back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 16 Maj, 2024

Po me Oso Kukën e me malësorët çka kini?! – nga Frank Shkreli

Gazeta

Frank Shkreli - Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Frank Shkreli – Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Po me Oso Kukën e me malësorët çka kini?!

nga Frank Shkreli

Diskursi i pagdhendur politik ndër-shqiptar i javës që kaloi ishte i pa-precedentë në shumë pikëpamje dhe i shëmtuar gjithashtu për vet faktin se si mund të kishte një komunikim të tillë midis shqiptarësh. Tallje me heroizmin e Oso Kukës dhe ofendim i malësorëve. Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, Kryeministri i Shqipërisë u tall me heroizmin e Oso Kukës dhe nga Prishtina, Deputeti i Kosovës, Xhavit Haliti duke komentuar – në një intervistë televizive – në lidhje me mos-takimin e Kryemistrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti me Kryeminisitrin e Shqipërisë, Edi Rama – u shpreh pak a shumë se vendimi i Kurtit për të mos u takuar me Kryeministrin Rama – ishte një reagim prej “malësori”, sipas parlamentarit të njohur të Kosovës. Unë nuk e di se çfarë kishte ndërmend Haliti me “reagim prej malësori”, por dua t’i sjellë në kujtesë parlamentarit të Kosovës se në fillim të ‘80-ave, ishin pikërisht këta “malësorë” me reagimin e tyre prej “malësori”, që ishin në krye të demonstratave anti-serbo-jugosllave nëpër rrugët e Washingtonit, para Kongresit e Shtëpisë së Bardhë, për të kundërshtuar politikat gjenocidale anti-shqiptare sllave në Kosovë. Këtë fakt e vërtetoi edhe patrioti i madh shqiptaro-amerikan, Xhim Xhema në një fjalim, shkurtin që kaloi në Prishtinë, me rastin e 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës – parlamentar i të cilës është sot Haliti me shokë. Malësorët shqiptaro-amerikanë nuk duan as nuk presin ndonjë shpërblim për këtë, sepse ua kanë lenë amanet të parët si detyrim për të mbrojtur trojet. Por, shqiptaro-amerikanët, në tërësi dhe malësorët në veçanti nuk presin ofendime për veprimtarinë e tyre patriotiko-historike në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në fund të shekullit të kaluar, sidomos këtu në Amerikë. Jo vetëm nepër rrugët e qyteteve amerikane, por edhe nepër korridoret e diplomacisë dhe në zyrat e niveleve më të larta qeveritare të Shteteve të Bashkuara, ishin shqiptarët nga trojet shqiptare nën Mal të Zi, ata që u prinin demonstratave anti-jugosllave në Washington. Mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë në fund të shekullit të kaluar ishte një reagim normal “prej malësori”, e këtij komuniteti, sidomos në Nju Jork dhe në Detroit. Prej malësorëve, sidomos atyre në Amerikë, vetëm të mira ka parë Kosova këto 50-vitet e fundit, I nderuar Haliti…

Xhevat Haliti duke folur në Parlamentin e Kosovës
Xhevat Haliti duke folur në Parlamentin e Kosovës

Më duhet t’i kujtoj z. Haliti dhe brezit të tij se kur malësorët e komunitetit shqiptaro-amerikan – në krye me udhëheqës të këtij komuniteti, si patrioti Xhim Xhema, demonstronin për të siguruar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për çeshtjen e Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë Ballkanit Perëndimor, brezi i tij në Kosovë, i kishte kthyer sytë dhe të gjitha shpresat për zgjidhjen e çeshtjes së Kosovës, tek regjimi i Enver Hoxhës.
Unë nuk dëshiroj të polemizoj me askënd, e sidomos jo me personalitete të larta shqiptare, pasi fatbardhësisht, përpiqem të mos jetoj në botën e tyre të mendimit politik. Por, këto dy raste të javës që kaloi, tregojnë se sa e pa informuar (ose Zot ruajna sa e djallëzuar) është bota shqiptare sot përballë historisë së vërtetë të një pjese të Shqipërisë e të shqiptarëve, pikërisht për arsye të historiografisë sllavo-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës që gjithnjë, zyrtarisht dominon dhe që refuzohet të korrektohet, më shumë se tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit.
Sidoqoftë, nëse dikush dëshiron të dij se kush ishte Oso Kuka dhe cili ishte heroizmi i tij, por edhe për rolin e malësorve dhe reagimet e tyre “prej malësori”, siç u shpreh deputeti Haliti – u ftoj të lexoni Lahutën e Malësisë të Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishtës, vepër homerike e Kombit Shqiptar. Aty Gjergj Fishta i ka kushtuar 5 vjershat e para të Lahutës, pikërisht Oso Kukës dhe Vraninës, por edhe rolit dhe luftërave të malësorëve gjatë historisë në mbrojtje të Shqipërisë dhe të Kosovës gjatë shekujve.

Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Malit të Zi
Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Malit të Zi

Dihet se një shumicë e politikanëve aktualë shqiptarë, anë e mbanë trojeve shqiptare, janë edukuar në frymën ideologjike enveriste, sllavo-aziatiko-komuniste – një frymë kjo që mbizotëron, në përgjithësi, edhe sot politikën dhe kulturën shqiptare, për fat të keq. Në trojet tona nën komunizëm pas Luftës së Dytë Botërore, Gjergj Fishta dhe Lahuta e Malëcisë ishin të ndaluar rreptësisht. Për më tepër, po t’përmendesh Fishta në komunizëm, njerzit e pësonin keq, në të dy anët e kufirit shqiptar. Siç tregojnë edhe komentet plot mllef, inate e tallje të javës që kaloi, antagonizmat ndaj At Gjergj Fishtës janë aq të theksuara ende në botën shqiptare, sa që të bindin se sa e efektshme paska qenë propaganda sllavo-komuniste gjysëm shekullore kundër tij, e që ende vazhdon sot, ndonëse me mënyra të tjera më të sofistikuara.
Si lexues i rregullt i Lahutës së Malcisë të At Gjergj Fishtës, bashkohem sinqerisht me At Danjel Gjeçajn – botuesin e Lahutës së Malsisë në vitin 1958, duke u bërë thirrje bashkatdhetarve kudo, e sidomos politikanëve aktualë: “Lexoje me dashni Lahutën… Shfletoje me kujdes Lahutën e Homerit të kombit tand… Ndigjoje me vemendje Fishtën dhe fletët e Lahutës… Studjoje me peshim Lahutën dhe më në fund, Ruaje Lahutën sepse është ma fort e jotja se e Fishtës”, ka këshilluar At Daniel Gjeçaj.
Sepse, “Bërthama dhe thelbi i nji kombi” nuk shuhen për derisa nga shqiptarët të këndohet Lahuta, për derisa nga ata të ndiqet heroizmi i Oso Kukës dhe urtija e Marash Ucit, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Drangojve legjendarë në Bigë të Shalës, fytyrat historike në Rrzhanicë… dashunija e vetmohimi i Pater Gjonit, guximi e burrnia e Ded Gjo Lulit, fisnikia e virtyti burrënor i Tringës…”, ka porositur ai. Vet At Gjergj Fishta ishte i bindur se në veprën e tij, ai i kishte lënë Kombit të vet një “Pomendore”:

“Veç se po moj Zanë Shqyptare/ Krah m’krah bashk na tue këndue
Ndërtue kemi ì pomendore/ Rrfe as mot mos m’e dërmue”.

Rrfeja as moti, ndoshta jo nuk e dërmojnë Lahutën e Gjergj Fishtës as protagonistët e saj të Kombit, por shqiptarët vet po e “dërmojnë”, duke mos e përfillur, duke e tallur e duke e injoruar. Po “dërmohet” nga ata që nuk dinë se në Lahutë, gjenden fatet e kombit se Lahuta Malësisë pasqyron historinë e shqiptarëve, pa të cilën nuk mund të shkruhet as historia e kombit. Për më tepër, Lahuta është shtylla e traditave kombëtare pa të cilat, eskpertë të ndryshëm janë shprehur se nuk se mund të realizohet një qytetërim i përparuar shqiptar, as një zhvillim dhe shtet-ndërtim modern – në përpjekjet shekullore të shqiptarëve për t’u bërë pjesë e botës, në të cilën jetojmë.
Traditat e trashëguara stërgjyshore, aq mjeshtërisht të gërshetuara në Lahutë, si nderi, besa, burrënia dhe mikpritja, jo vetëm që nderojnë emrin shqiptar ndër shekuj, por ato radhisin shqiptarët në rendin e kombeve më të përparuara të botës.

Gjergj Fishta dhe Lahuta e Malcis
Gjergj Fishta dhe Lahuta e Malcis

Në Lahutën e Malëcisë, At Gjergj Fishta, nëpërmjet protagonistëve të Lahutës, i këndon popullit shqiptar, nderit dhe lirisë së fisit e të Kombit. Vazhdon të jetë një burim i pashterrshëm atdhedashurie, trimërie dhe vlerash kombëtare – që aq shumë mungojnë sot ndër shqiptarët – por edhe një vepër që sipas At Danjel Gjeçajt – redaktorit të Botimit të dytë të Lahutës së Malcis në Romë, në vitin 1958 – “Përtërinë fuqitë e ligshtueme t’ushtarëve të lodhun, naltëson moralin e ramë, shton uzdajën në fitoren vendimtare, përforcon dashuninë për Atdhe, ngjall heroizmin dhe trimënon zemrat e molisuna”.
Lahuta e Malcisë është epopeja kombëtare, “pomendarja”, nga e cila mund të mësojnë shumë politikanët e sotëm shqiptarë – sidomos sa i përket atdhedashurisë – është një përmendore e përjetshme që do të kujtohet brez pas brezi, sepse ajo ka dalë nga vet populli, pa marrë parasysh trajtimin antikombëtar të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj At Gjergj Fishtës, por edhe përball talljeve të kohëve tona me protagonistët kryesorë të Lahutës së Malësisë dhe rolit të malësorëve në historinë e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Megjithë talljet me protagonistë të Lahutës së Malësisë dhe të rolit të malësorëve ditët e fundit nga politikanë të Prishtinës e Tiranës, Gjergj Fishta, atëherë dhe sot, prapseprap, u bën thirrje shqiptarëve e sidomos liderëve të tij, të ndjekin shembullën e heroizmit të kreshnikut shqiptar Oso Kuka e të vdesin si ai, para se të lejojnë copëtimin e vendit.
Çdo komb tjetër do të krenohej me At Gjergj Fishtën, dhe protagonistët e veprës së tij si Oso Kuka dhe malësorët, por jo klasa e sotme politike shqiptare në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Megjithkëtë, Lahuta e Fishtës mbetet si gurrë vlerash kombëtare që dalin nga toka dhe nga zemra shqiptare, një burim që nuk shterret kurrë, një burim i pashterrshëm vlerash që mbeten për t’u zbukuruar nga brezat, megjithë përpjekjet mizore për të minimizuar vlerat e veprës së tij – për të mos thënë përpjekjet zyrtare aktive çoroditëse për ta zhdukur veprën dhe influencën e Gjergj Fishtës në Atdhe.
Indiferenca zyrtare politike, akademike dhe historike ndaj At Gjergj Fishtës është një nënçmim, një tallje dhe dhunim ndaj historisë së Kombit. Çonju të Vdekur. Zgjohu Gjergj Fishta. Megjithkëtë, mos vajto ma Lahutë, por këndo:

Paja Jovanoviç - Luftëtari malsor
Paja Jovanoviç – Luftëtari malsor

“Merr Kaçel njiherë lahutën/ E na e thuej nji kangë shqyptare
S’mbajmë na zi pa na qitë fare!”

Shqipëria, Kosova dhe Kombi shqiptar duhet të shpëtohen, patjetër, megjithëse sot ushtarët e At Gjergj Fishtës dhe protagonistët e Lahutës së Malësisë janë të pakët në numër!
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.