back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Maj, 2024

“Si shpëtuan nga djegia 120 veprat e Trebeshinës” – nga Ferdinand Dervishi

Gazeta

Vepra e Kasëm Trebeshinës botuar te Buzuku - Kosovë
Vepra e Kasëm Trebeshinës botuar te Buzuku – Kosovë

“Si shpëtuan nga djegia 120 veprat e Trebeshinës”

nga Ferdinand Dervishi

Disiplina, bindjet e tij në dukje statike, si dhe natyra e prerë, më shumë se prej shkrimtari, do të kishin qenë shembull për çdo ushtarak. Nuk është aspak hakmarrës, por është e sigurtë se nuk harron asgjë, edhe pse të vetmit që do të falte gjithnjë janë shokët e fëmijërisë dhe të rinisë së çuar në luftën e madhe, prej së cilës ruan kujtime plagët. Pavarësisht mosbesimit të ndonjë shpirti të lig, antikomunizmin e vet e zyrtarizoi në promemorien e 5 tetorit 1953 drejtuar Enver Hoxhës – një akt për të cilin nuk u krenua kurrë, – por nderimi i tij për komunistët e rënë në LANÇ, është po aq i sinqertë sa për çdo shqiptar tjetër të vrarë në çfarëdo beteje për liri. Është revoltë e kuptueshme kërkesa dy herë e refuzuar për lënien e qytetarisë së shtetit që e persekutoi fizikisht dhe intelektualisht. Shmangia e tij nga skena letrare shqiptare qysh në vitet ‘50 nuk ka qenë aspak rastësi, por një lëvizje e diktaturës për t’ia lënë rrugën të lirë trios që besonte se edhe shqiponjat që fluturonin sipër nënës Shqipëri i përkisnin komunizmit, trio e cila më shumë se me talent, do të sokëllinte për luftën e klasave me partishmëri dhe fanatizëm të një lloji të ri, që ndonëse u trumbetua si thyerës skemash në letërsinë shqiptare, në të vërtetë kurorëzoi skematizmin shterp të realizmit socialist. Megjithatë, kjo është një analizë që hulumtuesit, studiuesit, historianët që ende nuk janë, do të duhet t’ia bëjnë letërsisë shqiptare herët a vonë. Ndoshta kur t’u ketë ikur frika a kompleksi prej të gjallëve.
Trebeshina nuk ia ka hedhur askujt te këmbët thesin e tij të burgut në kërcënim apo në kërkim të kushedi çfarë mirënjohjeje a posti honorifik. Madje as të atyre 17 shkrimtarëve që dëshmuan në gjyq kundër tij e që tash i ndërrojnë rrugë. Por ai jeton ende nën diktaturën e një sistemi, që ka vazhduar të kontrollohet nga personazhe, të cilët në mos deri në fyt, në vitin ’90 u gjendën të zhytur deri në brez në gjakun jo doemos të kuq të persekucionit. Dhe meqë ka edhe zanate që trashëgohen brez pas brezi, sot Trebeshina është aq në periferi të sistemit, sa gjysma e studentëve të letërsisë në fakultetet tona e dinë po aq të vdekur sa ç’dihej Poradeci dekada para se t’i mungonte liqerit të tij, ndërsa gjysma tjetër – gjithashtu për shkak të personazheve të mësipërme – nuk i ka lexuar asnjë vepër. Shkrimtari, që shtetit shqiptar i figuron vetëm si pensionist, po botohet i mirëpritur gjithnjë e më shumë në Kosovën që e ka zbuluar përpara Shqipërisë, por ndoshta edhe për këtë shkak, emri i tij censurohet në Tiranë sa herë çmohet në Prishtinë. Mund i madh iu desh kundërshtarëve për të gjetur të vetmen vjershë – atë për Stalinin, shtatë muaj përpara promemories – që sipas tyre thyen mitin e Trebeshinës së papërlyer, por sa mund u desh të çoroditej opinioni se vjersha për sulltanin, e një ish-poeti, është shprehje e disidencës, të paqenë. Nga ana tjetër, disidenca e Trebeshinës është një fakt tashmë edhe historik, gjë për të cilën, autori nuk “lejon” t’i flitet, sepse ai ka besuar gjithmonë te letërsia. Bashkëvuajtësit e tij në burgje thonë se Trebeshina ka mbijetuar me dinjitet, me bindjen e të qenit shkrimtar, edhe pse do t’i duhej të priste gati 50 vjet për të botuar klasiken “Këngë shqiptare” apo modernin “Odin Mondvalsen”, të shkruara që në kohën kur shkrimtarët shqiptarë rrasnin ndër librat e tyre parulla kodrash e fjalime plenumesh. Në këtë 81-vjetor, Trebeshina ka zgjedhur sërish “strategjinë” e tij të heshtjes, në fakt aspak efikase në këtë kohë tam-tamesh. Për shkak të besimit te letërsia, askush nuk do ta dëgjojë Trebeshinën të kërkojë vëmendje ndaj veprës së tij, pjesa më e madhe e 200 titujve të së cilës, vazhdon të jetë e pabotuar dhe e pavlerësuar, megjithë gatishmërinë televizive të ndonjë botuesi. Për këtë, por edhe pse askush nuk do ta dëgjojë Trebeshinën as të kërkojë vëmendje për veten e tij, në të vërtetë një simbol i dinjitetit njerëzor dhe integritetit intelektual – cilësi kaq të lakuara nga shqiptarët, Presidenti i ri i Republikës ka rast të tregojë se në mos antikomunistëve, së paku u përket jokomunistëve, duke i akorduar Kasëm Trebeshinës titullin “Nderi i Kombit”, që nuk ia akordoi asnjë prej presidentëve paraardhës, me gjysmën e karrierës në diktaturë. Është e vërtetë se ka individë të cilëve u duhet nderi i kombit, por Trebeshina është një nga të paktët nderi i të cilëve i duhet kombit.

Nderi i Trebeshinës i duhet kombit – “Gazeta Shqiptare” 8 gusht 2007

Kasem Trebeshina - Kenga Shqiptare - 5 vellime
Kasem Trebeshina – Kenga Shqiptare – 5 vellime

***

Kjo është historia e pabesueshme e simpatisë së një prej hetuesve më të vlerësuar të kohës së komunizmit ndaj viktimës së vet. Një simpati, që forcuar qelive të tmerrshme të “edukimit” të atyre që konsideroheshin drunj të shtrembër, përfundon me një gjest të pazakontë. Hetuesi, i detyruar të dërgojë pas hekurave shkrimtarin “e pabindur”, përkundër të gjitha udhëzimeve të eprorëve apo praktikave të deriatëhershme, lë të lirë veprat e tij, të gjitha ato, një grumbull, që i numëruar ndalte në shifrën 120. Ishte praktikisht krijimtaria e një jete të tërë. Kaluar qoftë në liri, qoftë në liri të kushtëzuar, qoftë në kampe përqendrimi, qoftë në burg. Një pasuri, që nëse do e kishin përfshirë flakët, do të konsiderohej mbase një nga humbjet e konsiderueshme të kombit. Për vetë shkrimtarin ngjarja mbase mund të shënonte edhe fundin. Ndërsa dy protagonistët e vitit të largët 1980, ishin nga njëra anë shkrimtari i shquar, Kasëm Trebeshina dhe nga ana tjetër, hetuesi “i tmerrshëm” i Hetuesisë së Tiranës, Dilaver Bengasi. Dy personazhe që duket i lidh ngushtë tendenca e respektit që lind duke vlerësuar burrërinë reciproke.

Kasem Trebeshina (2004)
Kasem Trebeshina (2004)

Arrestimi

Herën e fundit, shkrimtarin e mbajtur në anën tjetër të ndërgjegjes së 45 viteve të komunizmit, e ndëshkuan më 16 prill 1980. Kishte guxuar t’i bënte një letër Enver Hoxhës. Përfundonte me fjalët: “Në rast se nuk do të më fusni në punë, ju paralajmëroj se nuk do të marr pjesë në votime”. Të nesërmen telefonat vënë në lëvizje majën e piramidës komuniste. Urdhri i Hoxhës kalon nëpër zyrën e Kryeministrit Mehmet Shehu, përplaset si muzikë e këndshme në veshin e kushëririt të tij, Feçorr Shehu, që ishte ministër i Brendshëm e më tej, shurdhues, edhe në atë të Fiqeret Shehut, gruas së numrit një të shtetit, njëkohësisht kushërirë e shkrimtarit.
“Arrestimin duhet ta bënte shefi i Zyrës së Krimeve Kundër Shtetit, që ishte Fatos Trebeshina, nip i shkrimtarit të shquar. Por krejt natyrshëm, Fatosit nuk mund t’i kërkohej të përballej me një rast brenda familjes. Kështu që më thirrën mua, edhe pse në atë kohë drejtoja Zyrën e Antikrimit Ekonomik”, – rrëfen krejt i qartë dhe i pamëdyshur, pas 27 vitesh, Dilaver Bengasi.
“Kisha dëgjuar për përplasjet e shkrimtarit me Enver Hoxhën dhe sidomos Ismail Kadarenë dhe nuk e prita urdhrin me shumë dëshirë, por edhe nuk mund ta kundërshtoja”, – rrëfen ish-hetuesi.
Më tej nisin formalitetet. Shkrimtari u qëndron prangave. Lëshon vetëm një frazë: “E dija që do ndodhte kështu”. Bashkë me shkrimtarin, në hetuesi përfundojnë rreth 120 libra të shkruar, në gjini të ndryshme, që të gjithë të pabotuar. “Ishin të shtypur të gjithë me makinë shkrimi dhe të lidhur me kujdes. Duket, Kasëmi ishte kujdesur vetë për krijimet. Madje, me sa kujtoj, disa kishin edhe kopertina të pikturuara apo të vizatuara prej tij”, – kujton ish-hetuesi Bengasi, i cili pas kontakteve të para, krejt habitshëm krijon shumë respekt për viktimën e vet. “Një respekt që gjithsesi konkretizohej në mendjen time, edhe për shkak të së shkuarës së Trebeshinës. Ai kishte qenë partizan në luftë dhe për të tregonin shumë histori trimërie. Ishte plagosur disa herë, madje. Në atë kohë, fisi e tij ishte nga më të vlerësuarit e regjimit”, – rrëfen Bengasi. Por edhe kontakti i parë me shkrimtarin që prangosej për herë të tretë që pas përfundimit të Luftës Antifashiste, kishte qenë mbresëlënës. “Dëgjo mor djalë, unë nuk pajtohem me këtë regjim, nuk dua as Enver Hoxhën, as Mehmet Shehun, urrej madje politikat e tyre të përçarjes dhe denigrimit, por akuza është e rremë, pasi unë nuk flas. Unë e di që ju të fusni në burg… Ata duan të komandojnë edhe në letërsi e art, e këtu gabojnë, e unë s’jam dakord…”, – ishin në thelb sqarimet e para të shkrimtarit. Pyetjes së hetuesit nëse kishte futur edhe në librat e tij frymë antiparti, Trebeshina i ishte përgjigjur me mohim: “Nuk duhet pasur frikë nga librat. Unë kam shkruar letërsi. Secili le të nxjerrë konkluzione. Kujt i pëlqejnë, i lexon, dikush tjetër i hedh në kosh…”, – kishte shpjeguar i ftohtë shkrimtari. Më tej ishte dashur që librat të kalonin nën ekspertizën e “shokëve dhe kolegëve” të Lidhjes së Shkrimtarëve. Ata, kritikët e letërsisë, kishin mbërritur në Hetuesi me kërkesë të Bengasit, duke marrë me vete të gjitha librat e Trebeshinës, që natyrshëm u listuan më parë një një procesverbal. Ndërkohë, simpatia e hetuesit ndaj shkrimtarit kishte mbërritur në përmasa të pazakonta.

Kasem Trebeshina - Dosja formulare (Sigurimi i Shtetit) Nr. 1338 -
Kasem Trebeshina – Dosja formulare (Sigurimi i Shtetit) Nr. 1338 –

Hetuesi rrezikon burgun

“Dëshiroja që të mos dënohej. Mbase burrëria e tij më bëri për vete. Kështu që mendova një mundësi. I kërkova profesorit të nderuar, Nazmi Shtino që të bënte një akt-ekspertizë mjekësore, sipas së cilës të rezultonte se Kasëm Trebeshina ’nuk ishte në rregull mendërisht’. Kjo do ta linte të lirë”, – rrëfen Bengasi. Natyrshëm, prorosia e hetuesit merret parasysh nga mjeku ligjor. I arrestuari strehohet për dy javë në spitalin psikiatrik të Tiranës, ku bëhet gati edhe akti i ekspertimit që e vlerësonte si të papërgjegjshëm. “Ndërkohë, lindën probleme me vetë Kasëmin, që nuk donte të vlerësohej si i tillë, por lojën e kuptoi dhe ministri i Brendshëm, Feçorr Shehu”, – vazhdon ish-hetuesi. Në të njëjtën kohë gjendja rëndohet, pasi nga Lidhja e Shkrimtarëve vijnë edhe vlerësimet për veprën e Trebeshinës. “Kolegët” vendosin fatin e tij. Romanet dhe veprat e tjera të Trebeshinës konsiderohen “reaksionare”, “kundër frymës së realizmit socialist”, “të ndikuara nga letërsia perëndimore”, etj. Menjëherë pas kësaj, Feçorr Shehu urdhëron riekspertim të gjendjes mendore të shkrimtarit, duke kërkuar që këtë ta bëjë një grup mjekësh. Rezultati ishte i pritshëm: “Kasëm Trebeshina rezulton i shëndoshë mendërisht”. Kjo dhe vlerësimet e ’kolegëve të Lidhjes’, sipas të cilëve ai kishte pikëpamje të rrezikshme kundër Partisë dhe pushtetit, e dërgojnë Trebeshinën në burg. Në fakt, kundër tij si dëshmitar del edhe një koleg, që duket më shumë se të vërteta në gjyq, lëshon gënjeshtra. Një personazh ndaj të cilit Trebeshina grumbullon mllef. “Ky është gati të shesë edhe gruan…”, – lëshon në një moment.

Vepra e botuar e Kasem Trebeshines
Vepra e botuar e Kasem Trebeshines

Fati i librave

Duke parë se Trebeshina do të dënohej, hetuesi i tij mendon t’i bëjë një mirësi të fundit. “Të paktën t’i ktheja librat që ka shkruar, ku është gjithë mundi i jetës së tij”, – përsërit Bengasi mendimet që i kanë përshkuar mendjen këtu e 25 vite më parë. Kështu edhe bën. Ishte praktikë që librat e të akuzuarve për agjitacion e propagandë duhet të asgjësoheshin, pra të digjeshin duke u mbajtur edhe një procesverbal, por këtë fat nuk e patën ato të Trebeshinës. “Iniciativa personale për t’i kthyer librat autorit ishte një guxim çmendurak, për të cilin edhe sot nuk e kuptoj se ku i gjeta forcat”, – tregon ish-hetuesi Bengasi. Kështu, krejt pabesueshëm për kohën, persekutori kthehet në engjëll mbrojtës të veprave të viktimës së vet. Njofton vajzën e shkrimtarit, që punonte në ish-Kombinatin e Autotraktorëve dhe i dorëzon me dorën e vet të gjitha librat e të atit. Një veprim për të cilin disa nga miqtë e ngushtë që kishin dijeni, e kishin kundërshtuar. I thonë se po të mësohej ç’kishte bërë me librat e Trebeshinës, me siguri do të përfundonte edhe ai vetë në burg.
Gjyqi ndaj shkrimtarit starton më 19 mars 1981. Kolegët shkrimtarë ndërkohë kishin dorëzuar ekspertizat e librave të tij. “Ka goditur vetë njëshin, nuk mundemi ta mbrojmë”, – i thotë njëri prej tyre Bengasit. Vetë shkrimtarët e Lidhjes thirren në gjyq, ku vihen në radhë të “demaskojnë” kolegun e tyre. Veçanërisht një me inicialet J. B. (jorgo bllaci)  Pak javë më pas Trebeshina dënohet me 9 vite burg dhe 5 vite internim.
Gjykata e Lartë nuk lëviz asnjë presje një muaj më pas!!!

Kasem Trebeshina në studion e tij... qershor 2016
Kasem Trebeshina në studion e tij… qershor 2016

Shkrimtari që e njohëm në moshën 65-vjeçare

Kasëm Trebeshina nuk njihej nga të gjithë shqiptarët deri në vitin 1990. Ai ishte i mbajtur në errësirë. Mbase nga mendje që bënin mirë llogaritur për të qenë vetë ata mes dafinave të vlerësimeve. Trebeshina u lind në Berat më 5 gusht 1926. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacional-Çlirimtare, prej së cilës i kanë mbetur disa plagë. Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski”, të Leningradit (Bashkimi Sovjetik) dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës. Veprat e Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90, fillimisht në Prishtinë: Stina e stinëve”, 1991; “Mekami, melodi turke”, 1994; “Histori e atyre që nuk janë”, 1995 dhe në Tiranë: “Legjenda e asaj që iku”, 1992; “Koha tani, vendi këtu”, 1992; “Qezari niset për në luftë”, 1993; “Rruga e Golgotës”, 1993; “Lirika dhe satirë” 1994: “Hijet e shekujve”, 1996; “Ëndrra dhe hije”, drama; 1996 etj. Megjithatë, pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj. Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacional-Çlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij, “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e metodës së realizmit socialist, të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një censurë nga më të çuditshmet.
“Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese (e atyre që janë botuar deri më sot) e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studiuesve të letërsisë. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, e cila ka dhe një titull të dytë, “Këngë fëmijërie”, “Odin Mondvalsen”, me titull të dytë “Një histori dashurie” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina”, apo “Kapriçio shqiptare”.
Ndërsa novela e parë dhe e tretë bëjnë objekt fëmijërinë në një rrëfim jashtë tabuve, që zakonisht identifikohen me këtë moshë (“Stina e stinëve”) dhe me ngarkesa historiko-filozofike që e tejkalojnë fëmijërinë (“Fshati mbi shtatë kodra”), novela tjetër, “Odin Mondvalsen” përbën një cilësi të veçantë, si për sa i përket objektit të pasqyrimit, ashtu edhe për nga teknikat e rrëfimit.
Prozator, dramaturg dhe poet, Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në nismë metodën e realizmit socialist, dëmet e së cilës ishin brenda parashikimeve të tij.
Që në vitet ’50 ai filloi të shkruajë ndryshe nga veprat që botoheshin aso kohe. Thellësia filozofike e veprave të tij dhe prekja e temave tabu lidhen me talentin e shkrimtarit, që shkruan si i thotë shpirti pa pyetur për pasojat. Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme e bënë atë të vuajë fizikisht, vepra e Trebeshinës, ndonëse nuk u botua, si ajo vera e vjetër, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash (në vitet ’90).
Sipas kritikës serioze, vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit. Nisur nga fakti se pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim, vendi i saj në rrjedhat e letërsisë së sotme shqiptare mbetet i papërcaktuar përfundimisht.

(marrë nga “Gazeta Shqiptare” 7 korrik 2007)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.