back to top
20.5 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024

Shteti Sovran i Urdhërit Bektashi tradhëti e lartë kombëtare – nga Artur Shkurti

Gazeta

Artur Shkurti - Drejtor i shkollës "Udha e Shkronjave" - Tiranë
Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e Shkronjave” – Tiranë
.
Shteti Sovran i Urdhërit Bektashi tradhëti e lartë kombëtare
nga Artur Shkurti
Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Autor i librit “Besa, feja ime, e fëmijëve të mi dhe e bujarëve shqiptarë”. (2009) Autor i librit “Dituria e moralit: Naim Frashëri dhe Sami Frashëri autorë të programit të edukimit të karakterit dhe të virtyteve të shqiptarit”. (2024)
Shënimi: Artikulli është shkruar me një farë nxitimi, dhe hera-herës mund të rinovohet.

Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithi mënt’ e turpërohi,
Mos u bëj trathëtorë,
Se pastaj do të pendohi!
Naim Frashëri

Nisma për Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi synon shkombëtarizimin e shqiptarëve, përçarjen fetare, dizintegrimin e shtetit shqiptar, çmontimin e edukimit kombëtar duke qenë kështu plotësisht një tradhëti e lartë kombëtare.
Unë që po i shkruaj këto radhë i përkas pikërisht traditës familjare bektashije në çështjen e besimit. Të dy prindërit e mi janë nga Dëshnica e Përmetit dhe e gjithë zona është e këtij besimi.
Sidoqoftë nuk kam patur lidhje të fuqishme me organizimet bektashie, përveç orientimit të përgjithshëm që siç thotë populli “Të dëgjofsha zën e mirë” pra kam dashur të marr lajme të mira prej andej.
Në fakt, nuk kam marrë lajme të mira, por kam marrë lajme korrupsioni të lartë. Nuk kam parë ndonjë dëshirë që ata të edukojnë si duhet popullin, por kam parë një mënyrë se si të menaxhojnë me mijëra prona në jug dhe t’i ndajnë ato me të tjerët që kanë interesa.
Besoj e kam për detyrë që para se kjo nismë të trazojë besimet e tjera fetare në atë drejtim që synon edhe provokimi, duhet të organizojmë të gjithë besimtarët bektashinj që të kërkojnë llogari të menjëhershme për këtë provokim dhe natyrisht ta ndalin nismën nëse ajo është e vërtetë.
Në ka patur krenari Urdhëri Bektashi, ka qenë shqiptarizimi i tij dhe nga jashtë konceptohej sikur ata ishin “siguresë e harmonisë fetare”. Tani na del që kjo “siguresë” qenka djegur plotësisht nga brenda dhe nuk është e aftë ta ruajë kombin shqiptar nga “tensioni i lartë” që e ka emrin “dalldi fetare” dhe “përçarje fetare”.
Tani Urdhri kërkon të shkëputet si shtet më vete, duke bërë lëmsh të gjitha ndjesitë, krenaritë, orientimet fetare dhe duke i hapur rrugë përçarjes më të thellë kombëtare, duke investuar në një garë për t’u shitur “fetarisht”.
Unë vetë jam shkëputur nga ky orientim fetar dhe pikëpamjen time, besimet apo emocionet e mia i kam në librin “Besa, feja ime, e fëmijëve të mi dhe e bujarëve shqiptarë” (2009) që synonte devizën e Rilindjes Kombëtare “Feja e shqiptarit është shqiptaria” (Pashko Vasa).
Menjëherë duhet t’u kujtojmë autorëve këshillën e Naim Frashërit “Mos iu afro dhelpërisë, po së drejtës iu nis pas, në dëgjofsh fjalët e mia do të jesh gjithnjë gas”.
Është e qartë se Urdhri Bektashi në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare po përpiqet të dëmtojë rëndë me veprimet e veta vizionin dhe programin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ndaj duhet t’u kujtojmë në vetë të parë mesazhi ka Naim Frashëri për ta. Citoj Naimin:

Fet’ e besëtë t’i kemi
Po të ndarë të mos jemi,
Hoxh’ e xhami e dervishë,
Priftër’ e kllogjër’ e kishë

Nderë që kanë ta kenë,
Po të duan Mëmëdhenë,
Të duan njerëzinë,
Dhe të tërë Shqipërinë,

Mirësit’ e urtësitë
T’i kenë përpara dritë,
Të ken’ udhë njerëzinë,
dhe zot gjithë Perëndinë;

Me dritët të Perëndisë
T’i ndihinë Shqipërisë,
E të ngrenë Shqipëtarë
Të bëhet si ish më parë

Nisma është pjesë e një plani për dizintegrimin e kulturës kombëtare shqiptare, për çorientimin e popullsisë sipas një skeme të huaj.
Sami Frashëri: “Shthurja është një lumë i rrëmbyer që ecën midis popujve dhe i rrëmben popujt që janë mbrojtur me muret e një morali të mirë dhe me anën e një administrimi të mirë i dërgon nëpër grykëderdhje pranë detit ku ato janë të paracaktuar të mbyeten.”
Çfarë bën pjesë në administrimin e mirë, për të cilën ka frikë Sami Frashëri.
Kur “Mësonjëtores së parë shqipe” në Korçë i hoqën emrin, i hoqën statusin Muze Kombëtar i Arsimit, kur qëllimisht hoqën 7 marsin 1887 si mundësinë e vetme për ta shpallur Festë Zyrtare, kur këshilltari i Edi Ramës filloi sulmin frontal ndaj Frashërit, dhe Vëllezërve Frashëri me synimin e tjetërsimit e të vërtetës së Rilindjes Kombëtare, përthithjen e saj, zhvendosjen, zëvendësimin dhe çdo gjë tjetër që do të ishte sulm i suksesshëm, kam thënë se “Andej nga u bë Shqipëria, andej edhe do të zhbëhet”.
Pra nëse Shqipëria u bë nga Lëvizja e Rilindjes Kombëtare, pikërisht vizioni programi dhe vetë rilindasit duheshin vënë në fokus të goditjes së gjithanshme. Duhej sulmuar rëndë çdo vlerë e program bashkimi dhe harmonie që nxiste Rilindja Kombëtare. Nëse Rilindja Kombëtare nxit harmoninë fetare, duhet edukuar përçarja.
Nëse Rilindja Kombëtare synon një sistem edukativ kombëtar, atëherë duhet shkatërruar shkolla. Nëse Rilindja Kombëtare synon bashkimin, duhet synuar përçarja qelizore.
Opinioni publik i intelektulëve shqiptarë do të ketë reagimin e duhur për të provuar se Shteti Sovran i Urdhërit Bektashi është një tradhëti e lartë ndaj Kombit Shqiptar dhe është në vijim të goditjes së Rilindjes Kombëtare dhe punës së Vëllezërve Frashëri.
Duke qenë plotësisht i lexuar e i vetëdijshëm për çfarë kanë shkruar Vëllezërit Frashëri, sidmos Naim Frashëri dhe Sami Frashëri, mund të them me siguri absolute se Lëvizja për Shtetin Sovran të Urdhërit Bektashi është një tradhëti e lartë ndaj kombit shqiptar që synon të atrofizojë përpjekjet për koherencën e brendshme kombëtare dhe bëhet me devizën “Përça e sundo”.
Vazhdimisht kam qenë kundër që Naimi të përthithej nga bektashinjtë, në atë mënyrë që njerëzit të mos ndiqnin Naim Frashërin, por të ndiqnin bektashinjtë. Kur kam qenë në Frashër nuk kam qenë pro që konferencat të mbaheshin në Teqe, pavarësisht se ajo justifikohej me faktin që Teqeja ka qenë degë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në kohën kur ishte ne nuk kishim shtet shqiptar dhe sigurisht ishte për nder. Por tani që kemi shkollat shqipe publike, të mos zgjedhësh Shkollën por të zgjedhësh Teqenë, do të thotë se ka një devijim në të kundërtën e kahut të vetë Rilindjes Kombëtare që synonte kombëtarizimin, sistemin shtetëror laik etj.
Nuk është e vërtetë që Vëllezërit Frashëri dhe Naimi ndër ta u bënë udhëheqës apo vetja nga sekti bektashi. Vëllezërit Frashëri ishin produkt i frymëzimit të brendshëm kombëtar familjar dhe individual. Ata ishin produkti më i lartë shqiptar. Këtë nuk e vendosin bektashinjtë, por e vendos vetë njeriu. Është ai që cakton çfarë drejtimi do të marrë. Ata e caktuan për vete dhe morën misionin kombëtar. Naim Frashëri thotë

“Më çdo anë e kërkova,
Thashë: ku ‘shtë Perëndija?
Po më pastaj e mësova,
Qënke ndaj mej’ e s’e dija!

Kërkonja gjetkë ta gjeje
Zotn’ e math e të vërtetë,
Ajy qënkej ndaj meje,
E paskësha unë vetë!

Vargjet nuk lënë asnjë dyshim se Naimi dhe Vëllezërit Frashëri janë produkt i vetes dhe kombit shqiptar sepse ata e treguan vetë se frymëzimi i tyre, pra edhe edukimi ishte mbarëshqiptar, ndaj bektashinjtë thjesht duhet të vihen në radhë pas tyre, e jo të “shkojnë vetë para” e t’i thonë Vëllezërve Frashëri “na ndiqni ju nga do të shkojmë ne” apo “nga të shkojmë ne do t’ju marrim edhe ju me vete duke ju keqintepretuar”.
Vëllezërit Frashëri nuk ishin bektashinj, por ishin shqipëtarë. Kur këtë ata e pranojnë për çdo fe tjetër, nuk mundet të mos e pranonin për besimin e tyre.
E kundërta është e vërtetë që Naim Frashëri ndikoi që të reformonte urdhërin bektashi duke forcuar pozitat e kombëtarizmit. Këtë Naimi e bëri për të dhënë shembullin e vet tek të gjithë rilindasit e feve të tjera, ku secili kishte detyrën e vet që në lëmin fetar të punonte në mënyrë kombëtare, pra Naimi po punonte me bektashinjtë, të tjerë patriotë rilindas ortodoksë do të punonin me Kishat Ortodokse për t’i shqiptarizuar, për t’u dhënë ungjillin shqip, priftërinjtë shqiptarë, siç ka punuar edhe Pashko Vasa (katolik) për shqiptarizimin në çështjen fetare, duke dhënë madje devizën më të bukur e të flefshme për të gjithë “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Synimi i Shtetit Sovran të Urdhërit Bektashi synon të dizintegrojë territorin dhe sovranitetin e Shqipërisë, t’i japë krahë përçarjes fetare, synon të përthithë në mënyrë të korruptuar kulturën shqiptare ku kanë kontribuar edhe bektashinjtë, synon të çorientojë orientimin kombëtar shqiptar, synon të dekurajojë kombëtarizmin e shqiptarëve dhe t’i bëjë ata të jepen më shumë ndaj fesë sesa është e arsyeshme.
Nuk mundem të shkruaj më shumë sepse këtë punë do ta marrin në dorë të tjerë dhe ata do ta qartësojnë sa e poshtër është kjo nismë.
Është me vend të kujtojmë çfarë populli citon nga Abdyl Frashëri kur mbronte të drejtat e kombit në Kongresin e Berlinit.

Unë jam nga Shqipëria,
Avdyl Frashëri,
Rritur në male të larta,
Me libra në gji.

Ju lutem shëkoni mirë,
Ju për Shqipëri,
Mos e bëni copa-copa
Sikur s’ka njeri.

Tani mësojmë se “copëtimi” nuk vinka nga jashtë por vinka nga Urdhëri Bektashi. Është si drita e diellit e qartë që nuk është nismë shqiptare. Por përse nuk u dashka të jetë “shqiptare” nëse urdhëri gjendet në Shqipëri dhe për të kanë punuar kryesisht shqiptarët? Përse u dashka që shqiptarët të angazhohen në një punë që është qartësisht “antishqiptare”?
Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi në fakt synon shkombëtarizimin e besimtarëve të vet, duke u thënë atyre “feja është e ndarë nga kombi”, ndërkohë që e gjithë Rilindja Kombëtare ka investuar fuqishëm në afrimin e fesë me kombin. Nëse krenaria e kësaj pune “shkombëtarizohet” duke parë “punën e vet fetare” atëherë kuptohet se çfarë do të ndodhë me besimet e tjera fetare. Shteti Sovran i Urdhërit Bektashi synon shpronësimin e shqiptarëve besimtarë, sepse shumë shpejt do të kuptohet se Shtetin Sovran të Urdhërit Bektashi do ta kenë kapur të huajtë dhe do të menaxhojnë edhe një seri asetesh në Shqipëri, sidomos në jug dhe do ta bëjnë krejt lëmsh situatën. Asnjë shqiptar nuk do t’ia këshillonte urdhërit shndërrimin në shtet. Atëherë kush e ka këshilluar?
Bektashinjtë ishin të vetmit që kishin krenari se qendra e besimit të tyre nuk ishte jashtë por brenda Shqipërisë dhe drejtohej nga shqiptarë. Tani ndërmjet “besimtarëve shqiptarë bektashi” dhe faltores së tyre vendoset “dogana”. Ata do të eksportohen në një “shtet tjetër”, që nuk paska dëshirë të jetë “shqiptar” por do të jetë për qejf të vet.
Sami Frashëri tek “Shqipëria ç’ka qenë ç’është e ç’do të bëhetë” në kapitullin “Rreziqet e Shqipërisë” shkruan:
“Shqipëria ka rezike më të mbëdhenj e më të thellë, të cilëtë po i nxjerrinë rënjëtë në kohët të paqit, pa gjak e pa armë. Kjo është luft’ e pëndës’ e e shkollësë, luft’ e kombërisë. Kombetë’ q’e kanë rrethuarë Shqipërinë duanë ta copëtojn’ e ta ndajnë në mest të tyre. Greqtë, Shqehtë e të tjerë kombe fqinjë s’duanë të njohinë qënien’ e kombërisë shqipëtare. Sicilido përdor besën’ e ti e do të heqë m’anët të ti ata Shqipëtarë, që kanë një besë me të. M’i pari Tyrku do të heqë Shqipëtarëtë myslimanë e t’i ndanjë nga vëllezërit’ e tyre, Shqipëtarët’ e krishtenë, duke futurë në mest të tyre fanastismën’ e grindenë. Për të ndarë të krishtenëtë për jetë nga myslimanëtë e për të hapurë në mest të tyre një trap të thellë, qeveri’ e Tyrkut Shqipëtarët’ e krishtenë s’i njeh për Shqipëtarë, po i quan Rum domethënë Greq, Bulgarë, Sërbët, Llatinë etj. edhe myslimanëtë i quan islam; edhe emëninë Shqipëtar s’e njeh e s’do ta dëgjonjë. Të verbëritë Tyrq! Nuk’ e kuptojnë dot, e s’iau pret mëndja që me këtë udhë shërbejnë qëllimet’ e armikëvet të tyre e nxierinë themelet’ e rënjët’ e tyre!”

Tradhëtorët

Shokë! kemi në mest tënë
Shum’armik’ e trathëtorë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Veç që s’kanë gjë në dorë!

Harruanë Mëmëdhenë!
Dh’e lanë kombinë tënë
E një tjatërë na gjenë!
Popo! mos u qoftë thënë!

Lanë Zonjën’ e lëvduar
E zunë një kurvë shtrigë,
Të ndyr’ e të mallëkuar,
Të fëlliqur’ e të ligë!

Lanë mëmëdhenë të çveshur
Dhe mundohenë për botë,
Pa dhe bota, duke qeshur,
U thotë: mundohi kotë!

Qysh u bënë Efialtë
E nuk e njohin të mirën?
Uthullën pandehin mjaltë
Edhe dritë errësirën!

Buk’ e Mëmëdheut i zëntë!
Trathëtorët’ e pabesë!
Dhe Zoti dërmën’ u dhëntë!
Kurrë mos paçinë pjesë!

Miqt’ armiq i kanë bërë,
Armikëtë miq i zunë;
Qysh janë fyell të tërë!
Ç’është kjo e madhe punë!

Fajn’ e math kur do ta njohin
Njerëzit’ e mallëkuar?
Dritënë pse nuk’ e shohin,
Apo janë të verbuar?

Janë së gjithash të marrë!
Dhe të liq me të vërtetë,
Mëmëdheut bëjnë varrë,
Po do të bienë vetë.

Se mbretëron e vërteta,
S’del kurrë gënjeshtr’e shkretë,
T’ish ashtu, qe prishur jeta,
S’kish mbetur gjë e vërtetë.

Ata turpinë fitojnë,
Nder’ e tyre posht’ e hedhin,
Dhe armikëtë gëzojnë
E në errësirët bredhin.

Nuk’ është kurrë harrua
Dh’e mira dh’e lig’ e shkretë
Të gjitha janë paguar
S’ka mbetur gjë në jetë.

Lerini, pa do ta gjejnë,
Të vërtetën do ta njohin,
Se tani s’e dinë ç’bëjnë,
Janë të verbër’ e s’shohin.

Opopo! ç’turp kanë marrë!
Janë bërë trathëtorë!
Dhe s’janë më shqipëtarë,
Se nga kombi hoqnë dorë!

Me të huajnë u bënë!
Me armikn’ e Shqipërisë!
S’duanë gjuhënë tënë
Armikëtë e Perëndisë!

Ndiej’, o Zot, se nuk dinë
Se ç’bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë;
Pun’ e lig’edh’ e mërzitur!

Të gjorët janë në gjumë,
Të vërtetënë s’e dinë,
Do të mundohenë shumë,
Pastaj mentë do t’u vinë.

Vëllazërin’ e harrojnë
Dhe kombin’ e Mëmëdhenë
Dhe armikëtë dëgjojnë
Edhe s’dinë se ku venë!

Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithi mënt’ e turpërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pastaj do të pendohi!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.