12.5 C
Tirana
E premte, 1 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Përrallia e Ekrem Vlorës… – Pjesë nga libri me kujtime i Ago Agaj “Lufta e Vlorës”

on

|

views

and

comments

Eqerem bej Vlora
Eqerem bej Vlora

Përrallia e Ekrem Vlorës

Pjesë nga libri me kujtime i Ago Agaj “Lufta e Vlorës”

Përveç të dy Qazimëve të gjithë kryetarët e tjerë nuk e quanin të plotë veprën e pajtimit, të afrimit të nevojshëm për një vendim të rëndë dhe përfundimtar pa pasur dhe Oxhakun e Vlorës me vete. Hieja e Ismail Qemalit ishte edhe e gjallë edhe i përcillte kudo këta apostujt e tij, këngët e tij valonin kudo në popull e përdita, dhe e ngjallnin kujtimin e tij aq fort sa një vazhdim i vepërës të të vdekurit të math pa një përfaqësonjës të Familjes tij, u dukej jo vetëm e pa përsosur por edhe drejt për drejt e shëmtuar. Nga të bijtë e Ismail Beut nuk shpresohej gjë, por ndodheshin dy të tjerë që ishin njohur mirë me fshatarët se kishin luftuar në të shkuarën krah për krah me ta: Ekrem Vlora kish komanduar fuqitë e Vlorës kundër Grekëve dhe Nuredin Vlora, sado që fare i ri, kish luftuar me trimëri të jashtëzakonëshme kundër rebelëve dhe nderohej prej të gjithëve për këtë shkak. Nuredini nuk ndodhej në Shqipëri po Ekremi ish në Vlorë dhe duhej vënë në dije, duhej ftuar. Ky vendim u pranua prej të gjithëve dhe Abas Mezini e Ali Beqiri, e nuk di për ç’arësye edhe unë, u ngarkuam të piqeshim me Ekrem Bejnë dhe në shtëpin e re të tijnë e jo në sarajet e familjes që ishin lënë pas dore që atëherë e, më vonë, i bleu Bashkia e Vlorës e i transformoi në Lulishte popullore, duke mos respektuar as Ballkonin prej të cilit u shpalos për herë të parë Flamuri i Skënderit pas katërqint e ca vjetve robëri, (gjë që nuk ja fala kurrë Qazim Kokoshit), e gjetmë Ekrem Bejnë pakëz të pamundur dhe u ulëm rreth shtratit të tij. Abas Mezini, më plaku e më i vuari i paris së qytetit e të Kazasë, kish trup e fytyrë të thatë por gjallëri të rrallë e fjalë të rrjedhëshme duke shkuar drejt qëllimit pa ceremoni e lajka. Në kohën e Ismail Beut kish qënë dora e djathët e këtij në tërë punët administrative dhe kish pasur raste të shumta të piqej, të njihej e të afrohej me Ekrem Bejnë. Jeta e gjatë e tij e pa njollë si në pjesën private ashtu dhe në atë zyrtaren i jepnin të drejtën e një fjalës së hapët e pa drojtje. Ky, pas pyetjeve të zakonëshme mbi gjendjen, sëmundjen dhe masat që ishin marrë kundër saj prej Ekrem Beut, filloi menjëherë t’i përshkruante gjendjen shpirtërore të Kazasë, mendimet e vendimet e saj dhe nuk la dyshim mbi ngjarjet e rënda që pregatiteshin për t’i shpëtuar zgjedhës së huaj. Ekrem Beu, pasi dëgjoi me vëmëndje të veçantë, lëshoi mënjanë një qën (fox terrier) të rracës më të mirë, të cilin gjer ahere e fërkonte, u ngre pakë më lart në jatak dhe u përgjeq: “Kam qënë gjithënjë i mendimit se na nuk jemi të pregatitur për pamvarësi dhe prova u dha në kohën e qeverisë së Ismail Beut. Zotrote, Abas efendi me gjithë moshën që të rëndon mi supe, u shtërngove të marrje dhjetë nëpunësira përsipër, se nuk keshëm mjaft njërës të mësuar si çe donte puna, nga kjo mungesë u shkakëtuan pengime, ngatrresa, e dëme të shumta dhe Zotëria jote e di se ç’ke vuar. Për të ngrehur një shtet duhen shumë gjëra të cilat jo vetëm na mungojën por nuk ua dimë as edhe emrin. Themelet e një shteti janë: Arësimi, Mbrojtja, Shëndëtësia, Bujqësia, Komunikacioni, Financë e Administratë etj., që nuk është nevojë t’i përmëndëm. Na s’kemi asnjë profesor, asnjë mësonjës, asnjë inxhinjer, e fare pakë mjekë. Administratorët që kemi nuk dinë gjuhën shqipe gjithashtu dhe gjykatësit dhe kadilerët. Si do t’i bëjmë ballë, si do të ngrëmë një barrë të tillën që siell me vete pavarësia jonë? Jeshë i mendimit, lashtë, se Imperi Austro-Hungar, pasi të fitonte luftën, do të na merrte në gji të tij, do të stërviteshim, do të kulturoheshim dhe pas ca kohe kur të ndaheshin tërë popujt që përbënin atë Imper, do të jeshëm dhe na në gjendje të krijonim një shtet më vete. Austro-Hungaria kish dhëne prova se dinte të qeverriste e të lartësonte popujt e vegjël. Ajo donte ta ngjallte ndjenjën tonë kombetarë dhe në fenë e zakonet tona nuk përzihej. Ç’donim më tepër? Mirëpo kjo qe një ënderr dhe për këtë ëndërr Italianët më syrgjynosën për kaq vjet në një vënd të humbur të tyre. Kam pak kohë që jam kthyer në shtëpinë time dhe në këtë kohë kam menduar shumë dhe nuk gjëj udhë tjetër veçse t’i përulemi fatit aq kohë sa të kemi pregatitur njërëz të mësuar e të stërvitur në çdo degë, të jemi lartësuar në kulturë dhe kur ta ndiejëm veten të fortë do të gjëjëm shteg të shkëputemi prej ltalisë.
Ali Beqiri ja priti menjëherë: “Sa të bënet djali im bej, yti është bërë pasha…”

Dr. Rexhep Krasniqi, Prof. Vasil Allarupi, inxh. Ago Agaj...
Dr. Rexhep Krasniqi, Prof. Vasil Allarupi, inxh. Ago Agaj…

Ekrem Beu nuk e kuptoi këtë romuz (alegori) të Aliut dhe unë, i stërvitur prej njëj viti me mënyrat alegorike të foljes së Aliut, i thashë:
“Ali efendiu do të thotë se sado që të përparojëm e të forcohemi na, përpjestimi i fuqive do të jetë po i njëjti siç është sot pasi dhe Italianët do të përparojën e do të forcohen, mase dhe në një masë më të madhe e me një rythmë më të shpejt se sa na dhe mundësia për t’u shpëtuar thonjëve të tyre per neve ndoshta do të jetë edhe më e vogël se sot.”
U mendua një copë herë dhe tha: “Do t’u tregoj një përralle pasi të pimë edhe këtë kafe.”
Kafeja u pi shpejt dhe pa u shijuar fare se të tre jeshëm plot kureshtje dhe parandienim se do të ish një përgjegje negative dhe Ekrem beu filloji: “Një herë në kohëra të lashta na ish një mbret i cill endërrat i kish një më një dhe i dilnin shpejt… Ky mbret kish dhe një sadrazem (kryeministër) shumë të zgjuar dhe punët e shtetit venin mbarë, marrëveshja mes të mbretit e të popullit vazhdonte. Një natë mbretit ju shfaq një ëndërr sikur ra një shi i math me ujë të tërbuar. U mbushnë rrëke, përronj, burime e puse me atë ujë, njërëzia pinë më të dhe u tërbuan. Endërrën ja tregoji sadrazemit plot mërzi dhe duke theksuar se ëndërrat e tij vërtetoheshin shumë shpejt dhe e urdhëroi të merrte masa për t’i bërë ballë kësaj fatkeqësije. Sadrazemi, pasi u mendua pakëz, i tha: “Na do të mbushëm që përpara shiut mijëra voza e kazanë me ujë të mirë dhe do t’i futëm nëpër magazira kështu që pallati dhe ata që kanë të bëjnë me të do të jenë të siguruar. Njëkohësisht do të lajmërojmë dhe popullin që të marrë dhe ai masat e duhura.”
“Kështu tha dhe kështu bëri. Shiu ra, rrëke, përrenj, lumënj e puse u mbushnë me ujët të tij, njërëzia pinë dhe u tërbuan, pallati e njërzit e tij të afërtë mbetnë me mende në kokë dhe gëzoheshin shumë që i shpëtuan kësaj të keqje me gjithë që ishnë të dëshpëruar se populli nuk e dëgjoi këshillën e tyre. Mirëpo nuk shkuan shumë ditë dhe populli tregohesh i pakënaqur me masat, urdhërat e punërat e qeverris dhe të mbretit dhe pakënaqësia vinte duke u shtuar përditë e më shumë, kështu që nuk zgjati shumë dhe populli u mbloth përpara pallatit dhe bërtiste me të fort duke shfaqur moskënaqësinë e tyre ndaj gjithë authoritetit. Atëherë sadrazemi dolli në ballkon dhe ja shkoqiti ngjarjen popullit gjatë e gjërë dhe i këshilloi turmat e shumta të shkonin në shtëpirat e tyre e të rrinin të qetë gjersa t’u delte tërbimi. Populli, me të dëgjuar fjalën “tërbim”, u zemërua shumë dhe filloi atë çast sulmimin e pallatit. Mbreti, me të parë këtë gjëndje të rrezikëshme, i tha Sadrazemit: “Këshilla jote nuk qe e mirë, or mik, prandaj sillna sa më shpejt ujë të tërbuar.” Ujët e tërbuar u suall menjëherë në një shtëmbë të madhe, piu mbreti, i dha sadrazemit dhe atyre që ishin esëll dhe kështu u tërbuan të gjithë dhe harmonia e marrëveshja e mirë e mëparëshme u vu në vënd ndërmjet të dy palëve, fjala u gjënt dhe punët sipas mendimit tyre venin mbarë.”
Si mbaroi këtë përrallë kuptimplotë u mendua dhe një copë herë dhe tha: “Unë nuk pi ujë të tërbuar. Nuk shoh as udhë as shteg. Sikur të shihja një pikëz dritë e shpresë sado e paktë që të qe u betohem se këtë nder që më paraqitet nuk do ja lërë as Koculit, as Kokoshit e as ndonjë njeriu tjetër.”
Përgjegje e shkoqitur dhe përfundimtare, e kthjellët, e shprehur në një ton miqësor por të vendosur e me hidhërim.
U ngremë e u ndamë e shkuam na të tre duke e lënë Ekrem Bejnë vetëm. Dhe kjo ndarje qe, pa i shkuar ndërment asnjërit, një ndarje e përherëshme e Oxhakut të Vlorës nga populli se sado që më vonë Ekremi u mundua të afrohej e me gjithë popullaritetin e Nuredinit, nuk u vu më dot në vënd ai bashkëpunimi i filluar prej Ismail Qemalit. Përkundrazi pas luftës, Vlora u bë flamurtarja e antibejlerizmës, e cila alarmoi gjithë bejlerët e Shqipërisë dhe bënë një front të përbashkët kundër Vlorës, sidomos pas rrahjes së Fejzi Alizotit në Vlorë dhe vrasjes së Seri Bej Vlorës e atentatit kundër Mufid Libohovës.
Nuk u muar vesh kurrë as vrasësi as shtytësi, po është e vërtetë që Vlonjatët mbarë nuk e pëlqyen vrasjen e Serriut pasi ishte njeri i urtë, i tërhequr dhe i papërzier në asnjë çeshtje politike. Në atentatin kundër Mufid Beut, Vlora qe e pa përzier me perjashtim të disa oficerëve Vlonjatë në Gjinokastër. Sidoqoftë të gjitha ju ngarkuan Vlorës dhe si çdo flamurtar sulmohet, luftohet, dëmtohet, dhe vuan më shumë se të tjerët, po kështu dhe Vlora s’mund të bënte një përjashtim nga ky rregull i përgjithëshmë, pra pësoi dhe voi dhe ajo shumë me të drejtë e më shumë pa të drejtë.
1. Më darkë, në shtëpi të Abas Mezinit, shtruar rreth një mangalli të madh e të punuar me një mjeshtri të jashtëzakonëshme sa s’më kanë zënë më syt një të tille mangall, u shtrua dhe një herë bizeda rreth përgjegjes së Ekrem Vlorës. Mua m’u desh ta përsëritja përrallën e bisedën e tij një për një përpara të gjithëve, pa shtuar e pakësuar asgjë, siç e tregoi edhe sot. Qazim Kokoshi tregohej i kënaqur, Durua i menduar shumë, të dy Mesaplikasit (Aliu e Sherua) kishin një cilësi të përbashkët, sa më shumë gjënin pengime aq më shumë u shtohej vullneti për t’i kapërcyer, Alem Memeti u prek më shumë dhe biseda shvillohej rreth personit të Ekremit e jo më rreth përrallës tij. Durua, si gjithënjë i vinte punës në thelb, pasi preu fjalën m’u drejtua mua: “Po ti mor bir ç’mendon? Kush ka hakë Ekrem Beu apo Ali Efendiu?
Ishte e para herë që ky njeri pa fjalë të tepërta e gjithënjë serioz më bënte një pyetje të tillë qoftë më vete qoftë botërisht dhe më ra disi e papritur. Po pasi keshë tërë ditën ngè të mendoje mbi këtë problem që preokuponte të gjithë neve ju përgjegja pa përtuar: – Ekrem Beu është njëri i mënçëm e i mësuar, rritur në Evropë dhe do që dhe vëndi ynë të lartësohet e të qeverriset si ato të Evropës. Mirëpo në atë gradë na nuk arrijëm dot kurrë dhe pa hedhur na çapat e para drejt përparimit, Italia që është e varfër për vend dhe me popull të shumtë, do ta ketë mbushur vendin tonë me aq shumë Italianë sa nuk do të mundëm të marrëm as frymë. Prandaj unë i jap hakë Ali Efendiut…”
Ali Beqiri: “Abduraman Aga, Ekrem Beu do një pallat pa të unjet në të, unë dua një kasolle po ta kem t’imen e t’ua le djemve. Nashtinë thuaj ti, të bëjmë ne!”.
Duro Shaska: “Ju të gjithë e dini se më është mbushur mendja që hairi vien nga bashkimi. Jemi sot përpara një punës për të cilën do të gjykohemi në këtë e në atë jetë. Prandaj duhesh bërë çdo gjë që të bashkoheshin të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, bejlerë, agallarë, bujq e dylmerë se të gjithë kemi pjesë në këtë vënd. Këtu kemi lerë, këtu na ka bërë kuka dëng dhe këtu inshallah, do t’i kalben eshtrat si zengjinit dhe fukarait. Djemtë dhe malli janë të dhëmshur shumë dhe s’ka njeri që të ngopet me mall e me djem, por vatani qënka më i dhëmshur more vëllezër. Prandaj do të shkrijëm veten, mallin dhe – Zoti na ruajtë – edhe djemtë për këtë vatan. Me gjithë këtë duhet të përpiqemi natë e ditë që të mos na mbetet as një shteg i vogël i hapët në gardhin tonë e të mos na futet hasmi (armiku) brënda. Porta për ata që duan të vinë me neve duhet të jetë e hapur edhe në sahatin e fundit…”
Me kaq Durua e përsërijti vendimin e tij për luftë, por la një shteg hapët se mase Zoti do t’i mbushte mënden Ekrem Vlorës e do të bashkonej me të.
Me kaq u mbyll këjo çështje dhe u caktua një ditë, për të dhënë një karar (vendim) me rëndësi. Dhe mua m’u duk sikur dëgjoja Verlaine: “L’amour de la patrie ç’est le premier amour…” (Dashuria për atdhe është e para dashuri).

Marrë nga muri i Fb i Artan Kafexhiut, 3 shtator 2021

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.