back to top
24.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Korrik, 2024

Qyfyre nga syfyret e diktaturës – nga Artan Gjyzel Hasani

Gazeta

Xha Haxhiu - Diktatori me të Bardha - Bab Myslymi dhe Barba Pilua gjatë një ceremonie dekorimi më 1962
Xha Haxhiu – Diktatori me të Bardha – Bab Myslymi dhe Barba Pilua
gjatë një ceremonie dekorimi më 1962

Qyfyre nga syfyret e diktaturës

nga Artan Gjyzel Hasani

Viti 1979. Na çuan të vizitojmë Kombinatin e Autotraktorëve dhe Ekspozitën Shqipëria Sot. Një ritual propagandistik kombëtar i shkollave dhe ndërmarrjeve anekand atdheut socialist.
“Pas vizitës do bëhet edhe një takim me udhëheqësin e shquar të lëvizjes komuniste dhe njëkohësisht edhe drejtor i Kombinatit, shokun Pilo Peristeri dhe, kur të kthehemi të hënën në shkollë, ora e parë e mësimit do t’i kushtohet vizitës në këto dy vepra të mëdha të Partisë dhe mësimeve që do të nxjerrim nga biseda me shokun Pilo!” – na kumtoi drejtori i gjimnazit pak para nisjes me autobuzë nga Peshkopia drejt Tiranës.
Pasi mbaruam vizitën vjen shoku Pilo, të cilin nxënës e mësues po e prisnim me kureshtje të madhe.
Sapo na u afrua, shoku Pilo i zgjat dorën në faqe mësueses sonë beqare dhe e pyet:
“Sa fëmijë ke?”
“Nuk kam fëmijë.”
“Oh, sa gabim! Po pse nuk ke?”
“Sepse nuk jam martuar, shoku Pilo!”
“Shumë keq, shumë keq! Ja, pse nuk martohesh me këtë mësuesin e ri këtu?” – dhe tregoi me gisht një mësues të martuar tonin që kishte edhe dy fëmijë.
Dhe pastaj hapi krahët dhe na bëri shenjë të afroheshim të gjithë rreth tij që ta dëgjonim më mirë atë që do na thoshte.
“Që thoni ju, nëna ime polli 11 fëmijë. Kur ishte e re ishte gjithnjë me barrë dhe pillte çdo vit dhe e tërë Korça thoshte: “U çqye Thomaidha!” Ja kështu të dashur mësues dhe nxënës. Bëni sa më shumë fëmijë! Kjo është porosia ime!”
Të gjithë duartrokitëm dhe shoku Pilo u largua duke na nderuar me grushtin lart dhe me “Të rrojë Partia dhe shoku Enver!”.
Të nesërmen u kthyem në Peshkopi dhe të hënën në orën e parë të mësimit e gjithë shkolla po shkruante në letër mësimet e vyera të udhëheqësit legjendar shokut Pilo…
⁠.

Burgu i diktaturës...
Burgu i diktaturës…

***

Me këtë histori idiote, e njëkohësisht shkruar kaq bukur e thjeshtë nga ti, të xha Pilos, më ngacmove për ta vazhduar ciklin me qyfyret e shokëve të “udhëheqjes” së regjimit karikaturë të Komandant Menderit, po i referohem asaj çka shkruan një njëri, mëse i denjë për t’u besuar, pikërisht për idiotin e dobishëm (të atij regjimi), Pilo Peristerin, përndryshe kandidat i përjetshëm i Politbyrosë!!!
Siç dëshmon në kujtimet e tij Kryesekretari personal më jetëgjatë i Menderit, Haxhi Kroi (nip i Avni Rustemit dhe krushk i Jovan Bardhit), i mbiquajtur nga unë, si ROLEX-si i Mender Hoxhës, se ishte një teknoburokrat i rrallë, superkorrekt në detyrën, sa të rëndësishme, aq dhe me përgjegjësi e delikate që kryente!!! (zyrtarisht njihej si Shef i Sektorit të Përgjithshëm në Aparatin e KQ të PPSH…!)
Një ditë, shkruan Haxhiu, Pilua i kish vajtur në zyrë Mehmet Shehut për t’iu rrëfyer habitshëm për tre mëkatet kryesore të jetës së tij: që kishte qenë “pak” spiun i grekëve, që kishte abuzuar, pra vjedhur “pak” dietat kur dilte jashtë shtetit dhe se sa herë dilte jashtë shtetit, kish shkuar, gjithashtu “pak” me prostituta?!!!
I befasuar nga ky autorrëfim, Mehmeti e përcolli Pilon me fjalët: Partia i di të gjitha këto, o Pilo dhe ka gjykuar, se veç gabimeve, ti ké dhe shumë merita, ndaj je dhe kandidat Byroje!
Sapo doli Pilua, Mehmeti e mbajti frymën në zyrën e Komandantit, ku i tregoi deri në hollësi rrëfimin e Pilos!
I habitur dhe idhnak siç ishte, Menderi urdhëroi Mehmetin, t’i përcillte Pilos mesazhin e tij, që të kyçte gojën!
Kuptohet, Mehmeti e çoi menjëherë në vend Amanetin, por Pilua, jo vetëm s’u bind , por e përsëriti këtë histori me Hysni Kapon… (që u zhvillua si ajo me Mehmetin!)
Por, edhe pas mesazhit të dytë të Menderit, nëpërmjet Hysniut për qepje goje, Pilo përsëri nuk dëgjoi dhe të njëjtën telenovelë tragjikomike, ia tregoi edhe Manush Myftiut, që veçse anëtar i Byrosë e zv/KM i parë, ishte dhe kunat i Pilos, se i kish dhënë motrën Lejla!
Edhe Manushi, përsëriti skemën pa vonesë dhe mori urdhërin e prerë: edhe një fjalë e vetme dhe Pilua do të shkojë si të tjerët para plotonit të ekzekutimit!!!

Kuptohet, Manushi, ia sqaroi ç’e priste, ndaj dhe e urdhëroi ta saldonte gojën përfundimisht!!!
Dhe kështu xha Pilua mbeti përsëri kandidat Byroje, paçka se kish pohuar tre faje të rënda: spiun grek, hajdut dietash dhe frekuentues prostitutash, ndërkohë që të tjerët pa bërë asgjë, nga këto, Menderi i çoi në plumb?!!!
Spartak Topollaj
.
Marre nga muri i FB i Artan Gjyzel Hasanit 28 korrik 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.