back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Nji vajzë… dy shkrime… nji vetvrasje… dhe dy milion dhimbje pezull

Gazeta

Studentja Iris Belba
Studentja Iris Belba

Irisi ishte vetëm… nga Albertina Jaçe

Një shkrim ndërgjegjsues por edhe prekës për vajzën që u hodh nga kulla qiellore (Sky Tower)

Irisi ishte shoqja jonë, studente e Fakultetit Ekonomik. Nuk ishim mikesha dhe as në shoqëri të njëra-tjetrës. Fatkeqësisht, ajo u bë e afërt për ne, kur i bëri gjëmën ndaj vetes.
Pasi ndodhi, të gjithë filluam të kujtojmë si e njihnim, me kë rrinte, çfarë bënte?
Ajo ishte studente si ne, kishte provime si ne, kishte drama të vogla dhe probleme të zgjidhshme dhe të pazgjidhshme si ne. Por të gjitha këto ne i marrim tani me mend, pasi ato i dinte vetëm ajo.
E sigurt është se ishte nën një presion psikologjik, dhe në një moment të errët, në një akt revoltues ndaj veshëve që nuk e dëgjonin dhe syve që nuk e shikonin, ajo zgjodhi një vend të famshëm në Tiranë, për t’i dhënë fund jetës, me shpresë se do të mbahej mend së paku nga akti dhe vendi që zgjodhi.
Dikush thotë se e bëri për shkak të provimeve, dikush për probleme familjare, shumë thonë për ‘të dashurin’. Ka edhe nga ata që hiqen si më të afërm me të dhe thonë që iu mblodhën të gjitha bashkë.
Kush jane këta ‘të afërm’? Ku ishin atë ditë, ku kanë qenë gjithmonë? Ku ishim ne atë ditë? Irisi nuk kishte ‘të afërm’. Irisi ishte vetëm.
Të gjithë po e kërkojnë fajtorin këto ditë. Me vrap tek prindërit, shokët e shkollës, profesorët. Me vrap të lëshojnë mesazhe sensibilizuese. Me vrap të anatemojne fajtorin (i cili akoma s’ka një emër).
Të gjithë jemi fajtorë! Jam Unë, je Ti, jemi të gjithë ne shokët e saj studentë. Të gjithë ia dhamë një të shtyrë nga kati i fundit i ndërtesës. Donim ‘ne’ që ajo të hidhej. Ajo thjesht donte të fluturonte pa destinacion, të largohej.
Ky vend e ka kthyer në një tumor vrasës vetminë e njerëzve në nevojë. Këtu rrethohesh çdo ditë nga dhjetra shokë e shoqe, po je vetëm, rri me meshkuj, por s’ke të dashur, rri me vajza, por s’ke shoqe, shkon në shkollë, por nuk është se kulturohesh, takohesh me pushtetarët, por nuk është se zgjidh ndonjë hall… Në jetën tonë të përditshme shoqëria po bëhet gjithnjë e më e largët, aq e largët se ne nuk e ndjejmë as kur jemi brenda saj.

Studentët e Ekonomikut në Protestë
Studentët e Ekonomikut në Protestë

Irisi së paku nuk e ndjente prej kohësh. Çdo njeri në këtë vend ndjen më pak solidaritet, më pak vëmendje, më pak përgjegjësi pushteti, më pak deyrim për të të kulturuar, më pak vemendje për të të bërë të mos ndjehesh vetëm.
Kjo ishte dhe kriza e Irisit. Nuk ishte një i dashur i ikur pa kthim, një provim i marrë keq, një shoqe e mërzitur me të, apo një prind i rreptë. Ishim të gjithë të pavëmendshëm ndaj saj, siç jemi ndaj njëri-tjetrit, duke prodhuar një shoqëri depresive dhe një rini pa shpresë.
Ajo donte të bënte diçka si të gjithë ne që të binte në sy, donte të merrte dy fakultete, donte të jepte një shenjë, se ishte këtu jo si një shifër apo numur, por ne e mbajtëm të gjithë kokën mënjanë, për të mos e parë e dëgjuar. Dhe ajo zgjodhi “Sky Tower” për të na kujtuar të gjithëve që kur të vdiste, ne do të ngrinim një moment sytë nga qielli.
Kishte shkuar me shumë vendosmëri drejt atij akti. Kishte ndërruar rrobat që i kishte në çantën që mbajti për herë të fundit në dorë, kishte veshur një fustan blu si qielli të cilit iu dorëzua dhe na detyroi të kthenim sytë nga ajo, vetëm kur vdiq. Me një çmim aq të lartë, sa e meritojmë!
Albertina Jaçe,
studente në vitin e fundit, Fakulteti Ekonomik

Studentja Iris Belba
Studentja Iris Belba

Iris, je një idiote! nga Ermal Petushi

Unë nuk të njoh! Nuk isha as në dijeni të ekzistencës tënde deri në momentin kur veprimi yt idiot i dha material shtypit për të paktën dy javët e ardhshme, por të kam xhan gjithsesi!
Iris, po flasin për ty… të gjithë po flasin për ty. Po të përgojojnë, për shkak se mediat po bëjnë atë që bëjnë zakonisht, spekullojnë. Po të qajnë e po të qeshin! Por ty s’të intereson kjo, aspak!
Iris, je një idiote!
Thonë se e bëre për shkak të një pedagogu sadomaz që masturbon egon e tij të dhjerë prej vitesh në Fakultetin Ekonomik. Një nga ata të dhimosurit, një nga ata maçot me mitër, fama e të cilëve ka kaluar kufijtë e Shqipërisë prej shumë kohësh! Nga ata që ejakulojnë mendërisht duke ngelur studentet, dhe ti, ti je një prej atyre fatkeqëve.
Je një prej tyre, je një prej nesh. Iris nuk je vetëm, o zemër!!!
Jeta është më shumë se një notë kaluese në provim, është shumë më shumë se një copë kartoni e plastifikuar që një ditë do zërë vendin e një piktureje në murin e zyrës tënde. Jeta ka vlerë por s’ka çmim, këtë nuk jua mësojnë në fakultet.  Nuk dua të besoj se ishte ky shkaku…
Iris, je një idiote!!
Thonë se e bëre për shkak të ndarjes më të dashurin. E ke parë veten në pasqyrë o mrekulli?! Bukuria jote sublime do të justifikonte edhe narcizizmin tënd në qoftë se do ishe e tillë, por ti modestisht, dukesh që e ke evituar gjithmonë pasqyrën. I dashuri, ok, duhet të ketë qenë gay që të lejë t’i ikë nga duart një kryevepër e natyrës si ti, por s’prish punë! Meshkuj ka plot, që nuk janë të verbër, që nuk janë gay, që nuk janë legena e as qerosa me X6. Ata po kërkojnë një femër si ti, po gërmojnë, por ti zgjodhë mënyrën më të keqe për t’u rënë në sy atyre.
Nuk dua ta besoj se ishte ky shkaku…
Iris, je një idiote!!!

Familja Belba dhe Irisi
Familja Belba dhe Irisi

Thonë se e bëre për shkak të divorcit të prindërve të tu! Gjëra që ndodhin, dashuritë shterojnë por respekti ngelet. Çdo gjë merr fund një ditë, edhe dashuria, përveç një lloji specifik dashurie. Ajo mes prindit dhe fëmijës! Të kanë dashur, më shumë se njëri-tjetrin, të duan, më shumë nga ç’kanë dashur prindërit e tyre, do të të duan përjetësisht, më shumë nga sa duan veten! Por ti ike, egoiste! Ike dhe për pak sa s’tërhoqe gjithë familjen pas teje. Ti luan me zemrat e njerëzve! Zemra e tët eti pushoi për pak kohë, infrakti e dobësoi atë. Zemra e nënës tënde e shtriu atë përtokë, sfigmomanometri u çmend teksa i maste asaj tensionin. Zemra e re e vëllait tënd… duroi, por shpirti dhe mendja e tij jo. Edhe ai përfundoi në spital. Si mund t’ia bësh këtë atyre, si guxon t’ia bësh këtë vetes, egoiste!
Nuk dua ta besoj se ishte ky shkaku…
Thonë se ishin të gjitha këto bashkë që ndikuan. Që është faji i sistemit, faji i shoqërisë ku jetojmë… faji, por faji ngelet gjithmonë jetim. Nuk dua të besoj asnjë prej versioneve, edhe në qoftë se të gjitha do ishin të vërteta! Zgjodhe rrugën e gabuar për t’u ngjitur në qiell, ashensori i “sky toëer” nuk ishte drita në fund të tunelit. Iris si munde ta flakësh tutje të vetmen gjë të shtrenjtë që ka çdokush prej nesh… jetën?! Iris si guxove… si?!!
Të kuptoj por s’dua të kuptoj!
Nuk ta fal!
***
Fustani yt i nusërisë shndërrin, një hiç në krahasim me shkëlqimin e syve të tu. Fytyrën, ta kanë mbuluar fytyrën e ëmbël, asfalti e hidhëroi atë. Arkivoli yt i bardhë prin lumin e zi të lotëve që po të përcjellin. Mes tyre edhe lotët e atyrë që do u thahen sot në darke sapo të filloje botërori i futbollit. Mes tyre edhe lotët e atyre që me indiferënce kronike, të dhanë një të shtyrë, ndoshta sot të penduar. Lotët e tyre, sot, s’kanë më vlerë…
Iris, je një idiote, por tashmë më duhet të them ishe!
Idiote e vogël, të kam xhan, edhe pse s’të njoh!!
Të përqafoj fort, kudo që ndodhesh!!!
http://opozita.com/2014/06/14

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Shumë vështiresi ndesh njeriu në jetë, por duhet ta mbledhë vehten dhe të shohë përpara. Asnjë shkak që supozohet apo të gjitha bashkë nuk ia vlejnë të bahen shtysë për nji vetflijim. Jeta do t’i kishte dhuru shumë ngjarje të bukura: shkollë-martesë-fëmijë-shoqëri sikur të kishte pasë durim me prite.
    Iu baftë i lehtë dheu ku prehet tashti!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.