back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Riarmatimi i Gjermanisë – nga Ervina Toptani – Gjermania fillon të arsyetojë si subjekt gjeopolitik

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Riarmatimi i Gjermanisë

nga Ervina Toptani

(Gjermania fillon të arsyetojë si subjekt gjeopolitik)

Të dielën e 27 shkurtit 2022, (në faqen time bëra dhe unë një shkrim të shkurtër në lidhje me fjalimin e kancelarit gjerman Scholz), 3 ditë pasi nisi përplasja Ukrainë-Rusi. Gati pa ia thënë askujt, kancelari i ri gjerman Scholz mbledh Bundestag-un dhe mban fjalimin e tij mbi të ashtuquajturin “ndryshimi epokal”. Sipas tij tashmë për Gjermaninë ka filluar një erë e re. Ky “ndryshim epokal” që ka lidhje pikësëpari me armatimin e Gjermanisë do të zbardhet e shkruar në Kushtetutën Gjermane, sipas nevojës në vite, premtim i qeverisë për të investuar më shumë se 2% të PIL (sipas raportit PIL – mbrojtje çka është pikërisht ajo që amerikanët kërkuan, por jo plotësisht të bindur nëse duan vërtet që kjo të ndodhë).
Përtej aspekteve ushtarake sikurse atyre strategjike, ajo çka tërheq vëmendjen është mënyra e komunikimit të një vendimi të tillë prej kreut te qeverisë gjermane.
Kopertura dhe analizimi i luftës këtë periudhë i është besuar ushtarakëve të nivelit të lartë, përfshirë këtu dhe kreun e Bundeswehr (Forcat Federale të Armatosura të Republikës së Gjermanisë), të cilët në televisionin e tyre, i cili është shumë i ndjekur kombëtarisht, analizojnë specifikisht aspektet taktike të luftës, gjë që nuk ka qenë normale e as e përhpur në TV-të gjermane më parë. Po kështu ka ndodhur së fundmi dhe me Forcat e Armatosura Austriake, duke na kujtuar fillin lidhës ndërmjet botës gjermanisht-folëse. Forcat e Armatosura Gjermane pas Luftës II Botërore janë konsideruar pothuajse të paligjshme. Ato nuk bëjnë as parada ushtarake prej dekadash dhe ekzistojnë vetëm pak paraqitje të vagëta në këtë këndvështrim brenda kazermave sipas frymës së vjetër prusiane, por asgjë më shumë. Deri sot ato kanë qenë instrument i kontrolluar rreptësisht nga parlamenti, me kufizime të theksuara në këtë aspekt. Pra, Forcat e Armatosura Gjermane deri më sot kanë qenë instrument dytësor me defiçite teknike tepër të mëdha.

Olaf Scholz - Zgjidhet Kancelari i ri i Gjermanise!
Olaf Scholz – Zgjidhet Kancelari i ri i Gjermanise!

Ka nisur prej disa kohësh në formë komunikative, në formatin e debatit publik gjerman, atë çka ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock e ka quajtur “debati mbi strategjinë e re kombëtare”, në publikun gjerman. Diçka e tillë është e panjohur më parë e nuk është në linjën e Adenauer e as atë të Kohl. Kjo teori e hedhur si “ballon d’essai” i pasazhit ndërmjet ost-politik e ost-geo-politik sot, nënkupton se: Gjermania duhet të “ri-dashurohet” me fuqinë e duhet të merret gjerësisht me hapësirën ndërmjet vetvetes dhe Rusisë.
Ka mendime të ndryshme nga fuqitë euroatlantike përsa i përket “nismës së re” të rizgjimit gjerman në lidhje me armatimin. Jo të gjithë janë habitur apo e kanë parë në këndvështrimin shqetësues fjalimin e kancelarit gjerman, sepse vetë koha kur gjithçka të ketë arritur pikën kulmore të kthesës së dukshme është e largët, nevojiten të paktën 25-35 vite që diçka e tillë të ndodhë. Shumica e këtyre vendeve nuk e imagjinojnë dot Gjermaninë në këtë hark kohor me një flotë si ajo britanike apo japoneze. Flota e sotme gjermane është pothuajse e pa peshë në arenën gjeopolitike të ujërave, madje as në hapësirën duke filluar nga Deti i Veriut e deri ne Oqeanin Indian minimalisht. Funksionimi i North Stream 2 është më strategjik momentalisht sesa “riekuipazhimi ushtarak” siç e kanë quajtur disa prej think-tank-ve amerikanë. Gazi rus nuk është më varësi por inter-varësi, pra diçka shumë më strategjike se ajo që mund të mendohet sipërfaqësisht.
Ajo çka mbetet disi e habitshme, sipas analistëve ndërkombëtarë të fushës, është ngritja e strategjisë së re kombëtare, aq më tepër që diçka e tillë lajmërohet prej ministres së jashtme gjermane, institucionalisht jo fort e kuptueshme, megjithëse në politikë gjithçka lejohet e është e mundur. Por ajo çka unë e shoh interesante në vetvete është ndryshimi kulturor i mendësisë ose tentativa për një ndryshim të tillë në Gjermani, që do të thotë ndryshimi i mendimit të botës gjermane mbi konstituimin e të qenit fuqi e plotë në 360 gradë. Sa kohë do i duhet Gjermanisë të shndërrohet në superfuqi ushtarake ndërkombëtare? (normalisht vetëm paratë nuk mjaftojnë për diçka të tillë). Termi “gjeopolitikë” në Gjermani është ende jo gjerësisht i përdorur duke ditur historikun e hidhur që e shoqëroi atë e përdorimin e tij për dekada të tëra në Gjermani (është quajtur term i politikës naziste). Pikësëpari gjermanët nuk dëshirojnë të jenë fuqi solitare. Koha mesatare që mund t’i nevojitet një vendi të fuqishëm si Gjermania sot, për t’u shndërruar në superfuqi ushtarake ështe mesatarisht 25-35 vite e sigurisht në këtë aspekt 102 miliard euro të shpenzuara çdo vit janë sinjal i rëndësishëm.
Si është sot vlerësimi i përgjithshëm i sigurisë kombëtare të Gjermanisë? Në “përgjumjen” më të plotë, nga viti 1991 deri në vitin 2021, në Europë o në afërsitë e saj kanë ndodhur 4 luftra të mëdha civile, dy konflikte të gjata me intensitet të ulët që vazhdojnë ende, dy konflikte të shkurtra me intensitet të mesëm, një blitz ibrid dhe një konflikt i ri me intensitet të shkurtër, pa përmendur përplasjen e vitit 2022, ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. A do i marrë në konsideratë ndodhì të tilla Dokumenti i Sigurisë Kombëtare gjermane dhe mundësinë e ndërhyrjes, zgjidhjes së konflikteve të këtij lloji në të ardhmen në Europë? Pikërisht prej analizave të tilla mendimi kuptojmë realisht nëse Gjermania në të ardhmen do të jetë superfuqi e barasvlefshme me NATO-n e determinuese në Europë e më gjerë apo do të jetë superfuqi solitare me natyrë mbrojtëse.
Një vendim të tillë si Gjermania ka njoftuar më parë edhe Polonia, madje jo 2% të PIL-it të saj, por 3% vetëm në fushën ushtarake. Një vendim i tillë nuk u bë çeshtje njoftimi askund, madje mbeti pothuajse në heshtje. (Polonia gjatë 2 viteve të fundit ka blerë armatime të rënda nga Amerika e vazhdojnë). Kur amerikanët flasin për mbrojtje nënkuptojnë atë pjesë të Europës së tyre, pjesën veri-lindore “the New Europe”, e cila është ajo që sot po ve në vështirësi Rusinë, e thënë më qartë. Marrim në konsideratë për një çast se Gjermania, Polonia e ndonjë shtet tjetër europian që kanë rritur apo do të rrisin buxhetin për Forcat e Armatosura arrijnë dhe e bëjnë diçka të tillë. Si do të manovronin ato ndërkohë që Amerika është ofruar që standartizimin e tyre ata ta bëjnë nëpërmjet mjeteve e blerjeve amerikane? Si arrihet pavarësia ushtarake kur ende në Gjermani janë të dislokuara me mijëra forca ushtarake amerikane? Do të dinin të manovronin forcat e reja ushtarake të tyre siç ka bërë dikur Guderian apo Zhukov? Përveç buxhetit e dëshirës, pyetja është: këto forca sa do të kenë realisht kapacitet operativ për të vepruar? Në fund të fundit nuk ka vlerë sa shpenzohet por sa jepet e shprehet në materializimin e asaj që kërkohet të arrihet. Amerikanët nuk janë kundër që europianët të organizohen në këtë aspekt, por sa dakord janë me lënien e tyre jashtë autonomisë së plotë europiane kjo është çeshtje për t’u diskutuar.

.
Marrë nga muri i Ervina Toptanit, 18 prill 2022

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.