back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 7 Nëntor, 2024

Përmbytja… në Zjarr… nga Fritz Radovani

Gazeta

Fritz Radovani
Fritz Radovani

Përmbytja… në  Zjarr… nga Fritz Radovani

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Ishte viti 1944… Vjeshtë.
Ishim në Dajç të Bregut Bunës te daja im, Don Kolec Prennushi, që sherbente prift n’at fshat prej të cilit, ruej edhe sot kujtime të bukra…
Binte shi pa pushue n’at vjeshtë, që edhe pse ishe i vogël atëherë, vetëm 4 vjeç, kam kujtime të pashlyeshme. Buna kishte shkapërcye çdo kufi… Ajo kishte përmbytë krejt fshatrat tue fillue nga Ura e Bunës e deri te dalja në det. Damet nuk llogariteshin.
Kam pasë rasën me lexue përpjekjen e Mark Kakarriqit, për me i shpëtue të gjitha ato zona nga përmbytja, tue kanalizue lumin Buna, me një shoqni angleze menjiherë mbas shpalljes së Pavarsisë, po shumë tregtarë dhe antarë të Bashkisë së Shkodrës, nuk u pajtuen me mendimin e Markut, se “po na sjell kaurrin, me ‘ata’ që do të drejtonin ata punime për kanalizim…” Sa vështirë asht me besue çka shkatrron fanatizmi…
Uji kishte ardhë deri afer qelës së vjetër, dhe vetëm oborri i Kishës dukej si stom, mbasi të gjitha rrugët përreth, asnjena nuk shifesh nga përmbytja. Shtëpijave afër të Lac Gjushit dhe Harapëve, uji u kishte shkue n’der shkallat e hymjes. Ishte edhe ftohët. Shenjat e motit që njihen nga fshatarët tregonin se shiu do të vazhdojë. Zot bane mirë!

Të nesermen me 29 nandor, ishte permbytë edhe gardhi rrethues në kufi me nji rrugë që na lidhte me shtëpinë e Lacës, me të cilin daja, kishte miqësi të madhe…
Laca i kishte tregue dajës, se pritej ardhja e disa vetëve tek Kisha, që partizanët i kanë kapë në një barkë tue lundrue në drejtim të detit, për me hikë në Itali. Dhe vërtetë, aty nga ora 11 paradreke, zbritën me lundra rreth 200 vetë në oborrin e Kishës, ishin të çarmatosun dhe të lidhun me litarë, të lagun për palcë, dhe me nga një strajcë në dorë…
Ishin fëtyra të panjoftuna… thohej se ishin ballista e “tradhëtarë” që donin me ikë. Disa partizanë i trokitën derës së qelës, hyne në dhomën ku ishte daja, biseduen me té, dhe dolën me vazhdue me ruejtë grumbullin e të kapunve në hikje. Mbas pak erdhën prap partizanët me tre a kater vetë prej tyne, dhe daja u dha dy shekë djathë dhe bukë, ndërsa, gjyshja filloi me gatue bukë tjera për ta. Né fëmijëve na kishte kapë një frikë që nuk dinim ku me hy… Kishim harrue edhe me luejtë me lojnat tona!

Lufta e II Botrore
Lufta e II Botrore

Këta ishin ata “partixhanët”, me emnin e të cilëve na friksonte gjyshja, kur donte me vue qetsinë e rregullin ndër mbramje kur né fëmijët shkonim me fjetë…
Nga dritaria e kuzhinës, që ishte mbas qelës, po shikonim né fëmija dy prej “tradhëtarëve”, që rane në ujë dhe vazhduen me notue mbas mollarëve të sanës, kur dy nga partizanët vazhdonin me i ruejtë derisa ata dy, të kryenin nevojët personale… Filloi pushka, dhe alarmi i “zjarrit” mbuloi fshatin me virrma e krizma mitralozësh…
-Ikën… ikën dy “tradhëtarë”… Zjarr! Kontrolloni ku janë futur! – ndigjohej gjithkah.
Pushkë e mitraloza me virrmat e egërsinave “na sollën çlirimin atë ditë nandori”!
Një grup partizanësh bash si egërsina, shpërthyen derën e qelës me armë në dorë dhe filluen me kontrollue qelën deri ndër hatlla… Nji grup tjetër morën dajën dhe hikën me kontrollue Kishën, mos u kanë hy aty… Gjyshja, u trondit aq fort sa gati na dukej se po humbte edhe frymëmarrjen nga frika, se, “mos ia morën djalin me e pushkatue!!”
Nuk ishte asgja e papritun nga bishat e maleve me “yllin e kuq” në ballë!

Shkodra e përmbytun...
Shkodra e përmbytun…

***
Asht kenë një shprehje që përdorej nga populli: “Na ruej Zot prej ujit, zjarrit e zabitit…”
Data 29 Nandori 1944, na i solli mbrenda një dite “përmbytjet, zjarret dhe zabitët partizanë…” që me tradhëti të pashoqe të organeve të Sigurimit të Shtetit, nuk na u hoqën për 47 vjetë!
Ishin pikërisht ata tradhëtarë, që nën drejtimin e Enver Hoxhës, i shërbyen me armë në dorë pushtuesve jugosllavë, grekë, rusë, kinezë dhe të gjithë atyne që dishronin humbjen e Hartës së Shqipnisë në Ballkan, përmbytjen e Popullit Shqiptar nën zgjedhën sllave, zharitjen e Atdhetarëve tanë, dhe me zabitet ma të poshter që ka njoftë Historia jonë, zhdukën, vranë dhe varrosen pavarre mbi 50.000 shqiptarë në hetuesi, burgje, kampe shfarosje e përqendrimi, në male, fusha dhe brigje lumejsh…
Viti 1944 asht viti i pushtimit sllav, viti i shpronsimeve, plaçkitjeve, vrasjeve, interrnimeve… Dhe me plot gojë robninë e Titos dhe të Stalinit, Enver Hoxha me të gjithë pasuesit e tij tradhëtarë e vrasës e quejtën “çlirim”…!!
Meqenëse, sot në kët 70 vjetor të mnershem të Popullit Shqiptar, jemi edhe po vazhdojmë me kenë edhe “antar” të “Konferencës Islamike”… një dëshirë e vjetër e bash atyne terroristëve Enver Hoxha e Ramiz Alia me pasuesit e tyne “vllezër gjaku me turq”, po ua uroj këte vit të 70 vjetorit me vargjet e At Gjergj Fishtës, kushtue “Gjaksorëve”:

“Atje nën vapë t’Saharës,
Nder luàj e pardha jetën
Mizuer, kush don me e shkimun
Në gjak t’vllazenve etjen,
Atjé, pa kenë vajtue,
Mbaroftë i namët për lak…*”

Shpjegim: *Mbaroftë i namët për lak – mallkim: Gjaksit i ardhët vdekja e tmershme në shkretinë i vetëm dhe pa njeri pranë…
Melbourne, Janar 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.