Si u dorëzue dhe si u pushkatue Prek Cali… Valentin Pervizi

0
17
Prek Cali i ri
Prek Cali i ri
Legjenda e Malsisë - Prek Cali (1872-1945)
Legjenda e Malsisë – Prek Cali (1872-1945)

Si u dorëzue dhe u pushkatue Prek Cali…

nga Valentin Pervizi

Rrëfim nga Valentin Pervizi, i cili ndejti në burg ato ditë para ekzekutimit…

Valentin Pervizi, Oficer akademist, 
rrëfen nga skëterra e burgjeve komuniste.
Ai erdhi në Shqipni për me і shërbye Atdheut
dhe përfundoi në burgje e kampe internimi për 47 vjet rresht:
I konsideruem si i dënuem i përjetshëm.
ai ka lanë kujtimet e tija në dorëshkrime,
të cilat do t’i botojmë herë mbas here.
Në revistën “KuqeZi”, do të flasi ma së pari për Prek Calin,
me të cilin ndau burgun para pushkatimit
dhe do të vazhdojmë me dëshmi të tjera që botohen për herë të parë
në kët Revistë, me shpresën se do të dali libri që përfshin krejt jetën e tij…
nji Odise e vërtetë, e dhimbshme në mes të shekullit të XX,
kalue e tejkalue Uliksit të lashtësisë 3250 vjeçare..

Valentin Pervizi - oficeri akademist, i dënuari i përjetshëm
Valentin Pervizi – oficeri akademist, i dënuari i përjetshëm

Një ditë prej ditës në qelinë e Valentinit sollën nji burrë malësor shtatnaltë, dy metra e ma, i pashëm, me trajta të bukura të fytyrës dhe me nji palë musteqe të thijme që i kishin hije…
Ishte i famshmi Prek Cali, krenaria e Malësisë dhe prototip i racës iliro-shqiptare. Patriot e luftëtar trim e burrë mentar.
Valentini kishte ndigjue për atë Burrë qyshkur, dhe ma tepët kur kishte qindrue disa muej në Dukagjin te shoku i tij i ngushtë Lek Vojvoda, ose Vuksani.
Dëshmi e Valentin Pervizit që qindoi në burg me Prek Calin deri ditën e pushkatimit. Japim dëshminë e tij, që sigurisht asht ma e sakta për si ndodhi që Preka u dorëzue e me ç’kushte e gënjyen dhe e mashtruen, vetë Mehmet Shehu.
Ja filli i tregimit që del nga shënimet e mbajtuna prej Valentin Pervizit, qe ne i paraqesim nga ana jonë si tregim, duke qenë se këto shënime i kemi të radhituna në pesë blloqe… Unë personalish vëllai tij, Lek Pervizi, i cili m’i pat besue për t’i redaktue e botue, sepse e kishte zanë nji sëmundje e randë, e cila e çoj drejt vdekjes më 1999, në Bolonja të Italisë.
***
Valentini zuni miqësi në burg me Prek Calin, që i ra me ndejtë bri tij, që ia kishte njoftë babën, kishte nji përshtypje shumë të mirë për të, dhe e admironte për aftësitë ushtarake dhe përgatitjen e naltë që ai kishte, cilësi për të cilat i kishte dalë zani e njihej prej gjithë shqiptarve. Pavarësisht nga gjendja e mjerueshme ku ndodheshin, Valentini dhe të burgosunit e tjerë, pati rastin të merrte vesh se si kish ndodhë që u dorëzue ai, Prek Cali, Ai burrë tashma legjendë e Malësisë.

Prek Cali në Burgun e Gjirokastrës
Prek Cali në Burgun e Gjirokastrës

Megjithëse komunistët tashma e kishin marrë pushtetin dhe gjermanët e kishin braktisë Shqipninë, në Kelmend, kalaja e fundit kundër bolshevizmit, vazhdohej të luftohej nën udhëheqjen e Prek Calit.
Valentini nji ditë e pyeti at malësor krenar:
-Po si u dorëzove o Prek? A nuk e dijshe se nji njeri i randsishëm si ti, do ta kishte shumë të vështirë ose të pamundun që të ia dilte me komunistët.
-Po, ke të drejtë, – i qe përgjigjë Preka – por janë do rrethana që më sollën deri këtu.
Dhe ai kishte tregue çfarë i kishte ndodhë. Mbasi kishin marrë fund luftimet kundër forcave shumë ma të mëdha komuniste ne njerëz dhe armatime, shumë prej trimave kishin dalë në mal, për mos me u dorëzue. I përmendi ato dy malësorët, Xhekën e Gjergjin që u pushkatuen në Koplik. Ai vetë me nja dhjetë të rinjë trima kishin mbrritë me u futë në nji shpellë të sigurtë në maje të një mali, duke jetue si harushat. Herë-pas-here njeni prej tyne shkonte me u furnizue me ushqime, e kështu kaluen disa muej.
-Duke hjedhë shikimin mbi ata djem të rij, më ngushtohej zemra nga dhimbja që ndjeja për ta, që kishin pranue me më shoqnue… bile edhe me dhanë jetën për mue! Nji mëngjes, ata dhe unë e kuptuem se ishim rrethue. Si e kishin marrë vesh partizanët? Sigurisht i kishte sjellë dikush vendas që e njihte mirë zonën dhe se ku gjendej ajo shpellë.
Komandanti i atij reparti special u kishte kërkue te dorëzoheshin. Ata u ishin përgjigjë me pushkë dhe luftimi kishte vazhdue për disa ditë. Ndërkohë, komandanti u kishte folë nga larg me za të naltë:
-Ta merrni vesh, se ju nuk keni asnjë mundësi shpëtimi. Ku e kur mund të gjeni ushqime, ujë e municione? Prandaj qëndresa juej asht krejt e kotë. Ju baj të ditun se nëqoftëse nuk dorëzoheni, autoritetet e krahinës kanë marrë urdhën për internimin e familjeve dhe djegien e shtëpive tueja.
Prek Cali kishte mendue me ia mbushë mendjen komandantit me gjetë nji zgjidhje, në menyrë që me iu falë jeta atyne të rinjve që rrinin me të. Iu lut komandantit që të fliste me Mehmet Shehun se ata kishin vendosë me iu dorëzue vetëm në dorë të Mehmet Shehut. Dhe Mehmeti erdhi vetë deri aty.
-Po t’ishte për mue, – i kish thanë Prek Cali aty ne atë qeli – nuk do t’isha dorëzue deri në fishekun e fundit, por n’at shpellë mendova ma shumë për jetën e atyne të rijve dhe për famijjet tona. Kur erdh Mehmet Shehu, fola me të, duke i thanë se do të dorëzoheshim, po të na jepte besë se do të na kursente jetën.
Ai ishte përgjigjë duke na sigurue se do të na falte jetën, edhe t’imen, mandej m’u drejtue:
-Po pse nuk u bane me ne or Prek Cali, dhe tashti do t’ishe një burrë i nderuar e hero i lavdishëm me dekorata te larta.
-Nuk kisha si me u ba me ju, që ishit lidhe mish e thue me shkjetë e Serbisë, kundra të cilëve ne kem shekuj qi luftojmë.
Për fjalën e fundit, me ma falë jetën, mbeta i çuditun dhe nuk po u besojsha veshëve, prandaj i thashë me e përsëritë edhe nji herë. Mandej i kërkova mos me na prekë kush me dorë, qoftë gjatë rrugës deri në Shkodër, dhe në qelitë e sigurimit. Edhe për kët gja ai na siguroi. E kështu në besë u dorëzuem. Na pyetën nji nga nji pa na prekun, dhe djemtë i çuen në burgun e vjetër kurse mue më prunë këtu me ju.
-Të përgëzoj që ta kanë falun jetën! – i tha Valentini.
-Sigurisht, Mehmet Shehu ma ka dhanë fjalën e nderit dhe nuk besoj se mund ta haje…

Prek Cali me shokë - 25 vjetori i Pavarsisë 28 nandor 1937
Prek Cali me shokë – 25 vjetori i Pavarsisë 28 nandor 1937

Kaluen kështu tri javë, kur nji ditë prej ditësh u dëgjuen zhurma e britma në koridor. Rojet duke hy në qeli të ndryshme lexonin disa emna. Të burgosunit ishin mbledhë e mbulue në shtresat e tyne prej frike, ndërsa zemrat u rrihnin fort. Kush e kishte radhën? U ndigjuen hapa të shpejta dhe pas pak dera e qelisë u hap me zhurmë të madhe. U duk aty një hije e zezë polici, që me një kandil vojguri ndriçonte nji copëz letër që mbante ndër duer. Cilët emna do të ishin të shkruem në atë letër të zhubravitun? Kur ja, polici pasi e afroi letrën te sytë, ngriti kokën e thirri me za të naltë, Prek Cali!
Në qelinë e tyne kumboi vetëm emni i tij. Gjithë ne të tjerët mbetëm të tronditun. Por për Prekën vetë ishte ma e tmerrshme. Ai s’e priste, që Mehmet Shehu ta hante fjalën e dhanë. Si malësor ai s’mund ta koncptonte nji gja të tillë. Por, harronte ai se Mehmet Shehu nuk ishte si burrat e Malësisë që kur jepnin fjalën e mbanin edhe me çmimin e jetës. Ai nuk ishte tjetër veçse nji aventurier gjakatar, i etun për pushtet, që nuk e kishte për asgja me thye besën e mos me mbajtë fjalën.
Ndërsa po përfaleshin për të fundmen herë, i tha Valentinit në vesh, – Po djemtë?- Nuk e besoj! – i qe përgjigjë Valentini. Prandaj ndoshta ishte aq i mërzitun, mos i pushkatonin dhe ato të rijtë.
Duke dalë thirri: -Ma bani hallall, o burra! – Në korridor ishin edhe nandë të burgosun të tjerë të prangosun, ndër ta edhe Dom Ndre Zadeja. I pushkatuen të gjithë at natë te Zalli i Kirit, që u ba tmerri i Shkodrës.
Si asht e mundun, – thoshte Valentini, – që zgjedhin gjithmonë ma të mirët? Po, deri n’ato çaste kishin zgjedhë vetëm ma të mirët. Nuk mund gjendeshin fjalë për me i përshkrue gjithë këto krime.
Ma vonë, u muer vesh, se Prek Cali, dy vllaznit Beltoja, Dom Ndre Zadeja e nji prift nga burgu i vjetër, ishin mundue me u dhanë kurajo shokëve të tyne deri në çastin e fundit të pushkatimit.
Deri kur do të vazhdonte ky genocid i trashëguem nga mësuesit dhe kriminelët e Moskës e të Belgradit?

Marrë nga revista “KuqeZi” nr. 81-82

Related Images:

Artikulli paraprakMuslimani shqiptar – Nji projekt paqet! poemë nga Gjergj Kola
Artikulli tjetërWilliam Shakespeare (1564-1616) Shumë, pak dhe aspak…
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.