back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 20 Maj, 2024

Promemorja e Ahmet Jegenit – nga Astrit Jegeni

Gazeta

Gjyqi ku u dënua edhe Ahmet Jegeni
Gjyqi ku u dënua edhe Ahmet Jegeni

Promemorja e Ahmet Jegenit

nga Astrit Jegeni

Qeskat e vlerave

“Numërova vitet e mia dhe zbulova që kam më pak kohë për të jetuar tash e mbrapa në krahasim me sa kam jetuar deri më tani.
Nuk kam kohë për të duruar persona absurdë, që të mos jenë rritur në asnjë kuptim tjetër përpos se nga mosha në regjistrin e gjendjes civile.
Nuk kam kohë për të humbur me budallallëqe.
Tani nuk i duroj dot më manipulatorët, arrivistët, interesaxhinjtë.
Nuk i duroj dot personat që nuk diskutojnë për përmbajtjet, por për titujt.
Dua thelbësoren, sepse shpirti im tani ka ngut.
Tani, kaq i vetëm, dua të jetoj mes qenieve njerëzore shumë të ndjeshme.
Njerëz që të dinë të dashurojnë e të mos tallen me të pa të keqtë e me gabimet e tyre.
Njerëz shumë të sigurtë në vetvete, që të mos mburren për luksin e vet dhe për pasuritë e veta.
Njerëz që të mos e mbajnë veten “të zgjedhur” parakohe.
Njerëz që të mos u ikin përgjegjësive të veta.
Njerëz sa më të sinqertë që të mbrojnë dinjitetin njerëzor.
Njerëz me të cilët dëshiron vetëm të jetosh me ndershmëri e drejtësi.
Sepse vetëm thelbësorja është ajo që e bën jetën t’ia vlejë të jetohet.
Njerëz të cilëve goditjet e rënda të jetës t’u kenë mësuar të rriten me përkëdhelje të ëmbla në shpirt.
Po… kam ngut… për të jetuar me intensitetin që asgjë më shumë se pjekuria mund të na e japë.
Synimi im, fundja më në fund, është të iki i kënaqur dhe në paqe me të dashurit e mi dhe me ndërgjegjen time.
Të uroj që edhe synimi yt të jetë i njëjti, sepse, në një fare mënyre, edhe ti për të ikur ke…”

Poezia e përshtatur për tekstin Mario de Andrade (1893-1945)
Përktheu Aurel Plasari

Humor në diktaturë
Humor në diktaturë
Një portret i Ahmet Jegenit

Ahmet Jegeni, fuksionar i lartë i regjimit Enverist, ka pasur fuksione të shumta partie e pushteti në atë sistem politik, midis të tjerave ka qenë drejtor i portit të Durrësit për shumë vite. Më vonë fillon punë në Ministrinë e Tregëtisë së Jashtme dhe emërohet Sekretar i Organizatës të Partisë i kësaj Ministrie, derisa arrestohet me akuzën për veprimtari armiqësore me të ashtëquajturin grupi i Kiço Ngjelës e shokë, akuzë që nuk e pranon për pothuajse një vit. Dhuna e ushtruar në hetuesinë komuniste e thyen dhe ai shkruan këtë promemorje duke pranuar bashkëpunimin me akuzën, që në fillim nuk e pranoi. Në kushte ekstreme fizike e psikologjike vetjake, përshkruan me shkrim veten, bashkëpuntorët, familjarët e tij sipas dëshirës e mendësisë morale politike komuniste.
Në memorjen time në fëmijëri, kam të ngulitur një burrë me shtat mesatar, pak i bëshëm, i veshur mirë me rroba të blera jashtë Shqipërisë, dinjitoz. Në rrugë, dhe kur i binte të takoheshin me babain tim, e përshëndeste me kokë, por gjithmonë me distancën e ftohtësinë e duhur, që rridhte nga fakti që i përkisnin dy shtresave të ndryshme politike e pozicione shoqërore të kundërta.
Ata ishin gati moshatarë, ishin kushërinj, kishin qenë bashkë në çetën partizane të Dibrës së Madhe me komandant Haxhi Lleshin. Im atë më ka treguar momente nga dorëzimi i ushtrisë italiane pas kapitullimit të Italisë, dhe ishte Ahmeti që hipi në një “caro armato” një automobil i forcuar me llamarina të trasha e shkoi vetë mnë kazermat italiane të Dibrës së Madhe për të negociuar me komandën italiane aty. Im atë e luti e i kërkoi që të mos shkonte, se italianët do ta vrisnin, por ai nuk u frikësua.Pas disa orësh italianët pranuan marrëveshjen me Ahmetin, ata me armët personale e ushqimet ditore u liruan kazermat e tyre partizanëve dhe u drejtuan drejt Peshkopisë.
Në muhabetet e pafund të fisit tim, Ahmeti trajtohej me kujdes falë faktit se ishte një fuksionar i lartë komunist, besoj se ishte Jegeni që kishte postin më të lartë në regjimin komunist, shumica absolute e Jegenëve ishin antikomunistë. Një tjetër Jegen me bindje komuniste dhe që kishte fuksione të larta partie e shtetërore ishte dhe djali i xhaxhait tim, Eqerem Begut, Besnik Jegeni, por ky kishte fuksione në Maqedoni dhe realisht dinim pak ose aspak për peshën reale shoqërore të tij. Gjithsesi Ahmeti shihej me simpati, si njeri që dinte të mbante një qëndrim të arsyeshëm respekti ndaj fisit të tij, që në përgjithësi etiketoheshin “reaksionarë” nga propaganda e mendësia komuniste. Vetëm në raste vdekje, Ahmeti dukej për vizitën e rastit dhe këto shumë të ralla.
Kemi qenë në internim politik kur na erdhi lajmi që e kanë arrestuar Ahmetin, im atë shprehu keqardhje, por vetëm kaq. S’e zuri në gojë as për mirë e as për keq. Ma vonë, kur u kthyem nga internimi, me Pranverën, motrën e Ahmetit që ishte në Tiranë kemi bërë biseda të pafund e të gjata për Ahmetin e marrdhëniet e tij me familjen, për nanën e tij që jetonte me Pranverën e jo me djalin, gruan e tij nga fisi i Strazimirëve, Dhurata, motrën, vëllain, që jetonin jashtë Shqipërisë, fisin e afërt, dhe këndvështrim im për Ahmetin ndryshoi. Kam në memorje Mitrushin, kunatin e tij, “Hundëleshin” kështu i thërisja sepse kishte lesh në hundë, një mashkull simpatik, i kulturuar, mjaft argëtues e shumë modern për kohën, kur na vinte në shtëpi krijonte një atmosferë të këndshme. Ishte kënaqësi ta dëgjoje atë burrë. Fatkeqësisht raportet e Ahmetit me gruan, nanën e motrën e tij, ishin, sipas këndvështrimit të Pranverës të pakëndshme e problematike. Gjithsesi të njohur e të panjohur të ndryshëm që takoja, kur më pyesnin për mbiemrin, pyetja e parë pasuese ishte ç’lidhje ke me Ahmetin? Ata të gjithë flisnin mirë për të. Kur më ra në dorë kjo promemorja dhe e lexova, u shtanga, nuk më pëlqeu e u zhgënjeva nga personaliteti i Ahmetit i përçudnuar. Ylli Selenica një mik i mirë i imi, që ka qenë i burgosur politik, më pati thënë, kur qe gjallë, të mos i gjykoj njerëzit nga të dhënat e hetuesisë komuniste, sepse ka qenë një organ drejtësie shumë e dhunshme dhe pak njerëz mund ta përballonin, ishin të detyruar të pranonin çdo gjë që ju imponohej, mjafton që torturat të ndalonin. Gjithsesi kam hezituar shumë ta bëja publike promemorjen. Moralisht figurën e Ahmetit nuk e pëlqeja. Sebep për të ndërruar mendje u bë një person që e njihte Ahmetin. Në një debat me mua fliste me superlativa për figurën e Ahmet Jegenit, duke e çuar në kufitë e hymnizimit. I nervozuar dhe i lodhur nga mungesa e sensit të realitetit për figurat njerzore që kanë njerzit në subkoishencën e tyre vendosa ta botoj këtë promemorje. Kjo që po botoj është një pjesë e vogël e kësaj promemorje e ndoshta ma e “fismja” nga e gjithë promemorja që për mua është tejet e pahijshme gati në kufitë e turpit.
Promemorja e Ahmet Jegenit, e bërë në hetuesinë Enveriste, në formën e dorëshkrimit përbëhet nga184 faqe, është shkruar në kushtet e diktatit të dhunshëm fizik e psikologjik në hetuesi. Është shkruar në letër A4 të cilësisë së dobët, prodhim vendor, i shkruar me laps të zi në të dyja krahët e letrës, shumica e dorëshkrimit është me laps rreth 80%, pjesa tjetër me stilolaps blu dhe të kuq, një shkrim dore relativisht i imët, por qartësisht i lexueshëm dhe pa gabime ortografike. Gjatë hetuesisë një pjesë e këtij materiali, rreth 10-15% është daktilografuar nga nënpunësit e Hetuesisë dhe i është dhënë për ta lexuar Ahmet Jegenit, i cili në disa vende ka ndërhyrë me shkrimin e tij për ta qartësuar fjalinë dhe për ma tepër me vetëdëshirën për ta rënduar më shumë veten e tij para ligjit. Tregues i dorëzimit psikologjik e fizik ndaj dhunës që i është bërë gjatë hetuesisë.
Gjatë daktilografimit të tij, disa fjalë janë përshtatur nga gegnishtja e Dibrës së Madhe në gjuhën letrare, por pa ndryshuar kuptimin e fjalisë. Disa shprehje dhe fjalë nuk janë transkiptuar saktë por nuk e kanë deformuar logjikën e fjalisë. Duhet theksuar se për shumë kohë rreth një vit, Ahmet Jegeni nuk pranonte asnjë nga akuzat e hetuesve, por mbas shumë muajsh dhunë fizike e psikologjike, Ahmeti dorzohet e pranon akuzën “Për veprimtari armiqësore” dhe fillon të shkruaj kujtimet e tija vetëdenoncuese, të cilat unë besoj se janë shkruar jo se ndjehej i penduar për veprimtarinë e tij politike e shtetërore por i dorëzuar totalisht nga presioni i madh fizik e psikologjikisht ka shpresuar se do dalë gjallë nga feri i hetuesisë komuniste. Mund të vepronte ndryshe por nuk ka vepruar. Realisht shumica e të burgosurve politikë nga regjimi komunist nuk e kanë përballuar dhunën fizike e psikologjike dhe janë dorzuar e kanë firmosur çfarë ka dashur hetuesa komuniste.
Dorëshkrimi i shkruar me dorë mban datë n 4.10.1976 dhe është i firmosur nga ai, ndërsa material i transkiptuar me makinë shkrimi ka të njëjtën datë por nuk është i firmosur.

Duhet të vemë në dukje se ka mospërputhshmëri në kohë midis datës së arrestimit dhe datës kur Ahmeti filloi të shkruajë këto dorëshkrime. Ahmet Jegeni vdiq në hetuesi. Sipas dokumentacionit mjekësor vdekja ju krijua nga një atak në zemër. Jam i prirur të besoj se vdekja i ka ardhur nga kushtet e pabërballueshme jetësore të hetuesisë dhe dhuna fizike e psiqike. Çështja e tij nuk kaloi në gjyq. Ligjërisht Ahmet Jegeni cilësohet i padënuar. Ne po i japim për t’u lexuar siç janë shkruar në origjinalin e daktilografuar duke e ballafaquar në çdo rrjesht apo emra të përveçëm me origjinalin me shkrim dore.
Promemorja për mua është interesante, se përveç karakterit të përgjithshëm historik që informohemi, në këtë promemorje interesante është informacioni që marrim nga raportet tregëtare shumë të mira të Shqipërisë me Jugosllavinë. Jugosllavia në këtë kohë ishte partnerja e dytë mbas Kinës në volumin tregëtar të Shqipërisë, duhet theksuar se kriza politike e ekonomike Shqiptaro-Kineze kishte filluar të jepte efektet e saj në ekonominë e vendit, ironike është fakti që kemi një raport të zhdrejtë me propogandën armiqësore Enveriste për Titizmin dhe mardhënjet shumë të mira tregtare me Jugosllavinë.

Astrit Jegeni – Tiranë, Prill 2023

Burgjet e diktatures komuniste
Burgjet e diktatures komuniste
Dorshkrimi i të pandehurit Ahmet Jegenit

Kam lindur me 1920, në Dibër të Madhe, rrjedh nga një familje e ndigjuar në qytet e rreth, me origjinë i pasur (çifligar), kemi patur toka e shtëpija, gjë të gjallë si në Dibër (Jugosllavi) ashtu dhe në kufirin Shqiptaro-Jugosllav) ashtu si të gjithë dibranët edhe familja e jonë ka vojtur nga Serbët, dhe u janë djegur shtëpitë, gjyshi i mbytur nga ta, me tel telefoni, babai i persekutuar, prandaj me 1930, kaluam në Shqipëri (Durrës). Unë vazhdova shkollën e mesme (shkollën mbretërore) por me 1933, babai vdes dhe familja detyrohet për të jetuar, të kthehet në Dibër (Jugosllavi) ndërsa unë mbetem këtu për të vazhduar shkollën. Në 1935, shkoj për studime në Itali (shkollë ushtarake), në Napoli dhe 1937-1939, në akademinë ushtarake. (Torino).
Në këtë kohë ndodh okupacioni, dhe unë megjithse nuk kisha ndonjë orientim politik të caktuar, më lindi ideja e atdhedashurisë, nuk u pajtova me okupacionin, kërkova të kthehem në atdhe, nuk u betova për besnikëri ndaj fashizmit (që u organizua me këtë rast me të gjithë ish studentët ushtarakë shqiptarë që studjonin në Itali), si rrjedhim u burgosa dhe u internova në ishullin Ventottene (Itali) ku ndenja nga 1939 deri shtator 1941. Këtu bie në kontakt me komunistët italianë, të cilët filluen të me fusin ndjenjat dhe përgatitjet fillestare komuniste.
Në ishull erdhën edhe të internuar të tjerë shqiptarë si nga Shkodra (nga grupi komunist) e tjerë. Në shtator 1941, mbasi mbaron afati i dënimit kthehem në Shqipëri, shkoj në Dibër të Madhe, pranë familjes (kisha gjyshen, nënën, dy motra dhe një vëlla) dhe pasi në 1942, arrestohem për aktivitet antifashist, pas lirimit në shtator 1942, shkoj në çetën partizane të Dibrës (Komandant shoku Haxhi Lleshi dhe qëndroj në repartet e ushtrisë N.Çl. deri në gusht 1944, ku me urdhër të Partisë kaloj në pushtet, pastaj në 1946 caktohem me punë në Tiranë, me vonë në Durrës, gjene në Tiranë, përsëri në Durrës. (ku qëndroj 18 vjet) dhe në 1971, përsëri në Tiranë (deri gusht 1975), më pas në Tepelenë ku me 4.6.1976 arrestohem.
Sikurse thashë më parë unë në fillim nuk kisha ndonjë orientim politik të caktuar, në Itali lexoja gazeta dhe në përgjithësi isha i prirur për të ndjekur, me anën e shtypit, ngjarjet ndërkombëtare, por nuk ishja në gjendje t’i kuptoja ato, pra më tepër si kuriozitete. Lexoja me kureshtje shkrimet që botoheshin në gazetat Italiane për B.S., ndër të tjera flitej shumë për fenë (unë nuk kishja prirje fetare mbasi që i vogël rritur larg familjes dhe gjithashtu, shkruhej shumë për Stalinin i cili paraqitej si njeri i rreptë. Duke u nisur nga këto unë nuk mbanja miqësi me student shqiptare që çfaqnin simpatira për B.S. (në Napoli, Kadri Hoxha, në Torino Skënder Çaçi, Hamit Keçi dhe mbanja jo qëndrim armiqësor ndaj B.S. ose miqësor ndaj fashizmit, por më tepër si indiferent për çështje politike, u vinja rëndësi mësimeve që të dilnja mirë e të mbaronja shkollën. Duke qenë se më kishte dhënë bursë, studimi kisha simpathi për Zogun (jo se e kuptonja karakterin politik të regjimit, por vetëm se ishte në krye të shtetit). Në Itali unë pashë mjaft qytete dhe të them të drejtën më bënte përshtypje zhvillimi i atëhershëm, dhe kisha simpati e kujtime të mira për vendin dhe popullin. Me rastin e okupimit të Shqipërisë filloi urrejtja ndaj fashizmit (karakterin shoqëror e politik të cilit nuk e kuptonja) si okupator, por ruanja kujtime të mira për popullin dhe vetë Italinë si vend, këtë e kam patur edhe gjatë luftës, pas çlirimit dhe kjo ka influencuar edhe në punën time në Ministrin e Tregëtisë, kur në shtator 1973 me kaloj mua drejtimi i tregëtisë së valutës së lirë. Kështu në takimet e mija me delegacionin italian, me ata të ambasadës që ndiqnin çështjet tregëtare kam qenë i predispozuar që të rritej tregëtia me këtë vend, kjo për faktin se deri atëhere ky vend zinte vendin e parë në tregëti me Europën Perëndimore me ne, nga ana tjetër konstatova se edhe Ndërmarrjet Tregëtisë së Jashtme si dhe udhëheqja e Ministrisë kishin këtë mendim.
Në Venttotene (internim Itali) unë rrinja ma tepër me Skënder Çaçin, Xhemal Punovin, Abdyl Këllezin, Qazim Kapisyzin. Me Abdyl Këllezin studjonim për lëvizjen puntore italiane dhe pjesë të kapitullit të Marksit (vlera, mbivlera etj) kam patur të njëjtin edukator komunistin italian (Pietro Secelie dhe Pietro Griforçe) Sigurisht ata që mësonim nga këta unë i përsëritja me Abdylin. Megjithatë unë akoma nuk kishja një bindje të plotë komuniste mbasi shumë gjëra nuk i kuptonja dhe vazhdonte të më ekzistonte më tepër ndjenja nacionaliste.
Edhe për B.S. mjaft gjëra sigurisht u bënë më të kjarta por akoma nuk i kuptonja se ç‘përfaqësonte ay në aspektin shoqëror, mbasi si fuqi shtetërore u kuptua rëndësia e tij me sulmin nazist dhe unë dëshironja që patjetër të fitonte B.S. mbasi kuptohej që ky fakt lidhej edhe me vendin tonë.
Mua nuk më kujtohet ndonjë çështje e veçantë për Abdyl Këllezin, nuk mbaj mend biseda politike ose interpretime apo situata politike të më jenë bërë nga ay. Ay shoqërohej shumë edhe me Xhezmi Dellin (rrinte me të shumë dhe gati vazhdimisht si dhe me familjen e këtij kur erdhi për vizitë). Abdylit i ka ardhur dy herë kushëriri tij (tregatar); po kështu rrinte edhe me Shefqet Myslin (ky erdhi me ato të Shkodrës në Venttotene). Në vitin 1949 (shtator kur unë shkova në Beograd, e Gjermanët të mbetur atje tranzit për Shqipëri, Shefqeti kryente funksionin e përkthyesit (vetëm 1 ditë) dhe me kujtoj Ventotenën dhe pyeti se si është e si shkon Abdyli, unë më vonë ja kam thënë këtë Abdyl Këllezit mbasi ay është kunati i tij. Abdyli e mirpriti këtë. Kur u ktheva në Shqipëri shkova pranë familjes, atje u takova me Nazmi Rushitin (të cilin e njojta në Venttotene) dhe vazhdova të punoj nën drejtimin e tij. Në Dibër kam njohur edhe mjaft të rinj dibran si Xhefer Kodra (më vonë ka qenë si përkthys i Tempos, pas 1948, Ministër në Maqedoni, më vonë i burgosur nga Jugosllavët, Met Kërliun (me duket me funksione në Maqedoni, e kam parë njëherë në shtator të 1949, në hotel Moska Beograd dhe më tha që vazhdonte studimet aty), Azmi Muça, Jashar Hemija, Lutfi Rusi etj.
Me këta unë u miqsova dhe gjatë kohës që ndenja në qytet jam shoqëruar me ta dhe kam zhvilluar prapagande antifashiste. Kam ndigjuar që të gjithë këta kanë qenë me lëvizjen dhe njëkohësisht më vonë i kanë shërbyer Titizmit me besnikëri, në këtë kohë sigurisht sipas direktivave të partisë zhvillonim një propagandë të luftës së përbashkët me popujt jugosllavë, me ato ndjenja antiserbe që kisha më parë (nga vuajtjet e mëparshme të Dibranëve e të familjes time) i lashë mënjanë, bile u flisnja ashpër disa pjestarëve të fisit tim që shfaqnin dyshime në këtë luftë të përbashkët. Në këtë mënyrë fillova të simpatizonja Jugosllavët.
Gjatë luftës Na.çl. unë, përveç personave dibranë që përshkrova më parë, të cilët i kam ritakuar në shtator -nëntor 1943, kur ne çliruam dhe e mbajtëm të tillë Dibrën e Madhe, kam takuar në prill-maj 1943, edhe Veli Devën, i cili kalonte tranzit nga Shqipëria për në Kosovë. Me të kam qëndruar 4-5 ditë në një fshat se isha i plagosur dhe nuk kam bërë ndonjë bisedë të veçantë me përjashtim të atyre që bëheshin në çetën tonë nga partizanët. Si lufta këtu, e në botë, etj çeshtje të kohës, flitej mjaft për Kosovën, Dibrën etj, ose si do bëhet, por konkludohej që ne luftonim për një qëllim prandaj nuk ishte problem kohës.
Gjatë luftës Na.çl. unë nuk jam shkëputur kurrë dhe nuk kam takuar persona të tjerë dhe as dibranë që banonin në Jugosllavi. Një natë (tetor 1943) ka qenë në shtëpinë time në Dibër, Miladin Popoviçi me sh. Haxhi. Gjatë luftës Na.çl. unë i kisha venë detyrë vehtes që vetëm të luftonja fashizmin për çlirimin e vendi, e di që nuk kam luftuar keq, por nuk isha në gjendje të parashikonja se si do të ishte gjendje konkretisht pas lufte, sigurisht kisha besim në fitoren tonë por çfarë do ta ndodhte, me fatet tona konkrete e të shtetit, mardhëniet tona me fqinjtë e interesat reciproke etj. unë nuk i kuptonja si dhe sa duhet.
Gjithashtu e kisha vendosur, se pavarësisht se unë kisha familjen dhe pasurinë në Dibër të Madhe, do të qëndronja në Shqipëri se isha shqiptar, këtu isha rritur dhe këtu kisha luftuar dhe më takonte ti shërbenja këtij vendi. Kur ishim në Dibër në shtator-nëntor 1943 kisha ndigjuar për disa biseda që kishte bërë sh. Haxhi me Tempon në lidhje me mardhëniet, por neve nuk na u tha gjë me hollësi, ato i kam mësuar vetëm më vonë kur u shpallën këto çështje, kështu që unë nuk kam pas zhvilluar me asnjeri biseda të këtij karakteri dhe asnjë person nuk me ka folur mua çështje të tilla, unë kam vazhduar të bisedonja për interesa të përbashkëta, qëllim të njëjtë midis nesh dhe jugosllavëve.
Unë jam bërë antar partie në dhjetor 1942, kur ma komunikuan këtë unë u ndjeva i habitur mbasi e dinja veten të tillë me kohë, kur na mblidhte Nazmi Rushiti në Dibër. Kjo tregon se unë nuk e kam njohur anën organizative dhe në fakt në celulën tonë bëhej punë shumë e cekët edukative sepse Zoi Themeli (sekretar celule) ishte shumë pak i përgaditur nga kjo anë. Qazim Prishtina (komisari çetës) më i përgatitur mirrej vetëm me informacioni politik; prandaj ne nuk i kishim të qartë këto çështje, vetëm kur vinte ndonjë nga qendra (kjo rrallë) bëheshin biseda, për të sqaruar çështjet e Partisë e njoftime të tjera të këtij karakteri, prandaj ne nuk kishim ngritjen e nëvojshme që të shihnim problemet si duhet. Edhe ma vonë me ardhjen e shokëve të tjerë dhe kur u formua bataljoni mua me duket se kjo anë ka çaluar.
Në vitin 1944 (gusht) u çlirua Peshkopia, dhe shtator Dibra. Unë kam shkuar nga fundi 1944, për të parë familjen, po kështu në 1945. Në këtë kohë kam takuar atje Nexhat Agollin, i cili më tha që të kalonja të punonja në Maqedoni, këtë propozim ma ka bërë edhe ca muaj ma vonë në Tiranë, po kështu më tha dhe në Dibër, Aqif Lleshi si dhe të tjerë dibranë, por unë siç thashë kisha vendosur të jetonja në Shqipëri. Në atë kohë doli urdhëri që në Dibër të mos vendosej flamuri shqiptar, por maqedonas, po kështu tabelat e dyqanëve maqedonisht, të them të drejtën unë ndjeva rrënqethje dhe nuk më erdhi mirë kjo dhe kur më ankoheshin dibranët, unë u thoshnja rrini urtë se njëlloj asht. Unë mendonja se Jugosllavia sado e dëmtuar nga lufta ishte shtet i madh, partia ishte me eksperiencë dhe si shtet më i vjetër se ne, me ca industri etj. do ta marri vehten shpejt dhe se atje do të vendoset një mirëqënie ekonomike më shpejt se tek ne, pse ishim shtet që kishte qenë i lënë pas dore nga regjimet dhe se ishim dëmtuar, pra na duhej kohë!!
Në 1945 (dhjetor) u bënë zgjedhjet për deputetë dhe unë dhe Sul Baholli ishim kandidatë në të njëjtën zonë elektorale. Fitoi Sula, por atëhere u përhapën fjalë se ay fitoi mbasi kishte organizuar me anë miqsh të tijë një propagandë kundra meje duke thënë popullit se Ahmeti ua ka marrë djemtë ushtarë. (në komandat e vendit) të kësaj natyre me që unë ca kohë më parë isha komisar i rrethit Zerqan dhe sekretar i Pushtetit, rrethit Zerqan. Për këtë çështje më ka folur edhe Kiço Ngjela, kur më kanë thirrur në shkurt 1946, në Komitetin Qëndror me rastin e transferimit tim nga Peshkopija për në Tiranë. Kiço Ngjela edhe herë të tjera më ka fol kundra Sulës. Një herë tha: “Sula vlen për të hapur kanale, nuk din gjë tjetër!” Fakti i mësipërm si dhe ajo, që në tetor 1943, Sulën dhe Zeqi Agollin i çarmatosi në Dibër Xhem Gostivari, dhe se ndaj tij nuk u morën masa, krijoj tek mua një përshtypje se Sula njihet nga shokët kurse unë jo, po ta kisha bërë unë këtë kushedi se çdo të ngjiste. Ky ka qenë një mendim i shtrembër dhe tregon mungesën e pjekurisë time, paqartësin dhe lidhet edhe me botëkuptimin e “miqësis” kuptim ky që lidhet me prejardhjen time shoqërore, pra kuptimin mikroborgjez të çështjes.
Caktimi tim, në 1946, në Ministrinë Ekonomisë nuk e prita me qejf, problemet ekonomike nuk më pëlqenin dhe kisha shfaqur dëshirën të shkonja për studime. Kjo nuk u pranua dhe unë me vështirësi u ambjentova me punën e caktuar. Më vonë në Janar të 1947, u caktova drejtor i shoqërisë Shqiptaro-Jugosllave import-eksport, për këtë me thirri Nako Spiro dhe me foli se duhet të bashkëpunoja me Jugosllavët, ata i kemi miq. Unë mendova se me këtë rast do të përfitonja mjaft në profesionin tregëtar, me që i konsideroja jugosllavët më të zotët se unë, në fakt ata ishin të tillë. Zv. Drejtori Hreljonaviç ishte ekonomist dhe njeri me eksperiencë, Ljubibrotiçi (kryetar dege) ekspert për artikujt blegtoralë, Detiçeku (shef finance) po kështu, dhe unë ndjeva inferioritetin tim kështu që ata kanë përfituar për të bërë që punët të shkonin mbarë për Jugosllavinë, eksportet nga Shqipëria shkonin mirë, kurse importet vononin të vinin, unë këtë nuk e shifnja me syrin e vërtetë, nuk u thellova të gjenja dhe arsyet, por e lidhja me faktin se Jugosllavija është dëmtuar në industri prandaj kanë vështirësi për të përballuar nevojat e tyre dhe tonat dhe nuk shifnja aty sabotimin Jugosllav që ta linin ekonomin tonë në mëshirën e tyre, u kam besuar fjalëve që thonin ata për vështirësi dhe nuk shifnja që edhe ne ishim të dëmtuar por angazhimet po i mbanim.
Pra unë i isha nënshtruar ndikimit të influencës jugosllave që punonin në shoqërinë dhe të përfaqësuesit tregëtar jugosllav, Harliek të cilët me lajka, fjalë të mira kanë bërë që unë të humbas vigjilencën dhe nuk kam bërë çeshtje këto probleme. Që këtu fillon puna e jeme e nënshtrimit ndaj ndikimit jugosllav. Më kujtohet se njëherë 1947, erdhi në Tiranë Kiro Grigorov (me dukej se merrej me financat) dhe në një darkë që dha përfaqësia tregëtare jugosllave, ay foli për kujdesin që tregon personalisht Tito për Shqipërinë, për ekonominë e saj. Unë thashë se jem dakort mbasi e shohim me syrin tonë me që punoj në shoqërin Shqiptaro-Jugosllave. Në fakt puna qe se nuk realizoheshin kontratat nga ana jugosllave, pra unë u tregova jo i pjekur, thashë fjalë vetëm për t’ja bërë qejfin. Nako Spiro me ka qortue për këtë qëndrim mbasi ay ishte ankuar për mosrealizimin e detyrave nga ana jugosllave. Ja pra, një qëndrim i pafalshëm për mua që lidhej me besimin që jugosllavët duan të na ndihmojnë seriozisht, ndërsa faktet treguan të kundërtën. E drejta është se unë kam patur edhe fërkim me Zv. Drejtorin Hreljonoviç mbasi ay përpiqej që të më mënjanonte dhe unë nuk e shifnja mirë këtë, dhe këtë ja kam thënë si Nako Spiros ashtu dhe Vasil Katit, i cili ishte kryetari i palës Shqiptare të Këshillit Administrativ të shoqërisë. Që të dy më thanë se unë jam Drejtor, por nuk duhet acaruar puna, sidomos Vasil Kati që mbante lidhje të afërta me Horliçek unë (përfaqësues tregëtar) me thosh se ne nuk dijmë sa duhet, të arrijmë afër jugosllavëve e të mësojmë dhe nuk ka të keqe fundi një qëllim kemi. Këtë ma vonë (1967-68) me ka thënë Kiço Ngjela se duke pastruar kasafortën e tij ka gjetur nje dokument me të cilin jugosllavët kërkonin heqjen time nga shoqërija Shqiptaro-Jugosllave, si element jo i dëshiruar. Ay tha se këtë ja ka dërguar Komitetit Qendror dhe është me rëndësi mbasi ka patur ca pengesa në këtë drejtim për sjelljen tënde në Tiranë. Unë e pyeta pse ay tha gjëra të kaluara, ai tha se tani do bëjmë propozim për në Dhomën e Tregëtisë. Vasil Kati më vonë më ka thënë se kur kishte qenë në Jugosllavi kishte pyetur ku punojnë ish atasheu tregëtar Horliçek dhe Zv. Drejtori, i kishin thënë, i pari në Hollandë, ndërsa i dyti në SHBA, biles nuk kishte dashur të kthehen më në Jugosllavi. Vasil Kati, pra me ka mbajtur vazhdimisht në korrent për çështjet Jugosllave. Ay edhe më vonë më ka afruar tek jugosllavët si në 1972, kur zhvilloheshin bisedimet për protokollin 1973, duke më kërkuar lista mallrash të pa siguruara, në takimet me Dhomën e Tregëtisë të Kosovës, duke më dërguar në Maj 1973, në Jugosllavi për komisionin miks, në një kohë që ky sektor nuk varej nga mua, por nga Drejtoria e parë, për të mos përmendur rastet nga 1974-1975 kur ky sektor varej nga mua. Vasil Kati më ka thënë se është takuar në fund të 1974, me një tregëtar kosovar (Bora) i cili banon në Turqi, por që tregëtonte me Jugosllavinë, duke thënë se është gati të marri përsipër punë të mëdhaja si direkt nga Jugosllavia ashtu edhe me anën e Turqisë. Vasil Kati ka qenë mjaft i përzermërt me të gjithë Jugosllavët.
Në 1974, kur ishte këtu delegacioni tregëtar jugosllav me Zv. Ministrin Glishig na nisi neve për në Fier për vizitë dhe tha se ay nuk do të vinte, kur në mbrëmje erdhi dhe iku të nesërmen në mëngjes. Vasili i tha Zv. Ministrit jugosllav se erdhi kastile për të mbasi ka respekt dhe dëshiron që ay të kënaqet. Duke qenë në drekën zyrtare mbas firmosjes së protokollit, Vasili tha që nesër për drekë të gjithë specialistët jugosllavë janë të ftuar nga Ndërmarja Tregëtisë së Jashtme Shqiptare mbasi po ndihmojnë në zhvillimin e tregëtisë. Po kështu Vasil Kati më ka thënë se Gogo Kozman dhe Fistim Sinën e kanë pyetur nëse unë mbaj kontakt me vëllanë tim në jugosllavi. Të gjitha këto raste etj. tregojnë se Vasil Kati me ka afruar mua, ay është interesuar në Komitetin e partisë Durrës, se me cilët persona shoqërohem unë, ka ndërhyrë në Komitetin Ekzekutiv Durrës që të mos më largojnë nga sektori i tregëtise (kishte një variant), ka pranuar që të caktohesha Drejtor i Përgjithëshëm i porteve dhe se aty është punë më e pastërt dhe ka kontakte me të huaj (vaporet, përfaqësitë tregëtare etj.)
Të gjithë këto qëndrime të Vasil Katit kanë influencuar tek mua që unë ta respektoj atë dhe përsa i përket mardhënieve me jugosllavët që unë t’i shoh ato pozitivisht duke shtuar mallrat eksport-import, hyrjet e daljet e specialistëve e tjerë. Unë mendoj se në këtë drejtim Vasil Kati ka patur edhe mendimin e Kiço Ngjelës mbasi ky i fundit kur në maj 1973, do të shkonja në Jugosllavi me tha që nëse do ta takonja vëllanë që kisha etje. Unë në atë kohë nuk dinja se sa thellë ishte futur im vëlla në veprimtarinë e poshtër armiqësore ndaj vendit tonë (këtë e mësova këtu në burg gjatë hetuesisë) prandaj dhe nuk e zgjata bisedën dhe i thashë: Jo, unë shkoj për punë zyrtare dhe jo personale!
Duket që Kiço Ngjela e ka ditur çështjen e vëllait prandaj e ka bërë dhe atë provokim, ndoshta po të ishte zgjatur biseda do ta kishte nxjerrë se çfarë desh të thoshte dhe ku desh të arrinte, do kishte qenë mirë të ishte zgjatur biseda.
Po kështu bisedat e Kiço Ngjelës me delegacionin jugosllav dhe shprehjet e tija për rritjen e tregëtisë, për ngritjen e rangut të delegacionit gjithashtu më kanë nxitur që të shtohet tregtia me Jugosllavinë. Po kështu Drejtorët e Ndërmarjes së Tregëtisë të Jashtme duke filluar nga fundi i vitit 1972, kanë qenë më të predispozuar për tregëtinë me jugosllavinë, ardhjet e specialistëve jugosllav këtu dhe vajtjet e tonëve atje, drekat e darkat që shtroheshin i afruan mjaft ata, me kujtohet rasti i drekës me specialistët jugosllavë të dhënë nga ndërmarrja Tregëtisë së Jashtme, sipas dëshirës së Vasil Katit në 1974, ku Andrea Manço ishte ulur afër Sokol Nimanit, ndërsa Sami Muhameti përball këtij të fundi dhe ngriheshin dolli midis tyre duke i nxitur edhe të tjerët, sikur të ishte një festë fami1jare dhe jo një drekë zyrtare me të huaj.
Reshat Sinemati arriti të shkonte për dreka e darka deri me shoferët jugosllavë aq i miqësuar ishte me jugosllavët. Atëhere kjo atmosferë ka ndikuar tek mua që të rritet tregëtia me Jugosllavinë.
Në vitin 1973, sidomos 1974, ardhjet e vajtjet e kosovarëve, dibranëve, ekipeve dhe grupeve artistike, delegacionet e universitetit e tjerë gjithashtu kanë influencuar tek mua që të jem me dorë lëshuar në pranimin e specialistëve jugosllavë. Unë kam kujtuar se në këtë periudhë sikur ka patur një zbutje të marrdhënieve shtetërore, sigurisht konjukturale, prandaj nuk kam ezituar për rritjen e mardhënieve tregëtare.
Një faktor tjetër ndikues me rëndësi për qendrimin tim liberal ndaj mardhënieve tregëtare me Jugosllavinë ka qenë edhe qendrimi personelit të ambasadës jugosllave ndaj meje. Ay ka qenë me respekt, i ngrohtë. Kështu ambasadori, të cilin e kam takuar në disa pritje si tek ay dhe në ato të të tjerëve, vazhdimisht më ka ardhur dhe më ka përshendetur, është interesuar si shkojnë punët, çfarë pengesa nxjerrin firmat jugosllave, mbasi ay ka porosi direkt nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ay i tregëtisë Jashtme Jugosllave (bile edhe këta me porosi më lartë) që të informoj Beogradin për pengesat edhe më të vogla që mund të pengonin zhvillimin e tregëtisë midis dy vendeve. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Këshilltari i ambasades Koncatina si dhe këshilltari ekonomik Teafil Radoeshki. Ky i fundit kur u takuam herën e parë në 1974, më tha se më kishte parë në disa pritje të huaja dhe i isha dukur si fytyrë e njohur, ishte interesuar dhe i kishin thënë se isha nga Dibra. Një herë tjetër më tha edhe unë nga Dibra jam, më tha, më tregonte se si i jati kishte qenë shajakpunues në Dibër dhe në Maqellarë, ay vetë kishte shkuar mirë dhe kishte shoqëri me dibranët (shqiptarët) dhe më përmendi emrat e Xhafër Kodrës, Azmi Muçës, Jashar Hamës, Lutfi Rusit, Met Kërliut, të gjithë këta të njohur prej meje dhe për të cilët fola në fillim se kam punuar me ta në 1941 në Dibër, i kam takuar në shtator 1943, po në Dibër (kur u çlirue) si dhe në 1945 gjithashtu në Dibër. Sigurisht duke përmendur këta emra ky desh të më tregonte mua se edhe ne të dy duhet të bisedojmë e të zgjidhim problemet ndoshta ay ka patur ndonjë qëllim duke i përmendur ata, mbasi pjesa dërmuese e tyre kanë qenë me Titon, por asnjëherë nuk e ka bërë këtë por sigurisht e sidoqoftë e ka bërë për “presion moral ndaj meje”. Në fakt unë i kam zgjidhur problemet tregtare që ay me ka ngritur, gjithashtu edhe ay është përpjekur që t’i zgjidhi. Më ka thënë ay se për problemet tregëtare me Shqipërinë interesohet vetë udhëheqja jugosllave dhe më përmendi faktin se firmat jugosllave kanë vuajtur për mjete financiare dhe nuk ishin në gjendje të likujdonin detyrimet ndaj Shqipërisë (ose të çelnin kredi), u dha urdhër i prerë që kjo gjendje të zgjidhet dhe në fakt u zgjidhën në vija të përgjithshme.
Kur u arrestua tek ne një shofer dibran për çështje kontrabande ka kërkuar tek mua që të ndërhynim ne të Tregëtisë Jashtëme e të lirohej (më tha se është edhe dibran), unë i thashë se çdo shtet duhen respektuar dhe ne nuk mund të bëjmë gjë. Unë kam qenë dakord me ata të ambasadës edhe ata kur të kenë probleme të na drejtohen se do t’i zgjidhim.
Po kështu unë kam rënë nën ndikimit e delegacionit jugosllav kur në 1974, mbyllëm protokollin e vitit 1975. I kam pranuar kërkesat e tyre për krom dhe artikuj të tjerë, po kështu edhe rritja e limitit të kredisë bankare operative brenda vitit nga 800 mijë në 2 miljon dollarë është ndikim i tyre. Mbi qëndrimin tim ndaj Jugosllavisë ka ndikuar edhe vajtja e jeme atje. Unë kam qenë disa herë në 1947, qershor 1948, në shtator 1949, prill 1950, si dhe në maj 1973, po kështu kam qëndruar nga një natë tranzit për Tiranë 3 herë. Më ka bërë përshtypje diferenca e madhe nga 1950, lëvizje e theksuar njerëzish dhe veturash, tregu plot por çmimet herë pas here në rritje, jetë mondanë që nuk ndryshonte aq nga ajo e perëndimit, kisha dëgjuar nga vizitorë të ardhur në Shqipëri që flisnin për njerëz që unë i njihja në Dibër që kishin maqina dhe shkonin për pushime edhe në vende të huaja. Kur vinin këta vizitorë binin mjaft plaçka për të afërmit e tyre. Gjitha këto gjithashtu ma kanë lënë përshtypje dhe kanë influencuar në mendimin tim se ne mund të gjejmë mjaft mallra në Jugosllavi mbasi ajo është e zhvilluar (e kisha të qartë se kjo bëhej si rezultat i politikës që ndiqej duke i shtrirë dorën kujdo) por efekti psikollogjik krijohet kështu, që ay ndikon dhe vepron, pra edhe kjo ka influencuar mbi mua.
Të gjitha këto kanë bërë që çështjen e tregëtisë me Jugosllavinë unë ta shoh jo ashtu siç porosit Partia, d.m.th. të shifet në radhë të parë politikisht, kam parë vetëm nga ana ekonomike sigurisht të mallrave dhe në këtë mënyrë unë kam dëmtuar politikën e Partisë dhe si rrjedhim indirekt kam ndihmuar që të arrihet qëllimi jugosllav dmth që Jugosllavija dalëngadalë të zerë vendin e dytë në tregëtinë me Shqipërinë (pas Kinës), që t’i jepet mundësi propagandës titiste që si për efekte të brendëshme (sidomos për shqiptarët): ashtu edhe ndërkombëtare se Shqipërija ja ka nevojën Jugosllavisë, bile i jep edhe kredi të përkohëshme mbasi siç dihet saldot bankare në fund të çdo viti kanë qenë pasive për ne dhe aktive për Jugosllavinë. Ky është një qëndrim i dëmshëm mbase qëllimi titist final është nënshtrimi i vendit tonë, ay ishte edhe në 1948. Prandaj ky qëndrim i jem nënshtrimi ndaj jugosllavëve, është një faj mjaft i rëndë unë dhe tani ekuptoj se sa dëm i kam sjellur Partisë dhe shtetit, jam thellësisht i penduar për të dhe çdo dënim që do të meret ndaj meje është krejtësisht i justifikushëm.
Bëri mirë Partia që e zbuloi këtë veprimtari mbasi po të lihej kështu ku do të arrihej: Sigurisht marrveshja e re 5 vjeçare do të shpinte edhe më tej rritjen e tregëtisë dhe pra ekonomija e jonë do të mvarej në një pjesë të mirë nga titizmi me të gjitha konsiguencat për këtë se,
sigurisht është e qartë se përveç meje përgjegjësi për këtë janë edhe Kiço Ngjela, Vasil Kati, Janko Nishku, Drejtorat e Ndërmarjeve Tregëtisë së Jashtme, ambasada e jonë në Beograd. Kiço Ngjela ka thënë në hetuesi se për rritjen e tregëtisë me Jugosllavinë i është nënshtruar presionit të aparatit me në krye Ahmet Jegenin. Ky është një deponim sa i rremë aq dhe tendencioz me qëllim që të paksohet përgjegjësia e tij.
Asnjëherë Kiço Ngjela nuk ka bërë vërejtje për listat me Jugosllavinë (unë flas gjatë kohës që unë kisha përgjegjsinë e Jugosllavisë), bile ay me dorë të tijë ka shtuar mallra si sheqer, vaj për të cilët qeverija kishte akorduar valute të lirë), kamiona, pjesë këmbimi etj. për të mos përmendur këtu rastet e herëpashershme që për mallra urgjente urdhëronte vetë Drejtorat e ndërmarjeve (se kjo ishte praktik pune e tijë duke e spostuar aparatin e Ministrisë) që t’i blinin në Jugosllavi, bile Vasil Kati urdhëronte të nisej edhe maqina t’i merte ato. Kiço Ngjela u fliste jugosllavëve për rritjen e tregëtisë dhe për ngritjen e rangut të marrveshjes. Në Ministri Vasil Kati i ka thënë Zv. Ministrit të Tregëtis Jashtme Jugosllave Glishiç, në 1974, se si paraqitet prodhimi i misrit në Jugosllavi. Ay u përgjigj sivjet është i mirë por akoma s’kemi për eksport. Më vonë mësova që Kiço Ngjela e Vasili kishin biseduar që neve Kina nuk na jep tërë sasinë e bereqetit të kërkuar, t’ua kërkoni Jugosllavëve, pra ky ishte një përgatitje. Sigurisht kjo nuk më takon mua të bëjë konkluzionët e kësaj çështje por mendojsha të ishte në rregull “koka” në Ministri (Kiço Ngjela) edhe në se do të kishte patur tentativa ose veprime armiqësore nga të tjerët ky me vijën e Partisë do t’u kishte treguar vendin sejcilit.
Në hetuesi kam mësuar se tani saldoja me Jugosllavinë është aktive për ne, unë gëzohem për këtë, sepse u thyhet hunda titistëve, kjo tregon gjithashtu se kur zbatohet vija e Partisë s’ka gjë që nuk bëhet dhe ekonomija e jonë po forcohet dita ditës dhe jo ashtu siç thuhej më parë se po të ulen importet për bilancin, pra edhe nga Jugosllavija (për të ulur saldon) do vuaj prodhimi etj.
Prandaj ndershmërisht duhet pranuar se në këtë drejtim kemi sabotuar me ndërgjegje vijën e Partisë, dëmtuar vendi dhe duhet të japim llogari.
Siç kam thënë më parë unë kam një vëlla (Petrit Jegeni) i cili është rreth 9-10 vjeç më i vogël nga mua. Gjatë lëvizjes Nac.çl. në Dibër ka qenë i organizuar si pioner dhe gjatë luftës në qytetin e Dibrës (fund tetor – 17 nëndor 1943) organizata e pionerit ka dhënë një kontribut të vlefshëm në ndihmë të partizanëve. Pasi hyri gjermani në Dibër (17 Nëndor 1943) e deri në çlirimin e saj (1 Shtator 1944) familja e jeme ka jetuar në një fshat (Dabashisht) mbasi kishte frikë nga reprezaljet gjermane me që unë dhe motra e ime ishim në radhët partizane…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.