Pa kujtesë nuk ka liri: Masakra mbi kujtimin e “5 Heronjve të Vigut” – nga Kol Marku

Gazeta

Kolë Marku
Kolë Marku
Pa kujtesë nuk ka liri: Masakra mbi kujtimin e “5 Heronjve të Vigut”
nga Kol Marku – Pjesa e I

Ky shkrim mbetet mjaft tendencioz.
Mjafton me kqyrë referencat e autorit dhe e kupton mirë
pse ky shkrim i përket kohës së ndalun në 1990…
Një dëshmi sa e vështirë asht me u shkëputë
nga hallkat dhe mendësitë e diktaturës… jozef radi

Një komb që nuk nderon bijtë e vet të rënë, është i dënuar të humbasë edhe lirinë që ata fituan me gjak. Në çdo vend të qytetëruar, respekti për të rënët është i shenjtë: në Francë, përkujtohet çdo vit zbarkimi i Normandisë; në Itali, çdo qytet ruan monumentet e të rënëve të Luftës; në SHBA, kujdesi për veteranët është politikë kombëtare. Kujtesa është themeli i identitetit dhe i dinjitetit kombëtar.
Në Shqipëri, fatkeqësisht, shpesh ndodh e kundërta. Varrezat e dëshmorëve shpërfillen, monumentet shkatërrohen, ndërsa përkujtimi i heronjve të kombit shpesh reduktohet në formalitete boshe. Kjo është një fatkeqësi kombëtare.

1.Martirët e Vigut
Më 21 gusht 1944, në fshatin Vig të Mirditës, pesë partizanë të batalionit “Perlat Rexhepi” – Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda – u tradhtuan, u rrethuan dhe u vranë në befasi në pritë nga forcat shtetërore të xhandarmërisë dhe me bekimin indirekt apo direkt (nuk dihet) të Kapedanit të Mirditeës, ku morën pjesë (60 forca sipas disa burimeve dhe deri 200 sipas disa burimeve të tjera) dhe trupat e tyre u hodhën në përrua, në një akt barbar që synonte zhdukjen e kujtimit të tyre nga historia. Ata ishin partizanë antifashistë e nazista me mision në Mirditë që të ngrinin popullin në luftë kundër pushtuesit gjerman që sapo kishte ardhur. Por populli nuk harroi: ata u kthyen në legjendë, në këngë, në frymëzim për brezat e ardhshëm.
Pas Luftës, në Shkodër u ngrit monumenti madhështor i “5 Heronjve të Vigut”, vepër e skulptorit Shaban Hadëri dhe bashkëpunëtorëve të tij, që u bë simbol i sakrificës për liri. Por pas viteve ’90, ky monument u shpërfill, u zhvendos dhe madje u përçudnua, si pasojë e mungesës së vizionit dhe përgjegjësisë politike.

2.Klasa politike me përgjegjësi zero
Klasa politike shqiptare pas vitit 1991, ka treguar një nivel zero përgjegjësie ndaj kujtesës kombëtare. Në vend që të ndërtohen politika shtetërore për ruajtjen e varrezave dhe monumenteve, për edukimin e brezit të ri mbi sakrificën e paraardhësve, institucionet heshtin ose shohin vetëm interesat e momentit.
Në Itali, çdo fshat ka një memorial të rënëve të luftës që ruhet me nderim; në Francë, kujtesa e të rënëve është pjesë e kurrikulës shkollore; në Gjermani, edhe viktimat e Luftës së Dytë Botërore kujtohen me solemnitet. Ndërsa në Shqipëri, monumentet rrënohen, varrezat lihen në harresë dhe përkujtimi i dëshmorëve shpesh shihet si “tepëricë” ideologjike. Ky është një turp kombëtar, por mbi të gjitha një krim moral ndaj historisë.

3.Kujtesa si themel i së ardhmes
Heronjtë nuk kërkojnë asgjë nga ne – vetëm një varr të ruajtur, një monument të respektuar, një lule të vendosur me dashuri. Por nëse nuk arrijmë të ruajmë as kaq, atëherë çfarë e ardhme e pret Shqipërinë? Çdo monument i prishur, çdo varrezë e braktisur, është një goditje mbi shpirtin e kombit.
Emrat e pesë Heronjve të Vigut – Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda – nuk janë thjesht gurë apo një pllakë e gdhendur: ata së bashku më mijëra të tjerë janë themelet e Shqipërisë së lirë. Të shpërfillësh sakrificën e tyre do të thotë të mohosh të ardhmen e kombit.
Prandaj, është detyra jonë të kërkojmë llogari nga politika, të ngremë zërin për të mbrojtur kujtesën, dhe të nderojmë siç duhet martirët e lirisë. Sepse një popull që nuk respekton gjakun e derdhur për atdheun, është i destinuar të humbasë lirinë.

Burimet:
1.“5 Heronjtë e Vigut,” Wikipedia Shqip, përditësuar 2024, https://sq.ëikipedia.org/ëiki/5_Heronjt%C3%AB_e_Vigut.
2.“Faktet dhe të pathënat e 5 heronjve të Vigut,” Konica.al, 21 maj 2019, https://konica.al/2019/05/faktet-dhe-te-pathenat-e-5-heronjve-te-vigut.
3.“Si u rrethuan, kush i spiunoi dhe pse u vranë 5 Heronjtë e Vigut,” Gazeta Tema, 23 gusht 2020, https://www.gazetatema.net/2020/08/23/si-u-rrethuan-kush-i-spiunoi-dhe-perse-u-vrane-5-heronjte-e-vigut.
4.Moikom Zeqo, Shqipëria në historinë e artit botëror, Tiranë: Naimi, 2005, f. 357.
5.Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-2000, Tiranë: Dituria, 2009, f. 482.

Heronjtë e Vigut.
Heronjtë e Vigut, lëvizin…
Pesë Heronjtë e Vigut (21 gusht 1944): Heroizëm partizan dhe përplasja e Mirditës me komunizmin – Pjesa e II
nga Kol Marku
Ngjarja e 21 gushtit 1944, në fshatin Vig të Mirditës është një nga episodet më të njohura të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Aty ranë pesë partizanë të rinj të Batalionit “Perlat Rexhepi”. Ata luftuan deri në plumbin e fundit kundër xhandarmërisë vendore që i kishte zënë pritë…
Pas lufte, ata u shpallën “Heronj të Popullit” dhe figura e tyre u ngrit në simbol të qëndresës antifashiste. Por përtej qendrimin të ndërtuar gjatë regjimit komunist, ngjarja duhet parë dhe në kontekstin e gjerë historik: autonomia tradicionale e Mirditës, roli i klerit katolik, bajraktarit Gjon Marka Gjoni, qeverisë së Rexhep Mitrovicës dhe strategjisë së komandës gjermane.

1.Mirdita dhe veçantia e saj historike
Mirdita kishte një identitet të veçantë në krahasim me krahinat e tjera shqiptare:
Tradita e Kanunit të Lekë Dukagjinit ruante një formë vetëqeverisjeje.
Kleri katolik kishte rol të fuqishëm shoqëror dhe shpirtëror, duke ruajtur lidhje me Vatikanin dhe dihej hapur qendrimi antikomunist, sepse komunizmi si doktrinë ishte kundër fesë…!
Bajraktari i Mirditës, Gjon Marka Gjoni, ishte autoritet pothuajse absolut në krahinë.
Për këtë arsye, pushtuesit italianë dhe më pas gjermanë preferuan të mbështeteshin te autoritetet vendore. Historiani Kristo Frashëri thekson se: krahinat malore shpesh mbetën jashtë ndikimit të drejtpërdrejtë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, për shkak të strukturës së tyre tradicionale.

2.Pushtimi italian dhe gjerman
Pas prillit 1939, Italia fashiste kontrolloi qytetet dhe rrugët kryesore, ndërsa Mirdita mbeti kryesisht nën administrimin e vetë bajraktarit. Italianët nuk vendosën garnizone të shumta në fshatrat e thella.
Pas kapitullimit të Italisë (shtator 1943), Shqipëria u pushtua nga gjermanët. Në nëntor 1943, u krijua qeveria e Rexhep Mitrovicës, me Xhafer Devën ministër të Brendshëm, i cili kontrollonte xhandarmërinë dhe policinë. Prefektura e Shkodrës mbulonte edhe Mirditën dhe drejtonte xhandarët lokalë.
Në praktikë, gjermanët nuk kryen drejtpërdrejt operacione të vogla në Mirditë; ata i lejonin dhe inkurajonin forcat shqiptare të rendit të luftonin partizanët, duke i mbështetur vetëm kur ishte e nevojshme.

3.Qëndrimi i klerit dhe i bajraktarit
Kleri katolik e konsideronte komunizmin rrezik për fenë dhe traditën, ndaj predikonte shmangien e konfliktit të hapur me gjermanët.
Gjon Marka Gjoni, bajraktari i Mirditës, mbajti qëndrim pragmatik: pranoi marrëdhënie me italianët dhe gjermanët për të mbrojtur autonominë e krahinës, por njëkohësisht u shfaq i vendosur kundër depërtimit partizan. Historiani Owen Pearson thekson se gjermanët shpesh mbështeteshin te autoritetet tradicionale për të penguar shtrirjen e komunizmit.
Kjo klimë politike ndikoi në veprimet e xhandarëve dhe krijoi terrenin për ngjarjen e Vigut.

4.Pesë Heronjtë e Vigut dhe ngjarja e 21 gushtit 1944
Pesë partizanët e Batalionit “Perlat Rexhepi” ishin:
Ahmet Haxhia (18 vjeç, Shkodër)
Hydajet Lezha (24 vjeç, Lezhë)
Naim Gjylbegu (24 vjeç, Shkodër)
Ndoc Deda (26 vjeç, Milot)
Ndoc Mazi (24 vjeç, Shkodër)
Më 21 gusht 1944, ata u rrethuan në fshatin Vig nga xhandarët e Komunës së Kalivaçit, të komanduar nga Pjetër Llesh Gjegjani. Pas disa orësh luftime, ata refuzuan të dorëzoheshin dhe u vranë të gjithë.
Ngjarja u ngrit në simbol nga propaganda antifashiste, duke u përjetësuar më vonë në libra, këngë, filma dhe monumente.

5.Përgjegjësia dhe roli i aktorëve
Xhandarët shqiptarë: ekzekutorët e drejtpërdrejtë të pritës, në vartësi të Prefekturës së Shkodrës dhe Ministrisë së Brendshme.
Komanda gjermane: edhe pse nuk mori pjesë drejtpërdrejt, kishte dijeni dhe e toleronte një aksion të tillë, pasi ishte në linjë me strategjinë e tyre për të përdorur forcat vendore kundër partizanëve.
Bajraktari Gjon Marka Gjoni: nuk del si organizator i drejtpërdrejtë, por autoriteti i tij mbi krahinën dhe qëndrimi i tij antikomunist, ishin faktorë vendimtarë.

6.Luftë civile apo akt shtetëror?
Një nga debatet më të mëdha mbi ngjarjen e Vigut është pyetja: a ishte kjo një përplasje e një lufte civile shqiptare, apo një akt shtetëror i një qeverie kuislinge?
Pretendimi për “luftë civile”: disa autorë e kanë trajtuar ngjarjen si përplasje mes shqiptarësh, pra partizanë kundër xhandarëve dhe mirditorëve, duke e lexuar si konflikt vëllavrasës. Ky interpretim tenton të relativizojë dimensionin e okupacionit.
Realiteti historik: pesë heronjtë nuk u vranë nga fshatarët apo nga ndonjë hakmarrje lokale, por nga njësi të xhandarmërisë shtetërore, të komanduar nga autoritete të njohura dhe të lidhura me qeverinë e Rexhep Mitrovicës dhe Ministrinë e Brendshme të Xhafer Devës që dallohej si një antikomunist ekstremist.
Përfshirja indirekte e gjermanëve: edhe pse nuk ishin në terren, gjermanët kishin dijeni dhe nuk e penguan aksionin, sepse ishte në linjë me politikat e tyre të kontrollit.
Kështu, vrasja e pesë partizanëve duhet të kuptohet jo si akt “lufte civile” në kuptimin e pastër, por si aksion i një aparati shtetëror të një qeverie kuislinge, të varur nga gjermanët. Ishte një veprim i kryer në rrugë zyrtare – nga xhandarë të organizuar, jo nga milici të rastit.
Ky dallim është thelbësor: e vendos ngjarjen brenda logjikës së okupacionit dhe rezistencës, dhe jo thjesht të një përplasjeje shqiptare-shqiptare.

Përfundime: Ngjarja e Vigut më 21 gusht 1944, është një shembull i sakrificës partizane, por edhe një pasqyrë e realitetit të ndërlikuar shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ajo tregon përplasjen e tre botëve:
1.Partizanët e Batalionit “Perlat Rexhepi”, që kërkonin të shtrinin luftën antifashiste në Mirditë.
2.Forcat vendore tradicionale (xhandarët, bajraktari, kleri), që e shihnin komunizmin si kërcënim.
3.Gjermanët, që përdornin qeverinë kuislinge dhe strukturat lokale për të ruajtur rendin.
Pesë të rinjtë – Ahmet Haxhia, Hydajet Lezha, Naim Gjylbegu, Ndoc Deda dhe Ndoc Mazi – mbetën simbole të qëndresës antifashiste. Vrasja e tyre nuk ishte thjesht një përplasje e një lufte civile të brendshme, por një akt i kryer nga aparati shtetëror i një qeverie kuislinge, i lidhur me pushtuesin gjerman. Pikërisht kjo e bën ngjarjen një nyje ku bashkohen heroizmi, tradita dhe përplasja për modelin e Shqipërisë së së ardhmes.

Burimet:
1.Kristo Frashëri, Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, 1941-1944 (Tiranë: Akademia e Shkencave e RPSSH, 1964), 215.
2.Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-1991 (Tiranë: Toena, 2009), 342.
3.Oëen Pearson, Albania in Occupation and War: From Fascism to Communism, 1940-1945 (London: I.B. Tauris, 2006), 178.
4.Puto, Shqipëria Politike, 343.
5.Pearson, Albania in Occupation and War, 180.
6.“5 Heronjtë e Vigut”, Wikipedia shqip, vizituar më 22 gusht 2025.
7.Po aty.
8.Marenglen Kasmi, Gjermanët në Shqipëri 1943-1944 (Tiranë: Dituria, 2012), 119.
9.Owen Pearson, Albania in Occupation and War, 277-278.
10.Po aty, 280.
22 Gusht 2025

Opinione nga: 
Avokat Ndre Molla
Kol, nuk ka qënë bajraktar Gjon Mark Gjoni, ka qënë kapidan i Mirditës. Ka pasë një kapidan e 12 bajraktarë Mirdita, e nuk kanë qënë gjakpirës siç thonë komunistët, por njerzit më të nderuar të krahinës. Qeveria e Rexhep Mitrovicës, dhe më parë e Verlacit, Merlikës e Libohovës, bënë për Shqipërinë në kushte pushtimi atë që nuk kishte ndodh kurrë në këto troje, bashkimin e të gjitha trojeve nën qeverinë e tyre, përhapën arsimin shqip në të gjithë Kosovën e Maqedoninë. Xhafer Deva ngriti një ushtri për të mbrojtur Kosovën nga ripushtimi serb prej 8 mijë forcash. Ndërsa komunistët shqipfolës i masakruan pabesisht në Tivar. Pyet kush e ka dërguar Ndrec N. Gjokën mësues në Gjakovë. “Qeveria kolabrocioniste” e ka dërguar. Prandaj nuk besohen dokrrat komuniste se nuk ka pas luftë civile. Pyet në jug çfarë ishte lufta në mes partizanëve e ballistëve. Në çdo kuptim ishte luftë shqiptarësh kundër shqiptarve, siç e kishin futur qëllimisht përçarjen serbët në Pezë e në Mukje. Përse duhej pushtuar nga partizanët Mirdita?! Cila ishte arsyeja? Për t’u vendos pushteti komunist? Për të mbjellë farën e dreqit pra, farën komuniste. Monumentale rezistenca deri në 1953-in e Mirditës kundër halabakëve të tipit Toger Baba në Mirditë. Vazhdoni mbani heronj tipat terroristë si Vasil Shantiç.
Demë Berisha – Avokat Ndre Molla
Derisa të bëhet një ligj që çdo gjë e sistemit komunist që propogandohet të ketë dënime ekstreme, ky vend nuk bën hajër!
Paskan luftue kundër gjermanëve për të sjell toger babën në Mirditë.
Enver Hoxha ka zbatue pikë për pikë urdhërat e Beogradit, siç bën sot ky horri që kena k/ministër!

Pashk Ndoci
Në fakt të gjitha pranohen, por me mashtru se ata kishin shku me luftu nazizmin në Vig, kjo nuk pranohet. Ata kishin shku si misionarë të PK për të ngritur këshillat popullore, për me hy partia në Mirditën e drejtuar nga Gjomarkajt, të cilët nuk pranonin hyrjen e komunizmit në Mirditë. Ky është manteli që u takon, jo ai antifashista e ku po di unë. Mandej ka prap gjëra të tjera të cilat duhen parë jo vetëm nga syri e dora e fituesit të pushtetit, por edhe nga dora e së vërtetës, e cila nuk është shkruar edhe sot e kësaj dite, sikurse janë përdhosja e viktimave, duke i hedhur në përrua apo vrasja në pabesi, janë që të dyja ndryshe, nuk janë ashtu siç janë shkruajtur në historinë e tyre, sa për dijeni janë marr në mbrojtje si miq dhe u është dhënë alternativë që të dorzojnë armët e të ikin, por u është dhënë edhe mundësia që të mos i dorzojnë armët, por të ikin përgjat pyllit, që të dyja këto nuk i kanë pranuar, por kanë vendosur të luftojnë dhe të vdesin apo të shpëtojnë duke vdekë ose këta ose ata që i kishin rrethuar… Sigurisht qëndresën e tyre e vlerësoj shumë, por u duhet vënë manteli që u takon e jo zbukurime që humbasin të vërtetat të bëra nga regji politike ku historia, sipas atyre, fillon e mbaron me ata që udhëheqin… Për kujtesë, Nanë Dranja është bija e shtëpisë time, edhe sot unë e posedoj atë dhomë shtëpie që i ati i saj ka patur.
Është për të ardhë keq që nuk shkruhet se kush i futi në grackë që të vriteshin, të shkosh në Mirditën antikomuniste me futë komunizmin në mënyrë klandestine, kuptohet se janë dërguar për t’u vrarë dhe me këtë rast me justifiku terrorin e mëvonshëm togerbabist komunist në Mirditë.

Nikol Wolf
Jo zotni Kolë Marku… me gjithë respektin për ju. Nuk asht ashtu siç përshkruhet…
E gjithë ajo biblografi nga e cila i referoheni ju, nuk asht e vërtetë. Ajo asht kryekëput bibliografi kriminale komuniste… sepse nga gojdhanat e dishmitarëve okularë dhe që e kanë vuajtë e përjetua at masakër… asht krejt e kundërta… këtë e kanë thanë njerëz që u janë pushkatue, varë në litar, o burgos, e torturua, internua e denigrua pëër 50 vjet…
Ata 5 “heroj” ishin djem të ri pa kurrfarë experience që u dërguan pa diëe asnjë gja për Mirditën… Jo për të çua popullin por për t’u ba kurban nga kriminelët komunistë për të masakrue Mirditën… Dhe s’asht aspak e vërtetë që i masakroi populli… Por hordhitë kumuniste… Për të fajsue Mirditën… Si pretekst për t’i masakrue Mirditsit ashtu siç banë kriminelet komunistë jugosllavë e ata shqipfolës… Ashtu siç u përdor kjo strategji edhe me Malsinë e Madhe…
Sepse kryekrimineli i kombit shqiptare enver mut hoxhoviçi ia kishte frikën Malsisë e Mirditës… Që s’ kishte nënshtrua as edhe turku e shkjau… Sepse ishin dy krahina qe mbanin nderin, kombin, ligjet e kanunit, besën, burrninë e mbi të gjitha bajrakun e bajraktarët… Këto i mbanin ma fort se çdo pjesë tjetër…. Pradaj jugosllavët e krimineli komunist klysh i tyne, enver mut hoxhoviçi… Kishin kohe qe planifikonin e banin vllavrasjen mes shqiptarëve, me krime ma të shëmtuara….
Ata 5 djem të pafajshem i vrau dora e zezë komuniste… Sepse nuk kishte kambë gjermanit në malsi e as në Mirditë…..
Por zotni Kolë Marku, historinë e shkrua gjithëmonë fituesi… dhe e shtrëmbëron sipas leverdisë dhe qejfit… Mashtrime shpifje e dredhi. Për të qëndruar në pushtet…!

Genci Hoti
Të gjitha këto që ka shkruar Kolë Marku janë përralla. Grupi në fjalë, i quejtun “Herojtë e Vigut” nuk ka qenë pjesë e batalionit “Perlat Rexhepi” dhe nuk kanë pasur asnjë detyrë në Mirditë. Rruga e pese heronjve ka qenë nga Mirdita drejt Lezhës e prej këtej drejt Shkodrës. Kështu që Kolë Marku përsërit përmbajtjen e filmit “Besa e kuqe”. Forma e zbuluar mbi vrasjen e pesë heronjve të Vigut ka për bazë dy dëshmitarë, Nanë Prendën dhe burrin e saj, që sot nuk ma merr mendja se jetojnë më. Materialin tim mund ta paraqesësh pa frikë, por duhet ta kopjosh sipas pamjes që të kam dërguar për ta bërë të besueshëm.
Kanga e Kolë Jakovës mbi heronjtë e Vigut fillon me fjalët: “Ngjitet Velës varg përpjetë çeta e vogël me pesë vetë…” kur në fakt nuk kanë qenë pesë, por katër. Që këtu fillon manipulimi i ngjarjes.
Marrë nga Muri i FB Kolë Marku, 21-22 gusht 2025 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit