back to top
26.5 C
Tirana
E hënë, 15 Prill, 2024

Njiqind vjetori i nji shkolle… ku dikur është thirrur dhe emri yt… Jozef Radi

Gazeta

100 vjetori i Shkollës Karbunarë
100 vjetori i Shkollës Karbunarë

Njiqind vjetori i nji shkolle…

ku dikur është thirrur dhe emri yt… Jozef Radi

Hapja e vitit të ri shkollor 2013-2014, shënoi nji tjetër ngjarje pse jo edhe historike: Njiqind Vjetorin e shkollës nëntvjeçare “Hysen Xheka” Karbunarë…
Si nxënës për dy vite me radhë i kësaj shkolle, në nji nga periudhat më të rëndësishme të saj: 1967-1969, e ndjej jo vetëm detyrim moral, po njiherësh edhe kënaqsi të veçantë personale marrjen përsipër për të shkruar dhe dëshmuar diçka prej vetes për kët shkollë, e cila tashmë ka hy në histori e shkollës shqipe! Sigurisht kjo thekson ma së pari nderimin tim për Karbunarën si fshat “kokfortësh” dhe banorët të saj; së dyti dëshmon respektin tim për këtë shkollë që ka lënë gjurmë jo vetëm në jetën time, dhe sot është moshatare me shtetin shqiptar, gjë që tregon se ajo ka ndihmuar mjaft në përhapjen e arsimit në kët fshat, edhe më gjerë; dhe së treti do të kujtoj at pafundësi mësuesish që kanë dhënë mësim në Karbunarë, po kërkoj të nënvizoj ata mësues të dalë nga gjiri i këtij fshati të Madh, duke filluar më së pari nga familja e nderuar Xheka, emrin e nji prej themeluesve të saj dhe sigurisht mësuesit më të dashur të këtij fshati: Hysen Xhekës, që mban sot kjo shkollë!

Shkolla "Hysen Xheka" 1967
Shkolla “Hysen Xheka” 1967

Hysen Xheka, ai burrë fisnik me syze dhe me pak mustaqe, me nji buzeqeshje të skalitur në buzë dhe fytyrë, e kujtoj mjaft mirë… E kujtoj sepse e nderonin dhe e respektonin të gjithë ne, të njohur e të panjohur, xha Hysenin e urtë, i cili edhe pse në vitet e pleqërisë së thellë, s’kishte ditë të mos kthente te shkolla e tij, për të cilën kish dhënë gjithçka… Ai na përshëndeste, na pyeste emër për emër… edhe pse s’kishim qenë nxënësit e tij, ishim nxënës të djemve të tij…
Eshtë fat për një fshat, që shkolla e tij të mbaj emrin e nji djali të fshatit, emrin e nji edukatori që s’u lodh asnjëherë së faluri dije dhe dashuri… Prandaj familja Xheka ka qenë dhe do të mbetet nji rrezatuese e dritës së arsimit, jo vetëm e këtij fshati po edhe më gjerë… Njëqind vjetori i shkollës së Karbunarës së bashku më emrin e nderuar të Hysen Xhekës e bëjnë të dyfishtë krenarinë dhe gëzimin e kësaj feste…

Mësues të Shkollës në vitet '60
Mësues të Shkollës në vitet ’60

***
Shkodranët me humor thonë: Anglezët kanë nji gja të Madhe: Britaninë; Ne shkodranët kena tri gjana të Mëdha: Kafen e Madhe, Kishën e Madhe dhe Arrën  e Madhe… kurse nji lushnjar s’do t’ia linte mangut shkodranve duke i shtuar: “Po edhe ne kemi: Karbunarën e Madhe…”
Karbunara është nji fshat i madh, mu te portat e qytetit të Lushnjes. Një fshat vërtet i vendosur në kodra, por tre fiset më të mëdha të tij: Sulenjtë, Kasapët dhe Çelët janë të vendosur në fushë… Fise të tjera mjaft të njohura janë Shehlerët, Xhekët, Ymerët, Saraçët, Lloshët, Shkurtët, Çanakët, Mezinët, edhe fise të tjera që unë sot mbas kaq vitesh, e kam pak të vështirë t’i kujtoj me hollësi, e të mos harroj asgjë…
Sigurisht në kët ekspozim paksa historik, s’mundem të lë pa theksuar faktin se fisi më me emër i këtij fshati mbetet ai i Shehlerve, me figurën aq të njohur në historinë e shtetit shqiptar atë të Ibrahim Sheh Karbunarës, figurë që ka kontribuar edhe në ngritjen e shkollës së parë shqipe në kët fshat, dhe që e bëri mjaft të njohur Karbunarën, derisa një ditë komunizmi i masakroi babë e bir… duke ia vrarë të birin në sy të të atit, dhe duke e dënuar për një gjysëm shekulli krejt fisin e shehlerëve të Karbunarës!

Sheh Karbunara dhe Shefqet Beja në gjyqin e Deputetëve
Sheh Karbunara dhe Shefqet Beja në gjyqin e Deputetëve

Prandaj fisi Shehu konsiderohet fisi më i persekutuar i këtij fshati, pa harruar se i gjithë fshati do të vuante mjaft gjatë periudhës së komunizmit antikonformizmin kolektiv… dhe etiketimi kulak, do të ishte mjaft i përhapur në kët fshat… prandaj Karbunara nuk u bë  kurrë flamurtar i komunizmit, dhe banorët e saj asnjiherë nuk përdorën terma ofensivë dhe ofendues ndaj nesh, banorëve fqinj të kampit të Savrës… Kjo mbetet edhe nji dëshmi e vlerave të shkollës së tyre dhe respektit me të cilin ishin kultivuar ata njerëz… Por ajo që është e domosdoshme të theksohet mbetet fakti, se për shumë vite ky fshat u bë nji qendër e madhe mësimore, mbasi shkolla e re tetëvjeçare, e cila u hap rreth vitit 1965-1966, do të mblidhte nxënës jo vetëm nga Karbunara e Madhe po edhe ajo e Vogla, do të vinin aty edhe nga Stan Karbunara, Gurorja e Savra, deri edhe nga Kasharaj…
Pra, Karbunara do të ishte për shumë vite nji qendër e rëndësishme e përhapjes së dijes.

Shkolla e Karbunarës 1966
Shkolla e Karbunarës 1966

***
Në vitet 67-69, shkolla e re e Karbunarës ishte ende e pambaruar… bile për më shumë se dy vjet shkallët e hyrjes së shkollës do të vazhdonin të ishin prej dërrase. Si shkollë, ajo do të kujtohet se aty kanë dhënë mësim mjaft nga mësuesit më të njohur të rrethit të Lushnjes, duke filluar nga drejtori më jetëgjatë në historinë e kësaj shkolle: Vangjel Prifti, ose mësuesi që shkruante me sallake; mësuesit e gjuhës dhe letërsisë nisur nga shkrimtari kosovar Kapllan Resuli, apo mësuesit te Kadri Fishta, Eqerem Xheka, Todi Tiranishti dhe Hysen Manko… nga mësuesi legjende i rusishtes profesor Zefi (Gjeloshaj) me at buzëqeshjen tallëse apo ato shprehjet e tij aq të frikshme si “cjafir”, apo “hajde ke xjaxji, hajde!” dhe kur i shkoje pa mësuar apo pa detyra…  ndëshkimi i tij me shkuljen e basetave ishte nga më të dhimbshmit… Mësuesit e tjerë që unë mund t’ia shkul kujtesës janë mjaft, si fjala vjen Fatime Xhafa apo Eqerem Beçka, Guguçe Ruli, Adriatika Këmboren, Lefteri Mëhilli,  Sabri Koduzin, Kostandina Loli apo Jovan Mëhilli; pa harruar mësuesen e parë që doli prej këtij fshati: Shire Kasapin, e cila s’e pati fort të lehtë ta kapërcente at kohë të vështirë paragjykimesh për femrën shqiptare… Këtu kujtesa ime nis e ndalet dhe mua më duhet t’u kërkoj ndjesë për gjithë ata emra që s’i mbaj mend… sepse kujtesa, vërtet është një kalë beteje, po s’të nderon gjithnji… Po ajo që mund ta them me siguri është se shkolla 9-vjeçare e Karbunarës “Hysen Xheka” do të mbahet mend për nivelin e lartë të mësimdhnies, dhe për nxitjen e arsimit, përhapjen e leximit dhe kulturës në ato vite të vështira ideollogjike dhe lufte klasore…

Mesuesit e mi Eqerem Xheka, Eqerem Beçka, Gaqi Bello, Vangjel Prifti, Zef Gjeloshaj, X Kostandina Loli, .Kembora, Guguçe Ruli.
Mësuesit e mi: Eqerem Xheka, Eqerem Beçka, Gaqi Bello, Vangjel Prifti, Zef Gjeloshaj, Sabri Koduzi, Kostantina Loli, Adriatika Këmbora, Guguçe Ruli.

***
Karbunara ishte fshati i ëndrrave tona…
Sepse Ajo kishte kodra dhe përrua, kishte baçe dhe pemë, kishte shkollë dhe varreza, kishte personalitete dhe histori, kishte kulakë dhe komunistë, kishte vërtet mjaft varfëri po kishte edhe shumë respekt, kishte pemishte me gjithë llojet e pemëve dhe prodhohej veç për Byronë Politike, po kishte edhe guroren ku punohej skllavërisht në qiell të hapët; kishte njerëz të punës po edhe të ahengut… dhe krahas mësuesve të shumtë të këtij fshati unë s’mund të lë pa përmendur Hakik Sulën e këngës dhe dasmave, Bujar Kasapin e trombës, portjerin e Lushnjës Engjëll Shehun, atleten dhe volejbollisten e talentuar Talibe Sulën, do ta kujtoj me respekt poetin Izet Shehu, por do të përmend edhe shokët e mi Flora Çelën, Shpëtim Kasapin, Vath Sulën, Mensur Shehun, Kudret Sulën, Zana Shehun, Astrit Çelën, Isuf Mankon, Namik Sulën, Hamza Kasapin, Merita Shakajn, Fatmir Shehun, Luan Xhekën, Ibrahim Ymerin… e plot të tjerë më të cilët kam ndarë mjaft ditë të jetës sime, dhe asnjiherë mes nesh s’ka ekzistuar as luftë klasash, as përçmim dhe as frikë nga e cila vuante krejt nji popull… E theksoj këtë fakt në 100 vjetorin e kësaj shkolle si nji dëshmi që tregon se kultura, arsimi, edukata, respekti, i kapërcyen me dinjitet krejt hendeqet ideollogjike dhe ndarjet klasore që aq për zemër i kishte diktatura…

Nxënës të shkollës në vitet '80
Nxënës të shkollës në vitet ’80

***
Për dy vjet rresht… kam qenë nxënës i klasës së V-B dhe i së VI-B në shkollën e Karbunarës në vitet 67-69. Sigurisht klasa jonë ishim ndër klasat më të mira të shkollës së atyre viteve… Kishte plot raste që mësuesit provonin kënaqësinë e madhe punës së tyre, kur shihnin aq konkurencë dhe aq dëshirë për të mësuar… Si mësues kujdestar kishim mësues Gaqi Bellon, fizarmoniçistin që na e mbushte me jetë orën e mësimit të muzikës… po i jepte hare edhe festave shkollore… Gjej rast të përkujtoj sot përmes këtij shkrimi shokun tim të ngushtë Mirash Tinaj, i cili nuk është më, si nxënësi më të mirë pa diskutim, përgjat gjithë viteve të shkollës që kemi kaluar bashkë: prej klasës së parë e deri në klasë të tetë… Po edhe të përshëndes gjithë miqtë e mi të shumtë të këtij fshati të Madh…
Sigurisht në kët Njiqind vjetor të Shkollës “Hysen Xheka” unë s’mund të paraqitesha ndryshe veçse me kët foto të 45 viteve më parë… nxjerrë nga arkivi im… Në nderim të asaj klasës së dikurshme dhe që sot më mall do t’i kujtoj të gjithë emër për emër…

Klasa e V-B maj 1967
Klasa e V-B maj 1968

 Klasa e V-B viti shkollor 1967-1968

Rreshti i sipërm: Shpëtim Kasapi, Luan Çeliku, Jozef Radi, Engjell Grizhaj, Mirash Tinaj, Xhevdet Zaimi, Astrit Çela,
Rreshti i dytë: Vera Grizha, Zeqir Prengjoni, Xhemile Xhumari, Lavdie Sula, Flora Çela, Zybejte Kamxhiu, Fatbardha Sula dhe mësuesi kujdestar Gaqi Bello
Rreshti i tretë: Adile Gjyshja, Dashuri Kasapi, Donika Çanaku, Dashuri Sula, Sheqere Dervishi, Xhevrije Xhumari, Qamile Mezini, Astrit Saraçi
Ulur: Naim Çela, Demir Çanaku, Luan Xheka, Hekuran Otobashi, Nebi Isufi, Vasfi Cane, Nevzat Senka…
Uroj që ky Njiqind vjetor shkollës “Hysen Xheka”, të shërbejë për ngritjen cilësore të mësimdhënies, e cila sjell edhe padiskutim edhe frytet e veta te brezat që vijnë…

Vajza e Shkollës dhe Festa e 100 vjetorit
Vajza të Shkollës së Karbunarës dhe Festa e 100 vjetorit

 

shtator 2013

Related Images:

More articles

9 KOMENTET

  1. Flamur Hoxha
    Jozef, më pëlqeu shumë… gjithçka që shkruan… Kujtimet e bukura dhe respekti që ruan për Karbunarën dhe karbunarasit trima ose siç u thoshin ndryshe “Karadakasit”. Eshtë me të vërtetë një fshat i madh e me tradita të hershme si në drejtim të patriotizmit kulturës dhe gjithçkaje të bukur që mund të rrezatojë një fshat si Karbunara, që ishte njollë e zezë për komunizmin, sepse Karbunara s’ju nënshtrua kurrë komunizmit, mbeti e tillë udhëhequr nga biri dhe mësuesi shpirtëror i saj, figurës së madhe të patriotit Sheh Karbunara.
    Unë e njoh mirë Karbunarën, kam dhe njerëz të mitë aty, jua njoh karakterin, njoh se sa të dashur dhe mikpritës e krenarë janë, megjithëse komunizmi u përpoq një jetë t’i përkulte, por nuk përkulet karakteri i Karbunarasit.
    Lexova emra e pashë foto të mjaft personave të cilët i njoh personalisht dhe m’u ngjallën plot kujtime e emocione, faleminderit Jozef!! (Marre nga fb)

  2. Të falenderoj shoku im dhe miku im i hershëm, Nini…
    për shkrimin që bëre për Karbunarën time. Me shume dashuri ke përmendur plot emra… pra një arkivë e gjallë… dhe unë nuk dua të ndalem dhe të përsëris dhe një herë arkivin tënd, por dua të shtoj diçka tjetër me rëndësi kombëtare dhe jetike për Shqipërinë. Një ndihmë të madhe shkolla e jonë ka dhënë nëpëmjet Sheh Karbunarës në pregatitjet për mbarëvajtjen e zhvillimin e Kongresit të Lushnjes. Sheh Karbunara bashkë me intelektualë të kulluar të krahinave të Shqipërisë zhvilluan disa mbledhje njëra pas tjetrës në Teqenë e Karbunarës për pregatitjet e Kongresit të Lushnjës. Kongresi që ishte për tërësinë tokësore Kombëtare… pra me këtë Kongres Karbunara i dha Përjetësi edhe qytetit të Lushnjes… Vite më vonë djepi i Myzeqesë për çlirimin e Shqipërisë formimi i Brigatës së X partizane me Rrahman Uruçi komandant… dhe 32 dëshmorë, bij e bija ranë nga Karbunara për çlirimin e vendit. Pra djepi i dijes, djepi i Kongresit, djepi i luftës, dhe djepi i luftës kundër komunizmit, të cilën e pagoi me vrasjen e themeluesit të shkollës Sheh Karbunaren dhe të djalit të tij para syve… makabritet… dhe kalvari i persekutimeve… si të fisit Shehu po e po, por dhe të fshatarëve të tjerë, pra si fshat nuk u pa me sy të mirë. Babai ime Niko Cela ka punuar traktorist dhe kurrë nuk i dhanë një traktor të ri. Ai ka punuar me inxh. Mërgim Korcën dhe unë ruaj dhe një letërkëmbime të zotit Mërgim drejtuar ne, të gjithë fëmijeve ku me fjalë shumë prekëse na këshillon, se ruan shumë kujtime me babanë… dhe na këshillon që të jemi krenarë që jemi bijtë e Tij.

  3. E lexova me shumë kënaqësi këtë shkrim, sepse më zgjoi aq shumë kujtime.
    Gjate periudhës mars 1969 – qershor 1969, kam qenë edhe unë mësues i gjuhë – letërsisë në shkollën tetëvjeçare të Karbunarës së Madhe.
    Mes emrave të nxënësve që përmenden këtu, mbaj mend disa, sidomos Vera Grizhën, që ishte një nxënvse shumë e mirë. Mjerisht, nuk mbaj mend autorin e këtij shkrimi, zotin Jozef Radi. Mes mësuesve të nderuar të kësaj shkolle, veç këtyre që përmenden ka qenë edhe Sabri Koduzi, në qoftë se ju kujtohet?
    Me shumë respekt, Dhimitër Shtëmbari…

  4. Respekt për Ju, i nderuar Jozef Radi, qe jeni kthyer në një arkiv të gjallë për ngjarjet historike dhe figurat më të shquara lushnjare dhe të atyre që kanë jetuar dhe punuar në Lushnje. Prej shumë kohësh Ju na keni dhënë mundësinë, nëpërmjet postimeve në internet, ta shfletojmë këtë arkiv, të pasurojmë njohuritë dhe të rritim vlerësimin e respektin për njerëzit e kësaj treve, ku spikatin Savra si një burg i mendimit të lirë dhe Karbunara, e cila pagoi krenarinë kokëfortë të saj, sepse ishte djepi i zjarrit për çlirimin e Atdheut (u krijua Brig. X – Sulmuese partizane), i dijes dhe i kundërvënies ndaj komunizmit (kujtoj Sheh Karbunarën, i dënuar me grupin e deputetëve), që pasoi me persekutimin e një fisi të tërë, atë të shehlereve, që ishte dhe është më i madhi në Karbunarë.
    Nderim për punën Tuaj informuese!

    • E lexova me vëmendje shkrimin e shkruar nga Ju Z. Jozef, per 100 Vjetorin e krijimit të Shkollës së Karbunarës dhe më ngjalli shumë emocion dhe njëkohesisht si nxënëse e saj u ndjeva shumë krenare! Si bijë e fisit te Shehelerëve dhe e Karbunarës, njëkohesisht ju falenderoj për këtë shkrim që të ngjall emocion dhe kënaqesi njëkohesisht.
      Faleminderit… Ju Faleminderit!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.