back to top
11.5 C
Tirana
E hënë, 13 Maj, 2024

Rrugëtimi i vërtetë i zbulimit të “Mesharit”

Gazeta

Meshari - Gjon Buzukut
Meshari – Gjon Buzukut

Rrugëtimi i vërtetë i zbulimit të “Mesharit

“Meshari” u zbulua për të parën herë aty nga viti 1743, kur imzot Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752), prej Gjakove, i sapoemëruar arkipeshkëv i Shkupit, teksa po kthehej nga një vizitë apostolike që kish kryer në Bullgari dhe në vende të tjera të Lindjes, librin e gjeti në Kolegjin e Propagandës Fide dhe vendosi të njoftojë menjëherë përmes një letre At Gjergj Guxetën (1682-1756), rektorin e Seminarit Arbëresh të Palermos dhe nismëtarin e një lëvizjeje të rëndësishme politiko-kulturore që u dha jetë ngulimeve arbëreshe të Italisë.
Letra e Kazazit, që deri para vitit 1967 ruhej në arkivin e seminarit, ndërsa tani ndodhet në fondin Albansk Samling të Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagës, përmbante, me gjasa, edhe një relacion ku informohej At Guxeta mbi kushtet në të cilat dergjej popullsia shqiptare e besimit katolik në viset e Ballkanit, që prej kohësh ishte pushtuar nga osmanët dhe lëngonte nën një shtypje fetare dhe kulturore të pashoqe deri asokohe.
Ky relacion nuk ndodhet më në arkivin e seminarit. Gjithsesi, ekzistenca e tij është dokumentuar qoftë nga Pal Maria Parrino (1710-1765), edhe nga Nikollë Keta (1742-1803), të cilët e citojnë në veprat e tyre të titulluara përkatësisht: In septem perpetuae consensionis libros septem Albanensis Ecclesiae cum Romana omnium Mater et Magistra” dhe “Tesoro di notizie su de’ Macedoni”

Vula e Gjon Nikollë Kazazit në letrën dërguar At Gjergj Guxetës
Vula e Gjon Nikollë Kazazit në letrën dërguar At Gjergj Guxetës

U desh të kalonte pothuaj një shekull që letra e Kazazit, harruar në raftet e arkivit, të shpluhurosej dhe të tërhiqte vëmendjen e imzot Zef Krispit (1781-1859), i cili jo vetëm që e citoi në veprën e tij “Memorie storiche su alcune costumanze delle colonie albanesi di Sicilia”, por botoi edhe tekstin e dy fragmenteve të Mesharit që kishte kopjuar Kazazi, transliteruar në alfabetin e shqipes që ai vetë e kishte krijuar. Kështu, për herë të parë një pjesëz e Mesharit e pa dritën e botimit.
Ca kohë më pas imzot Pal Skiroi, peshkopi arbëresh i Sicilisë dhe rektor i seminarit që themeloi at Guxeta, pasi mësoi për ekzistencën e “Mesharit” përmes veprave të pararendësve të tij dhe natyrisht, përmes letrës së Kazazit, vendosi t’i jepte udhë një fushate të vërtetë kërkimesh në bibliotekat më të rëndësishme kishtare të Romës. Imzot Skiroit i takon merita e “rizbulimit” të librit të Buzukut, e bashkë me të edhe të një morie dokumentesh të tjera gjuhësore me rëndësi të jashtëzakonshme, mes të cilave përmendim kopjen e shtypur të veprës së Matrangës “E mbsuame e krështerë” që u gjet në Bibliotekën e Vatikanit.
Pas gjetjes së Mesharit, imzot Skiroi “…iu vu studimit të veprës së Buzuku me qëllim që të përgatiste një rishtypje, duke njoftuar për këtë gjetje të rëndësishme gazeta dhe periodikë të ndryshëm shqiptarë të kohës e duke botuar një artikull me gërma të prera enkas, të ngjashme me ato të origjinalit”.
Lajmi pati jehonë të gjerë…

Shënimet e Zef Skiroit
Shënimet e Zef Skiroit

Fragmente nga teksti “Nga letra e Kazazit drejtuar at Gjergj Guxetës, deri te studimet gjuhësore dhe filologjike të imzot Pal Skiroit” nga Profesor Matteo Mandala

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.