back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Shyqyri Çoku simbas dokumenteve dhe Arkivave… dhe dëshmive të atyre që pësuan prej tij… nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Studiuesi Kastriot Dervishi
Studiuesi Kastriot Dervishi

Shyqyri Çoku simbas dokumenteve dhe Arkivave…

dhe dëshmive të atyre që pësuan prej tij…

nga Kastriot Dervishi

Sot, po lexoja intervistën e ish oficerit Shyqyri Çoku, dhënë shtypit të përditshëm. U habita se si mohonte se ka qenë oficer i Sigurimit të Shtetit. Deklaronte se ka qenë vetëm pjesë e strukturave të policisë:
Eskluzivisht për gazetën “Shekulli”, duke folur nga shtëpia e tij në qytetin e Shkodrës, Shyqyri Çoku pohon se, gjatë gjithë jetës, nuk ka qenë asnjëherë pjesë e stukturave të Sigurimit të Shtetit, por, që nga viti 1945 e deri sa ka dalë në pension në vitin 1986 ka punuar në policinë e shtetit, ndërsa shprehet edhe lidhur me personalitetet të cilët janë lakuar këto ditë si viktima të tij.
Z. Çoku, ju keni keni qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, siç ju kanë akuzuar këto ditë? Jo, nuk kam punuar asnjëherë me këtë strukturë. Kam qenë vetëm në polici. Kur u vendosen gradat kam shkuar deri Kapiten i Parë. Pastaj gradat u hoqën. Kam punuar në policinë e qytetit tek ura e Kirit. Sigurimi i Shtetit ka qenë strukturë dhe ndërtesë me vete…”
Është e vërtetë se nuk ka qenë ky hetuesi i Sami Repishtit, pasi i tillë ka qenë Fadil Kapisyzi, por të dhënat e tjera nuk ishin të sakta. Karriera ushtarake e Çokut është e ndarë në këtë mënyrë:
-21 vjet oficer Policie.
-8 vjet oficer e drejtues Sigurimi.
-9 vjet oficer e drejtues Hetuesie.

Shyqyri Coku - dhe medaljet e dhuruara nga diktatura
Shyqyri Coku – dhe medaljet e dhuruara nga diktatura

Hetuesia ka qenë pjesë funksionale e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në vitet 1950-1974. Kjo do të thotë se çdo hetues i kësaj periudhe ishte oficer i Sigurimit të Shtetit. Për kujtesë, në vitet 1966-1974, Shyqyri Çoku rezulton në fillim hetues e pastaj (1969) shef i hetuesisë në Shkodër, duke qenë në varësi të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit. Ndërsa në vitet 1974-1983, është zëvendësshef i hetuesisë në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër në varësi të Drejtorisë së Hetuesisë në MPB.
“Krimet politike” si agjitacioni e propaganda, arratisja, diversioni, etj, i hetonte vetëm Sigurimi i Shtetit, e pas vitit 1974, edhe hetuesia. Asnjëherë policia nuk merrej me “krime” të tilla.
Kur është hetuar çështja e priftërinjve Zef Pllumi e Nikoll Mazreku, Shyqyri Çoku ka qenë hetuesi i Sigurimit të Shtetit, e për këtë meritë, u gradua shef i kësaj hetuesie. Në tërësi ai ka qenë 17 vjet hetues, e për këtë arsye ka numër të lartë procesesh politike.
Në lidhje me “luftën” dhe “kontributin e madh” që paska dhënë, po shkruaj diçka. Në Shqipëri njohja e “veteranëve” si të tillë është bërë me dëshmi gojore për njëri-tjetrin. Natyrisht Shqipëria nuk ka qenë epiqendra e Luftës së Dytë Botërore pasi këtu nuk ka pasur front lufte. Po të ishin kaq “idealistë” këta nuk e rripnin financiarisht këtë shtet duke i shkaktuar prej vitesh dëm financiar që as lufta nuk ua ka sjellë shqiptarëve.
Në vitin 1939, Shyqo Çoku ka qenë veçse 10 vjeç. Gjatë luftës, ka qenë pemëshitës i ushtarëve italianë dhe duhanshitës i ushtarëve gjermanë. Në maj 1944, pra gati në mbarim të luftës, del partizan në moshën 15 vjeçare me batalionin “Perlat Rexhepi”. Me yll të kuq në ballë, me idealin e “një bote të re” ka qenë pjesë e formacioneve komuniste që në këtë kohë ishin nën urdhrat e Miladin Popoviçit e Velimir Stojniçit.
Bashkëlidhur një vlerësim pozitiv për personin në fjalë kur ishte oficer i Sigurimit të Shtetit.

Dokumente nga arkivat per Shyqyri Çokun
Dokumente nga arkivat per Shyqyri Çokun

Tre dëshmi të atyre që e kanë njohur

dhe e kanë vuajtur prej Shyqyri Çokut

Shkelqim Abazi
Shkelqim Abazi

Shkëlqim Abazi:
Ti Shyqyri po gënjen! Po gënjen siç ke gënjyer gjithë jetën!
Shyqyri Çoku, prisja që në këtë moshë të reagojë për krimet që ke bërë dhe të kërkojë ndjesë, në mos për vetë, të paktën për fëmijët, për nipat, për mbesat që t’u lije një derë hapur… Por ti ndihesh krenar për detyrat që ke kryer, pra për njerëzit që ke dërguar para kohë në atë dynja dhe të tjerët me afate të gjata, në burgje. Normalisht të strehohesh në, me demek, emër të ligjeve të paligjshme të epokës së “Enverit”!
Shyqyri, unë të akuzoj se më ke sakatuar, aty nga fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit 1968, ndonëse hetues çeshtje ishte Llambi Gegeni, ti erdhe në mes të seancës dhe shpërtheve: “Po ky zagar ç’ka vjedhur? – Jo, s’është hajn, po ka dashur të arratiset në Gjermaninë Perëndimore. – ia ktheu Llambi. -Ama tradhëtar qenka ky surrat dhe ti ma ledhatoke? – e kish fjalën për hu, sepse Llambi po më rrihte vetëm me pëllëmba, shkelma dhe grushta. – Ba me e pas fmi nji’kët armik, kisha m’e mbyt n’Bunë, me e humbë me nam e nishan! – u shprehe ti dhe një goditje e fuqishme me këmbë karrige m’u plas në ballë. Rashë nga karrigia e betonuar dhe kur rifitova ndjenjat, e pashë veten mes pellgut të gjakut. E njejta ka ndodhur edhe me bashkëvuajtësit e mi Vladimir Shena, Sitki Jera, Ahmet Islami, Shuaip Ibrahimi, etj.
Natyrisht ti mund t’i mohosh të gjitha dhe do kërkosh dokumenta. Po më thuaj, a keni lënë pas dokumenta ju kriminelët?

Xhabir Tabaku:
Po rren Shyqyri, po rren. Ke qenë shef i zhdukjes së krimeve në Degën e brendëshme të Sigurimit të Shtetit deri pak pa dalë në pension. Të ka zëvendësuar nji tjetër nga Kukësi me emrin Rasim Gerxhaliu. Ti ke torturuar axhën tim Xhavid Tabaku. Ti dhe nji kriminel tjetër me emrin Dulaq Lekiq keni qenë fytyrat me të urryera ndër shkodranët që kanë punu në Sigurim. Ti thua se nuk ke qenë në Sigurim, por rren flliqtan, rren.

Prof. Sami Repishti (1925)
Prof. Sami Repishti (1925)

Prof. Sami Repishti:  
“E kam njohur që kur ka qenë i ri, por nuk kam pasur shoqërim me të. Ishte tip rrugaçi. Nuk besoj se ka luftuar me armë në dorë për arsye të moshës”, është shprehur për gazetën “Panorama” profesor Repishti. “Personalisht kam ngrënë disa shkopinj dhe grushte e shkelma pothuajse të përditshme për afër 24 muaj hetuesie”, – është shprehur Repishti.

Autori Gjergj Jozef Kola
Autori Gjergj Jozef Kola

Portreti i së keqes… nga Gjergj Jozef Kola
Fytyra jote mban maskën e krimit
se nuk ka qeshë kurrë
e unë isha fëmijë kur ti kaloje rrugëve të Shkodrës
dhe nanat fshiheshin nëpër strehët e fatit
e pëshpëritnin tanë tmerr ne sy: “Ky asht vdekja”
dhe ajo mbante emnin tand
se nuk ishte shyqyr me të ndeshë ty,
Shyqyri, – ishte fatkeqsia e jetës dhe krimi mbante
rranjë të thella,
që kur 14 vjeç ushtar fëmijë u mësove
me vra të fajshëm e të pafajshëm.
Kështu e vrave në tortura edhe Martirin e Beltojës,
e në fund e gozhdove në derë të birucës dhe i the:
“Ringjallu tash nëse mundesh”!
Jashtë nanat u drodhën deri në loçkë të zemrës,
se ishte nji fatkeqsi e madhe për nji qytet, me të lindë ty
dhe aspak shyqyr, o Shyqyri…
Mandej erdh demokracia pa drejtësi e ti vazhdove me jetue
në shpinë të viktimave si shumë të tjerë e po ashtu
me shumë shokë, more pensione të majme e tash
ngrini dollinë për krimet e dikurshme mbushë në medalje.

Ndërsa fëmija e shqiptarëve struken në barkun e nanave
se kanë frikë me dalë në dritë…
gjk15

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.