back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Save my Ryan! – nga Lutfi Alia

Gazeta

Profesor Lutfi Alia
Profesor Lutfi Alia

Save my Ryan! 

nga Lutfi Alia

Problemi jetësor i njerëzimit është të parandalojë luftrat totale, që të mos përsëriten masakrat masive, si ato që ndodhen në Luftën I dhe Luftën II Botërore. Luftat nuk mund të shmangen me brutalitetin e forcave superiore, as me gara armatimesh, por mund të parandalohen me forcën e kulturës dhe të dialogut konstruktiv, si sugjeron përvoja e gjatë dhe e pasur e historisë botërore. Thuhet se historinë e shkruajnë fitimtarët, por arkivat ruajnë “të fshehura” dhe dokumenta e fakte, që përmbajnë të tjera të vërteta, që nuk thuhen e nuk shkruhen nga kalemxhinjtë e fitimtarëve. Arkivat ruajnë dokumenta, që tregojnë çfarë ndodhi me shtetet, me qeveritë, me mbretëritë, me ushtritë, çfarë u ndodhi popujve, individëve dhe shoqërisë, por disa nga këto dokumenta kanë mbetur ende “sekrete” nuk njihen nga opinioni, sidomos një pjesë e tyre, që janë në kundërshtim me ato që përcaktonte “fati i epokës”, politika, fundi i luftërave, çfarë shkuajnë fitimtarët, për çka dhe nuk janë treguar në librat e historisë. Shumë shkruhet për Konferencën e Jaltës (11 shkurt 1945), ku tre udhëheqësit e shteteve aleate F. Rusvellt, W. Çurcill dhe J. Stalini, morën vendime të rëndësishme diplomatiko-politike, por pak e dinë, se në dokumentat sekrete të konferencës, e njohur me emërin e koduar “Argonaut”, këta tre protagonistë e nuk e vlerësuan, më saktë e braktisën Shqipërinë e vogël dhe pse kishte dhënë kontribute të mëdha në luftën antifashiste dhe çlirimin e atdheut pa ndërhyrjen e aleatëve. Atë që “harron” historia e shkruar, nuk e bëjnë arkivat, ku dokumenta të shumta, na ndihmojnë të njohim dhe pjesët e fshehta dhe të pathëna në librat e historisë.
Rreth 20 vjet më parë, gjatë aktivitetit “Java e arkivave të hapura”, e promovuar nga Prof. Shaban Sinani, drejtori i Arkivit Qendror të Shtetit, në një stendë u prezantua koleksioni me letra të shkruara nga ushtarakët italianë në Shqipëri, në vitet e luftës 1939-1944.
Janë me mijëra letra të shkruara nga ushtarakët italianët, por janë letra që nuk arritën në destinacion, sepse komandat ushtarake i kishin çensuruar, i kishin mbyllur në kasaforta. Këto letra u gjetën pas luftës dhe u dorëzuan në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar.
Kur lexon këto letra, pushtohesh nga emocione të forta, pasi konstaton se janë letra intime, letra personale, të shkruara me thjeshtësi dhe kurajo, të mbushura me ndjenja malli dhe dashurie për familjet dhe të afërmit, që kishin lënë në Itali. Ky numër i madh letrash, i ishin adresuar nënave dhe baballarëve, grave, të fejuarave, motrave, vëllezërve, fëmijëve, të afërmëve dhe miqve, të cilët prisnin me ankth një lajm nga djemtë oficerë e ushtarë, që i kishin dërguar të pushtonin dhe të luftonin në një vend të largët. Familjet e tyre ishin të shqetësuara, vuanin shpirtërisht, i mundonte tmerri i luftës, jetonin në ankth për fatin e djemve të mobilizuar në ushtri dhe që i kishin detyruar të luftonin kundër një populli tjetër fqinj, të luftonin kundër popullit shqiptar.
Përgjithësisht, opinioni botëror e ka njohur luftën nëpërmjet traktateve, librave të historisë dhe botimit të ditareve të mbajtura nga persona civilë dhe nga ushtarakët, por këto letra që ruhen në AQSH, janë më shumë se një ditar, janë dokumenta autentike me rëndësi për historinë e luftës, janë pjesë e realitetit të luftës, që nuk është përfshirë në librat dhe në traktatet e historisë, madje përmbajtja e tyre pak është trajtuar dhe në letërsi. Shumë nga autorët e këtyre letrave dhe në se mbijetuan në vitet e luftës, në ditët e sotme nuk jetojnë, ndërsa fëmijёt e tyre, janë bёrё gjysha e stërgjysha. Rrallë gjen ndonjë veteran mbi 90-100 vjeçar. Kanë kaluar mbi 80 vjet, kur u shkruan ato letra, por asnjëra nuk arrijti në destinacion, ato mbetën në anën tjetër të Adriatikut, të çensuruara nga komandat ushtarake, sepse ashtu si ishin shkruar nga ushtarët dhe oficerat italianë, në ato letra mungonte shpirti “heroik”, si e cilësonte propaganda fashiste e luftës, sepse ato letra të ndaluara shprehnin “dobësi”, “ulje të moralit luftarak”, “thyerje para vështirësive”, shprehnin “frikën” dhe “dështimet”.
Shumica e letrave tregojnë vuajtjet, padrejtësitë e luftës, përmbajnë kritika dhe kundërshtime ndaj komandave, që iu impononin ushtarëve “domosdoshmërinë e luftës” dhe i urdhëronin të vrisnin, madje dhe të pushkatonin njerëz të pa armatosur dhe të pafajshëm. Në këto letra iu rrëfehej familjarëve dhe miqve, se nuk donin të luftonin kundër shqiptarëve, sepse ato ishin miq dhe jo armiq. Në shumë letra shkruanin, se mezi prisnin të mbaronte lufta, madje kërkonin të ktheheshin menjëherë në atdhe, pranë familjeve të tyre. 
Përmbajtja e këtyre letrave është një enciklopedi e vërtetë kronikash e atyre viteve lufte.
Kur lexon disa nga letrat, befasohesh me shpirtin artistik të ushtarëve, të cilët i përshkruajnë me art pejsazhet e bukura të Shqipërisë dhe në veçanti shprehin simpati e respekt për popullin shqiptar, e vleresojnë mikpritjen bujare dhe miqësinë me banorët vendas, tregojnë si u respektuan dhe u ndihmuan nga shqiptarët pas kapitullimit të Italisë dhe pse ushtarët italianë kishin shkuar si pushtues. Kuptohet, se në këtë kontigjent letrash të çensuruara, ushtarët dhe oficerat shprehnin kundërshtime ndaj luftës së padrejtë dhe kritika ndaj komandave të ushtrisë. Ky ishte shkaku përse u çensuruan dhe nuk arritën në destinacion, por mbetën në Shqipëri. Çensura fashiste, nuk i lejoi këta “heronj të dobësisë”, të tregonin të vërtetën, të mbillnin dëshprim dhe disfatizëm në atdhe, nga ku i kishin nisur, të shoqëruar me ritmet e marshit triumfues.
Ky koleksion i madh letrash, të shkruara në ato vite kur luftonin kundër popullit shqiptar, aktualisht ruhet në AQSH, por tashmë jo të “mbyllura” në kasaforta dhe as si kujtime personale, por si lajme dhe dokumenta me vlera për historinë e luftës, janë dëshmi kundër politikës fashiste, kundër Musolinit dhe qeverisë së tij, kundër komandantëve të luftës dhe kundër çensurës të diktaturës fashiste, që shtrëmbëronte realitetin dhe e mbyste me të gjitha mënyrat të vërtetën. Këto letra janë denoncime kundër çensurës të komandave ushtarake, të quajturave “heronjtë e arkës së djallit”, që e fshehën “arkën e madhe të epistolareve me vlera”, janë denoncime kundër atyre që tinëzisht e padrejtësisht, u privuan lirinë dhe të drejtat mijëra ushtarëve dhe oficerave italianë.
Në letrat e çensuruara, zbulohet një botë e madhe emocionesh, ka mendime të guximshme kundër politikës fashiste dhe kundër luftës, çka u shpreh qartë pas kapitullimit të Italisë, kur shumë ushtarë dhe oficerë italianë u bashkuan me Luftën Nacional-çlirimtare shqiptare dhe të inkuadruar në batalionin partizan “Antonio Gramshi” dhe në “Circolo Garibaldi”, duke luftuar me guxim dhe me dinjitet kundër nazistëve gjermanë. 
Në disa letra, ushtarët italianë shprehin dëshmi të bukura sentimentale, u tregonin prindërve dhe të afërmeve, se ishin dashuruar me vajza të bukura shqiptare dhe çka i bën më të interesante këto letra, rezulton se shumica e atyre dashurive ishte platonike, një admirim nga larg i vajzave elegante dhe me bukuri të rrallë, i vajzave me buzëqeshje të dlirtë, i atyre zanave që kalonin rrugës, por që nuk mund t’iu flisnin, andaj ndruheshin t’i ndalonin dhe t’u shprehnin ndjenjat. Ka letra, që tregojnë për dashuri të vërteta, letra oficerash dhe ushtarësh italianë, që njoftojnë prindërit për martesa me vajza shqiptare. 
Sigurisht, nuk mungojnë letra të mbushura me pesimizëm dhe me dhimbje, të shkruara nga ushtarakë, që u plagosën në luftime, apo që u sëmurën, por ka dhe letra të shkruara nga ata ushtarakë, që u thyen psikologjikisht, që u dorëzuan para vështirësive të luftës, andaj ankoheshin për fatin e keq dhe të pamerituar. Në shumë letra shprehet dëshpërimi dhe dhimbja, për veprime kundër partizanëve dhe popullit shqiptar dhe mezi prisinin ditën të mbaroi lufta dhe të riktheheshin në atdhe, në gjirin e familjes, në “Casa, dolce casa!”

Lufta Italo-greke
Lufta Italo-greke

Mikpritjen, humanizmin dhe solidarietetin e popullit shqiptar, ndaj ish ushtarëve italianë, e njohim të përjetësuar nga Petro Marko në romanin “Hasta la vista”, nga Dritero Agolli në romanin “Njeriu me Top”, në romanin “Ciocaria” të Alberto Moravia, ashtu si dhe në shumë vepra të shkrimtarëve të tjerë shqiptarё dhe italianë. Pas luftës, dhjetramijëra ish ushtarë dhe ish oficerë italianë u rikthyen në Itali shëndoshë e mirë, me kujtime të bukura dhe me nderim për popullin tonë, që i strehoi, i mbrojti, i ndihmoi dhe iu shpëtoi jetën.
Pas përfundimit të luftës, filloi një histori tjetër e ushtarëve italianë, çka shprehet me kategorinë e letrave me kërkesa për riatdhesime, me letërkërkesat e prindërve dhe të familjarëve, drejtuar qeverisë shqiptare, për t’i ndihmuar rikthimin në atdhe të djemve, që regjimi fashist i detyroi të shkonin të luftonin në Shqipëri.
Rikthimi në Itali i ish ushtarakëve dhe i shtetasve italianë, që jetonin dhe punonin në Shqipëri, u intensifikua pas marrëveshjes bilaterale, të nënshkruar nga Qeveria Shqiptare dhe ajo Italiane dhe u organizua nga një komision dypalësh, që vepronte në bazë të rezolucionit të Konferencës së Paqes të Parisit (29 korrik – 15 nëntor 1946) dhe të Traktatit të Parisit i 10 shkurtit 1947, për riatdhesimin e ish ushtarakëve italianë dhe rikthimin e eshtrave të mijëra të vrarëve në trojet tona.
Kjo është histori e dhimbëshme mbarëbotërore dhe në këtë aspekt, populli fisnik shqiptar manifestoi humanizëm, kulturë dhe dinjitet, i respektoi “armiqtë”, ata që dikur dhunshëm sulmuan, pushtuan, persekutuan dhe masakruan popullin tonë. Këtë aspekt human të popullit shqiptare, shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare e ka përjetësuar në kryeveprën “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, roman i përkthyer në shumë gjuhë të botës, çka dëshmon jo vetëm vlerat letrare të veprës, por është dhe mirënjohje për vlerat morale e humane dhe për kulturën e popullit shqiptar.
Një pjesë tjetër letrash të ruajtura në AQSH, janë kërkesa “individuale” të prindërve, të nënave, bashkëshorteve, fëmijëve, motrave dhe të afërmëve, drejtuar qeverisë shqiptare, për t’i ndihmuar me informacione për të afërmit ish ushtarakë, sepse nuk dinin në ishin gjallë apo të vdekur, sidomos ato të çdukur gjatë luftës Italo-Greke.
Letrat e shkruara nga ushtarët dhe oficerat italianë në vitet e luftës dhe të çensuruara nga komandat e ushtrisë italiane në Shqipëri, si dhe letrat e familjarëve dërguar pas luftës qeverisë shqiptare, dëshmojnë se memoria e luftës ka dhimbjen, vuajtjen shpirtërore, dëshprimin, pikëllimin, dështimin, stresin psiqik dhe neurozat e luftës. 
Nuk është vetëm “pjesa e lavdishme”, nuk janë vetëm “heronjtë” me thikën ndër dhëmbë e me pushkë në dorë, që vërsulen të vrasin kundërshtarët, në luftë janë dhe “heronjtë” me lot në sy, zemërdhimbsur, ata me shpirt human, andaj kur historia e tyre bëhet e njohur, e trondisin shpirtërisht njerëzimin. Pa këtë pjesë të “padukëshme”, lufta nuk mund pasqyrohet me fizionomi të kompletuar.
Në kohë lufte, shkëmbimi i letrave mes ushtarëve dhe familjarëve, ishte me rëndësi, pasi ruante lidhjet me familjen, ndikonte të përjetohej dashuria familjare, ishte çmallje dhe forcë shpirtërore për të përballuar vështirësitë dhe egërsinë e luftës. Në ato vite të vështira, të gjithë kërkonin, që letra të “fluturonte” dhe t’i dorëzohej në dorë e ta lexonte nëna, babai, vëllai, motra, gruaja, djali, vajza, e fejuara, apo miku i ushtarit. Këto letra ishin shkruar në mjediset dhe në rrethanat e luftës, ishin plot dashuri dhe mall për njerëzit e tyre, por ishin të mbushura dhe me vuajtje dhe dhimbje, kishin brenda lotë dëshprimi, mbanin dhe erën e barutit, të gjakut dhe të vdekjes. Këto letra rëndonin shumë, andaj duhej të “fluturonin”, të kapërcenin Adriatikun dhe të shkonin në destinacion, jo të çensuroheshin, nuk duhej të kontrolloheshin tinëzisht dhe as të mbylleshin në kasafortat e komandave ushtarake.
Krahas efektit pozitiv psikologjik e shpirtëror, ndofta një nga këto letra mund të kishte ndryshuar fatin e ndonjë ushtari, ndofta dhe të disa ushtareve, ndofta do t’i shpëtonte jetën ndonjërit, ose disa prej tyre që ishin në rrezik. Kujtoni sa shumë italianë u vranë në luftën Italo-Greke, sa italianë mbetën të vrarë në trojet shqiptare.
Kujtoni filmin “Save my Ryan!”, “Shpëtoni Ryanin tim”, një film i bukur, që në shumë kinema të botës u shfaq me titullin “Shpëtoni ushtarin Ryan”, një ndër kryeveprat e kinematografisë amerikane, film i inspiruar nga një letër e ngjashme me ato, që shkruan mijëra prindër dhe mijëra ushtarë italianё në vitet e luftës II Botërore në Shqipëri, por që mbetën të mbyllura në kasafortat e komandave ushtarake dhe të shërbimit sekret fashist.
Filmi “Save my Ryan” tregon historinë e dhimbëshme të një nёne amerikane, e cila i shkroi letër komandës të repartit ushtarak ku militonte djali i saj, duke i kërkuar me dhimbje dhe me dashuri nëne, t’i shpëtonin Ryanin, djalin e vetëm që i kishte mbetur, pasi dy djemtë e tjerë i ishin vrarë në luftë. Kjo letër nuk u çensurua nga komanda ushtarake dhe pse kërkesa të tilla prekëse ishin të shpeshta. Sapo u njoh me përmbajtjen e letrës, komanda e repartit urdhëroi ndryshimin e operacioneve ushtarake dhe arrijti ta shpëtoi ushtarin Ryan, ta shpëtoi nga rreziqet për jetën.
Ato mijëra letra të shkruara nga ushtarët dhe oficerat italianё para 80 vitesh nuk arrijtën në destinacion, nuk mundën të qetësonin familjet e tyre, nënat dhe baballarët, gratë dhe fëmijët, madje nuk e patën forcën të ndryshonin urdhërat e operacioneve ushtarake, për të shpëtuar jetën e ndonjërit prej tyre. 
Këto letra të çensuruara nga komandat ushtarake italiane në vitet e Luftës II Botërore, janë pjesa e pakthyeshme e memories të atyre djemëve të rinj, ish ushtarë dhe ish oficera.
Nëse këto letra, do t’i u ridërgohen atyre që i prisnin me padurim dhe me ankth në ato vite tё largëta lufte dhe pse shumica e tyre nuk jetojnë, por duke ua dorëzuar familjarëve, fëmijëve, nipave e mbesave, stërnipave e stërmbesave, do t’i transmetohet atyre dhe tërë shoqërisë së sotme italiane, një mesazh i fuqishëm paqe për mbarë shoqërinë e sotme.
Arsenali i letrave të ruajtura në AQSH, duhet bërë i njohur për publikun italian, sepse është memorie historike, është kulturë, është respekt dhe nderim për jetën e mijëra ish-ushtarakëve, është solidarietet, është humanizëm dhe dokument paqe, është mësim me vlera përgjithësuese për botën e sotme, të turbulluar, është denoncim kundër dhunës dhe konflikteve të armatosura, që po masakrojnë popujt dhe që po dhunojnë paqen hyjnore.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.