back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 13 Tetor, 2024

Rreth Fjalorit të Tahir Kolgjinit nga Prof. Miftar Spahija

Gazeta

Miftar Spahija (1914-2005)
Miftar Spahija (1914-2005)

Rreth Fjalorit të Tahir Kolgjinit

nga Prof. Miftar Spahija

In Memoriam

Sikur keni me e venrue, ky shkrim asht bâ para dydhetë vjetësh, piknisht me 9 tetuer 1970. Për disá arsyena jashta menimeve e munsive të mija nuk qe botue, po Tahirit i pat shkue dorëshkrimi. Tahir Kolgjini diq me 12 dhetuer 1988. E kujtoj me mallë e me dashuni si dashamirë temin e të familjes, edhe si msues për nji kohë të shkurtë në vjetën 1925.

Tahir Kolgjini, Asllan Cena (Velia) e Miftar Spahija
Tahir Kolgjini, Asllan Cena (Velia) e Miftar Spahija

Janë disa shkrime qi sot shkruhen e nesër harrohen; mos me i përmenë m’at ditë qi të shkruhen s’ka ma shije me i marrë nëpër dorë, pse kush pytë për vdorën e parvjeçme? Po janë disa tjera qi me kohë bâhen veç ma të bukura, ma të shishme, ma të dashuna, ma të vlefshme. Kshtu asht edhe me fjalorin e Tahir Kolgjinit; vlefta e ktij fjalori veç ka me u shtue me kalim të kohës. E kam pasë dá menen ta knoj kadal qi ta shijoj ma gjatë. Edhe e knova në faftat (momentet) kur ishem ngeshëm. E nëpërmjet atyne fjalve e shprehjeve qi gjeta në te, jo veçse u ktheva edhe nji herë mas sa e sa vjetësh n’at botë fishtjane, por u ktheva shpirtnisht edhe në Lumën teme e aty m’u përhijtën s’pari katuni i em i bukur, Kolosjan: madhështuer qi i ngjeshet krenisht bjeshkës së Kolosjanit; manej Limthi hem i Kolosjanit hem i Lusnës; e me ren ato katune t’amla n’at Rrafshë Lume e n’at breg Drini; e ajo Gjalliçe vigane nêja e Tenzotit edhe e zanave të tijë të bukura qi mrizojnë hije më hije atje ku ka kroje të flladitshme; e ajo Tejdrine me ato bjeshkë qi ngrihen thikë përpjetë përmi ujë të Drinit; e ajo Kala Dode qi kqyrë kah Radomira e gzueshme e Korapi vigan e Dibra zëmadhe; e aj Pushtrik i Hasit qi kqyrë hem kah Prizreni hem kah Luma; edhe thash me veti a thue pse s’mun t’i shoh prap ato troje t’amla për të cillat më rrekton zemra hovshëm sa herë i kujtoj?!
Ishte nji ditë e brustë, e zimtë, piknisht me 23 dhetuer 1969, kur postjeri po më bjen nji libër. Ishte Fjalori i Tahir Kolgjinit. E pritshem prej shum ditësh qi të më vinte se Tahiri më kishte lajmue se ta kam nisë.
Shpalimet rreth Lahutës së Malsisë janë diçka ma tepër se shpalitje (spjegime); janë nji fjaluer i vërtetë, nji thesar për gjuhën shqipe thesar i vogël, po me shum vleftë për ata qi e dashunojnë gjuhën tonë të vorfën.
Tahir Kolgjini asht i dashunuem në gjuhë shqipe; e dashunon me afsh zemre, me hovore sikur na e mson aj nji fjalë të re. Hovorja nuk asht e re, por për ne qi nuk e kemi pasë dijtë mun të quhet e re, ashtu sikur Amerika në vetveti nuk qe botë e re, pse kjo nuk qe sajue mrapa tjerave, por u qujtë e re se prej evropjanve nuk u ishte e njoftun.
Kur të jesh i dashunuem më nji gjâ, punon me gzim edhe me gazmen për me ja zbulue e njoftë të gjitha anët, edhe imtsinat ma të padukshme. Knej rrjedh bâma (fakti) se Tahir Kolgjini i shpalitë (spjegon) aq amël e me dashuni jo vetëm nji sasi të madhe fjalësh të Lahutës, por ma tepër nji grumull të madh fjalësh e shprehjesh të Lumës, t’asaj Lume qi aq bukur i ka sajue edhe rujtë ato fjalë në palët ma të mshefta, ma të mrenshme të zemrës së vet. E Tahiri si biri i asaj Lume po na i shpalitë ato fjalë tue marrë shkas prej disa fjalve të Lahutës.
Autori me kët fjaluer i ka fërkue brinat me shumkan: due me thanë me P. Danjel Gjeçajn, me Fjalorin e Gjuhës shqipe botue ne Tiranë, po edhe me vetë Fishtën deri diku. Por i ka fërkue brinat dashunisht, me amëlsí, veç për hirë të së vërtetës e jo se ngasakeq qi don me zanë rropame me cillindo qi të gjeje në rrugë. Me ata të Fjalorit të Tiranës ka përdorë nji gjuhë teksa të rreptë, kashmerse (ironike) kishem me thanë, pse prej tyne noshta ka pritë pak ma shum kujdes në hartimin e atij fjalori. Megjithate na duhet t’u falemi nerës qi e kan bâ at fjaluer; ata aq kan pasë munsi me bâ mrena dhetë vjetësh; e ma vonë noshta mun të bâjnë nonji tjetër botim ma të pasunuem e ma të kujdesshëm. E me P. Geçajn me t’vërtetë s’ka ra kudo në marrveshe, por mantjetër e ka qujtë Shpjegimtari i Lahutës, tue e hypë kshtu më nji rrafshol (nivel) të naltë si t’ishte si me thanë Komentatori par excellence i Fishtës. Po edhe me Fishtën, për të cillin Kolgjini ka nji dashuní të veçantë, edhe me atë asht gjelashitë dikudiku, por gjithmonë me buzë në gaz; edhe i ka kallzue se lurkës i thonë lurkë e jo lukër, edhe disa fjalë tjera. Me pasë qenë gjallë Fishta do t’ishte knaqë e gzue tue kuvenue me Tahirin.

Vepra të... Miftar Spahisë dhe mbi Miftar Spahinë
Vepra të… Miftar Spahisë dhe mbi Miftar Spahinë

Fjalori i Tahir Kolgjinit ka shum vleftë si për ata qi nuk kan pasë munsi me i dijtë të gjitha ato fjalë e shprehje, si për ata tjerë qi kanë nonji doimë (dëshirë, vullnet) me shkrue me nji shqipe ma të pasun edhe të qerueme. Po më kânet me e qujtë fjaluer, pse ntvërtetë fjaluer asht. Në kët fjaluer na nxamë fjalë e shprehje qi e pasunojnë të folmen edhe të shkruemen tonë; prej atij fjalori na marrim vesh se autori din gjithfar kangësh, të rrepta e të buta, po për mungesë veni e prejse do ti largohej cakorit (objektivit) qi i kishte caktue vetit, na ka dhanë ka nji, dy ose tre a katër rreshta. E une po i lutem botnisht qi më nji tjetër vepër të na shkrueje ma shum për folklorën e Lumës, se kjo do të na hupë përgjithmonë po qe se nuk mlidhet e nuk shkruhet. Megjithse mirë e dijë se për me mledhë folklorën duhet me qenë pranë atijë populli se vetëm athere ke munsi me mledhë shprehje e kangë e prralla ashtu si janë, edhe pse autori i fjalorit tonë ka nji kujtesë qi pak kush mun ta ketë si aj; ajo kujtesë, dhantizoti i ka nihmue për at fjaluer në të cillin na ka falë fjalë e shprehje e grimca kangësh e shum sene tjera qi tashma janë ngulitë për mos me u hupë kurr ma prej pakujdesisë.
Tahir Kolgjini ka shkri munë të madh me vjet e me vjet për me e bâ at fjaluer; asht nji munë individual, e për kte meriton mirnjoftjen edhe ma të fellë të çdo shqiptari kudo qoftë mrena ose jashta Shqipnije. Nryshe asht me qenë n’atdhe në bashktakim të përditshëm me bashkatdheast (e jo bashkatdhetarët) e tu, e nryshe në vene të huja. Jo veç munë, po edhe veften e ka lanë keq lansisht për me na e falë at thesar të vogël. Po njerzt qi duen me i shërbye gjuhës edhe atdheut nuk kursejnë djers, e as gjumi i natës nuk i zân derisá mos t’ja dalin punës në krye.
Në fjalorin e Kolgjinit gjejmë shum sene fjalë, shprehje, grimca kangësh, të buta, të rrepta, për darsëm, për mortë, adete, kanun, o dikudiku edhe nonji çashtje qi ka lidhje me histori ose me Kanun të Maleve. Asht nji visar i vogël qi duhet të ruhet me dashuni në zemrat e gjith shqiptarve, jo vetëm t’atyne qi merren me teknikën e gjuhsisë po edhe të shkrimtarve e të çdo tjetri qi don me përdorë nji gjuhë ma të pasun. Pse si pat thanë dikush para do vjetësh, po ka njerz qi po duen me na e bâ kët gjuhën tonë me dyqin fjalë!
Tahir Kolgjini folë me kompetencë të fellë kur asht çashtja me zbulue fjalë a shprehje qi kan lidhje me turkishten, arabishten, persishten. Nji dritore qi na bân me pa kah Lindja asht e domosdoshme jo veç për ne shqiptarët, po për krejt ballkanast. A thue a s’na lidhë nji histori e gjatë gati dymi vjeç me Lindje qyshkur imperatorija e Romës u da në Prendim e në Lindje? Po Lufta e Dytë Botnore a thue a s’na la me Lindjen? Sa herë qi po duem me ju afrue Prenimit aq herë ky Prenimi po na e kthen shpinën.
Na jemi nji kom i vogël, shum i vogël, i vorfën, i mrapametun, i pa dashamirë, i pa lidhje gjaku a gjuhe a bulnije (kulture) me kome të mdhaja. Kur të jen në rrezik jete të thomi o Serbija o Bullgarija, ato kan ku me i ngulë sytë; na shqiptarët veç në malet tona kur t’i ngulim se kërkush nuk na kqyrë me sy. Kur të jet puna me i dalë zot Grekisë edhe Byroni çalaman shkon e des në moçalet me ethe të Misolongit; po Skenderbegu duhet me dekë vetëm në moçalet e Leshit. Mos u çuditni o vllazën! Kjo asht e vërteta e idhtë. Na shqiptarët veç nji dashamirë kemi; vetveften. Asht e kotë me rrê vetveften me anrra. S’ka rrugë tjetër për ne; na duhet të kqyrim veç kah veftja; në veti na duhet me e lypë edhe me e gjetë bërthamën e shpëtimit. Shpëtimi i ynë asht puna; punë me men e punë me krahë. Ne na thonë shqiptarë deri m’at ditë kur të folim shqip; m’at ditë qi mos të folim gjuhën tonë, s’na thotë ma kush shqiptarë. Do tjerë edhe me e hupë gjuhën, edhe në të katër anët e botës me u vdjerrë, e rujnë se e rujnë individualitetin e tyne; po na jo.
Gjuha pra, né na man në kamë; kurgjâ tjetër. Nji gurë sado të vogël n’e vûfshim në nërtesën e gjuhës sonë kemi bâ nji shërbim.
Tahir Kolgjini e ka bâ nji shërbim; ata qi të dijnë ma mirë e kan fushën të haptë; fusha e Shqipnisë i pritë gjithmonë me krahë haptë. Asht e kotë me u marrë me dokrra, me polemika të shprazta, me hulptue kafe të zezë e me tymue duhan të mletun (t’ulsemë) e mos me bâ gjâ. Punë nuk i thonë kush po din me shá ma flliqtë, kush po din me ngatrrue ma mirë, kush po din me u krenue ma shum, po i thonë me bâ punë qi ti hyje në shërbim o gjuhës o venit në përgjithsí. E manej ka edhe asish qi thonë se kto fjalë o shprehje janë dijalektare! Po ku ma ke gjuhën e njisueme ose shkrolinë (grafinë) e caktueme! Krejt shqipja asht dijalekt përderisa mos të bijmë në hulli t’arsyes e të përdorimit të gjithmarshëm. Në çfardo skute qofshin fjalët ose shprehjet, ato janë pasuní e gjuhës, e komit. Kërkush nuk duhet me i përbuzë. A â ma mirë me marrë fjalën e vllait tan apo fjalë të huja! Gjuhë shqipe i thonë kur të përdorish fjalë shqipe. Kto fjalë e shprehje duhet me i kërkue edhe me i gjetë e me i shti në punë, e shpesh herë duhet me i sajue edhe të reja tue u pshtetë në leminë (naturën) e gjuhës, pse gjuhën e bâjnë njerzt; nuk dunet (dynet) prej qjelle.
Po ku me i gjetë kto shprehje të bukura qi Tahir Kolgjini na i ka mledhë skutë më skutë e palë më palë si bleta mjaltin! A kto janë shprehje Lume a!? Po kto janë pasuní e gjuhës shqipe e jo veç e Lumës. Qe ku po i rreshtoj nja disa veç për tregim:

-Të mâjtë nata kthelltë e dita vrântë.
-Petki me arna, barki me barna.
-Bjeshkën e shkretë e kullosin gomarët e verbtë.
-Kjo punë ka marrë shkêzë.
-Rrâjë e rrogjullajë.
-Me ra në brazë.
-Me dalë prej braze.
-Me bakër e me çakël.
-I duel tymi fjollë.
-Me vu grahë kamve.
-Mos e nguc grenzën me krane se ke ngucë të zezën tane.
-Dy qé lidhun më nji grazhd, njani barë e tjetri kashtë.
-Gjofti rrfeja. Gjofti dreqi.

Shprehje të moçme qi meritojnë nji studjim t imtë.

-Ngulja gjylpanën veftes e gjylpnirin tjetrit.
-E kam halë në sy.
-Me u bâ horum.
-Edhe un e dijë hullinë, me e tërhjekë s’ja kam fuqinë.
-Kthesa e rrugve. Kthesa e kodrave.
-Me i metë lak te dera.
-Me ja hjekë lakun.
-Qeky kunglli laralara, kah po shkoj po m del përpara.
-Të kam shitë Larën, s’të kam shitë barrën.
-I duel për ledine.
-Me hy nëpër lluga.
-Me bâ makllade.
-Ha bukën e përmys kupën.
-I dhashtë ujë me lugë.
-Me bâ pallë.
-Me bâ petulla n ujë.
-Me i shkrepë në zemër.
-Struku pulë kudo t’jesh, mlidhi zogjt kah ti kesh.
-Fjalët e mira e gurët në strajcë.
-Me i vû thekë kuvenit.
-Qeni i keq ta bjen ujkun në torishtë.
E shum e shum tjera.

Dekorimi i Miftar Spahisë
Dekorimi i Miftar Spahisë

Nuk po hy me i analizue kto shprehje. Do të shkonte shum gjatë; manej janë të kuptueshme letas. Veç po due me thanë se kto e bulmejnë gjuhën, i apin shije, e ngjyrojnë. E mantjetër secilla prej ktyne shprehjeve asht nji rriskë e folklorës së popullit; kishem me thanë nji troshë filozofije, njifar botkuptimi, se në ta mun të shihet si shqiptarët e kuptojnë botën; cillat janë pikpamjet e tyne për drejtsí, për moralitet, për familje, për namuz. Kso shprehjesh ka kudo në Shqipni, se se e cilla krahinë pat njifar vetsunimi në veti para nja pesë gjashtdhet vjetësh; se e cilla bânte nji jetë të veçueme prej tjerave për shum arsyena e shkaqe, pranej se e cilla prej tyne pat nji botshiqim të vetin, pra edhe shprehjet e veta.
Tash po dalim te fjalët qi i ka marrë prej Lume ose atypari. Me bâ nji përmledhje sado të shkurtë të fjalve qi ka mledhë me aq kujdes edhe dashuní do të shkonte shum gjatë. At punë duhet ta bâjë vetë autori me nji tjetër vepër tue i rreshtue simas renit alfabetik qi tjerët të munen me i gjetë letë. Më vjen mirë qi ka përdorë nji fjalë temen “me shfisnue” qi e kam sajue para nja pesë gjashtmdhetë vjetësh edhe përdorë qyshë n’at kohë me nji qi e ka lanë kët botë ka nja disá vjet. Për mos me i shkapërcye krejt në heshtje, qe po përmeni veç disá:
shkêzë, spirrë, ovore, i brithtë, me paritë, me baritë, rrogjullí, cezë, lozë, prokud, butikë, me fërfllue, me u skithë, me çupue, butuc, mûllë, mashkërr, shum fjalë qi marrin mrapashtesën vel, me mtue, fërtomë, me firazë, me faftue, lipardhë, me haprue, me gacllue, strupull, me hitue, me ftutlue, koçere, me kërtulë, llakë, vjarme, sohë, pestër, shufël, stiskë, me ngallue, me ngulfatë, me gjuhatë, mezdër, me tokmitë, rreshke, egërtí, bardhokull, me topitë, me trugjue, me zavangue, me u mretë.
Po a thue a mun ta masdorim (neglect) toponomastikën! Jo. Emnat e veneve jo veç për ne shqiptarët po për çdo kom kan nji ransí të veçantë. Emnat kan nji historí në veti, qoftë për komin, qoftë për gjuhsinë. Kta emna marrin nji ransí edhe ma të madhe në ditët tona. Qe pse: Shqipnija tash tridhet vjet e knej ka bâ nji kthesë të madhe në historí. Jo veç në historí, por në filozofinë politike të jetës, në fé, n’adete, në marrdhanje shoqnore, në marrdhanje me kome të huja, n’ekonomi, n’ekonomi sidomos; me nji fjalë asht nji Shqipní e nji tipi të ri, nji Shqipní komuniste qi hecë në rrugën e nji sistemi qi synon me ja nrrue mensinë shqiptarit e me sajue nji njeri të thomi të rí. Shqipnija sot asht nji shtet komunist n’ekonomí. Toka asht e përbashktë, e kolektivizueme. Kolektivizimi ka prû shêmjen e megjeve, të ledheve, të gardhijve, të çdogjâje qi pengon punën e përbashktë. Arat jan bâ mnjâsh (bashkë) e medoemos jan shdukë edhe emnat qi dallojshin nji tokë prej nji tjetre. Po me kët shdukje emnash asht tue hupë edhe nji historí, historija e komit edhe e gjuhsisë. Qe pra pse ka ransí qi ma para se të shêmeshin megjet e tokve duhej t’ishin mledhë të gjith emnat, të gjitha thanjet, prrallat qi mun të ken lidhje me at tokë. Po massi ky kolektizim asht i vrikshëm, shqiptarët e Shqipnisë hala kan kohë me i mledhë kta emna e me ja dorzue bibliotekës edhe historisë.

...dhe dekorata akordue Miftar Spahisë
…dhe dekorata akordue Miftar Spahisë

Me kolektivizimin e tokës në Shqipni ka nodhë e njata dukuní qi nodhi me pênën e Asvamit në Misirë. Para se me vërshue ujin n’at tokë, qeverija e Misirit me mjetet e veta e të huja trazoi çdogjâ qi do të mytej prej ujit; trazoi faltina tue i hjekë gurët nji ka nji e tue u vû ka nji numër për me i nërtue prap tjetërkun ashtu si kishin qenë para. Po kshtu duhej të bâjshin edhe në Shqipní: para se me tbatue kolektivizimin duhej me i pasë mledhë të gjith emnat e thanjet qi i lypen historisë së komit edhe gjuhsisë. Megjithate edhe tash mun ta bâjnë at gjâ; po vrikevrik se njerzija desin e bashkë me ta edhe shum gjana me ransí hupin përgjithmonejetë.
Në fjalorin e vet, Tahir Kolgjini nuk ka pasë qillim me mledhë emna venesh; po kur ka dashtë me dhanë tregime, ka mledhë edhe nonji emën veni aty-ktu; e me kte ka çelë nji shtek qi shumkush mun ta njekë edhe duhet ta njekë. Qe do emna venesh: Laku i Topojanit, Laku i Erës, Lera e Sorrave, Shteki i Shqerrave, Aravel, Tërthorja e Lumës, Qafa e Kolosjanit, Livadhet e Zajës, Bjeshka e Zajës, Kroi i Bardhë, e tjera.
Manej fjalori i Tahir Kolgjinit ka edhe disa njoftime të kânshme edhe të vlefshme për kanun, për adete, për historí, për besime vense. Na tregon kush e caktote gjobën n’ato venet tona kur s’ka pasë nji synim efektiv; na folë për pleq edhe pleqnina. Na kallzon se moti kur burrat paskan bâ xhâme paskan çitë jakat mi krye në shej zije. Na folë se si s’mun të martohesh në fis deri në të pestin brez, deri kur të bâhesh pastër. Kallzon çka asht kumara, famulli e nrikulla edhe adetet qi kan lidhje me kto; se leçija asht kur s’të hyn kush mrena as për të mirë as për të keq; çka asht shtriga, dhampiri, lugati; se si “kur shkon mshtjellakja shkon rradakja”; e na kallzon se “tymi asht e drejta e nji shpije me përfitue nga pasunija e përbashktë e katunit”. E shum e shum kso njoftimesh të vlefshme jo veç për ata qi merren me gjuhë e gjuhsí, por edhe ata qi duen me dijtë nopak edhe për adete, me nji fjalë për folkloren tonë.
Po kangët! Kto kishin me bâ nji damje të veçantë me shum ransí të fjalorit. Aty gjejmë kangë trimnije, kangë të buta, darsme, morte, luftimesh për mprojtje t’atdheut, të namuzit, të pasunisë: kangë lojnash edhe kcimesh; kangë malli për shpí, kangë gurbeti. Janë nji pasuní e veçantë e fjalorit. Do t’ishte mirë qi autori t’i mlidhte nqoftse ka munsí.
Ky fjaluer asht nji përmledhje e vlefshme njohunish të gjithfarshme qi kan lidhje me gjuhë, gjuhsí, gramatikë, me kanun, me doke, me besime, me prralla, me gojdhana, me pikpamje filosofike, morale, atdhetare. Asht nji visar i vogël i vërtetë qi ka me i vyjtë shum gjuhës shqipe, e qi ka me u hy në punë të gjithë atyneve qi dun me pasunue e me bulmye shprehjet e tyne.
Kur ka bâ kët fjaluer, autori nuk ka pasë për qillim kryesuer mledhjen e kangve ose të fjalve të Lumës; qillimi i tij me shpalitë (spjegue) do fjalë të Lahutës së Malsisë, edhe ja ka mrrijtë cakorit (objektivit) ma së miri tue na e mushë menen me tregime të gjalla edhe gjasime të nxjerruna nga goja e gjallë e popullit. E për me i ndritue pikpamjet edhe thezat e veta asht pshtetë gjithnji n’at popull të gjallë qoftë në Lumë qoftë atypari jashta Lume.
Me pasë qenë n’Atdhe do të kishte bâ edhe ma shum. Po ku asht Shqipnija e ku jemi na! Kujtesa e jonë tashma medoemos asht përhi. Kur po duem me folë për punë të Shqipnisë, ose të gjuhës, ose të bulnisë (kulturës), nuk po thomi se para dy a tri vjetësh qe kshtu ose ashtu; por po na duhet me thanë para tridhetë vjetësh kjo punë ose fjalë, ose shprehje ishte kshtu e kshtu e ashtu. E kur të folim për nji perjudhë tridhet vjetësh, krahasue me jetën e nji njeriu, asht si me folë për nji kohë nja dymí vjetësh në krahasim me atë të komit! Pra nji hurdhë e fellë nërmjet kohës së tashme edhe t’asajë kur e kemi lanë venin tonë. Megjithate autori ka bâ ate qi ka pasë munsí. Kujtesa e tijë e fuqishme i ka nihmue me i shkapërcye vështirsinat qi çdo njerí nesh larg atdheut në kët lamë aktiviteti si asht ky i gjuhës. I lumtë!
Veç i lutemi prap qi mos ta kurseje munin e mos t’i ndrije (jo ndryje) në vetveti njoftimet qi aq bukur i din edhe aq amël i rreshton. Prej puplës së tij na pritim prap. Gjuha shqipe ka nevojë për puntorë si Tahir Kolgjini; kurgjâ nuk bâhet vetvetiu. Vetë mun të bijnë bimë nëpër ara e livadhe; vetë mun të bijnë lisa o pemë t’egra ndër pyje; po gjuha duhet bulnue (kultivue), duhet qerue, duhet herrë prej bimvet të huja qi mun ta ngulfatin, duhet pasunue me fjalë të reja sajue mrena lemisë (naturës) së sajë. Pastrija e gjuhës për né ka ransí ma të madhe se për do kome të mdhaja qi kan ngatë majet e menimeve e të shprehjeve shkrojtare artistike. Le të mushet inglishtja plot me bimë të huja; kurgjâ nuk e gjenë, veç gzohet kur shumohet e pasurohet; ajo kurrnji tjetër shkrimtarë mos me pasë, si të ket Shekspirin ka pse me u krenue e lumnue. Le të derdhen në detë mija Drina e Vjosa, deti i madh veç flladitet! Po shqipja e jonë! Kjo asht nji prishtë shum e njomë, shum e mektë; kte duhet me e marrë në dorë me shum kujdes, me shum dashuní; asht lule e re, e njomë; nuk bánë shatë e tërnakop.
Fjalët, shprehjet, proverbat, prrallat, kangët, gojdhanat duhet të mlidhen në dashim me njoftë gjuhën edhe psihen e shqiptarit, kët punë duhet ta bâjnë shqiptarët e Shqipnisë e të Jugo-Sllavisë; ata, ata janë në ven; bleta mjaltin e mledh në ven të vet.
Kudo në botë, jo veç qi i mledhin fjalët e shprehjet prej çfardo skute, por edhe i studjojnë nëpër msojtina qi nxansat të dijnë me i shprehë idenat e menimet e tyne ma drejt, ma pasunisht, ma bulmyeshëm, ma ngjyrshëm. E jo veç me kaq por edhe t’ushqehen me langun e rrajve lemitare (natyrale) të komit të tyne; ta thithin at palcë të botkuptimit të fisit të të parvet të tyne; ta gjasitin me frymën e re djaloshare; ta gjithmonojnë frymën e komit me nji shnrrim të vazhdueshëm përparimtarë qi ta ket tedelin (origjinën) te ajo gurrë e parë e lemisë (natyrës) së tyne; si uji i nji gurre qi kurr nuk kputet deri kur të derdhet o në Dri o në detë edhepse anash mun të derdhen në te ujna tjerë ma të vegjël, ashtu edhe ata kurr mos ta kputin tojen e frymës komtare edhepse nuk mun të rrnojnë të veçuem prej shkulmave të mdhaj të menimeve e të përparimit të botës. Si gurra në detë të madh, ashtu fryma e komit le të derdhet së mrami n’at detin e madh të njerzimit ku të lëvritin mnjâsh bulnina (kultura), menime, pikpamje të nryshme të filosofisë si me jetue ma të lumtun, ma të lirë, si njerz vllazën po, por jo si “dy qe lidhë më nji grazhd, njani barë e tjetri kashtë”, ashtu si mirë ja ka qillue autori i fjalorit tonë. Si për Grekinë e Lashtë, Athina ishte nji kuptim, nji njohuní, nji bulní, nji rrugë jete, nji idé abstrakte, ashtu edhe na duhet të munohemi ta bâjmë Shqipninë tonë jo veç nji shprehje dheshkruese, por edhe nji idé. Ashtu si dikur qe njajtsue fjala “besë” edhe “shqiptarë” nëpër botë, ashtu sot kur të përmenet emni shqiptarë, le të vizatohet në mene të kujdohit nji emën pune, bulnije, lirije, drejtsije, demokratije.
Mansfield 9 tetuer 1970 – Mansfield 9 qershuer 1990

Shënim: Shkrimi asht botu në revistën e famshme të diasporës antikomuniste, “Koha e Jonë” me botues z.Isa Ndreu, në nr. e Prill-Maj-Qershor (4-5-6), të vitit XXIX, 1990, fq.39-44.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.