back to top
23.5 C
Tirana
E enjte, 16 Maj, 2024

Poezia Shqipe në Mantovan e Virgjilit Jozef Radi

(2003)

Gazeta

Mantova 2006 Qirxidhi, Lubonja, Radi, Hajdari
Mantova 2006 Qirxidhi, Lubonja, Radi, Hajdari

Poezia Shqipe në Mantovan e Virgjilit nga Jozef Radi



Midis shkrimtarësh në kryeqytetin e letrave…

(Poeti shqiptar Gëzim Hajdari, fitues i disa çmimeve letrare, jeton në qytetin e Frozinones në Itali, prej vitit 1991)



Për më shumë se pesë ditë, në qytetin e Virgjilit, në Mantova, u zhvillua takimi tashmë i përvitshëm i Festivalit të Leteraturës. Midis njiqind emrave të njohur nga bota dhe Italia, ajo cka i jepte një shije të vecantë takimit të sivjetëm, ishte pjesëmarrja e një poeti shqiptar, Gëzim Hajdari, i cili prej mëse njëmbëdhjëtë vitesh jeton dhe shkruan në Itali, duke arrritur të vlerësohet jo vetëm me cmime të ndryshme për veprën e tij, por edhe të cilësohet nga organizuesit e festivalit si… nji ndër poetët më të mirë që vazhdojnë të shkruajnë… një vlerësim superlativ po të kihet parasysh se vetëm në festivalin e sivjetëm të Mantovës ishin me dhjetra poetët e ftuar, e që një frazë e tillë nuk i qe rezervuar askujt tjetër, vec poetit shqiptar… Para fillimit të takimit, në sheshin e kishës Casa della Beata Osanna, ishim bashkë me Hajdarin dhe shkrimtarin arbëresh Carmine Abate, i ftuar edhe ai në këtë festival. Biseda qe e këndëshme. Abate me atë natyrën e tij ekspresive, gjente njëmijë motive për t’i dhënë alegri bisedës, e që me atë entuziazmin e tij karakteristik u shpreh se “pjesëmarrja e poetit Hajdari në këtë manifestim ishte një sukses i jashtëzakonshëm për të”, gjë që e cila u vlerësua prej tij dyfish kur Roberto Cerrati, një nga figurat më me emër të Enaudit-Botues, na erdhi mes nesh, na përshëndeti dhe ftoi Hajdarin në një bisedë kokë më kokë lidhur me përmbledhjen poetike “Dhimbje Hëne” që shpresohet të dalë së shpejti prej asaj shtëpie botuese.

Tinguj të poezisë shqipe, ku mungojnë dëgjuesit e saj…
Në takimin e Mantovës Hajdari shoqërohej nga nji tjetër poet i njohur Luigi Manzi. Në nji mjedis tejet konfidencial, ku interesesi e kishte kapërcyer dukshëm numrin e karrigeve të mjedisit, u bë prezantimi i poetit dhe një përshkrim i ngjeshur dhe i saktë i flurudhës së jetës dhe veprës së poetit, i cili tashmë e ka konsoliduar përfundimisht artin e fjalës, edhe përmes përmbledhjeve të shumta poetike të shkruara në dy gjuhë…
Prezantimi i Manzit nisi me fjalët “Me poetin Hajdari tashmë jemi miq prej shumë kohësh… e kuptoj që e vërteta e poezisë së tij ndoshta s’mund t’i kënaqë akademikët… E kam njohur kët djalosh me pamjen të nji bariu sard, kur ai sapo kishte braktisur atdheun… Stima ndaj tij bëri, që të rritesh njiherësh poezia e të dyve… Poeti nuk vuan nga braktisja e atdheut, sepse ai di ta krijojë atë… Qe i pari Dario Belleza, poeti i jashtzakonshëm, që me intuitë të hollë prej artisti të madh, e ndjeu thelbin e poezinë e Hajdarit dhe shpreu idenë se… “Poezia e tij ka nji lidhje të fortë midis fjalës dhe ndjenjës…” duke e gjetur të motivuar krahasimin e tij me Ungarettin…
Kur lexova për së pari vargjet e poetit Hajdari, më ranë si gurë të rëndë në shpirt… Një poezi që e tejkalonte përfytyrimin e dhimbjes sime… Këtu do të lexoj disa prej krijimeve të tij në italisht, kurse Ai vetë do t’i lexojë në shqip… Sepse leximi i poezisë aq shumë i ngjan një meshe laike… Dhe ai nisi të lexojë pjesë të zgjedhura nga libra të ndryshëm të Hajdarit, ndërsa Hajdari e lexonte dhimbjen e vargut të vet në gjuhën shqipe…
M’u duk e pabesueshme… Në oborrin e nji kishe mesjetare, në nji vend të huaj, ku shqiptarë ishin vetëm unë dhe poeti, (më pas u bëmë tre e nga fundi tre e gjysëm). O zot… Po i lexohej shqip nji auditori ku askush s’e kuptonte atë… E ndërsa lexohej, nën grabitjen e asaj salle të hapur, në dy gjuhë, nuk pata asnji dëshire të merresha me kontekstin e asaj çka thuhej. Po dëgjoja edhe unë vetëm muzikalitetin gjuhësor të atyre dy gjuhëve që Hajdari i kish zgjedhur për të artikuluar krejt botën e ndjenjave të veta.
Nuk e di pse, shqipja s’mu duk aq e vrazhdë dhe vuajtja e poetit brenda asaj fjale bëhej edhe më e madhe… edhe më e thellë. Ndiqja me vëmendje çdo reagim të auditorit. Kërkoja ndonji paragjykim për gjuhën shqipe, siç ndodh rëndom me njerëzit e atij vendi.
Por, asgjë… asgjë… përkundrazi, ajo heshtja e plotë dhe e thellë… më kish përpirë… më shkundën vetëm duartrokitjet e shumta… Isha i vetmi që duhet ta dëshmoja kët të vërtetë, sepse askush nga ambasada, as nga përfaqësia e kulturës, askush nga shtypi apo gazetat e shumta që botohen në Shqipëri, po as nga bashkatdhetarët e shumtë që jetonin aty në qytet e që mund t’i ndeshje pa shumë vështirësi rrugëve, s’ishin të pranishëm në at sukses entuziazmues të nji bashatdhetari të tyre… Vetëm një vajzë studente në sociologji, cila prej trembëdhjetë vitesh jetonte në Mantova, e që aq bukur e fliste dialektin e qytetit, ndodhesh aty, por edhe ajo e kish mjaft të vështirë komunikimin me gjuhë e vendit prej nga vinte…
Aty pashë sa kokforte qe përpjekja e poetit Hajdari për të kapërcyer paragjykimet e kohës, duke zgjedhur edhe fjalën shqipe si mjet komunikimi në nji auditor që s’kuptonte asgjë veç muzikalitetit të gjuhës dhe nji dëshmi të poetit jo si vetvete, po si pjesë e bashkombasve të vet.
Koha e bisedës e kishte kapërcyer limitin e caktuar për atë takim, në tavolinën ku ishin ekspozuar librat e Hajdarit ishte e vështire të gjeje qoftë edhe një kopje të vetme, radha e marrjes së autografëve ishte e pafund. Dhe ndërsa dilnim nga mjedisi i takimit nji nga gratë e shërbimit i afroi poetit nji bardhak me zinzife, duke e falenderuar ai tha se. “asgjë tjetër s’më kujton më shumë fëmininë dhe vendlindjen se sa kjo dhuratë simbolike…
Bota Shqiptare 3-16 tetor 2003

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.