back to top
29.5 C
Tirana
E diel, 16 Qershor, 2024

Rrokadë e vlerave – si thelb shpjegimi i diktaturës… koment nga Arben Borshi – “Njeriu Përballë Përbindëshit” i Jozef Radit

Gazeta

Jozef Radi -"Njeriu përballë Përbindëshit" - Dosjet e Musa Sinës
Jozef Radi -“Njeriu përballë Përbindëshit” – Dosjet e Musa Sinës

Rrokadë e vlerave – si thelb shpjegimi i diktaturës…

koment nga Arben Borshi

mbi librin:Njeriu Përballë Përbindëshit i Jozef Radit

Duke lexuar librin-dokument të Jozef Radit, përjeton atë periudhë të zezë kur jeta e njeriut nuk kishte asnjë vlerë për sistemin terrorist komunist. Puna madhështore që ka bërë autori, me hedhjen në faqet e librit të dokumentave zyrtare të Ministrisë të Brendëshme, krijon imazhin e vërtetë të këtij ingranazhit kryesor të krimit shtetëror ndaj qytetarëve të vet. Del në dritë i gjithë sistemi makabër i shtypjes me dhunë nga Sigurimi i partise-shtet, Përbindëshit, ndaj njerëzve të thjeshtë, të pa veshur me funksione zyrtare që sadopak mund të krijonin “rrezik” shoqëror me përhapjen e ideve të tyre.
Tragjedia e gjysëm shekullit të kaluar në vendin tonë, e shkaktuar nga aplikimi i ideologjisë vëllavrasëse marksiste-leniniste të luftës së klasave, del në shesh në mënyrë të qartë deri në skajet më të fshehta të intrigave të induktuara nga politika kriminale komuniste. Qenie të padenja të quhen njerëz, si hetuesit, apo “ingranazhe të së keqes banale” siç i quan Hannah Arendt, kriminelët nazistë, përbëjnë shtyllën kurrizore mbi të cilën ishte i ndërtuar dhe mbahej regjimi kriminal komunist shqiptar. Por njëkohësisht, dhe ndoshta edhe më të poshtër, na paraqiten bashkëpunëtorët e sigurimit, njerëz në dukje të shtresës të përndjekurve politikë apo bashkëvuajtës të Musa Sinës e bile edhe familjarë, që me veprimtarinë e tyre prej spiunësh të ndyrë, çfarë nuk shpërflasin për personazhin Musa Sina, vetëm e vetëm për t’u dukur në sytë e hetuesit, këtij “inkuizitori të madh” si ndihmësa dhe për të “përfituar” sadopak në trajtimin që i ishte rezervuar nga regjimi. Ja, kjo është ndërgjegja e këtyre krimbave që përbënin njërin nga ingranazhet banale të së keqes!

Diktatura e "Drapër e çekanit"!!
Diktatura e “Drapër e çekanit”!!

Nëpërmjet këtij libri – që për mendimin tim duhej të ishte objekt studimi edhe nëpër shkollat e mesme per t’i dhënë fakte të rinjve, – fakte që nuk lejnë dyshim mbi terrorizmin e ushtruar ndaj qytetarëve të vet nga partise-shtet, kuptohet sa thellë hynte nëpër familjet e thjeshta terrori i kuq. Me çfare lehtësie dënoheshin njerëzit e thjeshtë, sa e pavlerë ishte jeta e tyre në duart e hetuesve – xhelatë.
Musa Sina personifikon të gjithë ata të dënuar të regjimit, të dënuar të ndërgjegjes, ata Njerëz që u formuan nëpër burgjet-gulagë dhe kampet e internimit nga armiqtë e tyre, armiqtë e Njeriut!
Sëbashku me romanin e Marçel Hila: “Rekrutimi i Gjimnazistit” – përbëjnë një sagë të dhimbjeve që shoqëruan gjysmëshekullin e dytë të shek. XX Dhimbje të shkaktuara nga njeriu kundra njeriut, vetëm për të aplikuar ideologjinë e urrejtjes të luftës së klasave, luftë klasash kjo që është baza e marksizmit që aq shumë po evokohet sot nga autorë shqipfolës edhe përtej kufijve amtarë, biles të promovuar deri nga k/ministri aktual si dhuratë k/ministres italiane një “libër” të tillë!!
Intervista e Jozef Radit në kanalet televizive, me rastin e paraqitjes në panairin e librit në Tiranë, është “kurora” e kësaj pune kolosale. Përdorimi i metaforës: Rrokadë e vlerave – është thelbi i shpjegimit të atij regjimi. Zëvendësimi i vlerave absolute njerëzore me antivlerat, është ajo që në realitet u bë për gjysëm shekulli nga politika kriminale komuniste, dhe rezultati qe: Njeriu i ri, vepra më e shkëlqyer e partisë! Dhe ky njeri i ri polli edhe këlyshë që i ushqeu dhe vazhdon t’i ushqejë më të njëjtën “çorbë”, dhe sot i gjejmë kudo nëpër postet qeveritare, deri në k/ministri! Veçse sot, asaj “çorbë” i është bashkangjitur “shija e narkoeurove dhe narkodollarëve, çfarë e ka bërë edhe më të këndëshme!”
Nuk më mbetet tjetër veçse një falënderim të madh autorit Jozef Radi, dhe një ftesë për të gjithë ata bashkatdhetarë që duan të mësojnë realitetin e hidhur të asaj periudhe, që ta lexojnë këtë liber-dokument, në mënyrë që të krijojnë idenë e vërtetë se ku të çon aplikimi i një ideologjie, në dukje si Parajsë, por që rrugën e ka të shtruar me qindra e mijra viktima të pafajëshme!

P.s. Shprehja e famëshme: “Banaliteti i të keqes” i shkruar për herë të parë nga filozofia Hannah Arendt tek libri me të njëjtin titull, i referohet atyre njerëzve që me veprimtarinë e tyre kontribuan në aplikimin e terrorit. Banaliteti nuk qëndron tek zbehja e të keqes me këtë emërtim, por tek emërtimi i autorëve të krimit që në dukje ishin njerëz normalë, por që veprimtaria e tyre kriminale ishte e fushës të patologjisë të disekuilibrit mendor që i shtynte të kryenin krime sistematikisht!
Ushtria e këtyre këllirave që përbënin “banalitetin e të keqes” kishte si emërues të përbashkët: mungesën totale të së menduarit si një refuzim i reflektimit të ndërgjegjes së vet!!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.