back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 10 Tetor, 2024

Biro, m’asht lëshu trupi! – tregim nga Agron Gashi

Gazeta

Agron Gashi dhe Nana e tij
Agron Gashi dhe Nana e tij

Biro, m’asht lëshu trupi! –

tregim nga Agron Gashi

Nana mbushi 75 vjeç!
Më poshtë po e ripostoj një fragment proze, sepse e du më shumë.
***
Nana zgjohej para se të lindtte dielli, pra, para se t’i binte hija shtëpisë. Me fshisë i binte skaj më skaj oborrit të mbushur me kamomil dhe kur ajo i ngatërrohej në pipëtima të verdha e të ndrydhura merrte grabujën me kunj të rrallë druri e të trashë sa gishti dhe ia dilte që t’i hiqte pothuajse dhunshëm, sikur t’ia krihte gjysmëflokët të zotit të shtëpisë, këtij urdhërdhënësi mujshar e të paprekshëm.
Nana, si nuse, rrallë kishte lëvizur përtej hijes së shtëpisë së madhe, sepse ashtu kish dalë fjalë burrash.
Kur bubullimat dhe vetëtimat nuk ishin prej të Madhit Zot, po prej zoti të luftës, më nuk kishte kufij hijesh për të, vetëm hija e saj e ndiqte.
Asaj i kërkohej të jepte, madje edhe gjak, edhe për burrat e luftës.
Asaj i kërkohej edhe të lidhte plagët secilit që vinte nga fronti.
Bile, humbjes së gjakut ia dinte më shumë se kush marifetet. Ajo e kishte provuar së paku dy herë, kur, siç thotë edhe sot, gjaku gati i ishte bërë ujë. E para pas lindjes sime, tri ditë e net kishte pasur gjakderdhje të madhe e që ishin dashur boca e boca të mëdha gjaku që t’i jepnin në spitalin buzë grykës, që të shpëtonte. Ditën e parë, e kishte parë të natyrshme, të dytën ishin shtuar vrushkuj gjaku, të tretën ditë, gjaku e kishte humbur të kuqtë, ashtu si vetë fytyra e Nanës.
Nanës, që dikur nuk i lejohej të largohej, as të lante teshat buzë lumit, tashmë i kërkohej që me batanijen e vet t’i mbulonte ushtarët, që vinin të lodhur nga beteja, e që jo rrallë i zinte gjumi veshur, pa pritur të shtrohej darka.
Madje, asaj i kërkohej që të nxirrte edhe çarçafë të bardhë, borë, që krejt lehtë mund të ishte edhe çarçafi i martesës, ai i “shenjtërisë me vulë gjaku”, kur nuk kishte guxuar as të lëshonte një ofshamë të vetme, sidomos pas zbritjes nga qerrja e drunjtë kur njëri prej meshkujve të shtëpisë, tamam si kauboj, bash te bira e veshit të saj e kishte zbrazur shtatë herë alltinë prej çeliku. Nga dita në ditë në front shtoheshin rëniet, besa ligeshin edhe burrat më në zë.
Nana, ngadalë po hipte në një fron të ri, po përmbyste rregulla a kanune të mbjellura prej vitesh.
.
Ushtria çlirimtare e Kosoves
Ushtria çlirimtare e Kosoves

 

***
Ishte vjeshta e vitit 1998. As që e kishim hetuar që ia kishte behur me mjegull e shira, një i ftohtë i pazakontë. Duhej të bëheshim një me mijëra që duheshin ngjitur bjeshkëve. Në kohë të tilla, mes civilësh duarthatë, që braktisnin shtëpitë e tyre, automatiku i Poliqanit të bëhej akull në gjoks dhe tunxh në krahë. Një rëndesë kjo e padurueshme në ikje nga dheu i Nanës, i cili tkurrej e bëhej sa një prag, sa një shtëpi, sa një oborr e zgjatej monopateve, që bartte mijëra shpirtra që veç frymë merrnin.
Dheu i Nanës, ashtu si vetë Nana, nga digë e pathyer shpejt u shndërrua në një karvan që duhej t’i prije nëpër terrnajë, pa hënë – si pa sy, të këpusje xhadenë e madhe të rrahur me mijëra tonë municion të forcave serbe. Dhe me çka?
Me ca fishekë, numri i të cilëve mezi arrinte dyfishin e moshës sime.
Por, para se të mbërrije te kjo provë e shfytyruar dhe e panatyrshme për një të ri që bënte vargonj librash, duhej të përshëndosheshe me më të dashurit e tu, të gjakut e të fisit. Rrethi zgjerohej e zvogëlohej në pak veta që kishin vendosur të rezistonin, qoftë vetëm ‘nga nji për shpi’.
Dilema se kush duhej ta braktiste pragun, shtëpinë, oborrin me kamomil të rrëzuar nga bryma, unë apo babai, ma gërryente shpirtin.
Për herë të parë zgjedhja duhej të bëhej nga Nana.
Për herë të parë Nana do të jepte urdhër pothuajse kalorësie.
Për herë të parë Nanës do t’i ecte fjala, si vetë Perëndisë.
Ajo duhej të zgjedhte bashkudhëtarin e saj për në bjeshkë të rrëpinjta plot kurthe e prita, me të gjallë e me të vdekur. 
Zgjedhja për të nuk ishte aq e lehtë: ajo duhej të zgjedhte në mes birit dhe burrit. Natyrisht, zgjodhi të birin. Gjatë ndarjes së tyre kishte një të fshehtë që kurrë s’e kuptova dot, as s’ia dhanë dorën njëri-tjetrit, as s’u përqafuan. Kjo më bënte një bashkudhëtar të pakënaqur, sidoqoftë, duhej të besoja në zgjedhjen e saj, që unë ta shoqëroja deri në tokën e premtuar. Në këtë mjegullnajë mëdyshjeje e të përjetshme, babai arsyetohej se unë mund ta përballoja më mirë rrugën e gjatë, meqë isha sprovuar të paktën tri herë me ngarkesa lufte. Madje, ai ishte i bindur që, po qe nevoja, do t’iu ndihmoja edhe të tjerëve, qoftë edhe për t’i bartur mbi supe. Kjo mjeshtëri e tij e përhershme, edhe kësaj radhe funksionoi.
Ferku i dritës na zuri duke kapërcyer bjeshkën e parë. Fjalët vonojnë për t’i rrëfyer detajet dhe unë mora foshnjën e parë pas një lindjeje të vështirë pranë një çetine, të mbështjellë me këmishën e hollë të një burri të vjetër që pa një pa dy e zhveshi, përderisa një pjesë të nënkëmishës sime, andej ka brinjët e shqeva për t’ia fshirë fytyrën gjysmë të përgjakur dhe e futa nën plasmasin e improvizuar për të kaluar natën e parë. Pastaj, bartja e lehonës bashkë me bashkëshortin e saj shtatshkurtër e halllig, që veç përpinte lotët tek i lutej Zotit ndër dhëmbë.
Nana, secilën herë po i ngadalësonte hapat. Kur të gjithë ishin ndalur te një fusfushë pushimi rrethuar nga shkëmbinj e lisa të djegur e të njomë, ashtu si gjithnjë, Nana, kur duhej të largohej për gjëra krejtësisht njerëzore, merrte me vete një apo dy bashkudhëtare, dilnin prapa çufrave a degëve halore, apo bëheshin nga dy e tri, hapnin fundet e tyre dhe e mbulonin tjetrën përdërisa ulej cuc, pastaj ndërrohej tjetra. Ditën e tretë, Nana ngadalësoi hapat dhe shpeshtoi ritualin njerëzor, derisa i vinte edhe keq të merrte të tjerat. Herën e fundit, që u nda vetëm, pak metra më larg, u vonua më shumë. Pasi më pa të habitur tha:
M’asht lëshu trupi!
Po ti mirë qëndrove deri tani, ç’u bë?
Shpejt e kuptova që fraza “M’asht lëshu trupi”, do të thoshte: “M’asht lëshu gjaku”. Ajo, herë pas here duhej të shqyente rroba të bardha që kishte marrë me vete copa-copa, deri sa pothuajse të linjtat u harxhuan. U desh edhe atë pjesë të nënkëmishës sime copë-copë ta ndaja. Nuk arrija të kuptoja se pse ajo hemorragji, edhe pse e dija se ajo tashmë kishte shkelë në menopauzë.
Si për inat, nga shtrati i vet ishte zgjuar ai lum gjaku, si dikur kur më solli në jetë, 19 vjet më parë. Nana tash nuk ishte ajo që e projektoja në letra, ishte një lumë gjaku, që sa më shumë gurgullonte, po aq kthehej në një burim që mund të shterrej si të kishin zanue zanat.
E pranoj, kishte të drejtë babai. Aty, te trekëndëshi ku thyhen kufijtë, që i thonë te Huni i Magjupit, u desh t’ia lija armën një luftëtari që ta çante kufirin dhe vetë i dytë, tash me Nanën në krahë, të lëshohesha andej kah Plava.
Një krismë na alarmoi, pasuan tri të tjera si shenjë alarmi. Lashë Nanën dhe u nisa për të marrë vesh nëse kishte një pritë. Shtatë djem kishin provuar ta thyenin kufirin, nuk kishin mundur. Njëri prej tyre kishte mbetur në vend. Vëllai i tij, nga dhimbja kishte zbrazur pushkën përpjetë. U ktheva te turma, ku Nana kishte harruar veten. Të gjithë ia plasën përiheri:
-A u plagose, a?!
Këmisha ime, nga fundjaka e deri në fund të shpatullës, ishte skuqur. Ma zhveshën këmishën, më panë nga të gjitha anët dhe nuk gjetën plagë. Ishte gjaku i Nanës që kishte marrë trajtë zemre që pikon. Nuk kisha këmishë tjetër. Dhe, ajo që më shqetësoi më shumë ishte se nuk kishin nga të binim pa rënë në postbllokun, siç thoshin disa, të forcave policore malazeze. Në fakt, ky nuk ishte postbllok, ishte një rrethim i hekurt ushtarak, ku përgatitej të bëhej një plojë e madhe.
Në rrethim që zgjati tri ditë e net, kur reflektorët binin syve dhe i jepnin shkëlqim shiut, te Nana sollën mjekun e Martinajve, i cili nëpër duar endi ca bishta lugësh, fasha, pastaj Nana nisi të këndellej. Unë më nuk isha heroi, as s’kish s’i të isha. Nana tashmë filloi të luante heroinën. Bundozherët ushtarakë nisën të gërryenin bjeshkën dhe të çelnin malin, u tha se po e hapnin një varr masiv. Shtoja kësaj edhe përpjekjen për t’i ndarë meshkujt nga femrat. Nana shpiku një ide. Diku nga fundi, nxori një cohë të skuqur prej gjaku dhe duke u mbajtur për mua si në fillim, sikur nuk mund t’i ndërronte hapat, iu afruam lumit të ftohtë si për ta larë. Ngadalë lëvizte nga një hap bregut të tij me duar në ujë, deri sa në mes ushtarëve dhe nesh, u fut një tubë thuprash rakite.
-Ik, pshto, se me ne nuk kanë punë!
U hodha në lumë, siç kishin bërë dhe disa të tjerë një natë më parë. Derisa përplasesha sa në një shkëmb, në tjetrin, më dukej se po lundroja nëpër gjakun e Nanës, ndaj me të kapur bregun e parë, sërish vendosa të kthehem në rrethimin e hekurt. Ajo, nga habia, veç që nuk më tha: “Për ty, biro, i prefsha floktë!”
Dhe për herë të parë fati ishte në anën time. Me Nanën përdore, si pelegrinë të vonuar, iu ngjitëm shkëmbores së Vërmoshit. 
Gjaku i tharë në këmishë e pjesa e madhe që më rridhte ndër vena, e bënte të veten. 
Më bëhej se edhe shtatë bjeshkë mund t’i kaloja, pasha gjinin e gjakun e Nanës!
.
Marre nga muri i FB i Agron Gashit, 15 Maj 2021 
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.