back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

“Shtëpia me Gjethe” – nga Visar Zhiti

Gazeta

Visar Zhiti - Vizitë te "Shtëpia me gjethe"
Visar Zhiti – Vizitë te “Shtëpia me gjethe”

“Shtëpia me Gjethe”

nga Visar Zhiti

Takimi u bë në “Shtëpinë me gjethe”. E dija ç’ishte ai muze në Tiranë, kishte një hije të zymtë për mua dhe një mister tragjik që s’i kishte ikur a nuk do t’i ikte kurrë. Sigurimi i tmerrshëm i Shtetit aty bënte përgjimet me aparatura të sofistikuara e të shtrenjta për vendin, aq shumë të varfër, të mbyllur e me diktaturën më të ashpër në Europë. Po aty janë bërë dhe tortura, thyerje kockash e zhdukje të kundërshtarëve, kështu e dija dhe e kisha të veshtirë të shkoja. Po tani kjo vilë në qendër të Tiranës vizitohet nga turistë të shumtë dhe quhet “Shtëpia me gjethe” prej gjetheve të shumta të bimëve kacavjerrëse që mbulonin fasadën. Po aty kacavjerren dhe kujtime të rënda të Shqipërisë. Kishte qenë dikur maternitet, e konfiskoi shteti i diktaturës dhe nga shtëpi e lindjes e bëri shtëpi të vdekjes.
Të shkoja a të mos shkoja? Po kjo ishte dhe sfida jonë si një ish i burgosur…

Visar Zhiti - Vizitë te "Shtëpia me gjethe"
Visar Zhiti – Vizitë te “Shtëpia me gjethe”

Më kishin ftuar një grup ekspertësh të Fondacionit “Santagata” në Torino, – fitues i garës së organizuar nga “Cultural Heritage Wthout Borders – Albania” për Planin e menaxhimit të burgut Spaçit, tashmë i rrënuar, se si ai të shndërrohet në një muze.
Takim i vështirë, po mendoja, por dhe interesant, me interes më saktë, për kujtesën kolektive.
Më pritën Odise Zoto, arkitekt në Tiranë, Etleva Demolli, drejtoreshë e Muzeut “Shtëpia me gjethe” dhe italiania Giulia Avanza, manaxhuese në projektetet ndërkombëtare.
-Jemi në fazën e tërheqjes së mendimit të grupeve të interesit, – më thanë.
Biseda shkoi mjaft mirë, me ide dhe kujtime, degjonim me vëmëndje njëri-tjetrin, Spaçi – muze, së pari të shpalosë të vërtetën e tij të tmerrshme, – thashë, – si një Aushvic, pra, të bëhet siç ishte, në tërësi është e pamundur, por në pjesët kryesore, më të qenësishme dhe në anë, “jashtë rrethimit” të këtë atë, le ta quajmë “Qendrën Kulturore”, muze objektesh, bibliotekë, hotel, ku të mund të rrinë vizitorë a pelegrinë, studiues, artistë, etj, etj.

Qendra e Terrorit Komunist - "Shtëpia me Gjethe"
Qendra e Terrorit Komunist – “Shtëpia me Gjethe”

Edhe Italiania Giulia mbante shënime, kishte një kërshëri të dhembshur, një si zbehje dhe qendrim, qendrim të hapur ndaj së keqes, kurse ne, shqiptarët, dukeshim si të mësuar me të. Giulia kishte me vete, “Sulle strade dell’inferno”, librin tim të Spaçit, “Rrugët e ferrit” dhe deshi një autograf. Teksa firmosja, u kujtova për një çast se kjo po ndodhte në “Shtëpinë me gjethe”, plot me aparatura përgjimesh të Sigurimit të Shtetit, sidomos ndaj të huajve, anbasadave dhe një italiane si një denoncim të madh kishte sjellë pikërisht mbi ato tryeza një burgologji, atë te Spaçit dhe bisedonte me një nga të dënuarit e atyre, që, sikur ta sillnin sado pak ndërmend ata, persekutorët, se do të vinte një ditë e tillë, o do të duhej të vrisnin veten apo t’u binte të fikët apo… jo, jo, asgjë e tillë s’ndodhi. Ata janë prapë… ashtu… dhe ky muze më shumë është i tyre, – i thashë drejtoreshës, kur na ftoi ta vizitonim, – tregon se si punonin ata, inteligjencia e tyre, po duhet dhe simetria, si qendruan dhe u përballën shqiptarët me përbindëshin e së keqes dhe pati kundërshtarë të mëdhenj, martirë e heronj.
Prandaj duhet Spaçi tani, madje sa më shpejt, jemi vonë…

Emra në "Shtëpinë me Gjethe... emri i nënës time
Emra në “Shtëpinë me Gjethe… emri i nënës time

Më tronditi “dhoma e emrave”, kështu po e quaj, një dhomë e errët me të katër faqet e mureve plot me emra, deri lart në tavan, emra, emra, emra, të dënuarit të gjithë, të pushkatuarit, e prapë s’janë të gjithë, – na tha drejtoresha. Në mes të dhomës ishte një shkallë, që të ngjitëshe, të gjeje emrin që doje se ato dukeshin sikur shkonin lart, deri në qiell.
– Ja, dhe emri yt, – tha drejtoresha.
Gjeta dhe emrin e xhaxhait tim të pushkatuar, ja dhe i gjyshit të bashkëshortes, Edës time, emra, emra, emra. Janë jetë të gjitha, të ndërprera, të vrara.
Kur dola, ndjeja lodhje dhe hutim. Sikur të kisha dalë nga një hetuesi e rëndë. Por këtë radhë e kisha marrë unë në pyetje hetuesin… shtetin.
Nëpër gjethe gjithkund lexoja emra…

Marrë nga Muri i FB Visar Zhiti, 9 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.