back to top
25.5 C
Tirana
E premte, 24 Maj, 2024

Profesor Hasan Lekaj, shembull i letërsisë shqiptare, ballkanike dhe europiane – nga Engjëll Zerdelia

Gazeta

 

Profesor Hasan Lekaj
Profesor Hasan Lekaj

Profesor Hasan Lekaj,

shembull i letërsisë shqiptare, ballkanike dhe europiane

nga Engjëll Zerdelia*

Në vjeshtën e bukur të vitit 1978, fillova studimet e larta, në degën e preferuar të kohës Gjuhë-letërsi, në qytetin europian të Shqipërisë, Shkodër. U takova me studentët dhe studentet, që fatmirësisht kishin një shtrirje gjeografike në tërë Shqiperinë: Isai nga Tropoja, Besimi nga Kukësi, Xhaferi, Liria dhe Fatmiri nga Dibra, Rroku nga Puka, Vlera dhe Suzana nga Shkodra, Maria nga Lezha, Dava nga Laçi, Tereza nga Rrësheni, Isufi nga Burreli, Afërdita nga Gramshi, Thomai nga Fieri, Ylli nga Vlora dhe unë nga Përmeti. Filluam vitin akademik në muajin tetor, dhe pedagogët tanë prezantoheshin në klasa dhe auditore me ne studentët. Për hir të së vërtetës duhet pohuar, por me zë të lartë, se ata janë e të tillë do të mbeten ndër breza, profesora të shquar, dijetarë e mendimtarë skurpulozë, shkencetarë të vërtetë, metodistë të përkorë, mësimdhënës të shkëlqyer: Jup Kastrati, Neki Lezha, Fadil Podgorica, Paulin Shestani, Safet Hoxha, Fatbardha Fishta, Simon Pepa, Mina Gero, Tomorr Osmani, Selami Tabaku, Islam Dizdari, Hysen Alibali, Dhora Lloja, Geti Franja, Nuri Abdiu, Vildan Tufi, Sedat Rruli, Llazar Siliqi, por profesori dhe akademiku Hasan Lekaj mbetet qershia mbi tortë për ne, për shumë arsye; kishte një ngrohtësi mahnitse ndaj studentëve, kërkues, studiues, përkthyes dhe na kosideronte kolegë. Çuditerisht, gjatë viteve student, nuk mbaj mend pjesëmarrje në aksione, stërvitje ushtarake dhe klasa kujdestari për profesor Hasan Leken, ndërsa në të gjitha veprimtaritë letrare-artistike dhe sportive ai do të ishte në stafin drejtues. Pjesa jonë në auditore, në bibliotekë, në kërkimet dhe hulumtimet shkencore. Përgatiste dhe udhëhiqte ndër ne studentët, breza të pasionuar pas letërsisë, aktrimit, filmit dhe muzikës, vizatimit, skulpturës, sportit të të gjitha llojeve dhe sidomos futbollit. Zotëronte njohuri të thella për Rilindjen e sidomos për letërsinë e viteve 1912-1939.
.
Studentë me profesorët Hasan Lekaj, Neki Lezha, Mina Gero,
Studentë me profesorët Hasan Lekaj, Neki Lezha, Mina Gero,
Grupi ynë bënte pjesë, në mezin e artë të njohurive për gjuhën dhe letërsinë dhe kjo ndoshta ishte arsyeja, që ata na donin, na mësonin, na trajnonin, na respektonin dhe udhëhiqnin në të gjitha fushat. Të gjithë e mbajmë mend, atë pedagog që vinte nga gjimnazi “29 Nëntori”, që pothuajse të gjithë u bënë profesorë në ILP të Shkodrës, të buzëqeshur, me trup rrumbullakët, me ecje të ngadaltë edhe me biçikletë, me mendim të thellë, me flokët e gjatë, që çuditërisht për kohën ishte një tabu. Mbaj mend shumë mirë që ne vumë veprën e Migjenit në skenë, në drejtimin e profesor Hasan Lekës. Suksesi ishte i padiskutueshëm dhe morëm përgëzime nga stafi drejtues i Insitutit dhe gjithë profesorët. Interpretimet e të gjithë studentëve ishin mbresëlënëse. Donte fort Migjenin, Nolin, Mjedën, Bulkën, Agollin, Kadarenë, Krajën e shumë të tjerë. Zotëronte pothuajse në përsosmëri autorët e letërsisë europiane, Shekspirin, Danten, Balzakun, Heminguejin e të tjerë, sidomos edhe të fqinjëve tanë ballkanikë. Fliste bukur, saktë dhe rrjedhshëm, më mirë se të gjithë pedagogët gjuhën shqipe letrare. Pohonte ngultas tek studentët: “Nuk mund t’u japësh mend të tjerëve, nëse nuk kulturohesh vetë…”
Për vite të tëra ka punuar si instruktor në klubin e rinisë “Heronjtë e Vigut”. Mësoi, edukoi, përgatiti shumë të rinj, që kishin talent: në aktrim, dramë, film, letërsi, muzikë dhe sport. Shpesh diskutonte me ne studentët për ekipin e zemrës “Vllazninë” dhe mbaj mend që më drejtohej mua, sepse luaja mirë futboll, eh more Engjëll, si t’u duk Vllaznia dje, dhe komentet nuk kishin të sosur, e ai dëgjonte me vemendje dhe respektonte këdo, sepse Vllaznia në ato vite mori Kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë…

.

Hasan Lekaj dhe Engjëll Zerdelia - Shkodër 2015
Hasan Lekaj dhe Engjëll Zerdelia – Shkodër 2015
Para tre vjetësh shkova në Shkodër për studimet e mia të shkollës shqipe 1900-1938, dhe takova disa personalitete të këtij qyteti në mësuesi si: Tomorr Osmani, Fatbardha Fishtën, Dashamir Dinin, Wili Kamsin e të tjerë. Pyes për profesorin Hasan Lekaj dhe më thonë, që ndodhet në zyrën e katit e dytë, përballe shkollës së muzikës, drejtues prej vitesh i shoqatës Shqipëri-Mali i Zi. Trokas në zyrë, fliste me një mik tjetër që ishte në largim e sipër dhe me buzëqeshi duke m’u drejtuar se sa vite kemi pa u parë profesor Engjëll Zerdelia? I përgjigjem paksa me ndrojtje, se m’u drejtua me fjalën shenjte për ne “profesor”. “Mbi 20 vjet!” -i them dhe u përqafuam më mall. Personi, një dashamirës letërsië nuk po largohej dhe po dëgjonte me vëmendje dhe i çuditur. E filloi bisedën për jetën dhe punën time, pastaj menjëherë në temë për mësimdhënien dhe pasionin krijues, për studentat e mi dhe të tij dhe grupin tonë, imtësisht për secilin…, më foli për jetën e tij, familjen dhe fëmijët, qëndronte në këmbë, diskutonte për kohën, studentat, politikën, letërsinë, gjuhën, sportin, jetën njerëzore e nuk pajtohej asnjëherë me padrejtësitë, “Se e dua Shqipërinë, Zvicër!” – më tha. I thosha shpesh që ulu profesor, – jo më thoshte e fliste e fliste rrjedhshëm e bukur për gjithçka. Duke dalë të tre, më thotë se tani do të shkojmë në shtëpi. Thërret një taksi me nr. cel. dhe makina e vogël luksoze para këmbëve tona. Vajtëm në shtëpi profesoresh Natasha dhe vajza na gostiti me lëng limoni, pije e preferuar për prof. Hasan Lekaj, aq sa dhe pema numur një e kopshtit të shtëpisë së tij. Mezi priti, dhe më tha se tash fill e tek biblioteka, e cila ishte objekt kombëtar me sasi dhe cilësi librash, përfitova nga rasti dhe nxora nga çanta ime dy librat e mi: Kongresin Kombëtar e Arsimor të Lushnjës. I mori dhe i vendosi sipas rendit alfabetik, pastaj shkuam ne objektin tjetër dhe më dhuroi librat e tij dhe në bashkautorësi, me firmën e tij nga shtëpia botuese dhe Enti kulturor Camaj-Pipa, që prej vitesh e drejtonte atë duke botuar vetë e me të tjerë 200 tituj. Tash duhet të më shikosh e dëgjosh me vëmendje, mori një fletore dhe filloi të më tregojë për secilin student të viteve 1978-1981 vlerësimet e seminareve e kollokiumeve, me notat përkatëse për secilin nga ne. Shtanga dhe u mahnita nga mrekullia që më tregoi për vitet e studentit, pashë notat e mia dhe të shokëve e shoqeve, u lumturova për cilësinë tonë… Tani më tha se do t’ju jap edhe disa shënime e dokumenta, qëpër mua ishin me shumë vlerë, për mësuesit, Rustem Lopci, Ruhi Zeko, Shevqet Muka, Kolë Margjini, Gaspër Mikeli…
Lamtumirë profesor i profesorave, modeli dhe idhulli ynë i mësuesisë, ngrohtësia e studentëve, profesori që e donin të gjithë…, sot bëhen dy muaj që je larguar lart në qiell dhe vështron e buzëqesh studentin dhe studentat e tu…
*Ish-studenti juaj – New York-Amerikë

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.