back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Realiteti shqiptar i diktatures komuniste dhe letërsia e pas viteve ’90 nga Vilhelme Vranari – Haxhiraj

Gazeta

Vilheme Vranari - Haxhiraj
Vilheme Vranari – Haxhiraj

Realiteti shqiptar i diktatures komuniste

dhe letërsia e pas viteve ’90

nga Vilhelme Vranari – Haxhiraj

Një shkrimtar e ka paksa të vështirë të paraqesë realitetin e çdo kohe si duhet. Aq më tepër kur krijuesi ndodhet midis dy kohëve. Nëse e shkuara e hidhur, tragjike për shumicën e komunitetit, për dikë ka qenë e tillë sa arrin majat, nuk besoj se ka lënë vragë plagësh dhe as shijen e hidhur të dhimbjeve tek ai.
Pse? Sepse në diktaturën komuniste, i përndjekuri nga lufta e klasave, më e egra që njohu njerëzimi, nuk mund të bëhej Dikushi. Për gjysëm shekulli ai ngeli Askushi, le të ishe më i zoti si asnjë tjetër. Edhe nëse dikush kishte arritur të arsimohej si duhej në Perëndim, nuk e linte të gjallë Diktatura e kuqe. Ose do ta kalbte në burgjet me emrin “Ferri i Kuq” dhe nëse dilte gjallë do ta syrgjynosnin në internim bashkë me familjen, me soj e sorollop; ose do të përfundonte në gijotinë. Ky ishte ligji i xhunglës për gjithë ata që ecnin kundër rrymës së shoqërisë së re socialiste, e cila përshkohej si një fill i kuq nga idetë marksiste- leniniste. Kjo shoqëri “e re” shqiptare, parimi i dikurshëm i së cilës ishte atdhetarizmi apo shqiptarizmi, në diktaturë ishte mbrujtur me ideologjonë sllavo-komuniste në tru, në mendje, në ndërgjegje, në shpirt dhe po t’i bëje ADN e çdo qelize, nuk do të gjeje më genet e vërteta shqiptare. Gjaku i prishur nga dogmat e gënjeshtërta nxirrte si të vërtetë gjenetike formulën: “Marks, Engels, Lenin, Stalin, Enver, Mao”. Kjo ishte aq e vërtetë se edhe martesat kombinoheshin sipas kësaj formule. Dita e dasmës është dita më e bukur e një çifti, por nuk mund të bëhej martesë pa e pirë me fund dollinë e këtyre simboleve të formulës, që u ngjanin hieroglifeve, sepse as vetë ata nuk e dinin se ku po e çonin njerëzimin. Mjerë ai që nuk e piu dollinë për mustaqet e Stalinit, se u dënua për agjitacion dhe propagandë.
Ndyshimet politiko-shoqërore bëhen për t’i sjellë vendeve progres dhe jo skllavëri, jo mohim vlerash, jo mohim jete, jo shtete burgje rrethuar me mure betoni dhe tela me gjemba të dukshme dhe të padukshme, jo. . . Si mund të jetë shkrimtar i të gjitha shtresave një N/kryetar i Përgjithshëm i Frontit Demokratik Shqiptar, “organizata, që bashkonte shqiptarët pa dallim feje, krahine ideje”, apo Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Drejtor i Teatrit, Drejtor i Ansamblit, kur nuk paraqisnin në veprat e tyre realitein e hidhur? Këta njerëz të letrave dhe të artit si i pranonin krimet makabare, ndarjen e një kombi vital në dy klasa armike deri në vdekje?! Nuk e shikonin vallë se gjysma e shqiptarëve nuk kishin të drejtën e votës të zgjedhin? (se për të drejtën e zgjidhjes ata ishin “bombë me sahat”). Si nuk u bënte pështypje gjithë këtyre krijuesve, me poste të rëndësishme në Shtet apo Parti, që fëmijët (shumë të përgatitur) të finikëve apo intelektualve të burgosur, të vrarë apo internuar dhe arratisur, apo pse mbanin një mbiemër të respektuar shqiptar, nuk kishin të drejtën e arsimit apo ushtrimit të profesionit?

Epoka e Komunizmit Shqiptar (1941-1991)
Epoka e Komunizmit Shqiptar (1941-1991)

Shkrimtari dhe artisti janë të parët opozitarë të problemeve sociale që sjell një regjim totalitar ose edhe demokratik. Femra të shndërruara në vigane dhe burrat superheronj, nuk di si i kanë përshkruar. Një krijuesi që bën një vepër të tillë, hiperbolizim të gënjeshtërt, apo shtrembërim realiteti, a nuk e vret ndërgjegja vallë? Këta që bënë vepra të tilla të relizmit socialist, që u vlerësuan, u përkthyen në gjuhë të huaja, dhe u njohën nga bota, a nuk ishin shpërblim i besnikërisë ndaj pushtetit diktatorial komunist?! Përmes këtyre njerëzve të besuar në vende drejtuese, vepronin Sigurimi i Shtetit, Partia dhe Shteti për t’i shpallur kulakë dhe armiq klase njerëz të pafajshëm. A nuk janë bashkëfajtorë si eprorët e tyre?!
Nuk janë të paktë ata shkrimtarë dhe poetë, artistë, këngëtarë, që u burgosën dhe u vranë për idetë e tyre antikomuniste. Ata po, janë disident të letërsisë. Ne, ne të vuajturit dhe shqiptarët e ndershëm i njohim antikomunistët e vërtetë. Këta fatkeqë, janë shumë dhe do të ruhen në kujtesë si shqiptarë të vërtetë që me penë, me penelë, apo me rolet e tyre në skenë u përleshën me Përbindshin e Kuq dhe fituan. Fituan një emër të madh: “Njeri”. Për qeniet humane nuk vlen asnjë thesar, asnjë çmim, asnjë trofe, sado i vyer të jetë, aq sa vlen të qenit “Njeri”. Mund të jesh gjithçka, por është shumë e vështirë të jesh njeri. Kur je i tillë, i ke marrë të gjitha çmimet e mësipërme, qoftë edhe ato botërore.
Po tregoj një rast si u përçmua dikush që nuk piu dollinë për mustaqet e Stalinit. Pas 8 vite burgimi, doli. Djali që kishte birësuar, që ishte nipi i tij, krijoi familjen veçmas. Kur ai vdiq, nusja e djalit (me origjinë komuniste, ndërkohë hipur mbi gomar) iu përgjigj kureshtareve pse s’ishte as në vaki dhe as në varrim: “Uh, ngordhi një qen. Kur do të ngordh edhe qeni tjetër!” – ishte fjala për vëllanë tjetër që sapo kishte dalë nga burgu. Kështu trajtoheshin fisnikët e rrëzuar, jo njerëz, por kafshë.
Pikërisht ndonjeri nga këta shërbyes të bindur, si qen i rrahur, besnik të diktaturës vrastare, aty nga vitet 1993 pati guximin të shkruajë: “Ku janë, ç’u bënë fisnikët, shtresat e persekuatuara? Tani që fituan lirinë, përse nuk i japin vlerat? Është e drejta e tyre të shpalosin dhuntitë e mohuara.
Kujtoja se do të bënin një bum, por vazhdojnë të heshtin…”

Vera Muchina - Fshatare e Punetore - 1937
Vera Muchina – Fshatare e Punetore – 1937

Një shkrimtaruce e soc-realizmit, me një cinizëm përçmues, pyeti një krijues të rilindur: Përse nuk shkruajte qysh në vitin 1990?
A e dinin këta këta mohues të së vërtetës se sa kohë donin të rimerrnin veten këta fatkeqë? Po a e kuptonin vallë se ç’do të thotë luftë klase? E dinin që koba komuniste e tjetërsoi njeriun, e varfëroi jo vetëm materialisht, por edhe mendërisht. Të përndjekurit ende nuk besonin se kishte rënë Diktatura. Që të shkruash libra nuk do vetëm talent, por do edhe mjetet. Janë të ardhurat të cilat u mungonin dhe iu mungojnë të persekutuarëve edhe sot. Për sa kohë ata do të quhen “Ish të persekutuar”, “Ish të përndjekur” dhe “Ish pronarë”, talentet e kësaj shtrese do të hezitojnë pak, por kurrë nuk do të ketë kthim pas për ta. Ata janë pronarët e ligjshëm, paçka se nuk kanë marrë asgjë. Për ta ka rëndësi e drejta e madhe që kanë fituar; e drejta e mendimit të lirë përmes fjalës së lirë. Mirë të harruarit që s’kishin nga ta zinin, po ata që kishin jetuar me librat dhe vunë një emër?
“Këta” shkrimtarë të soc-realizmit, e kanë pyetur veten ndonjëherë, se meqë veprat e tyre kishin qenë me nënkuptime, pse nuk shkruajtën veprat për krimet e diktaturës qysh në fillim të viteve 90?
E Vërteta dhe Pandehma për krijimtarinë e tyre, janë dy të kundërta që nuk të bëjnë të besosh se ata kanë qenë kundër krimeve të Diktaturës. Këta shkrimtarë titullarë të Frontit dhe shumë organizmave të tjera si Bashkimet Profesionale, organizatat e Rinisë, Gruas e sa të tjera ishin levat e Sigurimit të Shtetit. Me demek se dënimet dhe masat merreshin në emër të popullit. “I shkreti popull që besonte verbërisht!”
Pas 20 vitesh më 2009, shkrimtarët e dy epokave, u kujtuan të shkruajnë për gjëmat e diktaturës. Por çuditërisht nuk shkruajnë për fëmijët që ngelën në rrugën e vështirë dhe vrasëse të internimit, ku nënat e tyre të mrekullueshme, që fati i përplasi në udhëkryqet e jetës, i rritën me lakra pa vaj, por i edukuan ata me dashurinë për vendlindjen, me dashurinë për njeriun. Këta shkrimtarë të penduar nuk u kujtuan as për jetimët me baballarë gjallë. Kurse bijtë e syrgjynosur në internim, duke ua mohuar vendlindjen, pronën dhe të qenit njeri me gjithë të drejtat, të edukuar nga nënat e tyre fisnike, kurrë nuk kërkuan hakmarrje ndaj shkaktarve të vuajtjeve çnjerëzore. Ata, të leqendisurit, të vuajturit, të mohuarit barktharët për gjysëm shekulli, në genet e të cilëve rrjedh gjak i pastër shqiptari, dinë të falin dhe thonë: “Mos harro se ne kemi një vatan, lindëm nga e njëjta baltë”,“Nëna nuk i do fëmijët të ndarë…mos harro të më buzqeshësh pak, zgjatma dorën të ecim bashkë!” Cili prej shkrimtarëve që i kënduan Diktaturës, ka shkruajtur vargje të tilla faljeje dhe pajtimi kombëtar?! Ata nuk guxojnë të shkruajnë për zhdukjen dhe mohimin e shtresës që në shekuj kishte bërë luftën dhe mbajti gjallë kombin, sepse kanë frikë se fëmijët që u rritën barakave të internimit, bodrumeve pa dritë, në lagështi dhe myk, do t’i përgënjeshtrojnë veprat e tyre false. E vërteta e tyre duhet kërkuar vetëm te Realizmi socialist, varrmihës i gjysmës së shqiptarëve dhe izolimit nga kultura Perëndimore e 95% të shqiptarëve. Është kjo arsyeja që u dhimbsen bijtë e Byroistëve dhe Komitetit Qëndror, të Sekretarve të Partisë, Kryetarve të Këshillit, të atyre që shpikën luftën e klasave. Fëmijët e këtyre kriminelve kishin dhe kanë të drejtë ta jetojnë jetën, por jo të merren si shembull i pasojave shkatërruese të luftës së klasave. Lufta e prindërve të tyre ishte për pushtet, për mitizimin dhe përjetësimin e Demonve dhe Peshkaqenve komunist. Veç çdo shkaktar vuajtjesh çnjerëzore duhet të shohë fëmijën e vet në kushte të vështira mes jetës dhe vdekjes, që të besojë gjysmën e shqiptarëve që i mbijetuan Ferrit që ata e ndërtuan enkas për ta.
Unë jam nënë dhe më vjen keq që nëna të mos shoh fëmijën në çastet e fundit të jetës. Po ata fëmijë që u vranë qysh në barkë tok me nënën, që nuk e panë dritën e diellit? Po ata mijëra djem dhe vajza nënash që mbushën varrezën shqiptare me varre pa emër? A nuk kishin një nënë? Vallë kush e di se ç’pengje kishin dhe ç’ amanete lanë?!
Si shembull në letërsinë bashkëkohore duhet të merren jetët e mohuara, kurse personazhe duhet të jenë fëmijët pa fëmijëri, ata që nuk luajtën kurrë, që nuk buzëqeshën kurrë, që i ndaluan të ëndërronin apo të dashuronin. Duhet të merren ato gra, ato nëna dhe motra që lidhën shaminë e zezë dhe u rropatën rrugëve të përbaltura për t’u çuar një gjellë shtëpie pa mish, pa vaj, pa vezë, pa qumësht, por u çonin atyre që i donin dhe u mungonin aq shumë, shpirtin e tyre të dëlirë, dashurinë, sinqeritetin dhe besimin se e drejta do të dilte në shesh një ditë. Dhe ata besonin se asgjë, madje edhe burgimi nuk është i përjetshëm. Edhe nëse nuk dolën gjallë nga kthetrat vdekjeprurëse të Ferrit Komunist, vdiqën me besimin se Diktatura nuk do të ishte e përjetshme dhe e drejta e tyre do të fitonte një ditë. E lanë këtë botë të lumtur, se fëmijët e tyre i mbijetuan kamxhikut fshikullues të Diktaturës. Turp dhe mëkat për ndonjë autor që për snobizëm, për ta bërë të shitur romanin e vet, merr nëpër këmbë dinjitetin e grave të persekutuara, se gjoja paskan prostituuar për të rritur fëmijët. Kjo është shpifja më bastarde, më e ulët dhe më pa dinjitet për një shkrimtar. Shqipëria ka përjetuar aq drama sa ka material dhe tema të bollshme për ta realizuar një letërsi të re, një letërsi ndryshe.
Si përfundim them me bindje se çdo kohë ka njerëzit e vet të mëdhenj, si në çdo fushë të jetës, edhe në letërsi. Vlerësimin real çdo shkrimtar i realizmit socialist duhet ta kërkojë në atë shoqëri, së cilës i ka shërbyer me fanatizëm. I lumtur është ai që dhe kur ka në dorë, nuk lëndon, apo nuk harron ata që koha i mori zvarrë. Këtë e bën vetëm kur paraqet realitetin real. Kjo gjë arrihet kur letërsia të jetë krejtësisht e pavarur nga influenca e pushtetit dhe të shkruhet nga krijues pa komplekse politike dhe ndërgjegjeje. Vetëm ata që shkruajtën për herë të parë pas 90-ës, kanë nisur një letërsi të re, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me letërsinë e realizmit socialist. Kjo letërsi e Realizmit real sipas analizës së Mujo Buçpapës: “…ka prishur hierarkinë e emrave letrarë të vendosur në mënyrë të pandershme dhe shpesh mediokre nga kritika e orientuar politikisht”.

Realizmi Socialist Shqiptar
Realizmi Socialist Shqiptar

Para se të kaloj në vazhdim të opinionit tim mbi letërsinë, po kujtoj mesazhin e Abraham Lincolnit. Kur çështja e sanksionimit të lirisë, solli luftën civile veri – jug në Amerikë, rreth një shekull e gjysëm më parë, jugu ruajti skllavërinë dhe u shkëput nga veriu. Duke analizuar fitoren e lirisë dhe humbjen e 600.000 amerikanëve, Linkoln u shpreh: “Ne nuk i shpëtojmë dot historisë!”. Kongresi miratoi amendamentin e 13-të të Kushtetutës që hiqte skllavërinë. Amerika ka atë Kushtetutë së cilës i janë shtuar deri sot 27 paketa. Linkolni u vra me atentat në një lozhë të teatrit në Uashington. Në Kongres u lexua mesazhi i tij: “Bota kurrë nuk ka një përcaktim të qartë të fjalës Liri dhe popull. Ne të gjithë deklarohemi për liri, por duke përdorur të njëjtën fjalë, ne nuk kuptojmë të njëjtën gjë. Besimi ynë në lirinë dhe pavarësinë nuk është armatosja e brigjeve të detit, por besimi ynë në dashurinë për lirinë, të cilën Zoti e ka mbjellë në gjokset tona.- Mbrojtja jonë është në ruajtjen e shpirtit që vlerëson lirinë si trashëgimi e të gjithë njerëzve, të të gjitha vendeve, kudo. Shkatërrojeni këtë shpirt dhe ju keni mbjellë farën e despotizmit në dyert tuaja. -Në ç’pikë ne do presim afrimin e rrezikut? Me ç’mjete do fortifikohemi ne kundër tij? Do të presim ndonjë flotë transatlantike që të na shtypë me një goditje?
– Kurrë!
-..ushtritë e Evropës, Azisë dhe Afrikës së bashku nuk do të mundnin të merrnin me forcë një pije në Ohaio, ose të bënin një udhëtim në blue Ridge, as dhe për njëmijë vjet përpjekje. Atëherë nëse shkatërrimi do të jetë destini ynë, ne vetë do të jemi autorët dhe ekzekutorët e tij. Si Komb i njerëzve të lirë, ne duhet të jetojmë përmes kohërave ose të vdesim nga vetvrasja. Duke mos lënë frikën të na denigrojë dhe shkatërrojë, duhet të kemi besim te drejtësia…”

Këtë mesazh të madh historik vlen ta lexojë e rilexojë, derisa ta ngulis në tru çdo krijues shqiptar, të cilit ideologjia e kuqe ia ka shplarë trurin. Duke e lidhur me thëniet e Linkolnit, pyes cili shkrimtar i realizmit socialist shkroi veprat e veta me besimin te e vërteta apo u mbështet në konceptin e gjerë “liri”? Nëse ndonjë e pohon këtë, është jo vetëm shërbëtor besnik i Përbindëshit të kuq, por edhe tellall i tij. Nuk e quaj sufler, se është luks. Të tillë ka edhe sot; këta janë të paaftët, që rrojnë nën hijen e ombrelës së dikujt, budallenjtë që shkruajnë e transmetojnë mendimin e të “mençurit”, që shkatërroi e mashtroi shpirtin e lirë përmes letërsisë ku paraqiste; gënjeshtrën si të vërtetë dhe izolimin në vend të lirisë. Kjo ishte motua në socializëm, krijimi i shembëlltyrës “shabllone” të komunizmit sllav, duke u mbështetur në normat dhe idetë e huajtura nga Moska dhe Beogradi, u ndërtua shoqëria “e re” shqiptare si në politikë, ekonomi, në art dhe sidomos pati ndikim në letërsi. Por të krahasosh letërsinë shqiptare me atë ruse, nga e cila mëson dhe kënaq shijet e çdokujt( për të cilat e vlerësoj), duhet të kemi parasysh kushtet sociale në të cilat lindi dhe u rrit letërsia ruse. Një shtet i madh si Rusia, me dy ekstremet e shoqërisë, ku qëndronin përballë aristokracia e salloneve të Petërburgut dhe varfëria e tejskajshme e muzhikut, skllav në kuptimin më komod të fjalës. Zëvendësimi i carizmit nga pushteti i sovjetëve solli ndryshime politiko sociale, që ndikuan edhe në letërsinë e kohës. Ky kapërcim sistemesh nxori disidencën politike dhe atë kulturore. Të përndjekur nga regjimi totalitar i Stalinit, u syrgjynosën nëpër kampe internimi në Siberinë e ftohtë, të tjerët u vetëvranë, (sipas Linkolnit vetshkatërrimi sjell vetvrasje), disa mërguan në Amerikë a në Perëndim dhe veprat e tyre u ndaluan. Një shembull i tillë ishte Boris Pasternak.

At Gjergj Fishta - Poradeci - Koliqi - Asdreni
At Gjergj Fishta – Poradeci – Koliqi – Asdreni

Kurse tek ne para Luftës së Dytë Botërore, kishte varfëri, por nuk njihej skllavëria. Të nisur nga kushte krejt ndryshe nga ato të B.S, vendi ynë i përfshirë në luftë, kishte të përbashkët me ta vetëm lirinë kombëtare. Sigurisht që çlirimi nga okupatori do të sillte ndryshime politiko-sociale dhe kulturore. Në Shqipëri në vitet ’30 e në vazhdim nisi të lulëzojë letërsia moderne, realitet shqiptar, me autorët; Migjeni, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Ali Asllani, Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Sterio Spase, Isuf Luzi, Petro Marko, Lasgush Poradeci etje… Në vend që kjo letërsi të vazhdonte të rritej, u ndalua dhe u mohua. Ne, një vend i vogël, ku sa kishin lindur elementët kapitalistë, ndoqëm politikën ruse edhe në kulturë. Por Rusia mblodhi 100 kombësi me rreth 60 gjuhë, nën “perandorinë e madhe komuniste të Lenin-Stalinit”, së cilës i duhej ruajtja nga pushteti ndikues i letërsisë reale. Ne pa marrë parasysh kushtet tona, kopjuam ata. Moska, duke përdorur si levë Beogradin, kërkonte hegjemoni në Ballkan. Gjeti Enver Hoxhën, i cili edhe pse nuk mbaroi asnjë shkollë në Paris, por përvetësoi e kombinoi mirë idetë e komunizmit francez dhe më të keqen, politikën shkatërruese të Fushesë. Diti të penetronte shumë mirë duke zhdukur që gjatë luftës kundërshtarët politikë, përfshi këtu edhe në letërsi dhe u vu në krye të shtetit të ri. Armatën e shkrimtarëve (sigurisht jo të gjithë) i përgatiti në Moskë për ta përjetësuar veprën e tij “madhështore” përmes letërsisë dhe medias. Më vonë veprat e tyre gjetën strehë në Francë me orientimin direkt të tij. Që vepra e një shkrimtari nën terrorin komunist, të bëhet e njohur në një vend Perëndimor, me politikë dhe kulturë krejt ndryshe nga ajo totalitare,është absurde. Duhet kërkuar gjetkë, te shkrimtari, që është pjesë përbërse e sferave të larta të shtetit diktatorial. Besoj se letërsia e përkthyer në Francë gjatë izolimit totalitar, ndërkohë që shkrimtarët si Kudret Kokoshi, Jusuf Vrioni, Kasëm Trebeshina, Zef Zorba (poet dhe përkthyes i panjohur) burgosen, tregon se ishte letërsia, ai filli i padukshëm i agjenturës që duhej të mbetej gjallë.
Në vitin 1990 e më pas, nga frika e gjykimit prej gjysmës së shqiptarëve të mohuar, të denigruar, këta gazetarë, shkrimtarë apo bijë të politikanëve komunistë me shërbim të dyfishtë, u vendosën në shtetet perëndimore Evropë, ShBA, apo kudo në botë. Tani “Emisarët e kuq me këmisha blu” gjasma mbajnë “qëndrim kritik” ndaj politikës vrastare të PPSh, janë “kundër”luftës së klasave, “kundër” totalitarizmit, kundër mohimit të vlerave humane… Por nuk na hedhin dot hi syve. E dimë se tani janë më të këqij se më parë, pasi atëherë dihej se cilët ishin “Inkuizitorë të letërsisë dhe inteligjencës”. A mund të rinovohet dikush që për shërbimet të mëdha ndaj “Partisë mëmë” dhe levës së saj , Sigurimit të Shtetit, është vënë në piedestal? Jo. Ata ishin dhe ngelen besnikë të komunizmit, i cili ngjan me vemjet që rriten dhe jetojnë nëpër gjirize. Por ata kërkojnë të jenë të dobishëm,në krye dhe të vlerësuar në çdo kohë. E duan ekonominë e tregut, por duke mbajtur marksizëm-leninizmin në gji.
A nuk janë pjellë e tyre ata që drejtojnë sot OJQ-ët, klubet kulturore, shoqatat e shkrimtarëve, apo shoqatat e fshatrave që janë bërë si Org. e Frontit Demokratik në Shqipëri? Vdesin të jenë në krye, t’u dëgjohet fjala. Ose të jenë si etërit e tyre, ose pëlcasin.
Lindin disa pyetje; Kush vallë na i imponoi normat e kulturës sllave duke mohuar atë kombëtare? A i detyroi kush shkrimtarët që të shkruanin vepra të diktuara nga politika? Jam e bindur se nuk e bënë vetëm nga frika, por ishte dhe bindja e tyre se në Shqipëri po ndiqej politika e duhur. Arsyeja ishte, të mbronin pushtetin utopik komunisto-sllav nga rreziku i rënies dhe siguri për jetën e tyre.
E kam thënë edhe më parë, se po të ishte gjallë Migjeni do të kishte pasur fatin e gjithë atyre që përfunduan burgjeve, apo në litar. Po të kishte qëndruar këtu Prof. Dr. Isuf Luzi, nuk do ta kishin lënë të shkruante 120 vepra filozofike dhe letrare, duke e vendosur në njërin nga 9 filozofët më të mëdhenj të shek XX në Botë. Jo vetëm kaq, por do ta kishin vrarë, sepse Diktatura komuniste zhdukte më të aftin. Edhe tani në vlerësimet e letërsisë veprojnë dhe reklamojnë autorët dhe vazhduesit e denjë të soc- realizmit. Madje pyesin me zemërim: “Nga na doli ky armik klase, apo kjo bijë kulaku në udhëkryq?”
Dikush ka thënë se, Komunizmi e zhduku këtë shtresë duke mos lënë as farë që ajo të rilind. E ka gabim. Edhe nga gënjeshtra më e madhe do të ngelet diçka që të besohet si e vërtetë. Mund të zhdukësh mijëra, po jo gjysmën e popullsisë. Në ata të mbijetuarit ka ngelur ende ndjenja e shtresës së mohuar dhe në gene trashëgojnë kulturën e ndaluar dhe historinë e mohuar.
Petro Marko, i pari autor që solli prozën moderne, duke luftuar në Spanjë, përvetësoi idetë e komunizmit internacional. Edhe pse u burgos nga Diktatura, iu ndalua qarkullimi e botimi i veprave realiste, ai përsëri nuk përqafoi idetë sllavo-komuniste dhe vdiq si një komunist internacional. Kjo vërteton thënien e Linkolnit se, askush nuk i shpëton dot historisë, dhe se shkatërrimin e kulturës shqiptare e sollën vetë shqiptarët me vetdashje për të jetuar sa më komod, kur të tjerët vriteshin, burgoseshin dhe syrgynoseshin në internim si kundërshtarë ideo-politikë, ekonomikë dhe kulturorë, ata kapnin majat. Pra ata ishin shkatërruesit dhe ekzekutuesit e shpirtit të lirë, që mbollën farën e despotizmit në letërsi.
Nuk jam dakord me dikë që thotë se disidentët shqiptarë nuk na lanë ndonjë vepër madhore si Havel, Solzhenici etj. A nuk janë disidentë, inxhinierët e Maliqit, të naftës, deputetët, kleri katolik, ortodoks dhe musliman? Si mund të quhet ndryshe letra e At Pjetër Meshkallës, drejtuar Kryeministrit Mehmet Shehu, ku sqaron mbi mohimin e të drejtave të njeriut?! Analizoni veprat e Trebeshinës ose “Rrajët lëvizin “ të Ernest Koliqit, këtij parashikuesi të madh, i cili vdiq në 1973, kur drama që flet se komunizmi do të rrëzohej, kishte kohë e botuar. Apo “Gloria e çmendjes” e Isuf Luzit, që sa herë e lexon zbulon një epitet të ri për komunizmin si ideologji bastarde që mohon shqiptarizmën. Ashtu si në botë që revolucioni letrar nisi me Romen Roland në Francë, Ada Negri në Itali, Gorki në Rusi, Anamuno në Spanjë, Drajser dhe Sincklair në Amerikë, Tagora në Indi, janë nismëtarët e një bote të re në letërsi , ku bëjnë pjesë edhe shkrimtarët tanë të lartpërmendur që janë të një kohe me ta. Por duhet të pranojmë se disidentët e vërtetë, që s’i lanë të lirë, që u mohuan jetën, madje dhe pas vdekjes, sot u janë kundërvënë vazhduesit e soc-realizmit.

Pa titull - Vilhelme Vranari - Haxhiraj
Pa titull – Vilhelme Vranari – Haxhiraj

Pas viteve 90 lindi një rrymë e re në letërsi, ajo e Realizmit Real, ku autorët me veprat e tyre paraqitën dashurinë për lirinë e gdhendur në shpirtërat e tyre, një liri e mohuar. Përballë kësaj letërsie të re dhe relativisht të vonët, shkrimtarët e realizmit socialist, duke mohuar disidencën e vërtetë, kërkojnë të vendosin veten si disidentë. Unë jam kundër letërsisë kolektive të diktaturës.
Formimi individual, personaliteti, varen nga profesionalizmi, kultura, prejardhja shoqërore dhe nga këndvështrimi i botës. Si e paraqet një i dalë nga ferri dhembjen njerëzore dhe lirinë vetiake apo sociale, dashurinë për lirnë dhe të vërtetën e jetës përmes letërsisë, nuk mund ta paraqes ai i veluri nga sukseset e diktaturës.
Ndaj Realizmi Real i viteve pas 90-ës është i paarritshëm nga shkrimtarët soc-realistë. Në vazhdimësi të artikullit të parë, po perifrazoj Mujo Buçpapën që vlerëson për shërbimet në letërsi që solli kjo rrymë: “Së dyti solli një pasuri të pafundme origjinale të stilit, frazës dhe gjuhës, duke prishur uniformitetin e një letërsie standard gati 50-vjeçare. Së treti e shndërroi në letërsi vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist, duke tronditur nga themelet piramidat letrare dhe psikologjinë që e mbrojti dhe e prodhon atë. Madje asnjë shkrimtar tjetër i soc-realizmit nuk ka mundur të imponohet me kaq denjitet njerëzor dhe letrar si “x” shkrimtar i këtyre viteve.” Kjo rrymë e re ka përfaqësuesit e vetë në të gjitha gjinitë letrare, që nuk mund ta mohoj apo t’i marrë autorësinë si nismëtar askush. Janë veprat që flasin. Edhe pse sollën diçka të re, një ndryshim rrënjësor në letërsi, nuk e quajnë veten Disidentë, sepse respektojnë ata që u mohuan dhe u flijuan për drejtësinë, të vërtetën, lirinë e shpirtit dhe të shoqërisë. Ky është rregulli nr-1- i atyre që nuk kanë komplekse politike dhe krijimtarinë e tyre nuk ia kanë borxh askujt. Ia dinë për nder vetëm vendit dhe bashkëatdhetarëve të tyre të vuajtur.
Në lidhje me mangësitë e shkrimtarëve të realizmit socialist që u përkasin dy periudhave (komunizëm-demokraci), mund të citoj mjaft autorë vendas dhe të huaj. Dikush ka shkruar se, autorët e pas 90-ës që kanë paraqitur realitetin,nuk u“pëlqekan” në perëndim. Fakti që konkluzionet dalin jo për autorët e Realizmit Real, sepse ata nuk janë përkthyer në gjuhë të huaja, për shkak të faktorit politik-ekonomik dhe kohë, por për shkrimtarët që janë njohur para viteve 90. Ja si shkruan përkthyesi spanjoll Ramon Sanches Lizarralde, për shkrimtarët pa neorealizëm: “Letërsia shqipe ka nevojë për guxim për ta parë realitetin në sy, sipas rrymave të kohës.”… Për shkrimtarët e soc-realizmit pas ’90, Sanchez shprehet: “Duke marrë shkas që nga Kadareja, e kam shprehur me shkrim që ky shkrimtar nuk do të krijojë shkollë në kupimin klasik të fjalës. Ai do të lërë shumë gjëra për t’i realizur shkrimtarët e ardhshëm” (standard 17-8-2006). Po në të njëjtën kohë (standard 18-8-2006) përkthyesi gjerman Joachim Rohm thotë: “Shkrimtarët shqiptarë duhet të shkruajnë histori njerëzore, të merren me realitetin e vendit të tyre dhe të mos qëndrojnë indiferent!..” 
Si konkluzoion mund të them se shkrimtarët shqiptarë të të dy epokave, kanë frikë të nxjerrin në botë realitetin shqiptar. Pra janë mosbesues ndaj realizimit të një letërsie reale, ndaj i largohen realitetit. Nëse nuk vrasin frikën do të ngelen robër të realizmit socialist. Veprat kalsike sado tërheqëse që mund të jenë, njeriu në to kurrë nuk e gjen vetveten apo ëndrrat e tij… Letërsia është një nga mjetet më të mira për të luftuar të keqen dhe të ofrojë shpresën, mirësinë mes veprave të gjalla, të pasura me jetë njerëzore. Nobelisti i vitit 2006 në letërsi, Orhan Pamuk shprehet: “Nuk shkruaj për të treguar histori, por për të ndërtuar histori… Shkruaj për të gjetur një vend ku të marr frymë si në ëndërr… Shkruaj të jem i lumtur dhe të dhuroj lumturi.”
Krijuesit me pikëpyetje në të shkuarën e tyre nuk mundin dot ,dhe një ditë rrëfehen. Kjo ndodhi edhe me shkrimtarin gjermano-polak, nobelistin në letërsi Gunter Grass, i cili në moshën 17 vjeç kishte shërbyer për 3 muaj në njësi të SS-ve. Në librin autobiorafik, ai e tregoi këtë fakt dhe shkrimtarë, madje edhe ish presidenti polak, Leh Valesa, (nobelist për paqen) kërkuan që të dorëzojë, titullin Qytetar Nderi i Gdanskut, si dhe çmimin Nobel. Kryetari i fondacionit Nobel sqaroi se vendimet janë të parevokueshme. Ndryshe do të ishte, po ta kishte deklaruar më parë mëkatin e rinisë. Gjithsesi letërsia e re, Reale shqipe është në një ngërç se nuk ka përkrahjen e komisionerve për vlerësime. Ndaj duke parë se realizmi socialist ka ende shumë ndikim në rrethet letrare shqiptare i jap të drejtë Kasëm Trebeshinës, kur shprehet. “Nuk e di ende në, kur ende nuk janë dënuar krimet e komunizmit?!
Duke mbështetur thënien e tij, edhe unë pyes: nuk di më se, kush është i persekutuar; ish byroisti, shkrimtari i përkëdhelur, sigurimsi, që hapën varre dhe morën jetë njerëzish, apo ai që nuk dihet se ku i treten kockat, apo fëmija i tij të cilit iu mohua gjithçka? Me sa shohim ata që ishin dje, janë edhe sot në ballë. A do të çlirohet vallë ndonjëherë ndërgjegja e shqiptarit nga deliri i madhështisë?

Sekretari i Përgjithshèm i Presidencës, Aco Flloko, bashkèshortët Vilhelme dhe Fitim Haxhiraj
Sekretari i Përgjithshèm i Presidencës, Aco Flloko me Vilhelme e Fitim Haxhiraj

Edhe për sa kohë juritë në Shqipëri do të kërkojnë mbi ballinat e librave që konkurojnë emrin e babait apo emrin e shërbëtorit besnik të diktatorit?! Për sa kohë emrat e tjerë do t’i i hedhin tej me neveri. Jo nuk vazhdohet kështu! Fitoni lirinë e shpirtit që të reflektoni në drejtësinë njerëzore! Nga kjo duhet të udhëhiqet çdo shqiptar që ka fatin e dikujt apo diçkaje në dorë.
P.S. Në vazhdimësi do t’ju njoh me vlerësimet e Realizmit Real në letërsi nga analistë, kritikë dhe personalitete të letrave.
Marrë nga http://gazetakritika.net 06. 01. 2010

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.