzimin sa më racional të pasurive potenciale të vendit, nëpërmjet koncesioneve kapitalit të huaj dhe me stimulimin e kapitalit vendas nëpërmjet ligjeve, që garantonin pronën private dhe lehtësonin aktivitetin ekonomik. Përsa i përket pronësisë së tokës, që në një pjesë të konsiderueshme ishte në dorë të pak familjeve të bejlerëve, ishte hartuar projekti i një reforme agrare që do t’ju jepte mundësi bujqve argatë pa tokë të kishin mundësinë e pronës së tyre.
Këshilltarë të kualifikuar të huaj, të thirrur për të dhënë mendimin e tyre mbi rrugët dhe përparësitë e ndryshme të mundësive të zhvillimit, vinin para qeverisë dhe mbretit projektet e tyre. Kreditë afatgjata nga shtetet e huaja, kryesisht Italia dhe forca e monedhës garantonin nga ana financiare këto projekte.
Rendi publik i siguruar më së miri, stabiliteti politik dhe kuadri ligjor i favorshëm për investimet e huaja do të kishin thithur kapitale që do ta kthenin Shqipërinë në një kantier të madh ku ritmet e rritjes do të kalonin çdo vit dy shifrat. Do të ishin ndërtuar infrastruktura bashkëkohore, qytete me plane rregulluese të studiuara e të respektuara, qendra turistike që do të shfrytëzonin bukuritë e spikatura të natyrës, qoftë alpine qoftë bregdetare, që do të sillnin në Shqipëri çdo vit qindra mijëra turistë të huaj.
Ky zhvillim i gjithanshëm i ekonomisë do të kërkonte një masë njerëzish të kualifikuar, të dalë nga rinia shqiptare e përgatitur në shkollat e profileve të ndryshme në Shqipëri e jashtë saj. Ritmet e zhvillimit ishin plotësisht të mundshme në sajë të kushteve të përgjithshme të Shqipërisë si një vend me një nëntokë të pasur, me një reliev natyror të harmonizuar që premtonte një zhvillim paralel të bujqësisë e të blegtorisë, me një klimë mesdhetare që i vinte në ndihmë atyre dhe bënte të mundur praninë e një pemëtarie shumëllojëshe e prodhimtare, me pyje shekullorë e të pafund, me lumenj të shumtë që ishin burime natyrore energjie etj. Të gjitha këto dhurata të natyrës, të administruara nga një sistem shoqëror demokratik, i lirë dhe i hapur, në të cilin njeriu që fëmijë do të edukohej me respektimin e ligjit, të pronës e të punës së ndershme, do ta bënin Shqipërinë e viteve dymijë një vend normal të zhvilluar, një Zvicër të Ballkanit, siç e ëndërronin ata që u munduan t’i vënë themelet.
Shqiptarët sot do të ishin një popull që do të ballafaqohej me problemet normale të një shoqërie të përparuar, si popujt e zhvilluar të kontinentit. Nuk do të kishin pasur asnjë arsye të merrnin rrugët e Europës e të Botës për t’u bërë shërbëtorë, trafikantë e prostituta, do të ruanin krenarinë e fisnikërinë e racës së tyre në vendin e tyre, që do t’i siguronte secilit, sipas aftësive, një të ardhme të sigurt… Në truallin e lirë të tyre do të lulëzonte kulti i një kulture autoktone e në ballafaqim me atë të popujve të tjerë, kulturë e një shoqërie të lirë, pa kufizime, dogma, ideologji e paragjykime, kulturë që do të respektonte e do të çonte më tej traditat më të mira të së shkuarës së këtij populli.

Durrësi i Pushtuar
Durrësi i Pushtuar

Ndoshta, pra, tabloja e Shqipërisë pa 7 prillin e 1939-s, do të ishte krejt e ndryshme nga kjo e sotmja. Komunistët shqiptarë strumentalizuan pushtimin për të mashtruar bashkatdhetarët e tyre, për t’i droguar me termat liri e barazi, në mënyrë që më 29 nëntor 1944, në emër të atyre termave, t’u vinin zinxhirët gjysmëshekullorë të tiranisë, të dhunës, të varfërisë, të prapambetjes, të zëvendësimit të kultit të Zotit me atë të Enver Hoxhës, të Titos, të Stalinit, të Mao Ce Dunit. Pasojat afatgjata të atyre zinxhirëve po vazhdojmë t’i vuajmë ende me jetën e gjymtuar të tre brezave, me lëmoshat që i kërkojmë botës për të mbijetuar, me një vend ku qytetari ndihet i pasigurt e nuk gjen rrugëdalje veç braktisjes.
Ja pra pse 7 prilli nuk qe vetëm një ditë e zezë pushtimi, që do të mbaronte në pak vite, por u bë shkas për një tragjedi shekullore, ja pra, pse qe një ditë kataklizmi për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Shqiptari i Italisë, e mërkurë 7 prill 2010

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

5 KOMENTET

  1. Ardhja e komunizmit qe e pashmangshme gjithkund, o Ilir… Problemi i pasojave katastrofike duhesh të ishte shmangë disi… siç e shmangen shumë prej atyne që quhen popuj të qytenuem… Po duke qenë se edhe pushtimi italian, e luejti për qejf lojën e komunizmës… të shtyn me mendue… se jemi vend eksperimentesh… e që shpesh, për fat të keq janë aq tragjike..

  2. lir Seci
    S’po di ç’me thanë?!
    Duke pasë parasysh nja dy libra që më pëlqejnë fort: “Kujtime” të Eqrem Bej Vlorës dhe “24 Orët e fundit të Mbretërisë së Zogut” nga Mirash Ivanaj kam përshtypjen se ardhja e komunizmit në Shqipëri ishte e pashmangshme! Kishte hedhë rranjë fara e kuqe e Moskovit… Eksperimenti i stepave kishte për t’u dyndë si murtaje në trojet iliro-shqiptare ashtu si Dyndja sllave e shekujve 6-7…
    (Marrë nga muri i fb, 7 prill 2014)

  3. Një analizë e saktë…
    Pasojat e 7 prillit janë katastrofike për popullin tonë pasi prodhoi “njeriun e ri”, – veprën ma të shkëlqyer të partisë… gjatë socializmit që u trashigue edhe në këto 24 vite, në postet kyçe majtas e “djathtas” të caktueme nga Katovica. Rezultati shifet ne emisionet “Shqipëria tjetër” dhe në të kundërtën e saj vilat si në gjirin e Lalzit (me nga 11 banjo, të ndërtuara nga mjerimi i mbi 70 % të popullsisë.
    Ironia asht se pasunija u përqëndru tek ish komunistët dhe bijtë e tyne, që në propagandën e tyne kishin rendin e barazizë sociale…

  4. 7 prilli i 1939, tashma ka ndodhur… me gjithë pasojat tragjike që solli ai pushtim prej nji shteti të fuqishëm si Italia e Mussolinit… e ndjekur më pas, edhe prej ndërthurjesh ndërkombëtare që sollën komunizmin në pushtet…
    Eugjen Merlika ka guxuar ta mendojë… nji Shqipëri, pa 7 Prillin e 1939…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.