back to top
18.5 C
Tirana
E diel, 14 Prill, 2024

Parathënia e librit poetik të Griselda Doka – “Vetëm disa pyetje të mërguara” nga Pierino Gallo

Gazeta

Griselda Doka - "Vetëm disa pyetje të mërguara" Kopertina
Griselda Doka – “Vetëm disa pyetje të mërguara” Kopertina

Parathënia e librit poetik te Griselda Doka –

“Vetëm disa pyetje të mërguara”

nga Pierino Gallo

Njëra, asnjëra, njëqindmijë.
Kjo parullë, që na kujton Pirandelon, ndez menjëherë brenda nesh disa tregues djesish: i pari përqafon të shkuarën letrare me të cilën lidhet ky himn i Njërit dhe i të Shumëfishtit, tjetri na fton brenda një kuptimi gjuhësor më të thellë, që ka të bëjë me sememat, pra me rrënjët e kuptimit të vetë fjalëve. Loja e ndërrimeve, atëherë, na shfaqet përpara syve me një harmoni që çarmatos: prani, mungesë, prania e të së shumëfishtës. Kësaj triade i shtojmë edhe ngjyrosjen e gjinisë; nuk bëhet fjalë për Vitangelo Moscarda-n e Pirandelos, por për një grua me origjinë shqiptare dhe me prirje poeteje, Griselda Dokën.
Kjo mund vihet re gjatë leximit të kësaj vepre të parë “Vetëm disa pyetje të mërguara”. Zbulesa është e menjëhershme: këto faqe zotërojnë autoritetin që rrjedh nga të qenit “të rrënjosura” në historinë personale të autores. Një histori e jetuar, e eksploruar, e dëgjuar, e ndjellë, e imagjinuar, që zbulohet përmes lentes së disa pikave të forta.
Së pari, ajo e mërgimit, të riteve të kalimit, që i lidh poezitë e këtij vëllimi si rruaza të një rruazari të vetëm; pastaj ajo e origjinës, e karmës familjare, ciklike, që vepron mbi Unin e poetes sipas logjikës së mbivendosjes (empatia e disa vargjeve shoqëron përvojën e nënës dhe të gjyshes me përvojën e autores); dhe, së fundi, ajo e luftës, nyja politike e diktaturës komuniste shqiptare dhe vezullimat e Partisë.
Duke ndjekur këto drejtime, poezitë e hapjes vihen në brazdën retorike të Invitation au voyage të Baudelaire-it. Poetja e pyet veten in limine mbi nyjat e mëdha të trupëzimit, të rrokëzuara herë nga “sytë”, herë nga “barku, prehri”, simbole këto të komunikimit me botën. Në këtë kuptim, vargjet e mëposhtme janë mjaft interesante dhe e shndërrojnë trupin në vektorin e çështjeve të mbyllura: “notojnë mbi gjuhën time/ vetëm disa pyetje të shkurtra të mërguara” (poezia II).
Udhëtimi, gjithsesi, nuk parashikon ndalesa dhe shkrihet në shkarje të vazhdueshme kohore. Është brenda kësaj sajne të përjetshme, që roli i poetit shndërrohet në atë të bardit (aedit apo rapsodit), si ruajtës i kujtesës së pashlyeshme: Do t’i duhej një magji gjumi kujtesës brejtëse për të harruar për një çast se cilët kemi qenë. (poezia III) “Grafite ekzistence”, si arterie të ngjeshura mbi fletë, i lidhin autoren dhe lexuesin brenda së njëjtës magjepsje: kështu marrim pjesë, të përcjellë nga metafora të holla dhe delikate, në kapërcimin e një faze të mëtejshme, në të shumëfishtën. Skena zgjerohet dhe i dorëzohet komunitetit. Gjendemi të prangosur nga një rrjedhë e lehtë valleje, ku vallëzohet si për të krijuar një rit lartësimi. I gjithë vëllimi mund të lexohet si një libërth këngësh, vajesh, që, përmes rrokjezimit ritmik, nuk pushon së thirruri elegjitë dhe vajtimet e moçme të grave shqiptare: “trupi yt/ trupi yt”… përsërit poetja në një poezi me ton gati mistik. Gjejmë edhe mjaft figura e gjeste ritualesh që i përkasin jetës fshatare: “asnjë dorë për të ta lyer ballin/ as mjaltë/ as oriz/ as grurë” (poezia II); “ma njomje ballin/ para se të më jepje të pija” (poezia VI); “dhe kushedi nëse dikush diti/ të ta ngrejë ballin lart/ dhe të t’i lagë buzët ” (poezia VI).
Rrugëtimi i ndërmarrë ka disa herë shijen e një zbritjeje danteske (damka e endjes së vazhdueshme e ndjek poeten në një zbritje të ngadalshme në botën e nëntokës), dhe herë të tjera atë të ngjitjes: si shpërblim u bëra një zanë/ me qumësht të magjepsur/ përpirëse plagësh dhe të vërtetash. (poezia XXXII)
Uni familjar, politik dhe ai i së tashmes bashkohen për të dhënë një katharsë përfundimtare. Vdekjet që përshkojnë librin (e kam fjalën, për shembull, për gruan në poezinë XXIV, por edhe për vdekjet simbolike të poetes: “Ç’faj kam/ që lind dhe vdes/ brenda një sekonde?”) na drejtojnë plotësisht atje. Faqet u shtohen llogaritjes së ditëve, muajve, viteve dhe të jetëve që Doka na fton t’i ripërshkojmë. Litani ngushëlluese të Gjetiut të projektuara këtu dhe tani.
Sepse bota frikëson më pak, duket sikur murmurit një zë i fshehtë, nëse jemi të gatshëm që të njihemi.

Poetja Griselda Doka
Poetja Griselda Doka

Vetëm disa pyetje të mërguara

poezi nga Griselda Doka

Atyre hapave të vetmuar dhe të heshtur

I
Mund edhe të vdisja
siç kam bërë herë të tjera
dhe asgjë s’mësova
përveçse jetën që mungon
dhe ajri i njëjtë do të jetë gjithmonë
vetëm sytë e mi
do të shndërrohen
në një kristal të ri
dritë e papërshtatshme
e shtënë në muzg

II
Kundërmonte erë vdekje
barku yt
kur si re pranverore
rridhja brenda teje
ti nuk e mban mend
gjithë dredha arratisja
në muzgun e zbehtë
gurë të thepisur
ta qëndisnin udhën
kur arnoje
fustanin e bardhë
që kurrë nuk do e kishe veshur
brenda syve njëmijë pyetje
të kruspullosura më pas në duart e plakave
të fshatit
shndërrohej në refren
e bija e partizanit
vajza e premtuar
tregtisë së re
të një vendi që prodhonte
sapun të zi
qumështpluhur
dhe shumë municione
me krenari
një rrip i ngushtë
i jepte formën fustanit poljestër
i kaltër
njëlloj si të tjerat
i hoqe këpucët
pas pragut prej guri
asnjë dorë për ta lyer ballin
as mjaltë
as oriz
as grurë
të prisnin.
në fejzat e hundës era therëse e rakisë
ngrinte dolli për të sapoardhurën
plaku i shtëpisë
dhe të rinjtë kthenin me fund
fëmijët që do të vinin
dhe fatet e Partisë
që së shpejti do ta bënin
këtë vend
në më të lulëzuarin e botës
disa thoshin
se më mir se kështu
nuk mund të urohej
e mësove shpejt
artin e heshtjes
dhe kurrë nuk u përgjigje
se çka ndodhi më pas
dhe atyre para teje
dhe të tjerave si ti
asnjë përgjigje
notojnë mbi gjuhën time
vetëm disa pyetje të shkurtra të mërguara
pse zvarritej përdhè ajo
më e vogla e shtëpisë
edhe kur nuk fërkonte me leckë
apo lustronte
dhe pastronte
dyshemenë prej çimentoje
duhet të isha bërë kurvë
mërmëriste
me tre burra në shtëpi
që me besnikëri
përkujdeset edhe sot
nuse e re me flokë kaçurrela
me buzë dhe gjinj të fryrë
si ftonj të rënduar
mbi degën e hollë
kaq shumë bien në sy
mbi trupin tënd të imët
ai përkulej
për të të shtrënguar pas vetes
krenar ndërsa sy të egër atëror
e mësonin të shpresonte
dhe të bënte sikur ia kishte dalë

Ç’faj kam/ që lind dhe vdes/ brenda një sekonde...
Ç’faj kam/ që lind dhe vdes/ brenda një sekonde…

III
Do t’i duhej një magji gjumi
kujtesës brejtëse
për të harruar për një çast
se cilët kemi qenë
në atë cep bote
ku i ngrirë mbeti fluturimi i shqiponjës
shumë i lartë qielli
shumë e ulët toka
do të duhej t’u nxjerrim lëmyshkun ëndrrave
të rapsodëve të fundit
që panë t’u këputej
teli i lahutës
dhe ranë në gjumë me këngën e tymosur në buzë
nevojitet t’i hipnotizojmë shtegtarët e caqeve
të ëmbla
ku i lartë nuk është çmimi i biletës
por i emrit të qepur pas shpine
kronikë e qelbur për ta pështyrë me llumin e
kafesë
do të duhej të harronim ata që nuk dimë se jemi
t’i ndrydhim kujtimet
të bardha shkume
të kuqe gjaku
e të ecim në udhë të njohura
me shijen e agimit
dhe të faljes
që kundërmon ylber.

XXIII
Vetëm orët nuk kanë kuptim
dhe as ditët
veç numra mbi kalendar
që përqafohen deri në harrim
koha
kjo sovrane e bindur
që detyron kujtimin
Kush ishim dje?
Sot ku shkojmë?
E nesërmja…?
Miope e mjerë
përplasur mbi mur
Do të doja të ngjizja ende shpresa
dhe të thurja lavde
pa shlyer borxhe
Qyqja unë moj nënë
Ç’faj kam
që lind dhe vdes
brenda një sekonde?

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.