“Shqiptarët, një racë e panjohur; miq dhe armiq të turqve!” – “The Seattle Star” – më 29 prill 1904

0
15
Djemtë dhe nipat e Jakup Ferrit
Djemtë dhe nipat e Jakup Ferrit
Shqiptarët - Paja Jovanoviç
Shqiptarët – Paja Jovanoviç

“Shqiptarët, një racë e panjohur; miq dhe armiq të turqve!”

“The Seattle Star”, më 29 prill 1904

Përktheu: Armand Plaka

Gazeta amerikane “The Seattle Star”, më 29 prill 1904,
boton artikullin (origj: Albanians, strange race; friend and foe of the turks).
Artikulli flet me nota vërtet pozitive e objektive për shqiptarët,
duke ua vlerësuar atyre më së shumti virtytet
për të cilat ata në fakt do të dëshironin gjithnjë t’u njiheshin
dhe u kundërvihet artikulimeve se ata qenkëshin “të egër”…
Populli më fisnik, racë e bardhë e gjakut më të pastër…
Gazeta amerikane për shqiptarët (1904):

Shqiptari në pritë - 1884 - Paja Jovanoviç
Shqiptari në pritë – 1884 – Paja Jovanoviç

16 prill 1904, Manastir – Nga vendasit quhet Shqipëri ndërsa nga turqit njihet me emrin Arnautlluk. Për këta të fundit, shpesh ajo ka qenë një hallë në sy, ose një kërbaç në duart e tyre. Shqipëria shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Turqisë evropiane në koordinatat 39 dhe 43 gradë në veri dhe laget në perëndim nga detërat Adriatik dhe Jon.
Ka një gjatësi prej 290 miljesh dhe gjerësi që shkon nga 40-90 milje. Terreni është malor me nëntë varg-male me shtrirje veri-jug. Maja më e lartë kap nivelin 8000 këmbë. Një tipar interesant që vihet re në këtë vend janë lumenjtë nëntokësorë si dhe liqenjtë e mrekullueshëm. Eksportet konsistojnë në pambuk, kuaj, dru dhe misër. Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve antikë dhe epirotasve. Gjuha e tyre përmban disa dialekte me diferenca të theksuara. Popullsia vlerësohet se kap shifrat e një milion e gjysmë.
Shqipëria që shtrihet në brigjet e Adriatikut është vendi më i ashpër dhe më i paeksploruar i Evropës, ashtu siç është edhe Tibeti në Azi. Ajo çka pjesa e mbetur e kontinentit nuk di rreth këtij vendi, do të përbënte material për botimin e një libri të madh. Ajo çfarë di, zor se do të mbushte dot një fletushkë. “Fuqitë e Mëdha” në të shkuarën i kanë kërkuar sulltanit ta rregullojë problemin shqiptar. Sulltani duket se nuk e pëlqente këtë ide, e vetmja mënyrë që ai ta rregullonte këtë punë, ishtë nëpërmjet religjionit ….
Është tmerrësisht joshëse për një evropian të shkelë në këto vise. Është po ashtu po aq e rrezikshme për një shqiptar për ta lënë shtëpinë e tij, qoftë edhe për një distancë të vogël pa u shoqëruar nga një eskortë e madhe, pasi gjakmarrja korsikane s‘ka qënë kurrë më krenare sesa ajo e shqiptarëve. Dikush mund të mendojë se shqiptarët janë të egër, por në anën tjetër, ata janë kaukazianë (racë e bardhë – v.j.) të gjakut më të pastër dhe renditen si populli më fisnik brenda Perandorisë osmane.

Gazeta Amerikane "Th Seatlle Star"
Gazeta Amerikane “Th Seatlle Star”

Francesco Crispi, kryeministri i famshëm Italian, ishte shqiptar dhe postet në ushtrinë turke dhe administratën civile që kërkojnë zotësi të madhe, kanë qenë vazhdimisht monopol i shqiptarëve. Një oficer ushtrie me origjinë shqiptare, mund të dallohet fare lehtë, pasi ai nuk e ka kokën e ulur dhe vështrimin tinzar të një turku, por mbart një vështrim të hapur me sy të shëndritshëm dhe qëndrimin e një atleti.
Karakteristika të rralla e shënjojnë këtë racë. Ata janë këmbëngulës në qëllime, por me të cilët, brenda rrethanave normale, mund të merresh vesh. Fillimisht ata ishin të gjithë kristianë, por kur u pushtuan nga turqit, u asimiluan në besimin e turqve, duke u bërë kështu i vetmi popull, i cili e ndryshoi besimin në masë.
Ndjenjat e shqiptarit për turkun janë të dyzuara. Ashtu sikurse të gjitha racat e zonave të Maqedonisë, ai (shqiptari) e dëshiron pavarësinë e vet dhe e do këtë para se të vdesë Abdyl Hamiti. Ai do të luftojë për sulltanin duke u vënë në krah të tij e penguar atë për t’i dhënë pavarësinë racave të tjera.
Duke trajtuar religjionin si një levë, zyrtarëve të sulltanit u duket më e lehtë të merren vesh me shqiptarët, sesa me bullgarët, ndërkohë që këta të parët mbrojnë fuqinë e “të sëmurit të Evropës”, klerikët e tyre të lartë u thonë atyre se: rebelimi nuk është dëshira e Muhametit.
Shqiptarët kanë një gjuhë. Alfabeti i tyre konsiston në 30 gërma, një miksturë e rrallë greko-latine. Pushteti turk, gjithsesi, ua ndalon atyre mësimdhënien në shkolla në gjuhën e vet. Italianët dhe francezët kanë kryer një propagandë kristiane në veri dhe në jug, por kanë arritur të konvertojnë vetëm nja dhjetë mijë vetë në të gjithë vendin.
Vetë në Turqi, diçka e tillë do të thoshte vdekje me torturë, pra që një mysliman të bëhej kristian, por shqiptarët kristanë dhe muhamedanë jetojnë së bashku pranë njëri-tjetrit. Shqiptarët janë pra, miq dhe armiq të turkut. Ata kanë luftuar kundër tij si tigra dhe po në të njëjtën mënyrë, edhe përkrah tij. Në këtë moment, ata duken se duan ta bëjnë sërish këtë gjë. Ata janë ofruar për të luftuar kundër fuqive të mëdha për sulltanin dhe para pak kohësh, e mundën atë kur ai dërgoi një ushtri për t’i shtypur.

Djemtë dhe nipat e Jakup Ferrit
Djemtë dhe nipat e Jakup Ferrit

Ta konsiderosh turk një shqiptar, është një ofezë e madhe për të dhe nuk ka gjë që do ta bënte atë të luftonte më shumë sesa ta quaje atë turk.
Një gjë për të cilën shqiptari është krenar, është se fjala e tij është po aq e barasvlefshme sa një marrëveshje e nënshkruar. Kjo gjë për turqit nuk merret në konsideratë.
Disa evropianë dikur kaluan në Shqipëri nën mbrojtjen e një bajraktari, miqësinë e të cilit tashmë e gëzonin, dhe që u kishte dhënë fjalën e tij për qëndrim të sigurt të tyre. Një fis që ishte në gjak me të, vrau një pjesëtar të grupit dhe qysh prej asaj kohe, këto dy fise janë në gjak me njëri-tjetrin.
Sulltani është i lodhur nga dëmshpërblimet dhe nuk do ta nxjerrë zbuluar ushtrinë e tij për momentin në vështirësi, në Shqipëri. Sulltani dhe nëpunësit e trupit diplomatik përdorin shqiptarët si truproja. Kur një shqiptari i besohet një detyrë e tillë, apo jep fjalën, ai e mbron me jetën e vet punëdhënësin e tij.
Mikpritja e shqiptarëve është një virtyt i paarritshëm i tyre. Nëse një vrasës që arratiset nga shokët e viktimës së tij, shkel pragun e një shtëpie, edhe nëse kjo shtëpi është e vëllait të viktimës së tij, ai mund të qëndrojë për tri ditë absolutisht i sigurt, por pas mbarimit të afatit treditor, ai duhet të largohet. Ai ka në dispozicion 24 orë për t’u larguar dhe që nga ky moment, dyert e gjakmarrjes konsiderohen të hapura.
Shqiptarët i kushtojnë vëmendje veshjes. Kostumet e tyre ndryshojnë sipas zonave, por zakonisht konsistojnë në një këmishë të bardhë, të punuar me dorë, me material prej tekstili të lehtë, me xhaketë pa mëngë, e punuar bukur me shirita kuq e zi: një brez zakonisht i kuq i lidhur rreth e qark belit, me pjesën fundore që shtrihet plot elegancë poshtë.
Rreth brezit ngjeshen thika dhe pisqolla. Pantallonat janë të lehta të ngjitura pas këmbëve, duke mbuluar këmbët deri mbi këpucë, të punuara nga vithet deri tek gjunjtë. Kjo veshje finalizohet me një qeleshe të këndshme dhe ju në fund keni rastin të shihni një krijesë të veçantë.
03.01.2023

Related Images:

Artikulli paraprakÇekia & Sllovakia – 30 vjet nga ndarja paqësore e Çekosllovakisë
Artikulli tjetër“Kohët e vështira nxjerrin burra të fortë dhe burrat e fortë krijojnë legjendat e tyre” – nga Lulash Vatnikaj
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.