back to top
22.5 C
Tirana
E enjte, 13 Qershor, 2024

Portali “Diaspora Shqiptare” po e hibridizon diasporën – nga Elida Buçpapaj

Gazeta

Gazetarja dhe Poetja Elida Buçpapaj
Gazetarja dhe Poetja Elida Buçpapaj

Portali  “Diaspora Shqiptare” po e hibridizon diasporën – 

nga Elida Buçpapaj

Ka disa kohë që është vënë në qarkullim portali “Diaspora Shqiptare” – nën drejtimin e Ministrit të Diasporës – si mjeti më flagrant kundër lirisë të fjalës. Me paratë e Perëndimit, diktatori i Shqipërisë, me shërbyesin e tij Pandeli Majkon promovon në diasporë gazetarinë sipas modelit të një shteti monist.
Edi Rama ka vite që ka hedhur në Perëndim celulat e veta, të cilat i promovon dhe i mban financiarisht për të kapur kësisoj edhe diasporën. Janë krijuar me dhjetra shoqata si vezët e qyqes, që nuk bëjnë asgjë veç promovojnë të pabërat.
Në ndihmë u vijnë kanale televizive të RTSH, video që i hedhin në Youtube, e që, sipas një informacioni, kushtojnë disa mijëra Euro, të cilat iu dedikohen “yjeve të partisë” këtu në diasporë.
Në këtë valë është edhe portali “Diaspora Shqiptare” që e nxjerr vetë Ministri i Diasporës me paratë nga DEZA zvicerane të destinuara për forcimin e demokracisë në Shqipëri, që Edi Rama i përdor për forcimin e pushtetit të tij omnipotent përmes klientëve të tij jashtë Shqipërisë.
Fakti që një portal si “Diaspora Shqiptare” kanalizohet nga një ent qeveritar bie ndesh me çdo parim që ka të bëjë me lirinë e shtypit.
Shtyp i lirë në demokraci do të thotë raportim i gazetarëve për çështje me interes publik. Një shtyp i lirë mund të informojë qytetarët për sukseset ose dështimet e udhëheqësve të tyre, të përcjellë nevojat dhe dëshirat e njerëzve tek organet qeveritare dhe të sigurojë një platformë për shkëmbimin e hapur të informacionit dhe ideve.
Liria e shtypit mbrohet në Perëndim me Kushtetutë, është themelore në një demokraci të përgjegjëshme përpara Sovranit, që do të thotë se mediat janë rojtare për ta mbrojtur qeverisjen nga shkelësit e ligjit.
Ndërsa në rastin konkret është vetë qeveria e Tiranës që e shkel Kushtetutën dhe, me mjete financiare të marra nga Perëndimi, e klientelizon lirinë e shtypit.
Asnjë gazetar profesionist nuk do të pranonte të ishte palë e këtij projekti minues ndaj fjalës së lirë. Gazetari është një profesionist në sektorin e informimit, ai merret me zbulimin, analizimin, përshkrimin dhe zgjedhjen e lajmeve dhe më pas shpërndarjen e tyre. Kusht themelor përveç profesionalizmit është edhe pavarësia nga entet qeveritare.
Gazetari profesionist është i regjistruar në regjistrin e gazetarëve në vendin ku ushtron aktivitetin. Ai jeton me këtë profesion dhe ka një karrierë në këtë fushë.
Normalisht, në një portal serioz që presupozohej se do të mbulonte diasporën, do të duhej të kontribuonin gazetarë profesionistë me një karrierë të suksesshme, jo ish-zyrtarë të stafit të Ministrit të Diasporës apo kontigjent i zgjedhur kokërr për kokërr në diasporë me kutin e Pandeli Majkos, Ministrit të Diasporës.
Nëse i hedh një sy portalit “Diaspora Shqiptare”, do të shohësh se janë të paktën rreth 2600 lajme me autorësinë “Gazetari” – pra lajme pa autorësi, të huazuara lart e poshtë – shpesh të mbushura me gabime dhe të palektoruara.
Për këto shërbime skarco klientelat pa emër paguhen, ndërsa fillojnë ta shesin veten si gazetarë!
Jo, nuk janë gazetarë! Jo, kjo nuk është gazetaria!
.
Samiti i II i Diasporës - Tiranë 2019 - Ftesa
Samiti i II i Diasporës – Tiranë 2019 – Ftesa
Gazetaria nuk është një furçë me bojë për të mbuluar fasadën e shtetit të kapur e për ta kthyer atë një realitet me lajle lule.
Një person që gjithë jetën ka qenë mësues nuk mund t’i teket një ditë të pretendojë e të bëhet gazetar dhe të përfshihet pastaj në projektet e Pandeli Majkos, sepse aty bie erë! Me paratë e veta mund të provojë çdo lloj aventurë, por me paratë publike jo!
Gazetaria e vërtetë e këtij 30 vjet tranzicioni nuk është lluks, qejf e pare e pistë, por është sakrificë dhe rrezik!
Opinioni shqiptar duhet të mësojë të dallojë, të mbrojë veten nga shpërdorimi i emrit nga ata që shkelin ligjin në emrin e shtetit.
Opinioni shqiptar në diasporë duhet ta dijë se liria e shtypit nuk ka lidhje me Ministrin e Diasporës të një vendi që i gjurmon qytetarët me database, se në çdo vend demokratik mediat janë pushtet i katërt, i pavarur nga pushtetet e tjera, ekzekutivi, legjislativi dhe drejtësia.
Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një regjim monist hibrid, ka kapur për gryke edhe lirinë e fjalës, jo vetëm në Shqipëri, duke përdorur instrumentat e veta shtetërore, ambasadat, projektet, mediat e Shqipërisë, përfshi edhe portalin “Diaspora Shqiptare” duke e ndarë, përçarë e bërë lëmsh e li edhe komunitetin shqiptar në diasporë…”
Portali “Diaspora Shqiptare”, emisioni “Urat” i RTSH3, etj. janë shembulli i degradimit të profesionit të gazetarit dhe mediumeve të fjalës së lirë.
Shqipëria është në rrezik. Në rrezik është edhe diaspora.
Regjimin hibrid që ka instaluar në Shqipëri Edi Rama po e shpërndan edhe në diasporë! Nuk do ta lejojmë!
.
Portali Diaspora Shqiptare
Portali Diaspora Shqiptare
P.S. Ju lutem të vini re – screenshot i bërë prej meje në datën 10 maj 2021 rezulton të ketë 2548 postime me emrin e autorit “Gazetar” dmth pa autorësi.
Sot më datën 12 maj 2021 – pas publikimit të shkrimit tim, në orën 10:00 rezultuan 2345 postime me emrin e autorit “gazetar”, dmth pa autorësi.
Ndërsa po sot më datën 12 maj 2021 – në orën 12:53 rezultojnë vetëm 91 shkrime me emrin e autorit “gazetar”, dmth pa autorësi.
Ja pra shiheni efektin e shkrimit. Shihni barbarinë  që operon ky portal!
Sepse një sistem hibrid që ka në duart e tij, shtetin, pushtetin, mediat, nëpunësit, financat së pari vë në objektiv si të padëshiruar gazetarët e pavarur dhe shtypin e lirë, brënda kufijve shtetërorë të Republikës të Shqipërisë, tani edhe jashtë kufijve!
Prandaj diaspora shqiptare është në rrezik!
.
Marrë nga VOAL
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.