back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

“Isha e lumtur për diferencën time…” – nga Alba Kepi

Gazeta

Alba Kepi - Dasma Tiranase
Alba Kepi – Dasma Tiranase

“Isha e lumtur për diferencën time…”

nga Alba Kepi

Mes meje dhe të gjithë anëtarëve të familjes time
nuk ekzistonte një gënjeshtër e zbukuruar. 
Historia jonë qe historia e qytetit tim. 
E njihnin të gjithë e askush nuk fliste.
Alba Kepi
.
Nuk harroj fëmijërinë e kaluar në shtëpinë time të lindjes, një apartament në një ndërtesë të njohur si “pallati i tironsave” apo “pallati i Alimehmetëve”, ku pothuajse të gjithë banorët kishin lidhje gjaku, krushqie apo miqësie me njëri-tjetrin. 
Ishin transferuar aty pasi sistemi komunist, u kishte konfiskuar troje, prona, pasuri e shtëpi. Në ato vite të ftohta kallkan, nona ime (gjyshja nga babi) më përshkruante çdo natë ornamentet gjeometrike të rozetave që zbukuronin dikur dhomën e saj të gjumit, prej nga ku varej një ambazhur i rëndë, i larë i gjithi me flori. 
Ndërsa mbi krye vështroja tavanin e suvatuar me gunga, nga ku bënte hije një llamarinë që mbulonte dritat, ndoshta e prodhuar nga ndëmarrja “Konsumi i gjerë”. Dëgjoja nonën që fliste: “…në të gjitha odat e vilës së modhe kishte shandona të larë me ar. Të gjitha të bleme n’Itali, e ai mo i bukri ishte te dhoma e gjumit!” 
Kujtonte sofrat e shtruara të dielave me hollësitë kulinare të një dreke të mirë tironse, pritjet me miqtë e pamungueshëm të familjes në halle e gëzime, bisedat e gjata deri në të gdhime. Nona ime fliste ngadalë e çdo fjalë rëndonte peshën e një malli për çdo send të asaj shtëpie. Ndjeja se i mungonte shumë. Më mungonte dhe mua dhe pse nuk e kisha parë kurrë atë ndërtesë. Sa herë binte rruga për t’i kaluar pranë, im atë gjente gjithmonë një arsye për ta evituar. Hapat i rralloheshin, ndalej e kujtohej se duhet të shkonim diku nga ana tjetër. Vila e madhe e shumëkatëshe, që për fat, vazhdon të mbahet në këmbë ende sot, është dëshmia e arkitekturës moderne në një mëhalle të vjetër tironse, që sfidon shumëkatëshat që i rrijnë përbri. 
Munda ta shikoj për herë të parë pas viteve ’90, kur më në fund ish sekretari i Partisë e familja e tij vendosi të largohej e të blejë një shtëpi të tij. Komiteti komunist i lagjes në emër të popullit, fillimisht i kishin dëbuar familjarët e mi nga vila e madhe, duke e zhvendosur pranë dy vilat më të vogla që i zotëronim po përbri saj. Por nuk zgjati shumë e ia konfiskuan dhe këto shtëpi duke i internuar diku në një perfieri të humbur të Tiranës së dikurshme. 
Tavoni i asaj shpie ku na degdisën, tregon nona ime, qe pa suva fare, nëpër cepa pikonte çika duke e fut gjithë shiun mrena. Nji poç i lidh me i fije teli hidhte dritë sa me pa njoni-tjetrin…”
Në pronat tona, për gati gjysmë shekulli jetoi sekretari i partisë, i plotëfuqishmi i lagjes me fëmijët e tij, e pasardhësit e pasardhësve të tyre deri pas ’90. Kjo dhimbje të çponte gjoksin dalëngadalë e çdo ditë. Kaloje pranë asaj rrugice e shihje portën e madhe të një vile trekatëshe ku ke lindur, apo dhe të dy shtëpive përbri, ku ke kaluar orë e ditë të jetës, dhe e kisha te ndaluar të hyje! 
Po dhe kur qëndroje një copë herë për ta parë nga larg e ç’mallje kujtimet, dhimbja shkelte gjoksin e zemra rrihte me ritmin e dridhjeve të mjekrës. Eh… E shihje se dikush tjetër që nuk je ti, po i ngjiste shkallët për të hyrë aty në odën tënde në katin e dytë apo një hije e dytë në odën poshtë po zhurmonte me çekiç o po shembte një mur…
Tirana e vitit 1927
Tirana e vitit 1927

*** 

Sytë e nonës mbusheshin me lot kur rrëfente për oborrin e dikurshëm, për shatërvanin në qendër të tij, i punuar i gjithë me “xhixha”, siç i thoshte ajo gurëve mozaikë shumëngjyrësh të ardhur enkas nga Italia. 
Çdo familje tiranse ka një lidhje speciale me oborrin e kopshtin. Qe pjesa më e bukur e shtëpisë e i kushtohej një kujdes i veçantë si në mirëmbajtje ashtu dhe në hijeshin e tij. Unë nuk pata fatin ta shijoja një oborr të tillë!
Ai apartament tek Pallati i tironsave, ka mbërthyer përjetë në memorien time, praninë e makinës qepëse Singer në një cep dhome. Ishte mbi 100 vjeçare e nona ime e kishte trashëguar qysh në pajë. Ky objekt i lashtë qe kthyer në mjet mbijetese për të përballuar hallet e një gruaje e të një nënë me tre fëmijë që për 12 vjet rresht me burrin në burg nën akuzën “kulak e armik i popullit”, garantonte dinjitetin familjes. Funksioni fisnik i këtij objekti trashëgohej sa herë që anëtarët meshkujt të familjes time të madhe dënoheshin me rradhë për të vetmin faj; “si pinjoll e trashëgimtarë të një dere me emër të qytetit”.
Unë flisja me makinën Singer, ishte mikesha ime më e mirë. E mësova shpejt ta përdorja pa më ndihmuar askush. Që as 6 vjeçe qe kthyer në këndin tim të lojrave, me zhurmën e saj të moçme që nuk stononte kurrë nga ritmi i shtruar, plot peshë i zakoneve të shtëpisë.
Mes dy minereve (divanëve) te dhoma e ndjenjes qe pozicionuar një sënduk druri që nuk hapej pothuajse kurrrë. Brenda tij qe mbyllur kostumi i martesës së nonës (gjyshes) i tëri i qëndisur me ar, të cilin e kish punuar me duart e veta. Qëndroi jo gjatë në atë arkë që kundërmonte aromën e pemëve të kopshtit, pasi u shit për të martuar me pajë e dasëm gocat e shtëpisë. 
Sido që të ishte gjendja ekonomike e familjes, (e detyruar dhe e kushtëzuar në ato vite nga grabitja e vjedhja e sistemit komunist) sidomos kur bëhej fjalë për një derë e xhins me emër, e bija e shtëpisë duhej të dilte nuse më të gjitha të mirat e mundshme që nëna e baba kishin ëndërruar për të. Herën e fundit që e pashë hapur atë sënduk druri me shijen e frutave e luleve të oborrit, qe kur gratë e shtëpisë sime më rrëfenin mbi rolin e virtytet e veshjes që një vajzë e grua tiranse duhej t’ia dinte vlerën. Vajza, bija e shtëpisë, nusja e ardhshme në një derë të sojit të saj, edukohej të kujdesej për prezantimin e paraqitjen sa më të mirë para burrit, familjes, të afërmëve e miqve që e nderonin. Rrobat e drekës, rrobat e pazarit, rrobat e rasteve, e qokave, rrobat e dasmës etj, ndiqnin një protokoll kulture, elegance, kombinimi e pastërtie që sot do ja kishin zili dhe maison-net më të mëdha të modës.
Mënyra e veshjes, mënyra e sjelljes, mënyra e përshëndetjes, mënyra e mikpritjes dhe e respektit, evidentonin si në vajzëri ashtu dhe në nusëri, kulturën e bukurinë morale e fizike të bijes tiranse e nderonin fisin që i përkiste.
Nga ai sunduk jete, mbështjellë me letër kalk për t’i rezistuar kohës, u shfaqën si në një llambë magjike, rrobat e dikurshme të drekës, me të gjitha nuancat e ngjyrës së detit. Pëlhura, qepja, eleganca, thjeshtësia, shndërronin në hyjni mitologjike çdo femër që i vishte. Shprehja se në botë nuk ka femër të shëmtuar, por një femër të veshur e të kombinuar keq, mendoj se ka gjetur shpërthimin e mendimit ndoshta duke parë nje veshje të tillë.
.
Tirana e Viteve '30
Tirana e Viteve ’30

***

Pallati i tironsve, ndërtuar nga të burgosurit e kohës së atij regjimi, jetonte ditët e tij i izoluar nga jeta socialiste e aktivizmi revolucionare i frontit të lagjes. 
Askush nga banorët e tij nuk ishte i mirëpritur në mbledhjet e Partisë dhe pse veç për ta flitje e diskutohej cdo javë. Dhe kur aksionet për ndërtimin e “Shqipërisë së lumtur” apo alarmet për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore të armiqve kapitaliste i detyronin t’u bashkoheshin pjesës tjetër të banorëve të lagjes, duke u fshehur në ato rifuxhet e ndërtuara me dhè e beton mes lagjesh, ata tironsit e pallatit të të burgosurve, nuk përziheshin me askush, por në heshtje mbështeteshin e kuptoheshin sy më sy njëri-tjetri.
U rrita me koshiencën e diferencës mes “atyre” dhe “neve”, por kurrë me ndjenjën e inferioritet që vetëm kush e kish nisur jetën në shtëpi e realitete te vjedhura mendonte se e kisha. 
Isha e lumtur për diferencën time. 
Ndjehesha rehat me vërtetësinë e këtij diversiteti. 
Isha e bindur se sado të thellohej e të rëndonte në jetën time, nuk do e kisha ndërruar kurrë për atë realitet të “atyre”. 
Mes meje dhe të gjithë anëtarëve të familjes time nuk ekzistonte një gënjeshtër e zbukuruar. Historia jonë qe historia e qytetit tim. E njihnin të gjithë e askush nuk fliste.
.
Pjesë nga libri “Dasma Tiranse”
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.