back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Rrëfehem… me dashuri – libri më i ri i Ervina Toptanit

Gazeta

Ervina Toptani - Rrefehem... me dashuri - Kopertina
Ervina Toptani – Rrefehem… me dashuri – Kopertina

Jo gjithnji raporti midis nji libri edhe lexuesit vjen në mënyrën ma të thjeshtë e ma normale të mundshme… Ndodh, që nji libër, kur ende s’asht shkrue, ti e gjen vedin të ftuem me qenë lexues i tij e m’u futë qysh herët ndër faqet që janë tue marrë jetë…
“Rrëfehem… me dashuri” i Ervina Toptanit, ka jetue si nji ndërdyshje e gjatë mbrenda saj, me mbetë veç i saj o me marrë flatra… Mbasi lexova nji rrëfim prej saj edhe e paraqita në portal, kambngula që ajo ta ndërmerrte guximin e nji libri të tillë…
Po ajo duhej ta rrëfente… vetvedin!
“E kam të vështirë…! Asht jeta ime, s’më asht fort e lehtë! E s’di n’se mundet njeriu me e rrëfye si duhet jetën e vet!”
“Gjeje nji rrugë të ndërmjeme. Lexoje vedin artistikisht, përtej së ndodhunës! Kjo ka shumë randësi, mos i qindro strikt ndodhisë po frymës artistike, e tue e dëshmue të vërtetën, vedin dhe ngjyrat e jetës e ke me pa se kanë me shndritë ma shumë për ata që marrin guxim e të lexojnë…!”
Do të përpiqem, me“Rrëfye… me dashni!”… edhe prej asaj dite Ervina ka rrugtue me mbrritë te ky libër, i shkruem në tehun e së pabesueshmes, me krejt lirizmin e shlirtë të botës së saj…
Ndaj do ta gjeni librin të mbruejtun me jetë e humanizëm… e ky asht edhe çilsi i leximit të tij!
“Rrëfehem…” ka ngjarje që të rrënqethin e të gozhdojnë; ka personazhe që ia vlen me iu rikthye e me kujtue fjalët e tyne; ka ngjarje që të marrin zhag me dramën e tyne… Vërtet, asht gjithkund autorja, po ajo lëviz në disa rrafshe rrëfimi të vetvedit me nji ndjesi artistike të rafinueme, me nji gjuhë dinamike, ku asht bota jashtë edhe bota mbrenda saj, tue u vërtitë me ngjyrat e nji kaleidoskopi: prej ndjesive ma imcake te dilemat, prej sakrificave të mëdha te vuejtjet e thella, prej cakut të vdekjes te rikthimet e jetës, prej etydeve reflektive te ai latim personazhesh që bahetedhe ma i plotë përmes gjuhës së tyne…
Fatmirësisht e kam përcjellë kët libër si redaktor, e shpesh në distancë kena shkëmbye me autoren edhe debate miradashëse deri sa ajo ndërdyshja e dikurshme për thesarin e strehuem në të u ba ky libër, e si i tillë unë besoj se ka me udhëtue pafundësisht ndër lexues që dijnë me dashtë…
jozef radi, 3 gusht 2022

Ervina Toptani - Rrefehem... me dashuri - Kopertina
Ervina Toptani – Rrefehem… me dashuri – Kopertina

Rrëfehem… me dashuri

libri më i ri i Ervina Toptanit

Në vend të parathënies…

E dashur mike, i dashur mik,
Kam pasur gjithë jetën një dëshirë: ta shoh botën të lulëzuar në hare e njerëzit të mbështjellë në aureolën e dashurisë. Duket dëshirë infantile, e pamundur a utopike, por me çfarë kam jetuar në jetë kam mësuar se nëse ne vërtet do ta donim këtë gjë mundemi ta arrijmë. Sigurisht, problemi madhor në këtë rast është: a bëhemi dot të gjithë në një mendje? A mundemi ta duam të gjithë mirësinë për ta arritur atë? Ndoshta jo, por sa më shumë të jemi që e duam aq më të paktë do të mbeten ata që nuk e duan e kështu duke i dhënë prej haresë e aureolës tonë shumëngjyrëshe do të binden edhe ata, që është e mrekullueshme të jetosh me dashurinë e nëpërmjet saj.
Libri që keni në duar është një pjesë e rëndësishme e jetës time. Ndodhi, çaste, situata, njohje, dështime, përplasje, dhimbje e mbi të gjitha dashuri që kanë shenjuar jetën time e njeriun që jam sot.
Vendosa t’i ndaj me ty këto momente të veçanta të jetës, vendosa të të ftoj të shfletosh një pjesë të labirintheve të shpirtit e jetës time për të të treguar se secili prej nesh, në të voglën e tij, në të përditshmen e vet mund të jetë një dritë e shtuar në jetën e dikujt tjetër. Mund të bëhemi varka shpëtimi për një tjetër si ne, mund të jemi orientimi drejt të mirës për dikë.
Ky libër është një himn kushtuar humanizmit, atij më të bukurit, atij njerëzor të cilin shpesh e anashkalojmë ose e marrim për të mirqenë. Të jetuarit është gjëja më e bukur që mund të na ndodhë, ndonjëherë e harrojmë këtë fakt e mjaftohemi me ekzistencën. Të gjithëve na ka ndodhur një herë a më shumë në jetë të gjendemi në vështirësi, në çaste dëshpërimi, në dhimbje, në agoni. Jemi ndjerë të braktisur, të tradhëtuar, të poshtëruar, të përdorur, të abuzuar. Kemi rënë në gjunjë e prej dëshpërimit kemi parë vetëm tokën a baltën ku ishim rrëzuar, por nëse do të kishim ngritur kryet lart, edhe pse në gjunjë e të rrëzuar, do të kishim parë yjet. Nëse dikush do të na kishte vënë dorën në shpatull, do të na mbështillte në një përqafim të ngrohtë e do të na ftonte të shihnim yjet që shndërisnin mbi kryet tonë, do të kishim mundur t’i shihnim vërtet ata. Gjithçka është çeshtje këndvështrimi e botëkuptimi në jetë, për këtë jam e bindur!
Bota sot rend pas të mirave materiale, ndoshta ka rendur drejt tyre njëlloj dhe më parë por mbetemi përgjithësisht pengje të shpirtrave tanë në fund. E them këtë sepse asnjë e mirë materiale nuk ka mundur ndonjëherë t’ia ngijë shpirtin njeriut, këtë ka mundur ta bëjë vetëm një njeri tjetër, nëpërmjet dashurisë e derivateve të saj të panumërta. Ne kemi vetëm shpirtin si materie e asgjë materiale nuk marrim me vete. Japim vetëm atë çka mban shpirti brenda tij e lëmë në këtë botë vetëm atë çka kemi nxjerrë prej tij. Një shpirt i varfër në materie mund të lerë plot pasuri materiale prapa, por asnjëra prej tyre nuk ka vlerë. Në këtë libër ajo që do të gjeni me shumicë është pikërisht materia, prej të cilit përbëhet shpirti.
Mësojmë t’i gëzojmë komeditë pasi kemi jetuar tragjeditë. Mësojmë të vlerësojmë kohën pasi pjesa më e madhe e saj ka kaluar, mësojmë vlerën reale të dashurisë përgjithësisht pasi e kemi humbur atë. Mësojmë të falim pasi njerëzit nuk janë më. E shpesh ndodh që i falim të gjithë, përveç vetes. E gjithë kjo tablo është në një farë mënyre vetë tragjedia e jetës, në labirintet e së cilës kalojmë çdo ditë, në qoshen e së cilës ndonjëherë ngecim e është vështirë edhe të dalim prej tyre.
Doja të sillja një pjesë të vetes në këtë libër duke qenë e bindur se vepra më madhore e njeriut në këtë jetë është vetë njeriu dhe të qëndrosh i tillë pavarësisht fateve e sprovave të vështira në të cilat jeta na përplas. Në emër të dashurisë, duke mos mundur t’i fal botës mundësinë ta shohë veten me sytë e mi e ta dojë veten siç unë do të doja që ajo ta donte, vendosa të derdh dashurinë e një pjesë të dhimbjeve të mia në fletët e këtij libri. Ndoshta dikush do të gjejë veten në rradhët e tij, ndoshta një tjetër do të gjejë përgjigje për pyetjet që ka, një tjetër do të gëzohet që nuk ka provuar dhimbje, tronditje a dashuri kaq të forta në jetën e tij e do ta quaj veten me fat o ndoshta dhe të pafat.
Jam rrëfyer më dashuri siç do të bëja një pasdite të gjatë vjeshte a pranvere nëse do të isha përballë teje, me një kafe a çaj të ngrohtë përpara duke biseduar për jetën, njeriun, lumturinë e dhimbjen.
Me dashuri, Ervina
Qershor 2022

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.