back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 4 Tetor, 2024

Ramadan Sokoli – etnomuzikolog shqiptar nga Mirlinda Sokoli – Duma

Gazeta

Prof. Ramadan Sokoli (1920-2008)
Prof. Ramadan Sokoli (1920-2008) 

Ramadan Sokoli – etnomuzikolog shqiptar

nga Mirlinda Sokoli – Duma

Ramadan Sokoli – u lind më 14 Qershor të vitit 1920, në Shkodër. Prindërit e tij, vinin nga dy familje të mëdha e me shumë influencë në qytet e më gjërë, të njohura për karrierën e tyre politike dhe frymën patriotike.
Nëna e tij, Aishja, nga e cila, Ramadani trashëgoi mënçurinë, maturinë e qetësinë, rridhte nga familja e njohur Juka. Ajo ishte një grua me shumë personalitet, që rriti dhe edukoi 9 fëmijë; 3 djem e 6 vajza, ku Ramadani, ishte fëmija i 5-të. Ai u rrit e u formua me një frymë patriotike falë familjes së tij.
Gjyshi i tij Hodo Sokoli – Legjendari i Lidhjes së Prizrenit, ishte një nga krerët e Lëvizjes së Miletit për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga copëzimi i Fuqive të Mëdha, ndërsa babai, Isufi, ishte diplomat e punonte shumë për të mbajtur këtë familje të madhe të shquar për mikpritjen e saj.
Siç tregojnë, në asnjë drekë apo darkë, ishte vetëm familja por aty, gjithnjë kish mysafirë, sidomos të rinj. Ajo ishte si një çerdhe për të grumbulluar të rinj e të reja, shokë e miq të fëmijëve. Shtëpia e madhe, në lagjen Dërgut të Shkodrës, kishte një bahçe, që lulëzonte në çdo stinë. Kishte dhe një kopësht të madh me mbi 120 rrënjë pemë frutore, ku rriteshin lirshëm kafshë e zogj, që nga kapronjtë, lepujt e deri tek papagajt e pavodat. Ata që e kanë njohur lulëzimin e kësaj shtëpie kanë mbajtur në kujtesë, pamjen e bukur dhe ngrohtësinë që ajo ofronte. Në këtë ambjent, shpesh herë, Ramadani me një nga motrat, Safetin, së bashku edhe me shokët e shoqet e tyre, bënin mini koncerte. Safeti shquhej për një zë të ëmbël e hyjnor, ndërsa vetë Ramadani, i binte disa veglave, si violina, kitarra, flauti, etj.
Që në moshë të njomë, ai bënte pjesë në Bandën Frymore të Qytetit të Shkodrës, që për kohën ishte e famshme. Rreth moshës 16 – 17 vjeçare, ai filloi të kompozojë. Bëri disa këngë që më pas, do të këndoheshin nëpër koncerte, apo në Radio Tirana si pa autor, deri sa një ditë u quajtën, këngë popullore, ku dhe sot vazhdojnë të njihen si të tilla.
Kjo dashuri e madhe e Ramadanit për artin, e mposhti të atin, i cili, duke qenë një diplomat karriere, kishte të tjera ëndrra për të birin, por që u detyrua ta çonte në Firence, pa bursë, me shpenzimet e tij, ku ai, studjoi për flaut e kompozicion në Konservatorin “Luigi Cherubini” nga viti 1939 deri në vitin 1943, në një kohë kur, rregjimi fashist e internoi atë vetë në Bologna. Gjatë këtyre viteve Ramadani, endej shpesh mes Firences e Bolonjës, ku shkonte për të takuar të atin e internuar.
U kthye në atdhe me shumë dëshirë e plot pasion për të bërë gjëra të mëdha, si shumë të rinj të moshës së tij, por që fatkeqësisht këtu, e priti një realitet krejt tjetër. Me ardhjen e regjimit komunist, hallet dhe vuajtjet që mund të kish kaluar kjo familje deri atëherë, do të dukeshin asgjë, përpara kalvarit të tmerrshëm që i priste. Menjëherë në fillim të vitit 1945, u burgosën të gjithë meshkujt e familjes. Vetë Ramadani, bëri burg politik nga 1945 deri në 1950, dhe një prej akuzave që iu bë ishte, se “donte Kosovën”. A thua të ishte ky, nje krim!!!??? Të duash një pjesë të vendit tënd.
Të dy vëllezërit e tij, u martirizuan nga regjimi famëkeq dhe e kaluan pjesën më të madhe të jetës së tyre në burgje e internime. Asgjë nuk mbeti nga ajo hare e lumturi që mbretëronte në shtëpinë e tyre. Një nga një, vajzat u larguan nga shtëpia, kush për t’u martuar e kush për të punuar diku tjetër, për ta bërë jetën, disi më të lehtë. Burgu për Ramadanin qe një vuajtje e një tmerr pa kufi. Shpesh e kam dëgjuar të thoshte që atje ishte shkolla e jetës, kandar i burrave ku zbulova shumë gjëra dhe njoha më mirë vetveten, por që në shumë drejtime, i vlejti.
Së pari, e bëri të mblidhte të gjitha forcat e të kuptonte që nuk mund të çante më me ëndrra, por me një punë të palodhur.
Së dyti, duke qenë që në atë kohë nëpër qeli ishte ajka e Shqipërise për sa i përket kulturës e dijeve që kishin (shumica e tyre vinin nga familjet më të mira, e të shkolluara në perëndim), por dhe mjaft prej tyre ishin bartës të shkëlqyer të folklorit, mësoi shumë gjëra që në jetë ju kthyen mjaft të vlefshme. Ai nisi punën menjëhere dhe filloi të grumbullojë e të studiojë folklor, e kur erdhi dita fatlume për të dalë nga burgu doli me një thesar me vehte pasi kishte dorëshkrimet pothuaj të gatshme të dy librave të tij të parë.
Pas daljes nga burgu e morën ushtar dhe e dërguan në jug të Shqipërisë, në fshatrat e Gjirokastrës, pothuaj në kufi me Greqinë. Edhe kjo për të qe një eksperiencë e vërtetë jete. Ishte dirigjenti i njohur Gaqo Avrazi që ndërhyri për t’a tërhequr në Tiranë e t’a punësonte për organizimin e Ansamblit të Ushtrisë, e më pas në organizimin e Korit të Filarmonisë. Pas kësaj punoi si Shef i Muzikës në Shtëpinë e Kulturës së Qytetit të Tiranës. Gjatë kësaj kohe u muar me organizimin e Festivaleve te Këngës e Valles Popullore.
Shpesh herë e kisha dëgjuar të tregonte në formën e një barcalete, që kish hyrë në stadium vetëm dy a tri herë në jetën e tij dhe këto ishin për Festival e jo për të parë ndeshje. E pas një kalvari të gjatë mundimesh pasi sapo zinte një punë, e hiqnin sepse “binte shumë në sy” për dëshirën e pasionin që kishte për të bërë çdo gjë siç duhej, më në fund në vitin 1954 u emërua si mësues në Liceun Artistik, një punë që deri sa doli në pension e bëri me një pasion të papërshkrueshëm. E nisi me dhënien e lëndës për flaut por më pas, dha disa lëndë të tjera si, harmoni, solfezh, histori muzike, muzikë dhome, etj Gjithashtu hartoi programe e tekste mësimore dhe arriti që me përkushtimin që e dallonte në çdo punë të fusë lëndën e folklorit muzikor që deri atëherë nuk ishte në programet e Liceut Artistik duke krijuar edhe tekstet mësimore për këtë lëndë si “Folklori Muzikor Shqiptar – Morfologjia” dhe “Folklori Muzikor Shqiptar – Organografia”. Krijoi një kabinet model të Folklorit për konkretizimin e kësaj lënde ku gjendeshin plot vegla të ndryshme popullore, të gjitha të dhuruara prej miqve apo ish nxënësve të tij. Kishte ky laborator një fonotekë të pasur me qindra regjistrime të motiveve të ndryshme popullore të incizuara e të transkriptuara gjatë dy ekspeditave që kish udhëhequr nëpër gjithë Shqipërine: Ekspedita Shqiptaro-Gjermane Lindore dhe Shqiptaro-Rumune me albanologë e studies të njohur si Erich e Maria Shtolkman dhe Vilfried Fiedler ne 1957 si dhe me një grup studjuesish e albanologësh rumunë ndër të cilët dhe Zj. Comischell në 1959.
Gjatë viteve që Ramadani punonte si mësues në Liceun Artistik, nuk u mjaftua vetëm me mësimdhënien por, u shqua edhe si krijues i mjaft veprave instrumentale me karakter didaktik, të cilat pasuronin programet muzikore dhe aktivitetet e ndryshme të kësaj shkolle. Gjithashtu, në periudha të ndryshme, jepte dhe disa lëndë falas në Akademinë e Arteve duke shkruar e botuar vetë edhe tekstet mësimore.
Ai bëri një punë gjysëm shekullore, gjatë të cilës, kompozoi, studjoi, hulumtoi, zbuloi figura të ndritura të mbuluara nga pluhuri i shekujve e i harresës. Ishte muzikolog pasi një krijimtari mjaft të pasur në muzikë duke filluar që nga kompozimet e këngëve që në moshë të re, vepra instrumentale, orkestrale, skica, duete, tercete, kuartete, fantazi e balada, romanca, valle, poema sinfonike, rapsodi, etj. Disa prej veprave të tij janë vlerësuar edhe me çmime në konkurse apo aktivitete të ndryshme, por në të vërtetë një pjesë e mirë e tyre janë luajtur nëpër koncerte apo Radio e TV, por, pa ju përmendur autori, e mjaft syresh flenë nëpër sirtare të bibliotekës së tij pa u ekzekutuar ndonjëherë.
Ai ishte një etnomuzikolog pasi përveç studimeve e artikujve të shumtë në këtë fushë ka vepra me vlera shkencore siç janë “Folklori Muzikor Shqiptar – Morfologjia” dhe “Folklori Muzikor Shqiptar – Organografia”.
Si albanolog ka dhënë një ndihmesë të vyer në pasurimin e fjalorit gjuhësor nga lëmi i muzikës popullore, në bazë të një alfabeti të mbledhur direkt nga goja e bartësve popullorë.
Ramadan Sokoli, ishte nga studiuesit e parë të Polifonisë Sonë Popullore – ku nëpërmjet studimit të thellë e shkencor ka hedhur dritë mbi cilësitë dhe tiparet dalluese të të kënduarit me shumë zëra. Ai ka shkruar me qindra artikuj studimorë në shumë fusha të artit kulturës, etnomuzikologjisë, albanologjisë, muzikologjisë, historisë etj. Ka shumë bashkëpunime në realizimin e një sërë dokumentarësh televizive dhe kinematografikë. Ka botuar në kushte të një vështirësie të tejskajshme mbi 19 libra. E ka mjaft të tjerë ndër studime muzikë e libra që nuk e kanë parë kurrë dritën e botimit apo ekzekutimit .
E megjithë këtë punë të madhe regjimi nuk e donte Ramadanin, e shfrytëzonte sa mundej, por kurrë nuk i dhanë vendin e duhur, atë çka meritonte për punën që bënte. Në vitin 1976, kur ai ndjehej në kulmin e forcave, vetëm sa kish kapërcyer 55 vjetët e nxorrën në pension. Në shtatorin e parë mbas daljes në pension e kam parë gjithnjë shumë të trishtuar, i mungonte shumë mësimdhënia, i mungonin studentët e tij, i mungonte shumë kabineti që e ngriti me aq sakrifica e mund. Për fat të keq pasardhësit e tij e shkatërruan plotësisht atë kabinet brenda një kohe shumë të shkurtër!!
Megjithatë ai kurrë nuk u dorëzua, punoi e hulumtoi, ndonëse gjatë gjithë jetës nën presione nga më të tmerrshmet e më të sofistikuarat që mund të ishin imagjinuar ndonjëherë, nuk u dorëzua, por përkundrazi kokëlartë e krenar për çka ishte e çka bënte vazhdoi i paepur punën e tij deri në ditët e fundit të jetës… kur forcat po linin e po shterronte nga pak dita-ditës rrekej të mbante diçka në dorë, një shkrim, një artikull apo gazetë apo të dëgjonte pak muzikë.
Ka punuar shumë me foklorin por shpesh në festivalet Folklorike që organizoheshin në Gjirokastër nuk ishte i ftuar!! Kjo edhe mbas viteve 90’ , përveç festivalit të vitit 1995, i cili u organizua në Berat ku ai u caktua si President i Festivalit.
Vetëm tre muaj mbas vdekjes së tij, në Qershor të vitit 2008, Shoqata Ndërkombëtare e Folklorit me Qendër në Itali, në një aktivitet Ndërkombëtar që u zhvillua në Foggia, i akordoi çmimin “Oscar Mondiale del Folclore” me motivacionin “Për një punë të palodhur në hulumtimin e përpunimin e folkorit”.
Fatkeqësisht Ministri i Kulturës së asaj kohe nuk dërgoi një përfaqësues për ta marrë këtë çmim të nderuar, që përveç të tjerave vinte për herë të parë në Shqipëri, madje as Ambasada Shqiptare në Romë nuk pati përfaqësuesin e saj, por vetëm të bijat shkuan me shpenzimet e tyre për të marrë pjesë në këtë ceremoni.
Titulli “Profesor” ju akordua në vitin 1995 – kur shumë prej ish nxënësve të tij e gëzonin atë prej kohe. E bënë për një kohë të shkrutër Akademik, por në vitin 1998 me marrjen e pushtetit përsëri nga socialistët e hoqën…!” Medet… Sa turp për këtë Akademi…!” Dhe çka është më e turpshme akoma Presidenti aktual i Republikës, nuk pranoi t’i japë as Titullin “Nderi i Kombit” i propozuar nga disa prej ish nxënësve të tij, me rastin e 90 vjetorit të lindjes në qershor të 2010.
Edhe mbas vdekjes vazhdoi të persekutohet!!!
Në vitin 1957, u martua me Lilin, shoqen e tij të jetës, me të cilën kaloi 47 vjet. Lili një grua që është pak të them e mrekullueshme, ideali i bashkëshortes në kuptimin e vërtetë të fjalës, një zonjë e vërtetë e fisnike, ju përkushtua atij në çdo aspekt gjatë jetës bashkëshortore. Ajo vinte nga një familje e njohur Tiranase, familja Petrela, e pasur e me baza të shëndosha morali, por që u persekutua nga regjimi komunist. Mbeti jetime që në moshën 13 vjeç e megjithatë nuk u kursye nga përndjekja. Mbas martesës ajo u punësua në Bibliotekën Kombëtare, zotëronte shume mirë gjuhën frënge dhe italiane, punoi me shumë zell e me cilësi, gjë, që vlerësohej shumë nga kolegët dashamirës, por që, nga drejtoria e organizata e partisë, shihej me sy tjetër.
Në vitin 1974 e pushojnë nga puna në emër të Burokracisë dhe e dërgojnë të punojë si punëtore në një Fermë Bujqësore në Tiranë. Me kokën lart ajo punoi aty përr rreth 2 vjet dhe më vonë me ndërhyrje, mezi i krijuan një vend pune si qëndistare në një ndërmarrje punimesh artizanale, fillimisht me kategori te ulët pagese, e gradualisht u shqua për punën shumë cilësore që bëntë. Punoi deri në vitin 1989, kur doli në pension.
Pra në këto kushte të dy së bashku Ramadani dhe Lili, përballuan jetën me krenari dhe rritën me devocion e përkushtim dy vajzat e tyre që admiroheshin nga gjithë rrethi dhe dashamirësit.
Mund të them pa ndrojtje që nëse Ramadani ka punuar e studiuar aq shumë ka qenë merita e gruas së tij fisnike, që e sakrifikoi veten duke marrë përsipër çdo gjë, çdo punë, çdo hall të familjes që nga rritja, edukimi dhe shkollimi i fëmijëve e deri tek mbajtja e shtëpisë. Në heshtje, pa u ankuar kurrë mundohej me të gjitha forcat e saj t’i hiqte atij çdo preokupacion e hall që ai të ishte sa më i qetë në punën e tij.
Jo më kot, Ramadani, kur botoi librin e tij “16 Shekuj” ja dedikoi Asaj duke shkruar “Lilit bash lil në rrugën plot ferra të jetës sime” . Në të vërtetë ajo kish qenë qetësia e tij shpirtërore.
Më ka ngelur në kujtesë që gjatë fëmijërisë sime, kur drekonim apo darkonim, gjë që ishte një ritual i përditshëm, pasi asnjë nga ne nuk ulej të hante pa u mbledhur të katërt, dhe gjatë ngrënjes babi tregonte për peripecitë, punët e ndryshme, takimet, apo përplasjet (që nuk ishin të pakta) që mund të kish pasur gjatë ditës. E kujtoj me admirim se me sa durim ajo e dëgjonte, pa u mërzitur kurrë, por vetëm me qetësinë që e karakaterizonte e me butësinë e saj i jepte ndonjë këshillë aty këtu. Për mua ky ishte dhe mbetet një model i jetës bashkëshortore. Fatkeqësisht ky engjëll i jetës së tij e la parakohe.
Mbas një sëmundjeje të rëndë, Lili vdiq në mars të vitit 2003. E kam parë Ramadanin ato pesë vjet që jetoi pas saj që sa herë ulej për të ngrënë, apo për të pirë kafen i përloteshin sytë, atij njeriu që gjithë mizoritë e jetës nuk e kishin mposhtur, përkundrazi e kishin bërë më të fortë e më krenar, e mposhti dhimbja dhe mungesa që ndjente për gruan e tij të shtrenjtë.
Nga kjo martesë lindën dy vajza. Shumë prej familjarëve e konsideronin këtë si një fatkeqësi për familjen Sokoli, e cila me këto dy vajza do të shuhej pasi të dy vëllezërit e tjerë, Ibrahimi e Hodo nuk lanë trashëgimtarë. Vetë Ramadani nuk u mërzit kurrë, përkundrazi me shaka thoshte: “Nuk i ndërroj vajzat e mija, me gjithë djemtë e Amerikës Latine!”.
Por në të vërtetë kjo derë, dikur e njohur për bëmat partiotike, për karakterin e fortë, për qëndrueshmërinë ndaj dallgëve, e më pas e njohur për veprat që vetë Ramadani la, nuk do të ketë një trashëgimtar me mbiemrin Sokoli. Ramadani e Lili u gëzuan me dy mbesa e një nip. Lejdi, Giulia e Sokoli.
Ramadan Sokoli vdiq, pas një sëmundjeje të gjatë, në moshën 87 vjeçare, më 11 mars 2008, në Tiranë, në një shtëpi që nuk ish as e tija, por e vjehrrit të tij, pasi politika, as kur u mendua se gjërat po ndryshonin, nuk e deshi.
Në 18 vjet demokraci, nuk pati një kryetar Qeverie, a Bashkie, që t’i jepte atij një apartament, nga ku të dilte së paku, i vdekur!! Nuk e meritonte as kaq!!!??

Ramadan Sokoli - 16 shekuj
Ramadan Sokoli – 16 shekuj

Bashkëngjitur disa nga librat e botuar:

1- Les Dances Populaires et les Instruments musicaux du Peuple Albanais, – Tiranë 1958
2- Albanieske narodnie aesni – Tiranë 1965
3- Figura të ndritura (Jan Kukuzeli e Andrea Aleksi) Tiranë 1965
4- Folklori Muzikor Shqiptar – Morfologjia – Tiranë 1965
5- Chansons Populaires Albanaises – Tiranë 1966
6- Metodë për Fyell – Tiranë 1970
7- Vallet dhe Muzika e të Parëve Tanë – Tiranë 1971
8- Folklori Muzikor Shqiptar – Organografia Tiranë 1975, 1984, 1987, 199
9- Figura e Skendërbeut në muzikë – Tiranë – 1978
10- Gjurmime Folklorike – Tiranë 1982
11- Këngë Patriotike – Tiranë 1985
12- Veglat Muzikore të Popullit Shqiptar – Tiranë 1991
13- 16 Shekuj – Tiranë 1995
14- Përrallëza dhe Gojëdhëna në Botën Shqiptare – Tiranë 2000
15- Antifonari i Durrsakut Gjergj Danush Lapacaja – Tiranë 2001
16- Pjesë Shqiptare për Fidanishten e Pianistëve të Rinj – Tiranë 2001
17- Përtej 16 Shekujve – Tiranë 2002
18- 20 Miniatura Pianistike – Tiranë 2002
19- Krijime dhe Flijime – Tiranë 2003
20- Këngët Popullore Qytetare Shkodrane – Tiranë 2007
Tiranë Maj 2011
http://www.fjala.info/arkiv

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.