back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

“Kohët e vështira nxjerrin burra të fortë dhe burrat e fortë krijojnë legjendat e tyre” – nga Lulash Vatnikaj

Gazeta

Col Qerimi me Zef Isufin
Col Qerimi me Zef Isufin

“Kohët e vështira nxjerrin burra të fortë

dhe burrat e fortë krijojnë legjendat e tyre”

nga Lulash Vatnikaj

Col Qerim Vukaj, lindi në Curraj të Epërm në fillimshekullin e kaluar, më 7 Tetor 1900. Pasardhës i shtëpisë së Bardhec Hysenit, që e ktheu katundin Curraj i Epërm në një kala të papushtueshme nga forcat nazifashiste. Burrë i madh, fistar, dhe nacionalist i flaktë i Shqipërisë së Epërme.
Siç ishte traditë në Curraj, djemtë rriteshin në mjedise kuvendimesh patriotike, për brezin e Colit më të famshmet ishin ngjarjet e vitit 1910, dhe 1915 kundra malazezëve.

“…Ç’ka ki than ai Krajl Nikolla./ N’Curraj t’Epër nuk mun dola.
N’Curraj t’Epër s’muj me hi./ E ki’n pas ka’i drague për shpi.
E ki’n pas nji Frat Zotni./ …M’a ka hjek zhgunin e zi.
M’i ka vesh petkat malci./ Merr manxerre merr allti.
Treqind djelm’et m’u ka pri./ Qafën e Kolçit e ka msy…”

Currajt ishin të ftoftë me pushtetin politik, me përjashtim të Bajram Currit të cilin e mbështesnin si detyrim fisnor. Ndaj nuk është e rastit që nuk i gjen në rrjesht të parë të ndonjë sistemi politik që shkonte e vinte.
Ardhja në pushtet e Zogut e gjeti Colin tashmë të burrëruar. Në vitin 1926, në Curraj të Epërm kishte një xhandarr të Zogut me origjinë nga Mirdita me emrin Dedë dhe banonte në një shtëpi të një banori të Currajve, dhe sjelljet e tij nuk ishin të hijshme për opinionin. Një ditë ai pi i binte çiftelisë dhe po këndonte në krevetin (ballkon) ku banonte, Coli me kushëririn e tij po kalonte asajt dhe i thotë të kushëririt: “Do ta heq qafe këtë qen se nuk asht ka rrin mirë”. Por kushëriri i vet Dedë Kola e bind që të mos e vriste, por Coli hyp dhe i merr çiftelinë ia thyen për kokë dhe i drejtohet me këto fjalë: – “Mos të shoh ma në Curraj se nuk jeton më”.
Ai largohet menjëherë nga ky fshat për të mos u kthyer më, këtu filloi edhe kalvari i përplasjeve me pushtetarë zullumqarë.
Coli me një grup shokësh iu bashkua luftës kundër trupave të Zogut në masakrat e tyre në Dukagjin dhe Nikaj-Mërtur. Për një kohë të gjatë iu desh të jetonte në Kosovë pasi çmimi për kokën e tij ishte i lartë nga Qeveria e Zogut.

Col Qerimi
Col Qerimi

Lufta e Dytë Botërore e gjeti Colin në Curraj të Epërm ku më 11.09.1943 bashkë me bashkëfshatarin e tij Zef Avdi Mrishaj formuan formacionin e parë partizan territorial, me shumë burra të Currajve të Currajve të Epërm.
Ishte e vetmja çetë partizane në Shqiperi me këtë emër, pasi nënkuptonte se ishte ngritur për vetëmbrojtje, ndaj Currajt ishin në kushte survejimi. Në fakt po në këtë kohë kryeplaku Isuf Sadiku, pati shpëtuar 2 ose 3 shtëpi në Curraj, pasi ato ishin shënjestruar për t’u djegë, madje në njërën ishte ngujuar bashkë me të zotët e saj. Asokohe pati lëshuar edhe një dekleratë se në katund nuk kish armë, taktike për të shpëtuar ndonjë reprezalje të mundshme si në Bytyç.
Një komandë gjermane kishte arritur në Currajt të Epërm pa pasur asnjë vështirësi, pasi partizanë nuk kishte kund. Ata kërkuan një titullar, kryeplaku doli me pushkë në krah, aso kohe ai mbante të strehuar nipat e tij në ndjekje, njeri prej të cilëve Pal Raja, ky i fundit i tha Isufit mos i tako se po i vras unë, Isufi jo vetëm që refuzoi t’i sillte katundit një kasaphanë që do pasonte vrasjen e tyre, por i tha nipit të vet të fshihej më mirë për vete e merrem unë me atë punë. Kur Isufi iu afrua komandës gjermane, ata i drejtuan armët se ky kishte shkuar me pushkë në krah dhe qëllimi i tyre ishte pikërisht mbledhje armësh e arrestim të kërkuarisht, Isufi ishte vetë një shkelës se strehonte të nipin. Ai iu drejtua dragomanit (përkthyesit) me fjalët armën e kam me leje e jam kryeplak, me pas ai lëshoi një deklaratë se nuk kish armë e as të kërkuar. Megjithëse të dyja ishin të pasakta, shpëtoi 100 shpi nga pushtimi dhe vrasjet.

Dokument mbi aktivitetin e Col Qerimit gjate L2B
Dokument mbi aktivitetin e Col Qerimit gjate L2B

Veprimtarinë e Col Qerimit, tashmë e kemi edhe të dokumentuar nëpërmjet arkivave të (AQSH), një pjesë të së cilës po e paraqesim:
“Nënprefektura e Dukagjinit njofton se Col Qerimi nga Curraj Epër të Komunës Nikaj me 15 shokë të tij ka marrë pjesë në qetën e Gani Begut dhe luftue ne Bytyç të Tropojës kundra një patrulle Gjermane. I naltpërmenduri me 20.06.1944, bashkë me shokët e tij, asht kthye në shtëpinë e vet tue marrë me veti 20 komunista Krasniqas, Organet e Sigurimit të vendit për mungesë personeli, nuk janë në gjendje me veprue kundra tyne” (Prefekti Javer Hurshiti). Coli si komandant dhe Zefi si komisar arritën të bashkojnë shumë N-M në këtë çetë ku falë bashkëpunimit me mendjen e zgjuar të Isuf Sadikut si kryeplak i Currajve dhe të shumë kryepleqëve të zonës rriti shumë popullaritetin e këtij bashkimi luftëtarësh.
“Vijon Shkresa e Komunës Nikaj-Mërtur, na njofton se me date 06.04.1944 ka ardhë në qendrën e saj një rreshter Gjerman me 3 ushtarë e 11 vullnetarë për me qëndrue në Rajonin e Komunës në fjalë deri të gjejnë shtëpi tjetër ka zanë vend në lokalin e Komunës dhe gjanat ushqimore i kane sjellë me vedi. Nënprefektura e Dukagjinit na njofton se reparti Gjerman që ndodhej në Curraj Poshtme asht shpërngulë e instalue në fushën e Madhe afër Qafes së Agrit, po aty asht instalue dhe nji pjesë e qetës Nik Sokolit me disa oficera Anglezë të cilët thuhet se bashkëpunojne dhe se presin te furnizohen me material me aviacion”
Nisur pikërisht nga kjo traditë, siç duket hasim edhe këtë çetë territoriale, e cila kishte si qëllim mbrojtjen e katundit. Mirë po në Curraj të Epërm u strehuan edhe drejtues të Shtabit Kosmetit, mjerisht nuk e kanë pohue më vonë.

Col Qerimi
Col Qerimi

“Shkurtim… Mbi Zef Avdies
Drejtorisë së përgjithshme të Policisë – Tiranë
Për njoftim e shënimet e rastit, po ju përshkruajmë shkresën Nr. 209 res, datë 16 të vazhduesit të Prefekturës Shkodër:
“Lajmërohemi nga Nënprefektura e Mirditës se Zef Avdija, nga Katundi Curraj ka hy në shërbim të komandantit të Shtabit Kosovës të Partisë Komuniste Fadil Hoxhës.
I përmenduni qenka ngarkue me bartë postën e Partisë me Col Qerimin komandant i një çete formue në Curraj Epër”.

Ka shumë dokumente arkivore që provojnë aktivitetin e kësaj çete, por qëllimi i saj ishte mbrojtja territoriale që e bënte të domosdoshëm bashkëpunimin me forcat e Nikë Sokolit, Pal Nikë Gecajt dhe Mark Tunxhit me qëllimin e mirë që N – M të ishte i paprekur. Si gjatë luftës dhe pas saj Coli përndiqej.

Dokument i Col Qerimit
Dokument i Col Qerimit

“Landa: Mbi arrestimin e Zef Avdise e Col Qerimit, Hetime.
Drejtorisë Përgjithshme të Policisë – Tiranë
Në gjegje të shkresës së sipërme, kemi nderin me njoftue se në hetimet e bame për identifikimin e arrestimin e të përmendurve në lëndë, ka dhanë perfundime negativ. Janë marrë masat e arrestimit të tyne në rast se do të vijnë në këtë qytet”.

Me mbarimin e luftës u arrestua për bashkëpunim me forcat e reaksionit dhe u lirua me ndërhyrjen e shumë eksponentëve të lartë me urdhër të Presidentit të Republikës në vitin 1947.
Miqësitë me familje të mëdha, si familja e Zef Shytanit Vuksanaj, Mark Dedës Shëngjergj, Pal Mirashit Palç i dhanë një status nderi kësaj familje ku mendja e Mark Qerimit dhe trimëritë e Colit janë unikale në Shqipërinë e Epërme.
Dada Zojë siç thirrej nga qytetarët e qytetit B. Curri, gruaja e Col Qerimit qe emblemë e vlerave të gruas malësore. Është nderuar me “Medaljen e Trimërisë” dhe është “Nderi i Veteranëve” të Shqipërisë. Ai u nda nga jeta në vitin 1986, në moshën 86 vjeçare dhe u varros me nderime në qytetin e B. Currit.
Një përshkrim i thjeshtë i këtij burri të madh që bëri histori, krahas këtyre po japim e dhe ca dokumente origjinale të marra nga Arkivi i Shtetit që mund tu shërbejë ndonjë lexuesi a pasionanti të historisë që mund të shkruajë më gjatë për këtë burrë.
Tiranë, janar 2023

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.