7.5 C
Tirana
E diel, 3 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

“Protokolli i Korfuzit” në dorëshkrimet e dijetarit Dr. Vasil K. Dilo – nga Genc Hoti

on

|

views

and

comments

Protokoli i Korfuzit
Protokolli i Korfuzit 

“Protokolli i Korfuzit”

në dorëshkrimet e dijetarit Dr. Vasil K. Dilo

nga Genc Hoti

Që shqiptarët e sotëm e dinë historinë e Shqipërisë për së mbrapshti do ta kuptojnë nga rreshtat e mëposhtëm të shkruar mbi një ngjarje të ndodhur mbi 100 vjet më parë nga dijetari avokat Dr. Vasil K. Dilo nën titullin Protokolli i Korfuzit. është një libër prej 300 faqesh që ka brenda një analizë universale të asaj ngjarje që përcaktoi për të mirë fatin politik të Shqipërisë.
Po ju transmetoj hyrjen përmbledhëse të atij punimi, duke ju paralajmëruar se kemi të bëjmë me mendësitë e fillimit të shek. të XX në një popullatë që e kishte parakaluar jetën politikë nën sundimin e Turqisë Otomane me pasoja që kishte ndikuar mbi këtë mendësi:
.

1-Si lindi Protokolli?

Një nga problemet e mënyrës të përfundimit, që pati Lufta Ballkanike ishte dhe fati i Shqipërisë. Shqiptarët (dhe kujtojmë elementin musliman) nuk morën pjesë në marrëveshjen e shteteve fqinje, të krishtera; se kryesisht nuk e dëshironin këtë zhdukje të pushtimit dhe ajo që do t’i kënaqte, në rast të kundërt, ishte një principatë, me model Turqinë, që kështu të mos ndryshonte as regjimi, as pozita e tyre kundrejt Rajave, pozitë kjo e lidhur kaq ngushtë me jetën e tyre.
.

2.Cili është qëllimi i tij

Protokolli në fjalë shërbeu si një kataplazmë mbi plagën, që ishte hapur mbi trup te shtetit artificial, që pat dashur të krijonte diplomacia europiane e Fuqive të Mëdha, për të evituar belatë që u krijonte kjo, plagë kjo nga e cila gjaku i vëllavrasjes shkonte çurk dhe fshatrat i bënte hi, pluhur dhe gërmadhë.
Ushtria greke, pas shkatërrimit të rezistencës së Imperatorisë Turke në viset e Ballkanit, s’kishte më pengesë për të pushtuar pjesën jugore të Shqipërisë deri në “Shkumbin” duke lënë pjesën tjetër për aleatët e saj, dmth Jugosllavia dhe Mali i Zi; se Shqipëria vetë nuk ishte në gjendje për të mbrojtur atë çka mbeti; dhe që të mos e pësonte në atë kohë, ishte pushtimi dhe zaptimi i saj nga ana e Greqisë.
Siç e kemi shpjeguar gjatë e gjerë në një broshurë të posaçme të kujtimeve tona, urrejtja kundra Greqisë nuk rridhte drejtpërsëdrejti nga ajo vetë; se relacionet me të ishin aq të rralla sa që nuk bëhej hesap rreziku nga ana e saj. Shkaku i kësaj urrejtje të madhe ishte frika e Elementit musliman se ndaj pushtimit të Greqisë, do të ngrinin krye rajat, të cilët këtë e kishin vegla të jetesës së tyre derisa çifliqet e tyre me anë të këtyre, si bujq proletarë, i shfrytëzonin. Prandaj preferonin çdo sundim tjetër përveç atij të Greqisë; se ishin të bindur se i huaji do t’i favorizonte ato më shumë, se sa të krishterët; se ato e formonin shumicën dhe atë do ta bënin (atë) mik, kurse të krishterët, si nga besa dhe nga kultura, ishin – pothuajse – që të gjithë pa përjashtim përkrahës të idealistëve – ishin grekomanë. Nuk përjashtojmë përkrahës as idealistët për arsye se edhe këta e dallonin më mirë faktin se: ndjenjat kombëtare të elementit musliman – fort – keqësisht që të gjithë ishin akoma në stratosferë.
E dimë që kundërshtarët tanë do t’i konsideronin këto që themi si një ekzagjerim të rrjedhur nga nga muslimanofobia të pajustifikueshme. Por këta zotërinj duhet të na shpjegojnë se: ç’tjetër gjë kallzojnë- në mënyrë të pakontestueshme askurrë – faktet si për shëmbull kjo qe:
 
a-Patrioti i flakët sa dhe i shquar botërisht, Faik Konica nga drejtor i fletores “Dielli”, qe në bashkëpunim me mikun e ngushtë të tij Peshkopin fallso, plasi sa t’i përçante shqiptarët e Amerikës dhe s’la gjiris pa kaluar me Ahmet Zogun në gojë, nuk druajti aspak që të bëhej agjent i austriakëve dhe më vonë të ndjente nostalgjinë e flakët për Naltmadhninë, sulltanin zemër-gjerë dhe shpirtmadh, derisa që të uronte t’i paraqitej… (një fjalë e pakuptimtë, GH) të vinte në Stamboll dhe të vihej në shërbim të atij, ndënë zgjedhën shekullore të të cilit vuante Shqipëria, të cilën ai askurrë s’duhesh ta konsideronte atdheun e vet deri sa nuk ushqente sinqerisht ndjenja kombëtare; se – së paku – do të pengonin këto – pak a shumë – që të mos paraqitesh – si suxhuk i ngjyer nëpër gjirize tek Napoleon’i gjirizave dhe i përulej ndyrësisht, t’i lypte përfaqësimin e shtetit, – formimin e seicilit askurr s’e besonte se do të bëhej realitet pranë qeverisë amerikane dhe në sajë të kësaj xhubeje të vazhdonte orgjitë e tij midis shqiptarëve të atjeshëm, të cilët i terrorizonte.
b-Patriot’i flakët Sami Bej Frashëri në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qënë e çdo të jetë” – uron haptazi që Shqipëria të bënet një Principatë ndënë proteksionin e Turqisë dhe pa dashur të kujtohet se Shqipëria nuk ishte e muslimanëve vetëm të mos përmendë kurgja tjetër veçse klerin e të krishterëve si shkaktar të fatkeqësive të Shqipërisë, si me dashtë të japë të kuptojë se lumturia e kësaj do të ishte e plotë dhe e sigurtë sikur dhe sa mbetnë kaurë – të gabuar nga kleri – të bëheshin muslimanë!
Por edhe faktin tjetër duhet të na shpjegojnë kundërshtarët, këtë që: pse ky patriot i flakët, si dhe çdo tjetër nga muslimanët, që donin të paraqiteshin si atdhetarë, nuk u ndanë askurrë nga buka e Dovletit!?
c-Si do të na e shpjegojnë kundërshtarët tekstin e prokurës zyrtare, që merrnin nga populli përfaqësuesat e tij në kongresin që proklamonte çkëputjen e Shqipërisë nga Imperatoria Otomane, kur që ky tekst i përmëndur në kujtimat e së ndjerit Lef Nosi, fjalë për fjalë përmban dhe frazën të “sigurojmë triumfin e të ruajmë nderin e islamizmit e madhështinë e mbretërisë Otomane…”
Këto – të cilat, dhe të vetme sikur të ishin, do të kishin qenë më se të afta për të provuar se çka themi edhe për klasën më të zhvilluar me kollare dhe me civilizim t’elementit musliman, nuk rrjedh nga muslimanofonia, por vetëm nga objektivitet i thjeshtë dhe padyshim shumë më të kufizuar se realiteti.
Mos vallë ishte shumë të gjendesh midis këtyre, edhe një vetëm makari, i cili t’i thoshte elementit në fjalë:
Ç’është kjo parrullë “Ngrehu Prift të rrijë Hoxha?”
Ç’janë këta derhudexhitë musulmanë nëpër katundet kristiane, që t’i ruajnë nga muslimanët?
Ç’është ajo Hallvaja e muslimanëve si produkt i grithmave të kristianëve.
Ç’janë rrushfetet në zbatim të detyrës të Nëpunësit dhe bile dhe t’atyre të Drejtësisë?
Ç’është urrejtja kontra të krishterit ndërsa dihet se stërgjyshërit kanë qënë të bashkë dhe natyra nuk dallon fare, por i ka që të gjithë Njerëzit një lloji?
Kërkush nuk u gjet që të bënte kësisoj përvështrime dhe kërkush nuk i propozoi kaurit bashkëpunim për shpëtim nga zgjedha e Turkut. Por përse tjetër, veçse pse mungonte ndjenja kombëtare, si e pllakosur ndënë fanatizmin fetar, derisa feja nuk lejonte dallim të besnikëve nga pikëpamja kombësije?
Por kurqë nga këto gjithë as elita e elementit musliman nuk ishte ende në gjendje për të mbrojtur atdheun, ç’mbetesh për popullsinë e cila ishte lënë në errësirën më të dëndur të injorancës?
Për të gjitha këto themi se Shqiptari, në kohën që Imperatorisë Otomane iu mbarua sundimi në Ballkan, nuk ishte në gjendje të formonte shtet indipendent, por as të organizonte, ndonëse të këtilla, prej të tjerëve.
Por mund të na thoni se mos mohojmë dhe lëvizjet relative.
Por ato vetë jo; vetëm burimin e tyre po.
Këto lëvizje u duk që ishin sporadike, pa studim, pa përgatitje, pa program, pa seriozitetin e duhur!
Nëqoftëse dikush nga ju ka parë dikur e diku ndonjë nga këto, që neve e mohojmë me lehtësi të papëlqyer do të ketë bërë mirësinë më të madhe sikur të na e kallzonte.
Ismail Qemali, të cilit i atribuohet titulli i politikanit shpëtimtar të kombit dhe ai i krijuesit të shtetit shqiptar, kur kaloi nga Korfuzi për në Stamboll, me anë të të ndierit Jorgo Meksit, iu dërgoi gjirokastritëve këshillën që të mos lëvizin; se Qeveria Otomane ishte gati të na japë çdo gjë që kërkojmë. Por sapo mbërriti në Stamboll ndryshoi mendim dhe, në një kohë kur Europa ishte në tym e flakë, ai nëpërmjet Bullgarisë dhe Austrisë doli në Durrës prej andej në Vlorë duke ngritur flamurin e indipendencës së bashku me një kongres të ashtëquajtur kombëtar, të përbërë nga përfaqësues të popullit me porosinë e thjeshtë që të mbrojmë nderin e Islamizmit!
Lëvizje kombëtare ishte kjo?
Por si pajtohej me bashkëpunimin e këtij burri me Beqir efendinë nga Grebeneja dhe me vendimin e komisionit të kontrollit Ndërkombëtar për t’u larguar nga Shqipëria, si i dëmshëm dhe i rrezikshëm për të? Si pajtohej me ndjenjën kombëtare sjellja e Esat Pashës dhe dukja në skenën politike fanatikëve si Musa Qazimi me sokëllimat e Popullit “Duan Sulltanin”, reaksione këto që përfunduan në shkatërrim të shtetit, që na patnë organizuar Fuqitë e Mëdha, të cilat ishin të shtrënguara të krijonin një shtet të Ri, ndonëse e dinin mirë se ky ishte… aguridhë!
Kjo ishte përgjithësisht dhe me pak fjalë gjendja e Shqipërisë në mbarim të luftën ballkanike. Siç u tha dhe më sipër, ushtria greke s’kishte asnjë pengesë nga vendasit që të pushtonte një pjesë të madhe të Shqipërisë – deri, së paku, në lumin Shkumbin. Por, siç e deklaroi dikur dhe vetë Venizellosi në Parlamentin grek, për t’u mbrojtur kundra kritikës që i bëri opozita pse nuk vazhdoi deri sa të okuponte së paku edhe Vlora, e lajmëroi Italia se do të kishte të bënte me atë sikur të vinte më tej Salarisë.
Por s’ishte vetëm kjo; që të gjitha Fuqitë e Mëdha, për të evituar grindjen midis tyre, deri sa Italia dhe Austro-hungaria, duke pasur dhe ndihmën morale të aleates së tyre, dmth të Gjermanisë, insistonin që të krijohej – pa tjetër – shteti shqiptar me Vorio-Epirin brenda, i propozuan Greqisë që të preferonte njerën nga të dyja, dmth o Vorio-Epirin ose ishujt e Egjeut, si Hios, Sanios, Mitilini, Limnos etj të pushtuara prej Turqisë. Greqia preferoi këto dhe pranoi të tërhiqej nga Vorio-Epiri dhe u tërhoq. Por vendin e saj e zuri Qeveria e Autonomisë.
Lëvizja Vorio-Epirotase në realitet ishte një kryengritje kundra Fuqive të Mëdha për vendimin që dhanë për aneksimin e Vorio-Epirit në shtetin e ri shqiptar; por e dinin mirë që sido që të bënin, askurrë nuk do të mundnin t’i detyronin Fuqitë e mëdha që të revokonin vendimin e tyre. Shpallja u bë në ditë të Venizellosit dhe mbase ky ishte i sinqertë duke deklaruar se nuk ishte dakort, por nuk guxonte nga ruajalistët, që ta ndalonte; se këta ishin të sigurt se luftën do ta fitonte Gjermania dhe atëhere Greqia do të shkonte deri në Tenuso (Shkumbin). Urtësia politike ndoshta lypte të kundërtën, se si thotë parrulla popullore: “Njeriu e puth atë dorë të cilën nuk e kafshon dot”. Në vend që të luftonin aq keq formimin e shtetit shqiptar do të ishte më mirë të ndihmonin me ç’tu vinte në dorë dhe të mos i linin shqiptarët (muslimanë e të krishterë) në dispozicion të propagandës Italiane dhe Austriake, kurse ata kishin më të fortat aty se rivalët e saj.
Sa për popullsitë lokale, si për këto të Vorio-Epirit gjithashtu dhe për atë të Shqipërisë tjetër, s’ka se si të bëhej fjalë, në mënyrë serioze; se që të dyja nuk vepronin me inisiativën e vet. Kësaj ia donte buza aneksimin në Greqi, por nuk i linte hunda të luftonin vetë për të ose nuk ishin pjekur akoma. Se jo luftë, por as armë lufte s’kishin parë kurrë me sy. Por edhe ata të tjerët sapo dëgjonin se për karshi kishin djemtë e kakove bëheshin burra; por ushtrinë greke që ata e dinin, që ishte pas këtyre, nuk i ua kishte anda për luftë. Që të dyja palët ndërluftuese shtyheshin nga të tjerët; por përse vallë që të dyja këto dashamirës t’i shtynin në vëllavrasje?!
Ai që mundohej t’i ndalonte këto ishin Fuqitë e Mëdha. Por për se vallë dhe këto nuk deshën të ndërhynin me kohë?
Këtyre pyetjeve le t’u përgjigjen ata që s’duan të shkruajnë historinë e kësaj periudhe duke pasur në dispozicion të tyre dhe arkivat e ndryshme dhe përkatëse, të cilat do të vijë koha që të mos mbeten më sekrete. Ç’ka bie në sy dhe të çdo privati është kjo që sferave iu pëlqen si më e dobishme për ta mbjellja e dasisë dhe ajo e urrejtjes reciproke nga ajo e dashurisë dhe e paqes. Por vazhdimësinë e këtij emulacioni e ndaluan Fuqitë e Mëdha, të cilat përpiluan dhe ua imponuan palëve Protokollin e Korfuzit, me anë të të cilit caktuan konditat e Paqes për aplikimin e secilave dhe muarrën përsipër obligimin ta garantonin ato vetë.
Kështu lindi Protokolli i Korfuzit dhe ky ishte qëllimi i tij.
.

3-A ishte i zbatueshëm?

I përpiluar nga njerëz kompetentë të Fuqive të Mëdha dhe me model turpin e administrimit të merhumes Turqi dhe në harmoni me statusin themeltar, me të cilin krijuesat e shtetit rezervoheshin të pajisnin këtë në mënyrë që të sqaroheshin sa më mirë vëllazërinë midis tre elementeve të popullsisë, Protokolli në fjalë, me sa ishte njerëzish e mundur, s’kishte se për të mos ishte dhe i pëlqyer nga të gjithë dhe i zbatueshëm. Se – përmbi të gjitha cilësitë e tjera – formonte dhe një model për të rregulluar po ashtu edhe pjesa tjetër e shtetit, që kështu të bëhej edhe ky njëfarë Zvicre në Ballkan.
.

4-A u vu dot në zbatim dhe nëse jo, çfarë e ndaloi?

Protokolli në fjalë, i pranuar prej Qeverisë Shqiptare si edhe prej Kongresit të Delvinës (simbas rezervës që pati bërë Qeveria Autonome në diskutimet e saj në Korfuz para përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha dhe të atij të Qeverisë shqiptare – siç deklaroi zyrtarisht kryetari i Qeverisë autonome para Kongresit të Delvinës) dhe i garantuar prej Fuqive të Mëdha, ishte gati për t’u vënë në zbatim, në bashkëpunim me komisionin ndërkombëtar të kontrollit, tek i cili do të dorëzohej Vorio-Epiri.
Por fatkeqësisht, s’u mbarua dot kurrgjë, për shkak se në atë kohë, edhe Komisioni i Kontrollit u shpartallua bashkë me organizimin tjetër shtetëror; mbreti u arratis dhe në Shqipëri plasi që anarshi dëshpëruese për vazhdimësinë e saj, pasi gjetën rast Austria ta okupojë deri në Vjosë, Vlorën me interland e zuri Italia dhe Qeverinë autonome e zëvëndësoi – me leje të Fuqive të mëdha – Qeveria greke, sa për të mbajtur në të qetësinë e duhur.
Kësisoj e shpartalluan Shqipërinë, me gjithë që ishte njëra nga të dy palët e kontrakturës së Protokollit në fjalë, i cili, në realitet, ishte akti zyrtar që e solli deri këtu, dmth që i dha fund luftës autonomike; por s’ish dhe më në gjendje që të mbahesh përgjegjësia për moszbatimin e atij Protokolli, përsa i takonte asaj.
Por edhe pala tjetër kontraktuese, dmth populli i Vorio-Epirit, nuk ishte në gjendje më të mirë nga kjo pikënisje. Qeveria greke, së cilës Vorio-Epirin ia dorëzuan provizorisht Fuqitë e Mëdha, kishte dhe mundësi, por dhe një farë detyre që për llogari të vendit, që rikuperoi, të bënte diçka për aplikim të dispozitave përkatëse të Protokollit. Por ajo e gjeti për më mirë – për vete kryesisht – që të konsiderohesh si e pakënaqur nga ky Protokoll, derisa ekzistenca e tij e pengonte realizimin e dëshirave vetiake.
Fuqitë e Mëdha mbeteshin siç ishin, dmth garantë për secilën nga palët, kontra asaj, që do të donte të shkelte obligimet, që i rridhnin nga ai Protokoll, por sapo t’iu kërkohej respektimi i obligimit të tyre se s’kishin se si t’i shmangeshin kësaj detyre.
Kësisoj Protokolli u la mënjanë, por si në gjumë dhe jo si i vdekur. Vdekjen e tij mund ta vendosnin palët kontraktuese, me hirin e tyre të përbashkët, por jo me: “Ashtu dua” të njerës nga palët; se atëhere palës tjetër i lindej e drejta e padisë dhe e invokimit të garancive, të cilat, siç thamë dhe më sipër me asnjë mënyrë tjetër nuk mund të liroheshin nga obligimi që patnë marrë veçse me hirin e të dy palëve të shfaqur qartësisht, lirisht e posaçërisht.
Por një i tillë shkarikim, me anullimin e rregullt të Protokollit, askurrë nuk u bë. Pra dhe pretendimi i dikujt nga kundërshtarët tanë, se gjoja Protokollin – si shumë akte të tjera – i anulloi Shoqëria e Kombeve nuk qëndron ligjërisht; se shoqëria në fjalë as nga kontraktuesat nuk kishte asndonjë kompetencë të tillë. Provën e jep deklarata e saj që – me anë të përfaqësuesit të posaçëm, dmth të Fan Nolit, i komunikoi dhe parlamentit shqiptar me shënimin e veçantë se: “Deklarata e saj do të jetë më e fortë dhe nga dispozitat e statusit themeltar eventual të shtetit shqiptar”.
Faktin se Protokoll i Korfuzit nuk është i anulluar e vërteton solemnisht dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hajit (ndoshta i Hagës, GH), mbi ankimimin e minoritetit grek kontra qeverisë Shqiptare të periudhës dytë demokratike ose monarkike (se s’më kujtohet mirë) e cila pandehu se ishte e lirë t’i rregullonte siç do t’i interesonte atyre kulturën e grekofonëve.
Për këto të gjitha insistoj në mendimin se ky protokoll ka rënë në gjumë të rëndë, por nuk ka vdekur; se pavarësisht nga këto, përmbante disa të drejta, të cilat ekzistenca e tyre nuk ja detyrojnë trashëgimit, kështu që sapo t’i ketë pasë humbur krejt dekurajuesi, të mos ketë ç’të trashëgojë trashëgimtari i tij. Se këto lloj të drejtash i janë dhuruar individit prej natyrës së vet dhe s’ka si t’i zhdukë as kalimi i kohës as mos përdorimi i tyre. Këto revendikohen prej kujtdo dhe kundra kujtdo, që guxon t’i mohojë ose t’i shkruajë.
Prej nga çdo pikëpamje që të shikohet ky Protokoll rezulton se është i gjallë për gjithë ata që duan ta invokojnë. Por çka është fakt i pakontestueshëm, por dhe jo më pak i çuditshëm është ky që: asnjë nga të dy palët kontraktuese nuk e don dhe që as njerës dhe as tjetrës nuk i pëlqen që ta verë në zbatim. Kryengritësat Vorio-Epirotë – siç e kallzojnë mendimet e shfaqura në bisedimin e posaçëm për pranimin ose mospranimin e tij të të gjithëve, përveç të nënshkruarve – nuk u pëlqen dhe e nënshkruan nga e keqja; se dhe Venizellosi vetë, me anë të kryekatundarit të Sarandës, lajmëroi Kongresin e Delvinës që të pranonin Protokollin në fjalë; se për ndryshe nuk do të mbetej gur mbi gur në qarkun e Vorio-Epirit! Me gjithë këtë nga 30 anëtarë (përveç ministrave) vetëm 14 u prezantuan ditën e fundit dhe vetëm këta e nënshkruan, por edhe këta nga e keqja e madhe (me gjithë polemikën që i bënë të nënshkruarit); se dhe kryetari i Qeverisë, i ndieri Zografos, deklaroi se “Ai nuk do të bënte për herë të dytë gabimin (që të mos bindesh Qeverisë kombëtare (të Greqisë)”.
Nuk na duket se mos politika greke ishte aq miope sa që të mos çmonte deklarimet, që i bëheshin nga paudhësitë e metropolisë së Gjirokastrës gjatë okupacionit italian, kundra të cilës dhe me anë të shtypit lokal si dhe me ankesë të posaçme të drejtuar tek ajo si dhe Patrikana, të cilat u bëheshin të ditura me anë të fletores. Nuk mund të pranohet se mos ishte e shurdhër o se nuk interesohej për bashkatdhetarët, që vuanin keq nga një autoritet dhe bile spiritual, sa që të dëshpëroheshin për çdo mundësi të ruajtjes së tyre nën pushtimin e Shqipërisë muslimane. Kjo duket – ka qenë dhe shkaku që as qeveria revolucionare dhe as ajo e Greqisë, në periudhën e riokupacionit të këtij vendi, nuk donin që të familjarizonin popullsinë me aplikimin e Protokollit, duke treguar si shkaktare ekzistencën e një pakice… tradhëtare. Duket se grekët fërkonin duart kur shqiptarët arritën sa të shpartallonin Kishën Ortodokse të Shqipërisë me anë kongresesh si ai i Beratit dhe me organizimin revolucionar të saj kundra Patriarkanës dhe derisa të burgosnin përfaqësuesin e Metropolitit, për shkak se nuk dëgjonte t’i bindej vendimeve të atij kongresi!
Por çudia dëshpëruese ishte kjo qe: si Shqipëria i ra cakut dhe në vend që të përfitonte nga rasti dhe të punonte për të bërë për vetë elementin ortodoks, duke treguar respekt të plotë kundrejt konditave të cilat posaçërisht i vendosën Fuqitë e Mëdha, ajo s’la gjë pa bërë jo për afrim dhe vllazërim të elementave, siç e lypte interesi jetik i shtetit të ri, por për të thelluar sa më tepër hendekun që i ndante këto prej shekujsh dhe që shtetit vetë ia bënte problematike jetën e tij!
Çfarë dëmesh shihte Shqipëria nga zbatimi i Protokollit të Korfuzit, sa që nuk donte as emrin t’ia dëgjonte me gjithë që e kishte pranuar dhe nënshkruar?
Përveç dobive të paçmueshme asnjë dëm; por dhe këtë të përfaqësuar nga shumica, që ishte muslimane; e kishte trullosur fanatizmi fetar dhe urrejtja kundra të krishterëve, që zëvendësonin pozitën e barbarisë, ndonëse ishin rajaja e djeshme prej shekujsh, dhe kaq shumë i pat trullosur sa që të mos dallonin as dinakërinë dhe miqtë hipokritë, të cilët e këshillonin që të mos e pranonin Protokollin, ndonëse edhe ata vetë e kishin pëlqyer si të mirë dhe bile e kishin nënshkruar dhe si garanta për zbatimin e tij!
Si nuk e bënin hesap shqipot që çdo t’u mbetesh atyre sikur të zhdukej Protokolli?
Popullsia e krishterë e Vorio-Epirit – jo ajo grekofone, se ajo askurre nuk e dëshironte sundimin e shqiptarëve mbi veten e tyre edhe sikur të mos ishin liruar nga zgjedha e turkut – por shqiptarofonia kishte plotësisht të drejtë të mos donte të aneksohej në shtetin e ri shqiptar; se e dinin që popullsia e saj përbëhej në shumicën dërmuese nga muslimanët, të cilëve ç’t’iu kujtonin më parë nga vuajtjet, që hoqnë gjatë kaq shekujve! Apo mos ishin aq të shtypur nga zgjedha, sa që të mos kuptonin se nuk ishte askurrën e kurrës gjë e mundur që ata, të cilët i shtypnë pa mëshirë, do të transformoheshin nga një ditë në tjetrën në shokë e vëllezër e jo më dhe si raja, por si ortakë, në gëzim të Lirisë, të cilën nuk ia detyronin këtyre (shqipove), por bashkëkombëtarëve dhe bashkëfetarëve të tyre dhe – pjesërisht – edhe vetes së tyre; se s’ishte e mundur të mos gjendeshin midis ushtrisë greke dhe shumë nga viset e Vorio-Epirit, kurrqë nga Labova e jonë ranë deshmorë dy veta, djemtë e doktor Qendro Nanes.
Gjithashtu e dinin mirë se këto s’ishin gjë për gjë nga ç’duhej për krijimin të një shteti të ri, ai ishte në gjendje kjo shumicë të administronte shtetin, siç dinin që edhe nga pikëpamja e civilizimit dhe e kulturës nuk gjendeshin në të njejtin nivel; e panë që Protokolli i Korfuzit iu a preu çdo shpresë, jo për aneksim të tyre në shtetin grek, por as për formim të një kantoni brenda shtetit shqiptar; gjithashtu e panë me sytë e vet se, në vend që të liroheshin nga një zgjedhë robërie ranë në një më të rëndë akoma, derisa llogaritnin që kundra sundimtarëve të rinj s’kishin më as turkun, tek i cili të ankoheshin; e panë me sy se me Protokollin në fjalë, jo vetëm i u bënë firo të madhe privilegjeve, që kishin ndënë zgjedhën e Turkut, por – esencialisht – u transformuan ato në flluska sapuni. E shihnin që Fuqitë e Mëdha, të interesuara më tepër për paqen midis tyre, anonin skandalisht nga ana e shumicës për hatër të atyre nga shoqet e tyre, të cilat çirreshin e vriteshin për Shqipërinë, kurse kësaj i kishin kurdisur pusi që ta gllabëronin për vete.
Dhe në këtë lloj kritike nuk do të ketë aspak të drejtë kërkush të na akuzojnë se mos shpikim gjë ose bëjmë ekzagjerime në ankime kundra Fuqive të Mëdha, pa le të dy miqërkat e kombit.
Dikush dhe nga ju pretendoi se kriteri i kombësisë së një njeriu është kryesisht gjuha, të cilën flet ky, të trashëguar nga prinderit e tij. Por deri sa Njeriu është i lirë prej natyre, duhet të jetë ashtu siç dëshiron ai vetë dhe jo siç e don një tjetër; se nishana të jashtëm vetëm shtazëve u vihet dhe jo njerëzve. Këtë kriter fallso përdori dhe Europa kur pat nevojë t’i caktonte kufijtë jugore të Shqipërisë. Por, po ajo, me çdo rast tjetër përdor plebishtin, dmth shfaqjen e dëshirës të çdo njeriu me anë votimi të lirë e të fshehtë. Dhe prandaj është pranuar dhe vendosur principi, sipas të cilit çdo popull është i lirë të vendosë ai vetë, për fatin e tij, princip ky që vetëm me votim të lirë të atij, i cili pyetet se çfarë kombësie preferon lirisht, që të ketë ai vetë dhe t’i njihet botërisht, vetëm me atë lloj votimi realizohet.
Por shumica e muslimanëve përse nuk e pëlqeu këtë Protokoll?
Mos vallë iu bëri keq që i dha fund vëllavrasjes? Mos vallë s’e donin këtë që të mbetesh e çelur lufta?
Mos pse dasia dhe urrejtja reciproke e elementëve të popullsisë shqiptare, ishte më e dobishme për shtetin që dëshironin t’iu bëhej, por si u zhduk përjetë Turqia?…
Përgjigja më e goditur në këtë pyetje të çuditshme, do të ishte kjo që: që të gjitha këto – cila më pak, e cila më shumë – të mbrujtura së bashku me fanatizmin fetar ua mbushnë me tym trutë, sa që të mospajtoheshin askurr me konditat e reja të bashkëjetesës me të krishterët në barazi të plotë, se sa dëshironin sinqerisht të formohej një shtet modern dhe indipedent, siç e lypte ndjenja e idealizmit patriotik (nënvizimet e avokatit, GH).
 
Në vazhdim, punimi i avokatit, tregon konfliktin midis muslimanëve dhe ortodoksëve në qytetin e Gjirokastrës ku me ardhjen e italianëve myftiu i qytetit mbajti një fjalim (botuar në fletoren Ipirotiqi amina, Nr 141, dt. 23 shtator 1916) duke i uruar shqiptarët që të mbeteshin përgjithnjë nën administratën italiane. Në numurin 144, dt. 11.10.1916, në faqen e III, në artikullin me titull “komunikatë” përmendet një telegram i muslimanëve me të cilin uronin Viktor Emanuelin dhe shfaqej gëzimi dhe besnikëria e elementit musliman tek i forti shpëtimtar. Përpjekjet për të vënë në pah mungesën e dashurisë për atdheun e ri si nga ana e muslimanëve, ashtu dhe nga ana e ortodoksëve, përbëjnë epilogun e fletores së tretë deri sa vijmë në retorikën pyetje-përgjigje:
 
Pyetje: -Në lidhjen që quhet Protokoll i Korfuzit, cilat janë palët e interesuara?
Përgjigje: -Qeveria e Shqipërisë dhe të dy Prefekturat e Jugut
Pyetje: -Vetiut erdhën këto në marrëveshje apo ndërhynë Fuqitë e Mëdha?
Përgjigje: -Ndërhynë këto!
Pyetje: -Po konditat e paqes midis tyre kush i caktoi?
Përgjigje: -Natyrisht ato.
Pyetje: -Po a besoni ju se ato nuk muarën dhe mejtimin e palëve mbi ndonjë hollësie?
Përgjigje: -Besojmë jo vetëm kaqe, por dhe se ato, në përpillim të Protokollit, kanë marrë parasysh edhe të kaluarën e të dy palëve.
Pyetje: -Ç’e shkaktoi kryengritjen e Elementit të krishterë kontra vendimit të Fuqive të Mëdha për krijimin e shtetit shqiptar?
Përgjigje: -Fakti që ay vendim i linte brenda kufijve të shtetit shqiptar.
Pyetje: -Po a thoni se ay vendim i detyronesh një paanësie të kulluar?
Përgjigje:- Deri sa nevet, si kriter të sigurtë për dallim të kombësisë të një individi besojmë se është gjuh’e tij amëtare, themi se s’kish se si të ndërhynte anësia. Se gjuha amëtare as munt të mpshihet as mund të shtrëmbërohet me anël propogandash.
Pyetje: -Megjithëqë nuk na bind kjo doktrinë, e cila Njeriun e lirë prej Natyre e konsideron si një kafshë, secilës i vihet një nishan nëpër trup për dallim, por masi ju insistoni të preferoni gjuhën nga sistemi i plebishitit, i cili përdoret kurdo e kudo, pa t’i vënë në kontestim mirë-besimin tuaj, por ju pyesim nëse besoni se përfundimi i hetimeve që bënë në vend Fuqitë e Mëdha do të ishte po ay sikurse të ishte bërë me anë plebisiti?
Përgjigje: -Rezultati i plebishitit sigurisht do të ishte i ndryshëm; por nuk do të pasqyronte të vërtetën; se ndjenjat e Popullit i ka helmuar Propoganda Greke e ushtruar dhe drejt për së drejti dhe me anë të Qishës.
Pyetje: -Por a mund të na shpjegoni se ç’i pat bërë të zonjat, si propogandën edhe Qishën e Stambollit, që të ndajnë kaq keq një popull bashkëkombëtar sa që të krishterët të mos duan në asnjë mënyrë të bashkëjetojnë në një shtet të bashkët, me bashkëatdhetarët e tyre muslimanë dhe bile pas si u lëruan nga zgjedh’e Turkut?
Përgjigje: -Historia kallzon se: ajo që iu ndihmoi, si propogandën edhe Qishën, ka qënë kryesisht, dasia fetare; por s’ka dyshim se ka ndihmuar edhe Qeveria Turke; rolin e kësaj në këtë drejtim e kallzon dhe fakti që ajo, sa për besnikëri të elementit musulman, u mjaftua me influencën e fortë të Fesë, e cila e mbyste çdo ndjenjë kombësie dhe me atë të rryshfeteve dhe të dhuratave të ndryshme, të konsistuara në toka, çifliqe, nëpunësira të larta politike dhe në grada ushtarake dhe në të gjithë të mirat e tjera, që i siguronte Regjimi çdo besniku mbi Rajanë; gjithashtu (Qeveria Otomane) siguroi qetësinë e vetë duke e lënë elementin, që bëri me vete të saj, në një injorancë të dendur pa shëmbull dhe duke mos lejuar çeljen e shkollash shqipe por dhe duke mos u interesuar që të ushtronte mbi të ndonjë influencë propogandistike me qëllim që t’i shuante – siç thamë – ndjenjat kombëtare; se këto s’kishin lindur ende, as kishin inspiruar frikën e mikrobeve vdekjeprurëse për pushtuesit e huaj. Realiteti tregon – gjithashtu – se pushtuesi Turk, pakicën e të krishterëve, të cilën e duaj për shërbime dhe angarica të ndryshme, ia la Qishës, e cila e edukonte me gjuhën e saj greqishte; por se me anë të kësaj filloi dhe propogandën e saj kombëtare Qeveria Greke pasi u krijua dhe Greqia.
Pyetje: –Por a i lejonesh vallë Qishës ushtrimi i misionit të saj ndaj shqiptarëve në gjuhën e tyre amëtare dhe kjo nuk e përdorte këtë, por preferonte gjuhën greqishte?
Përgjigje: -S’mund ta themi këtë; sepse gjuha shqipe u lejua 2-3 vjet para se të pëlciste Lufta Ballkanike.
Pyetje: – Por çfarë dëmi i shkaktoi Qisha lëvizjes për t’u shkruar gjuha shqipe, kurqë dhe sikur të donte të s’kishte kohë, ndërsa, nëqoftëse nuk kemi shkak që të mos e besojmë të ndjerin Jorgji Çako, i cili me një dekllaratë të botuar dhe në Nr. (numuri mungon, GH) të fletores “Ipirotiqi Amina”, ka vërtetuar se Patrikana e Stambollit, mbi pyetje që iu bë, vetëm një kshillë dha, këtë që: mundësisht të mos përdoreshin për të gërma llatine?
Përgjigje: – Dakort jemi; por kshilla në fjalë duket se do të jetë dhënë me dy para shejtan, këtë që të preferoheshin gërmat greke. (unë jam munduar ta paraqes tamam sipas dorëshkrimit kur duket sikur ka gabime ortografike, GH).

 

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.